Dëshmia e ambasadorit rus: Enveri më tha se prokurori Bedri Spahiu duhet të kërkojë dënimin me vdekje për Koçi Xoxen dhe burgim të përjetshëm për...

Dëshmia e ambasadorit rus: Enveri më tha se prokurori Bedri Spahiu duhet të kërkojë dënimin me vdekje për Koçi Xoxen dhe burgim të përjetshëm për...

Enver Hoxha

Arkivat sekrete ruse të pasluftës së Dytë Botërore, të publikuara së fundi (përmbledhur në librin; “Shqipëria dhe Kosova në Arkivat Ruse”, të autorëve Hamit Kaba e Ethem Çeku), pasqyrojnë qartësi faktin e prishjes së miqësisë Shqipëri-Jugosllavi. Në periudhën prill-maj të vitit 1949, kjo krisje marrëdhëniesh, e kthyer në armiqësi, ka shqetësuar Stalinin, i cili ka vënë në punë diplomatët e tij. Edhe pse Kremlini pret udhëheqësit shqiptar, u jep atyre dhe dhurata (me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave), pozicioni kritik e tepër i vështirë i Shqipërisë (politik, ekonomik e ushtarak), është në rend të ditës. Veçanërisht me provokacionet të 2 gushtit të grekëve në jug. Ndërkohë, Enver Hoxha ka zbuluar grupin armiqësor të Koçi Xoxes dhe ka urdhëruar gjykimin ndaj tij…!

Dokumenti me vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, mbi dhuratat për delegacionin qeveritar të Republikës Popullore të Shqipërisë, Moskë, më 2 prill 1949.

                                                                                                       Sekret     

KËSHILLI I MINISTRAVE I BRSS

Vendim i datës 2 prill 1949, Nr. 1273 – 454 c Moskë, Kremlin

“Mbi dhuratat për delegacionin qeveritar të Republikës Popullore të Shqipërisë”.

Këshilli i Ministrave të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike vendosi:

  1. Në emër të Qeverisë së BRSS-së, i dhurohet Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, Enver Hoxha – kuti duhani prej floriri; Kryetarit të Planit të Shtetit, Spiro Koleka – orë me zinxhir e markës “Pobjeda” e gjitha prej floriri; zëvendësministrit të Tregtisë, Vasil Kati – kuti me punime artistike; zëvendësministrit të Industrisë, Xhafer Spahiu – kuti me punime artistike; zëvendësministrit të Punëve Publike, Shinasi Dragoti – kuti me punime artistike; zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm, Nexhip Vinçani – kuti me punime artistike.
  2. Anëtarëve të delegacionit, veç kësaj, t’u jepen dhurata për bashkëshortet e tyre (pëlhura prej mëndafshi e leshi) dhe komplete ushqimore (havjar, çokollatë, vodkë, shampanjë) më një vlerë të përgjithshme, prej 11.000 rubla.
  3. Ngarkohet Ministria e Financave e BRSS-së (shoku Zverev) të akordojë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave të BRSS, Ministrisë së Punëve të Jashtme të BRSS-së, mjetet e duhura financiare, për mbulimin e shpenzimeve për blerjen e dhuratave të përcaktuara në këtë Vendim.

KRYETARI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BRSS

                       J. STALIN

DREJTORI I ADMINISTRATËS NË KËSHILLIN E MINISTRAVE TË BRSS

                           M. Pomaznev

(Burimi: SF BE, T. II, APRF, F. 3, Op. 64, D. 46, L. 1. Nr. 22. Origjinal).

