Partizani dhe Tirana do luajnë të hënë në 6 mars derbin e kryeqytetit. Për javën e 24 në Superligën shqiptare të futbollit, derbi i "Air Albania" merr jetë në 19:00. Pas shumë diskutimeve për stadiumin, sfida do zhvillohet në impiantin me 22 mijë vende.
Në lidhje me këtë përballje, Partizani që është klubi pritës ka bërë me dije edhe çmimet e biletave. Çmimet e tyre variojnë nga 500-5000 lekë. Në tribunat pas porte vlera e biletës do jetë 500 lekë, teksa në atë përballë 1000 lekë. Tribuna kryesore mund të rezervohet me çmimin nga 3000-5000 lekë.
Tifozët mund t'i sigurojnë biletat duke filluar nga dita e premte dhe në vazhdim çdo ditë ora 09:00 deri 19:00 pranë dy pikave të shitjes, në stadiumet "Air Albania" dhe “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Pas 23 javësh kampionat, Tirana me 40 pikë mban vendin e parë në klasifikim, ndjekur nga Partizani me tre pikë më pak (37). Veç atmosferës se zjarrtë në shkallët e stadiumit, dueli vlen edhe për pikët që mund të hapin kampionatin.
Çmimet e biletave