Derbi i Londrës midis Arsenalit dhe Çelsit ka përfunduar me fitoren e bluve me rezultatin 1 - 2. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin "Emirates" ka dhuruar mjaft emocione për të pranishmit duke e justifikuar pritshmërinë. Vendasit e drejtuar nga trajneri Arsen Venger, pavarësisht humbjes së pësuar zhvilluan një lojë mjaft të mirë, por miqtë u treguan më pragmatistë duke pritur kundërshtarin dhe shënuar me anë të zbritjeve të shpejta.

Të besuarit e Di Mateos e kanë gjetur rrugën e rrjetës shumë shpejt, në minutën e 20 të lojës pas një harkimi në zonë, Fernando Torres shmangu bukur një mbrojtës duke shënuar nga një pozicion të vështirë me këmbë në portën e Mannones. Arsenali vazhdoi të dominojë, por Chelsea rrezikonte me kundërsulme. "Topçinjtë" sulmojnë vazhdimisht duke mos u pajtuar me rezultatin, pas një pasimi të saktë nga Chamberlain, Gervinho stopoi topin për të shënuar golin e barazimit në minutën e 42 duke ngritur në peshë stadiumin "Emirates".

Pavarësisht se Arsenali vazhdoi dominimin në pjesën e dytë nuk arriti të gjejë golin e fitores, ndërsa këtë një gjë të tillë e realizoi Juan Mata në minutën e 53 të ndeshjes. Me këtë fitore Çelsi arrin në kuotën e 16 pikëve pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, duke qëndruar në vendin e parë me të gjitha fitore dhe vetëm një barazim, ndërsa Arsenali mbete në vendin e pestë me vetëm nëntë pikë. Surpriza e javës së 6-të në Premier League ka qenë humbja e Manchester United në "Old Traford" përballë Totenhem-it me rezultatin 2-3. Ndërsa kampionët në fuqi të City-t kanë fituar me vështirësi përballë Fulhamit 2-1.

(d.b/shqiptarja.com)