              BISEDA E ENVER HOXHËS ME AMBASADORIN SOVJETIK, ÇUVAHIN

                                                 Nga ditari i D. S. Çuvahinit

                         Regjistrimi i bisedës me gjeneral-kolonel Enver Hoxhën

                                                 Tiranë, më 20 maj 1949

                                                            Sekret
Ekzemplar nr. 1

Sot më 20 maj, u takova me Enver Hoxhën. Gjatë bisedës u trajtuan çështjet e mëposhtme:

  1. Mbi punën e konferencave të partisë së qyteteve Lushnjë, Korçë, Gjirokastër.

Enver Hoxha me iniciativën e tij, bëri të ditur disa përfundime të punës së konferencave rajonale të partisë të qyteteve Lushnje, Korçë dhe Gjirokastër, ku në emër të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, shkuan përkatësisht Liri Belishova, Manush Myftiu dhe Gogo Nushi. Ata njoftuan, se në konferencat e partisë, dy pikat e fundit kaluan kënaqshëm, se sipas raporteve llogaridhënëse të sekretarëve të komiteteve të rajoneve, kishte vend për kritikë të shëndoshë dhe se punonjësit lokalë, ndonëse jo në masën e duhur, filluan ta rindërtonin punën e tyre në përputhje me udhëzimet që ju kishte dhënë Plenumi i fundit i Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Bëhet fjalë, për Plenumin e prillit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, i cili si udhëzime-direktive për organizatat rajonale të partisë, pranoi dhe miratoi raportin e sekretarit të përgjithshëm Enver Hoxha. Megjithëkëtë, në konferencën e partisë të qytetit të Korçës, nuk u kalua pa punë armiqësore. Kështu, edhe gjatë verifikimit të buletineve të zgjedhjeve doli se, në dy buletine ishin fshirë të gjithë kandidatët e propozuar në përbërjen e komitetit të rajonit dhe se 8 buletine të përgjithshëm nuk u dorëzuan. Sipas mendimit të Enver Hoxhës, në këtë rast; “ne kemi të bëjmë me armiq të betuar të Partisë”.

Duke u ndalur në punën e konferencës së partisë të rajonit të Lushnjes, Enver Hoxha tha, se; rezultatet e zgjedhjeve të komitetit rajonal të partisë dhe vetë situata në të cilën u zhvilluan ata, nuk mund ta kënaqin Komitetin Qendror të Partisë dhe se këto zgjedhje, siç mendon ai, duhet të anulohen dhe të caktohen të tjera. Sipas fjalëve të tij, në konferencën e partisë “u ndje” puna e elementëve reaksionarë, që kishin hyrë në radhët e partisë. Ai theksoi, se kandidaturat e propozuara nga Komiteti Qendror i Partisë, për sekretar të parë dhe të dytë të komitetit rajonal, kishin marrë numrin më të vogël të votave, në krahasim me personat e tjerë, të zgjedhur në përbërje të komitetit rajonal të partisë.

Ai mendon, se kjo ishte rezultat i veprimtarisë minuese të elementëve antiparti, të cilët ishin futur në radhët e partisë. Enver Hoxha deklaroi më tej, se organizata e partisë e rajonit të Lushnjes, për nga përbërja e vet sociale dhe niveli kulturor i anëtarëve të saj, ishte nga organizatat më të prapambetura të partisë në Shqipëri, dhe se në këto kushte elementëve antiparti, ju krijohen mundësi të gjera, për punët e tyre armiqësore.

Ai tha në veçanti, se në organizatat e partisë të Lushnjes ka mjaft elementë, të cilët gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare, kanë qenë të lidhur ngushtë me elementët kulakë të pasur të këtij rajoni, me ballistët dhe se shumë anëtarë të tanishëm të partisë gjatë kohës së luftës me okupatorë, mbanin një pozicion jo të fortë lidhur me elementët reaksionarë, se ka të tillë anëtarë partie, të cilët gjatë kohës së luftës kanë dezertuar nga radhët partizane, duke shkuar në qytete ku mbanin lidhje me elementë reaksionarë. Sipas mendimit të tij, që bazohet në informacionin paraprak mbi rezultatet e punës të konferencave të partisë, pikërisht këta element, u jepnin tonin konferencave të partisë.

