Sëmundja gungore e lëkurës, që paraqitet te gjedhet, apo “dermatoza nodulare e gjedhit” po përhapet me shpejtësi edhe në zonat përreth Elbasanit.
 
Janë 102 kokë gjedhë të asgjësuar dhe mbi 506 gjedhë të infektuara nga kjo lloj sëmundjeje. Problemi më i madh sot për të gjithë fermerët e qarkut është mungesa e vaksinave.
 
Shumë familje kanë humbur lopët, si pasojë e kësaj sëmundje, duke dëmtuar shumë edhe ekonomitë e tyre familjare dhe shkak sipas tyre është mosvaksinimi nga ana e shtetit. Ata thonë se tani që kanë humbur pasurinë më të madhe që kanë, presin kompensim nga shteti. 
 
Drejtoria e Bujqësisë nëpërmjet përgjegjësit të shërbimit veterinar në qark konfirmon përhapjen e sëmundjes edhe në zonën fushore të Elbasanit. Sipas Fatmir Ozunit janë shpërndarë një sasi e madhe vaksinash, por aktualisht ka një mungesë dhe po bëhen përpjekjet që vaksinat të sillën sa më shpejt.
 
Aktualisht sëmundja po përhapet me shpejtësi në zonën e Dumresë dhe Sulovës. Fermerët kërkojnë vaksinat ndërkohë drejtoria e bujqësisë aktualisht ka identifikuar 506 krerë me këtë sëmundje. Përveç kafshëve të llojit gjedh, kjo sëmundje nuk e prek njeriun dhe si e tillë nuk paraqet rrezik për shëndetin human.

Redaksia Online
Al.N/shqiptarja.com