Titulli i Seria A për këtë sezon ka nisur të ngjyroset zikaltër. Skuadra e Conte-s ka fituar 0-3 derbin me Milanin, duke e çuar +4 pikë diferencën me ndjekësit në kampionat.
Në San Siro u deshën 5 minuta lojë për të parë golin e parë, që u realizua nga Lautaro Martinez me kokë. Bomberi Interist u shërbey në mënyrë të përkryer nga Lukaku, i cili ishte një nga më të mirët sot në fushë, për të mos thënë më i miri.
Goli zgjoi Milanin, që minutat më të mira i pati në fillimin e pjesës së dytë, por Handanovic në të paktën tre raste bëri heroin për Interin. Kjo i dha zemër zikaltërve, të cilët me një kundërsulm në minutën e 57 dyfishoi po me Lautaro-n, që realizoi ‘dopietën’ personale’.
Më tej një sprint golapant i Lukakut dhe një goditje e fortë me të majtën solli golin e tretë, që vulosi edhe shifrat përfundimtare të takimit. Me këtë fitore zikaltërit ngjiten në kuotën e 53 pikëve, 4 më shumë se Milani ndjekës. Ky ishte derbi i parë pas 10 vitesh që vendoste jo pak për titullin, por ndryshe nga hera e parë, u fitua nga zikaltërit.