Sipas fjalëve të tij, si rezultat i kësaj pune armiqësore, në përbërjen e komitetit rajonal, depërtuan njerëz të padenjë për të qenë në përbërje të organit udhëheqës të partisë dhe se në konferenca, vihen kandidatura të njerëzve, të cilët nuk e meritojnë aspak këtë. Sipas të gjitha këtyre gjykimeve, ai mendon, se zgjedhjet që u bënë këto ditë, duhen anuluar dhe të caktohen të tjera.

  1. Mbi Kishën Ortodokse të Shqipërisë

Në përputhje me udhëzimet në fuqi (shiko letrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të BRSS-së, datë 6.I.1949), i ngrita Enver Hoxhës një radhë çështjesh, mbi qëndrimet e qeverisë dhe udhëheqjes së Kishës Ortodokse Shqiptare, si dhe mbi synimet e qeverisë për forcimin e Peshkopatës së Kishës Ortodokse Shqiptare, me përkrahës të qeverisë së tanishme. Enver Hoxha deklaroi, se qeveria deri tani, nuk është marrë në masën e duhur jo vetëm me Kishën Ortodokse, por as me kishat e tjera. Duke u ndalur në çështjet konkrete që i ngrita, ai do të deklaronte se: drejtuesi i tanishëm i Kishës Ortodokse Shqiptare, kryepeshkop Kisi, konsiderohet një drejtues i emëruar, dhe se ai ishte me të vërtetë mjaft i kompromentuar; megjithëkëtë qeveria deri tani, nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash kundër tij.

Lidhur me çështjen, nëse ka të dhëna të reja që mund të komprometonin Kisin, Hoxha deklaroi, se në vitin 1948, organet e policisë shtetërore, pas kërkimesh të gjata në shtëpinë e Kryepeshkop Kisit, u gjend krimineli i luftës, Orollogaj – ish ministër i Drejtësisë në qeverinë e Zogut. Pavarësisht nga fakti se ish ministri i Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, tri herë pas këtij rasti bisedoi me Kisin, nuk u ndërmorën masa konkrete, kundër këtij armiku të hapur të pushtetit popullor. Nga faktet më të freskëta, të cilat dëshmojnë për lidhjet e Kisit me agjenturën e huaj në Tiranë, mund të sjellim faktin e marrjes prej tij, të një pakoje nga i dërguari francez, pas kthimit të tij nga Beogradi në muajin prill.

Duke u ndalur më gjerë në çështjen e marrëdhënieve midis kishës dhe qeverisë, Enver Hoxha theksoi, se Komiteti Qendror i Partisë duhet të merret seriozisht me studimin e çështjes fetare, të rregullojë marrëdhëniet e veta, si me institucionet orthodokse ashtu dhe ato myslimane e katolike. Me këtë rast ai theksoi, se këto ditë, kishte marrë një letër nga Kryemyftiu mysliman, i cili ngre çështjen për t’i bërë Klerit mysliman disa lehtësira, lidhur me përgatitjen e kuadrove të klerit, dhe për këtë qëllim, hapjen e shkollave të veçanta myslimane, sigurimin e letrës për botimin e Kuranit në gjuhën shqipe, si dhe ngre çështjen e ndihmave me të holla nga ana e shtetit, për objektet fetare myslimane.

Sipas mendimit të Enver Hoxhës, qeveria shqiptare, duhet të bëjë gjithçka të mundshme për të tërhequr kishën në anën e vet dhe për shfrytëzimin e ndikimit të madh të saj në popull, në interes të shtetit. Kryeministri në fund tha se; do ta studiojë çështjen e feve dhe se qeveria, do të informonte për masat konkrete në këtë fushë.

