Sali Berisha u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tha i lumtur se atje kishte folur për nakoshtetin shqiptar. Sigurisht, në krye të narkoshtetit është Edi Rama dhe këtë ua tha një e për një të gjithë amerikanëve që takoi.
Të njëjtën gjë bëjnë në Bruksel, nëpër ambasada, në social media dhe me këdo që iu jepet rasti të flasin. Me të huaj veçanërisht, duke treguar haptazi një kompleks të rëndë inferioriteti dhe duke ua dhënë të huajve, si në kohën e perandorisë ottomane, rolin e nënës dhe babait, të vetmit të denjë për të zgjidhur një konflikt. Një nga arsyet më të forta për të braktisur takime të organizuara nga të huaj në Tiranë, ose udhëtime me grupe shqiptarësh me ftesa nëpër botë, është pikërisht tmerri i dëgjimit të raportimeve të shqiptarëve kundër shqiptarëve. Nuk ka drekë, festë, koktejl, ambasadë, që në kohë të kohëve, që në fillimet e viteve ’90, që shqiptarë të mos nisin sharjet, ankesat, akuzat për shqiptarët që janë në pushtet dhe anasjelltas, për biznesmenë, media konkurrente etj. etj.
Në një udhëtim në Zvicër, organizuar nga Ministria e Jashtme dikur me një grup gazetarësh nga media të ndryshme të Tiranës, e ngarkuara e minsitrisë që shoqëronte grupin, në fund të udhëtimit, e dëshpëruar dhe e ngarkuar me gjithë negativitetin e mundshëm pas gjithëçka dëgjoi, u shpreh: “E pamundur të ecni kështu,kaq kundër njëri-tjetrit, ndoshta gratë shqiptare mund të bëjnë që të ndryshojë diçka”. Nuk duket ende që gratë shqiptare në politikë, media, shoqëri civile kanë kontribuuar të përmirësojnë diçka...
Derisa i shtrojmë problemet mes nesh dhe përpiqemi të përmirësohemi me kritikat më të ashpra që të mund të egzistojnë, nuk do të thotë që këtë ta bëjmë para të huajve duke u shitur si qaramanë të pandreqshëm për çdo gjë. Është sikur Londra zyrtare, pas lajmeve për narkotrafik, trafik qëniesh njerëzore dhe serialesh me Gangs of London, apo The Gentelmen, ku duket i gjithë organizimi i trafikantëve shpesh të lidhur me pushtet, polici, dogana e aristokraci, të shëtisë nëpër botë e të akuzojë vendin e vet për narkoshtet. Apo italianët, me Mafian, Ndrangetën, Sacra Corona Unita etj. etj etj. të shëtisin nëpër botë, Europë, duke akuzuar njëri-tjetrin para të gjithëve për 1000 të zezat që konstatojnë të kenë. Askush nuk e bën. As Greqia, as Serbia, as Ukraina.
Është absurde që kjo histori mes nesh vazhdon me një egërsi të paparë duke na prezantuar akoma edhe sot, pas mbi 30 vite tranzicion, si të papjekur, e sidomos të paaftë të kemi bashkim, bashkëpunim, përmirësim në radhë të parë në marrëdhëniet tona si shqiptarë.
Nuk e di sa i vërtetë është “Mallkimi i Teutës” që tani po qarkullon në social media pas sherrit për vendosjen e statujës së mbretëreshës ilire në Lezhë. Por edhe nëse është një fantazi apo sajim, vërtetë mishëron mallkimin që na ka rënë e që nuk po e heqim dot: Të këqinjtë e vetvetes. Qaramanë që shahen e zihen në rrugë si të ishim më i keqi civilizim. Pa dinjitet.








Komente
Komento