Dëshmia e rrallë e ish-diversantit: Në tre misionet tona në Shqipëri, na u vranë disa shokë

Dëshmia e rrallë e ish-diversantit: Në tre misionet tona në Shqipëri, na u vranë disa shokë

Publikohet historia e panjohur e grupeve shqiptare antikomuniste që u morrën nga anglo-amerikanët dhe u dërguan në bazën sekrete në Maltë, ku stërviteshin nga koloneli i shërbimeve sekrete britanike, Harold Adrian Russell, i njohur ndryshe si Kim Philby, agjenti i njohur me detyra të larta në shërbimet e fshehta anglo-amerikane, i cili më pas u vë në shërbim të sovjetikëve, duke i shërbyer me zell të madh KGB-së, ku dhe ndërroi jetë në vitin 1988, pasi për vite me rradhë kishte punuar për rusët duke dekonspiruar mjaft nga operacionet që anglo-amerikanët kishin ndërrmarë me shërbimet e tyre sekrete në disa vënde të Lindjes Komuniste, siç ishte dhe Shqipëria. Dëshmia e rrallë e Arif Xhaferrit, me origjinë nga fshati Sasaj i Sarandës, ish-ballistit që u arratis nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944 dhe u dërgua nga Komiteti “Shqipëria e Lirë” me grupin e shqiptarëve që u stërvitën nga Philby në Maltë dhe zbarkuan disa herë në Shqipërinë komuniste. Kthimi i Xhaferrit për herë të parë në atdhe në vitin 2005, ku dëshmoi për herë të parë edhe mbi aventurën e tij me grupet e diversantëve në Shqipërinë komuniste ku ata kryen tre misione zbarkimi dhe ju mbetën disa shokë të vrarë apo të kapur gjallë, si Sami Bardha nga Kolonja?!

Ishtë larguar nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare në nëntorin e vitit 1944 së bashkë me eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar e Legalitetit dhe u kthye në atdheun e tij pas gati 50 vitesh emigrimi politik. Një gjysëm shekulli në dhe të huaj me një jetë të trazuar duke mos pasur asnjë lajm për atë pjesë të familjes që kishte lënë në vëndlindjen e tij në fshatin Sasaj të Sarandës. Në vitin 2005 kur ishte në moshën 77-vjeçare, Arif Xhaferri me banim në Çikago të SHBA-së, erdhi për herë të parë për një vizitë tek të afërmit e tij në Shqipëri dhe ne patëm rastin ta takonim dhe ta intervistonim. Pasi ai në atë kohë, ishte një nga tre shqiptarët e vetëm të mbetur gjallë, nga ata që një gjysëm shekulli më parë patën shërbyer nën urdhërat e kolonelit anglez të Intelixhent Servis-it, Kim Philby. Apo më saktë njeriut që u tradhëtoi atdheun e tij dhe për shkak të bindjeve komuniste u vu në shërbim të KGB-së sovjetike duke u bërë një nga agjentët që veç të tjerash dekonspiroi të gjitha operacionet e anglo-amerikanëve në vëndet e Lindjes komuniste, përfshirë dhe Shqipërinë. Arif Xhaferri na dëshmoj asokohe të gjithë aventurën e tij nën urdhrat e Kim Philby prej të cilit u stërvit, instruktua dhe detyra të posaçme në misionet e tija sekrete në Libi, Kore dhe Shqipëri, ku ai zbarkoi tre herë nga deti, toka dhe ajri në vitet 1948-1951. Para se të njihemi me intervistën që i kemi marrë në atë kohë z. Xhaferri, në fillim të këtij shkrimi po publikojmë një histori të shkurtër të jetës së tij dhe familjes Xhaferri nga fshati Sasaj i Sarandës, deri ditën që ai u vu në shërbim të anglo-amerikanëve.