II. Mbi procesin ndaj grupit trockist të Koçi Xoxes

Enver Hoxha më njoftoi, se siç shpreson ai, procesi gjyqësor ndaj grupit të Koçi Xoxes, do të përfundojë dy ditët e ardhshme dhe se tani, Komiteti Qendror, po merret me çështjen e fjalës përfundimtare të Bedri Spahiut, e cila sipas fjalëve të tij, duhet të jetë para së gjithash, një akt serioz fajësues, kundër klikës nacionaliste trockiste të Titos dhe më tej, duhet të mprehë vëmendjen në problemet e brendshme shqiptare. Procesi ndaj grupit të Koçi Xoxes, vuri në dukje Enver Hoxha, është proces kundër klikës nacionaliste të Titos, dhe pikërisht kështu e kupton klika e Titos këtë proces, po të gjykojmë sipas artikujve të fundit, të botuara nga trockistët beogradas në gazetën “Borba”. Sipas fjalëve të Enver Hoxhës, prokurori duhet të kërkojë dënimin me vdekje për Koçi Xoxen, burgim të përjetshëm për Pandi Kriston, ndërsa për të pandehurit e tjerë – Vaskë Koleci, Nuri Huta dhe Vangjo Mitrojorgji, gjyqi duhet t’i dënojë përkatësisht me 10-15, 7-8 dhe 3-5 vjet burg.

III. Mbi bisedimet e mëtejshme me amerikanët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë

E pyeta Enver Hoxhën, në lidhje me propozimin e amerikanëve, për t’i zhvilluar në Paris, bisedimet e filluara nga Behar Shtylla në New York; për qëndrimin e Departamentit të Shtetit, në lidhje me propozimin zyrtar të qeverisë shqiptare për fillimin e këtyre bisedimeve; nëse i ishin dhënë Behar Shtyllës udhëzimet përkatëse dhe nëse jo, atëherë cili është pozicioni i qeverisë shqiptare dhe i tij personalisht, në përgjigje të propozimeve të fundit të përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit, Kempell. Enver Hoxha u përgjigj, se; në përputhje me sqarimet (e dhëna atij – red.) gjatë qëndrimit të fundit të tij në Moskë, ai e mendon të mundshëm vazhdimin e bisedimeve të filluara nga amerikanët, ndërsa lidhur me çështjen e qëndrimit mendon, se duhet pritur pak dhe të shikohet se si do të zhvillohen bisedimet, në sesionin e afërt të ministrave të Punëve të Jashtëm, në Paris.

Në përfundim e informova Enver Hoxhën, se komiteti për zhvillimin e festimeve me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Pushkinit, fton në këto festime, shkrimtarin shqiptar Zihni Sako. Pyeta më tej, nëse Enver Hoxha ishte dakord me këtë propozim të Moskës. Pasi falënderoi Komitetin për zhvillimin e festimeve të Pushkinit, Enver Hoxha, deklaroi se kandidatura e Zihni Sakos, për pjesëmarrje në festimet e përmendura, është plotësisht e përshtatshme dhe se, Zihni Sako, do ta përfaqësojë me dinjitet opinionin publik të shkrimtarëve të Shqipërisë.

Dhe me këtë biseda përfundoi.

I dërguari i BRSS në Shqipëri,

                            Dm. Çuvahin

Viti 1949: Gjyq rrufe “tradhtarit” Koçi Xoxe!

Prishja me jugosllavët, Enveri nis dënimet e bashkëpunëtorëve!

Prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, arrestimi dhe gjyqi i shpejtë kundër Koçi Xoxes e grupit të tij, i cilësuar si pro jugosllav, alarmon Stalinin. Pasi u ka dhënë udhëheqësve të Shqipërisë dhe dhurata (mesazh respekti e miqësie) me vendim të Këshillit të Ministrave (Enver Hoxhës, Spiro Kolekës, Xhaferr Spahiut, Nexhip Vinçanit, etj…), Kremlini aktivizon të ngarkuarin e saj për Shqipërinë, Çuvahin, me Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhën. Takimi u organizua më 20 maj 1949 në Tiranë. Objekt i bisedës (pasqyruar në ditarin sekret të Çuvahinit), janë situata në Shqipëri, prishja ‘de fakto’ e marrëdhënieve me Jugosllavinë, goditja e Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij si “armiq”, pozicioni i klerikëve dhe komuniteteve fetare në Shqipëri, etj.!

