Nga Vau i Dejës, një bashki që drejtohet nga demokratët, ambasadori i BE-së, Luigji Soreka ju bëri thirrje të gjitha palëve politike që të përgatiten për zgjedhjet lokale. Krydiplomati i BE-së ju bëri thirrje opozitës dhe mazhorancës të dialogojnë, ndryshe rruga e integrimit është në rrezik.Përkrah ambasadorit dhe deputetëve socialistë u shfaq dhe Rudina Hajdari, deputetja demokrate që nuk pranoi të dorëzonte mandatin. Ajo nuk pranoi të komentonte situatën politike të momentin pavarësisht insistimit të gazetarëve.
***
Rudina Hajdari nuk ishte shfaqur më publikisht, prej vendimit të saj për të mos djegur mandatin e deputetes, një hap kundër Partisë Demokratike, aleatëve të djathtë dhe LSI-së që hoqën dorë në bllok nga mandatet. Por këtë të premte, Rudina Hajdari, vajza e deputetit të ndjerë, dhjetoristit Azem Hajdari, është shfaqur në krah të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, dhe deputetes së PS-së, Eglantina Gjermeni. Një mesazh i qartë i përfaqësuesit më të lartë të BE-së në Tiranë për të dalë me të dy gratë e moderuara të politikës së majtë dhe të djathtë në shqipëri, pikërisht në ditën e 8 Marsit?
Ambasadori ishte në Bashkinë e Vaut të Dejës, nga ku uroi gratë dhe vajzat për 8 Marsin dhe njëherazi inauguroi një qendër për gratë në këtë zonë.
VIDEO/Vizita në Shkodër e Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca dhe deputetes së PD-së Rudina Hajdari
Në përgjigje të interesit të gazetarëve, kryediplomati i BE-së, foli edhe për situatën politike në vend. E quajti të rrezikuar integrimin e Shqipërisë, për shkak të krizës politike, me opozitën tashmë jashtë parlamentit. Soreca i bëri apel për dialog palëve, megjithatë shtoi se opozita e ka ndërmarrë një hap që nuk njeh kthim pas, siç është djegia e mandateve. Ambasadori i BE-së, i bëri thirrje politikës të bëhet gati për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, pasi siç ai theksoi, është detyrë e tyre tu përgjigjen nevojave të qytetarëve.
“Është e qartë që opozita po mban një qëndrim të saj pamundësinë për t’u kthyer mbrapsht. Ne na vjen keq për këtë. Ne ua kemi thënë këtë disa herë krerëve të opozitës, por ajo që kemi kuptuar është se ata nuk kanë për synim që të kthehen në Kuvend. Kjo ndikon në procesin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ne kemi bërë thirrje për dialog, ne nuk mbajmë anë. Ne i kemi kërkuar qeverisë që të ndërmarrë çfarëdo lloj hapi që të ketë një frymë konstruktive me opozitën
Bashkimi Evropian është në anën e qytetarëve të Shqipërisë që dëshirojnë që vendi të bëhet shtet anëtar i BE. Ky është interesi i këtyre 93 % shqiptarëve që dëshirojnë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar dhe pikërisht për këtë po punojmë edhe ne. Situata ekzistuese politike në Shqipëri minon këtë ambicie këtë dëshirë të 93 % të shqiptarëve. Dhe ky është objektivi ynë, prandaj ne ju bëjmë thirrje të gjitha palëve, qeverisë dhe opozitës, të ulen të bisedojnë për të përmbushur këtë që duan shqiptarët. Në rast se nuk do të ketë zgjidhje për këtë situatë politike në vend, rrugëtimi i Shqipërisë në BE do të jetë në rrezik.
Ne i ftojmë të gjitha institucionet qendrore dhe vendore të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre në demokraci, të kujdesen për interesat e qytetarëve dhe banorëve të zonës.
Ne sot dëgjuam probleme shumë serioze me të cilat hasen banorët e Vaut të Dejës, ata kanë nevojë që ky institucion vendor të kujdesen për këto probleme. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përgatiten për zgjedhjet vendore, sepse në fund të fundit këtë bëjnë institucionet demokratike, kujdesen për interesat e banorëve dhe qytetarëve", - tha ambasadori.
Ndërkohë, deputetja Rudina Hajdari në një prononcim për gazetarët u fokusua tek simboli i kësaj dite, 8 Marsit, duke thënë se gjithmonë duhet të ngrihet zëri për liritë dhe të drejtat e tyre. E pyetur nga gazetarët nëse sot flet si deputete, Hajdari u përgjigj: Jo, fola si qytetare e Shqipërisë.
Deputetja e Partisë Demokratike, ndodhej në Amerikë kur përmes një statusi në Facebook njoftoi vendimin e saj pas konsultave me ndërkombëtarët, se nuk do të hiqte dorë nga mandati.
Foto nga vizita në Shkodër e Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca dhe deputetes së PD-së Rudina Hajdari
Vajza e liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari, ende nuk e ka thënë fjalën e fundit nëse do të bashkohet me vendimin e PD-së apo do të mbajë mandatin e deputetit. Nëse ajo nuk lë mandatin, nga Partia Demokratike ka ardhur paralajmërimi se do të ndiqet i njëjti standard me Myslim Murrizin, i cili u përjashta nga partia pasi qëndroi në Parlament.