vijon nga numri i kaluar

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, u njohëm me historinë e jetës së Arif Izet Xhaferrit me origjinë nga fshati Sasaj i Sarandës dhe me banim në Chicago të SHBA-së, i cili është një nga tre shqiptarët e vetëm të mbetur gjallë nga ata që në vitet 1948-1951 u stërvitën nga anglo-amerikanët në ishullin e Maltës për të zbarkuar në Shqipëri me qëllim që të rrëzonin regjimin komunist të Enver Hoxhës. Sipas dëshmive të tij, ekskluzive për Memorie.al, Xhaferri u largua nga Shqipëria në nëntorin e 1944-ës së bashku me eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, të cilët u vendosën në kampet e UNRRA-s në Itali. Në ato kampe ai qëndroi deri në vitin 1948 dhe në atë kohë me ndërhyrjen e Mit’hat Frashërit ai u zgjodh në grupin e emigrantëve shqiptarë që anglo-amerikanët i morën për t’i stërvitur në një bazë të tyre në Maltë. Sipas Xhaferit në atë bazë ushtarake e cila ishte nën komandën e kolonelit të Intelixhent Servis-it englez, Kim Philby, për tre vite u stërvitën gjashtë grupe emigrantësh shqiptarë nga: Gjirokastra, Korça, Kolonja, Mallakastra, Vlora, Skrapari dhe Kurveleshi. Zbarkimi i parë i atyre grupeve në Shqipëri u bë në tetorin e vitit 1948 në grykën e Dukatit në Vlorë, ku dhe u asgjesua “Grupi i Vlorës” nga ana e repartave të Forcave të Ndjekjes. Po kështu në pjesën e parë të këtij shkrimi u njohëm edhe me një biografi të shkurtër të Kim Philby, oficerit të Intelixhent Servisit anglez, i cili u rekrutua si agjent i sovjetikëve duke spiunuar dhe dekonspiruar të gjitha planet e anglo-amerikanëve që synonin përmbysjen e regjimeve komuniste të vëndeve të Lindjes, midis tyre dhe Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Zoti Xhaferri, kur dhe kush ishte grupi i parë që zbarkoi në Shqipëri?

Grupi i parë i shqiptarëve të Maltës që u nis me mision për në Shqipëri ishte ai i Vlorës, i cili zbarkoi në Grykën e Dukatit në tetorin e vitit 1948. Bashkë me atë grup ishte dhe grupi i Gjirokastrës ku bëja pjesë dhe unë me detyrën e radistit, si dhe ai i Kolonjës. Të gjithë ne bëheshim 18 vetë.

A ju dhanë udhëzime para nisjes?

Para nisjes komandanti i bazës, koloneli Kim Philby, na dha udhëzimet e rastit dhe në fund na tha: “Kur të bini në përpjekje me forcat shqiptare të ndjekjes, mos rrezikoni të vriteni, por dorzohuni, sepse ne kemi njerëz që hanë bukë natë për natë me Enver Hoxhën”. Nga baza sekrete e Maltës ne udhëtuam me një nëndetëse të vogël angleze ku përveç kapitenit të saj, ishin dhe tre oficerë të tjerë, si dhe dy vajza që na shërbenin. Nga mesnata kur ne mbërritëm dy tre milje afër bregdetit shqiptar, grupi i Vlorës mori urdhër të bëhej gati për zbarkim. Pasi nëndetsja doli në sipërfaqe, Hysen Lepenica, Zagoll Shena, Safet Kaba, etj me anë të një varke gome iu drejtuan bregut. Ne të grupit të Gjirokastrës dhe të Kolonjës qëndruam në pritje, e pas 20 minutash nga zbarkimi i tyre, me anë të radios ata na njoftuan se ishin zbuluar nga Forcat e Ndjekjes dhe ishin të rrethuar. Të nesërmen sipas planit do të zbarkonim ne, por pasi mësuam se ata ishin vrarë të gjithë, ne u kthyem andej nga kishim ardhur, në bazën e Maltës.

Pasi u asgjesua grupi i Vlorës, a zbarkuan grupet e tjera në Shqipëri?

Pas një jave nga asgjesimi i Grupit të Vlorës, u përgatit për të zbarkur në Shqipëri Grupi i Kolonjës dhe ai i Gjirokastrës ku bëja pjesë unë. Udhëtimi ynë nga baza sekrete e Maltës deri në afërsi të bregdetit të Semanit, ku ishte caktuar vëndi i zbarkimit, u bë me një nëndetëse të vogël të marinës angleze. Dy grupet komandoheshin përkatësisht nga Xhemal Ibrahimi dhe Alo Luarasi, ndërsa si radistë isha unë dhe Përparim Aliu. Nëndetësja na la rreth 3 milje larg bregut dhe nga aty me një varkë gome ne zbritëm në tokë rreth orës 2 të natës. Koha ishte e mirë dhe ne u futëm menjëherë në pyllin e dendur ku kaluam atë natë. Të nesërmen disa nga ne hipën nëpër pemë për të vrojtuar vëndin rreth e rrotull se mos ishim zbuluar nga Forcat e Ndjekjes. Në mbrëmje pasi u veshëm me uniforma të policisë shqiptare dhe me armë në krah, ne u nisëm për në drejtim të Tepelenës duke përshkuar itinerarin: Seman, Cakran, Mallakastër, Fratar, Kalivaç.

Në çfarë itinerari udhëtonit?