Referuar ditarit sekret të përfaqësuesit të Stalinit në këtë takim, konstatohet qartë situata kritike në Shqipëri, përçarja mes drejtuesve më të lartë të shtetit, një gjendje ankthi e pasigurie e Enver Hoxhës, shoqëruar dhe me ndëshkime të rënda për ata që ai i quan bashkëpunëtorë të jugosllavëve, e që punonin në dëm të interesave të vendit. Referuar dokumenteve të publikuara, për herë të parë konstatohet përplasja e parë e shtetit të ri shqiptar, me përfaqësues të besimeve fetare në Shqipëri.

Enver Hoxha i raporton Moskës se; përfaqësuesi i Klerit Orthodoks, “është njeri i dyshimtë”, “person që ka strehuar ish-ministrin e Zogut”, duke premtuar gjithashtu se “shpejt do të shikohet problemi i marrëdhënieve të shtetit me përfaqësuesit e besimeve fetare”, etj. Në bisedën e Enverit me ambasadorin Çuvahini, lidhur me gjyqin kundër Koçi Xoxes, evidentohet qartë se Hoxha merr dhe atributet e gjykatësit. Ai i konfirmon bashkëbiseduesit se për Xoxen duhet kërkuar dënim me vdekje, ndërsa për bashkëpunëtorët e tij, dënime me shume vite burg…!

(Burimi: RGASPI, F. 17, Op. 137, D. 68, L. 55-58. Nr. 131. Kopje e besuar (vërtetuar).

Ditën e provokacionit grek, pranga kreut të Zbulimit të Ushtrisë

Mes viti 1949, prova më e vështirë e Enver Hoxhës e drejtuesve të tjerë të shtetit të ri shqiptar. Miqësia e kthyer në armiqësi me jugosllavët, pasohet menjëherë me agresionin ushtarak të 2 gushtit 1949 nga Greqia. Mbështetur në dokumentet e arkivave sekrete ruse të kësaj periudhe (përfshirë në librin “Shqipëria dhe Kosova në Arkivat Ruse”, të autorëve Hamit Kaba e Et’hem Çeku), kjo situatë e vështirë, në një farë mënyre e paralajmëruar për Hoxhën e mbështetësit të tij, nuk mendohej se do shkonte deri në agresionin ushtarak nga fqinjët jugorë. Në të njëjtën ditë (2 gusht 1949), Enver Hoxha kërkon takim urgjent me Çuvahinin, të ngarkuarin e Stalinit për Shqipërinë. Ndërkohë, para takimit të kësaj dite, ai ka shpallur “armik” Hamit Keçin, shefin e Zbulimit të Ushtrisë dhe ka nis goditjen ndaj tij e bashkëpunëtorëve…!

Nga ditari i D.S. Çuvahinit.

Regjistrimi i bisedës me Enver Hoxhën, mbi konfliktet e armatosura në kufirin shqiptaro-grek, mbi arrestimin e shefit të zbulimit të ushtrisë shqiptare H. Keçi, mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën Ndërkombëtare për Radio frekuencat

Tiranë, më 2 gusht 1949.

                                                                                                                      Sekret
Më 2 gusht, vizitova Enver Hoxhën me iniciativën e tij.

Enver Hoxha më njoftoi sa më poshtë:

  1. Mbi provokacionin e monarko – fashistëve grekë, Enver Hoxha, më njoftoi se më 2 gusht të orës 5 të mëngjesit, dy batalione të forcave monarko-fashiste greke, u futën me forcë në territorin shqiptar, në Vidohovë (juglindje të Korçës). Kufitarët shqiptarë u bënë monarko-fashistëve, rezistencë të vendosur. Si rezultat i këtij provokacioni, gjatë 11 orëve sipas të dhënave, monarko-fashistët grekë, patën 100 të vrarë dhe mbi 100 vetë të plagosur. Humbjet nga ana shqiptare, sipas të dhënave të pakontrolluara janë: një i vrarë dhe dy të plagosur. Tani për tani, mbrojtjen kundër monarko-fashistëve, e bëjnë vetëm forcat e mbrojtjes së kufirit, ndërsa njësitë e rregullta të ushtrisë shqiptare, nuk janë përfshirë në luftim.

Enver Hoxha mendon, se; qëllimi i këtij provokacioni të ri të monarko-fashistëve grekë, është i vjetër, d.m.th. për të çarë përmes territorit shqiptar dhe për t’u dalë në prapavijë demokratëve grekë. Për këtë, siç vuri ai në dukje, dëshmon zhvillimi i tanishëm i luftimit – grekët nuk shkojnë në thellësi të territorit shqiptar, por me luftime ata lëvizin në anën shqiptare, përgjatë kufirit shqiptaro-grek, me qëllim që, duke arritur deri te një pikë e caktuar në kufi, të kthehen në territorin grek dhe t’i godasin demokratët grekë nga prapavija.

Sipas fjalëve të Enver Hoxhës, nga ana e komandës së ushtrisë shqiptare janë marrë masa urgjente. Repartet e ushtrisë së rregullt po lëvizin drejt vendit të luftimit – si dhe u aktivizuan 3 bateri, duke përfshirë një bateri kundërajrore.

Mbi Hamit Keçin – shef i zbulimit të ushtrisë shqiptare

Enver Hoxha njoftoi se sot, më 2 gusht dha urdhër për arrestimin e shefit të Zbulimit të Ushtrisë Shqiptare, kolonel Hamit Keçin. Shkaku i arrestimit, është si më poshtë: gjatë diskutimit më 1 gusht të këtij viti, të planeve të stërvitjes ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Hamit Keçi deklaroi, se këto plane janë të dëmshme dhe se janë hartuar nga tradhtarë të popullit shqiptar.

Pra, sipas fjalëve të Enver Hoxhës, Hamit Keçi deklaroi se tradhtarë janë, edhe Beqir Balluku – shef i Shtabit të Përgjithshëm edhe Hysni Kapo – shef i Drejtorisë Politike të Ushtrisë (të dy anëtarë të Byrosë Politike); se edhe koloneli sovjetik Lebedjev dhe disa oficerë të tjerë sovjetikë, që punojnë pranë Ushtrisë Shqiptare, janë armiq të Shqipërisë.

Enver Hoxha më tregoi, se Hamit Keçi u përpoq të lidhej në telefon me të dhe se ai u mundua, të futej në shtëpinë e Enver Hoxhës. Sipas fjalëve të Hoxhës, mendimi i disa punonjësve ushtarakë, se Hamit Keçi ishte i çmendur, nuk duhet marrë në konsideratë, sepse Hamit Keçi, sipas fjalëve të tij, vepronte krejtësisht me ndërgjegje, sepse ai ka pasur shfaqje të sjelljes normale këtë ditë, përderisa Hamit Keçi, kishte folur me kushëririn e tij të parë, Isuf Keçin (kryetar i Këshillit të qytetit të Tiranës) dhe me disa shokë të tjerë të grupit, mbi veprimet e veta.

Në lidhje me sa u parashtrua, Enver Hoxha më përmendi, se Hamit Keçi, i përket të ashtuquajturit Grup të të Rinjve (grup i ish trockistit Anastas Lula, të pushkatuar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, me urdhër të Enver Hoxhës) dhe se ky grup, në periudhën e pasçlirimit, u përpoq dhe përpiqet të futet në udhëheqjen e partisë dhe për këtë qëllim, përpiqet gjithmonë ta tregojë veten në popull. Tani për tani, është e vështirë të thuhet se ai është udhëheqës i këtij grupi, por një gjë është e qartë, se në këtë grup, bëjnë pjesë; Hamit Keçi, Isuf Keçi, Njazi Islami (kandidat për anëtar i Komitetit Qendror), Abedin Shehu (anëtar i Komitetit Qendror – ministër i Punëve Publike), Shyqri Këllezi (zëvendësministër i Komunikacioneve, deri kohët e fundit dhe tani drejtor i Kombinatit të Naftës në Kuçovë) dhe të tjerë.

Enver Hoxha, i kushton rëndësi të madhe këtij grupi. Ai deklaroi, se Komitetit Qendror, duhet të merret seriozisht me veprimet e përfaqësuesve të këtij grupi. Ai kritikoi me tone të ashpra, qëndrimin e anëtarëve të Byrosë Politike, Beqir Balluku dhe Hysni Kapo, si dhe të nëpunësve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, të cilët, Hamit Keçi i quajti haptazi tradhtarë, në prani të oficerëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët nuk përfituan që t’i raportonin për këtë Enver Hoxhës.

Vërejtje: Këshilltari ynë i vjetër ushtarak, koloneli Lebedjev, deklaron kategorikisht, se; Hamit Keçi, ditët e fundit ishte në gjendje të papërgjegjshme dhe se ai, koloneli Lebedjev, është i bindur se Hamit Keçi, ka lojtur nga mendja. Shqiptarët po marrin masa, për të përcaktuar gjendjen reale të shëndetit të Hamit Keçit.

Mbi përfaqësimin shqiptar në Konferencën e Rajonit të Parë, për klasifikimin e frekuencave të radios.

Në përputhje me udhëzimet e Moskës, e njoftova Enver Hoxhën, se tani në Zvicër, po zhvillon punimet Konferenca e Rajonit të Parë, për klasifikimin e frekuencave të radios, për diapazonin 255-415 dhe 1605-3900 kilocikël. Unë, i thashë Enver Hoxhës, se në këtë konferencë, merr pjesë delegacioni sovjetik, prandaj do të ishte e dëshirueshme pjesëmarrja edhe e përfaqësuesit shqiptar në Konferencën e Gjenevës. (Në periudhën e diskutimit të listës së re ndërkombëtare të regjistrimit të frekuencave për diapazonet që u përmendën më sipër).

Pasi më dëgjoi, Enver Hoxha tha, se; do ta dërgonte patjetër në Gjenevë përfaqësuesin shqiptar, përderisa këtë e kërkojnë interesat tona të përbashkëta dhe se ky përfaqësues, do të jetë Petro Kita. Sipas mendimit të Enver Hoxhës, Petro Kita, mund të udhëtojë nga Tirana përmes Romës, me avionin më të afërt. Njëkohësisht, Enver Hoxha m’u drejtua me lutjen, për ta njoftuar, lidhur me mendimin e përfaqësuesve sovjetikë për punën e Petro Kitës, i cili së bashku me përfaqësuesit sovjetikë, të merrte pjesë në punimet e një radhe konferencash (Meksikë, Zvicër, Danimarkë) dhe që sipas fjalëve të tij, ai të mbante kontakt të ngushtë me përfaqësuesit sovjetikë, në këto konferenca.

I premtova se do të interesohem për këtë.

I dërguari i BRSS në Shqipëri, Dm. Çuvahin

(Burimi: SF VE, T. II, AVP RF, F. 07, Op. 22, P. 31, D. 89, L. 40-42. Nr. 45. Kopje)./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë

'Trumpi hesht, Ukraina debaton', Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ende pa një plan zyrtar për të ndaluar luftën e Rusisë