Ne ecnim në zona të pabanura që të mos zbuloheshim. Kur mbërritëm në Luftinjë të Tepelenës, Grupi i Kolonjës u nda nga ne duke marrë rrugën për në krahinën e tyre, ndërsa ne qëndruam për 6 ditë në një pyll afër shtëpisë së hallës së Xhemal Ibrahimit, e cila na furnizonte me ushqime dhe cigare. Sipas udhëzimeve që kishim për çdo ushqim që merrnim nga fshatarët ne paguanim flori në dorë dhe kjo gjë bëhej me qëllim që në popull të krijohej ideja se ne vërtetë ishim të dërguar nga amerikanët. Asgjë nuk mund të merrnim pa para se përndryshe e paguanim me kokë.

Çfarë bëtë më pas?

Pas 6 ditësh ne u nisëm në drejtim të Gjirokastrës duke u vendosur në malin e Sopotit sipër Lazaratit. Aty takuam vëllanë e Haki Kabës, Rashon, i cili ishte çoban dhe na furnizonte me bukë e informata. Në Sopot ne takuam edhe Jonuz Bocin, kushëririn e Hakiut i cili ishte gjykatës në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës.

Si mund të takohej një gjykatës ushtarak me diversantë…?!

Jonuzi vinte e na takonte në mal kur errej dhe ikte në 3 të natës në shtëpinë e tij në Lazarat. Pas pak ditësh ai na sugjeroi që të largoheshim që andej pasi kapiten Ahmet Idrizi me 500 policë dhe Forca të Ndjekjes, kishte marrë urdhër të rrethonte zonën tonë. Ai na tha se edhe në popull ishte hapur fjala se kishin ardhur diversantë nga jashtë.

Si vepruat pas asaj informate?

U lidhëm me qëndrën në Maltë duke u thënë se ishte i pamundur qëndrimi ynë i mëtjeshëm në atë vënd, dhe u kërkuam udhëzime se çfarë të bënim. Qëndra na tha: “Bëni çmos të dilni në Greqi duke marrë masa që të mos diktohet asnjë nga bazat ku keni qëndruar”.

Dhe u larguat pas asaj që ju tha qendra?

Po, të nesërmen në mëngjez ne lamë Libohovën në të djathtë dhe sipas udhëzimeve të eprorëve tanë kaluam kufirin në Makrikom pa u kuptuar fare.

Ku shkuat pasi dolët në Greqi?

Ne u dorëzuam tek posta greke e kufirit në Poçanik ku patëm debate pasi ata donin të na merrnin armët dhe të na kthenin në Shqipëri. Ky keqkuptim erdhi pasi ne nuk u treguam se kush ishim, duke u hequr si dezertorë të ushtrisë shqiptare, por më pas çdo gjë u sqarua. Ne u dhamë parrullën tone e cila ishte “Argj”(Argjirokastër) dhe ata u lidhën me shërbimet sekrete në Athinë. Aty ishte Kim Philby i cili doli në radio duke na dhënë udhëzimet e rastit dhe në mënyrë të veçantë porositi që ne të mos tregonim kodin e radios. Pas kësaj ata morën urdhër nga eprorët e tyre që të na trajtonin sa më mirë dhe të na i plotësonin të gjitha nevojat që kishim, ndryshe do mbanin përgjegjësi.

Çfarë bëtë më pas?

Pas kësaj të shoqëruar nga një skuadër greke e kufirit ne na çuan në Delvinaq, pasi ajo zonë kontrollohej nga ushtria partizane e komunistëve grekë të gjeneralit Marko Vafjadhis. Në Delvinaq na priti një major grek i cili me një kamionçinë të mbyllur na dërgoi në Patra ku na dhanë ushqime. Aty na mori në pyetje një gjeneral grek, i cili na njoftoi për vdekjen e Mit’hat Frashërit në hotelin “Astoria” të New Yorkut. Aty kuptuam se gjenerali grek ishte në dijeni të misionit tonë që drejtohej nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”. Në orën 21 ne mbërritëm në Athinë ku na priste kapiteni skocez, Grant. Pas 30 minutash aty erdhi Kim Philby i cili na pyeti në se kishim nevojë për ndonjë gjë. Atë natë fjetëm në hotel dhe të nesërmen na dërguan në një aerodrom ushtarak ku me një avion të vogël u nisëm për në Maltë. Pak ditë më vonë aty erdhi dhe Grupi i Kolonjës i cili gjithashtu nuk kishte pësuar humbje. Kështu mbaroi misioni ynë i parë në Shqipëri.

Po misionin e dytë dhe të tretë kur i ndërmorët dhe sa zgjatën ata?

Misionin e dytë ne e bëmë në 15 shtator 1949 duke zbarkuar në bregdetin në mes Lukovës dhe Shën-Vasisë. Aty zbarkoi vetëm grupi ynë i Gjirokastrës pasi unë njihja vëndin, ndërsa grupet e tjera zbarkuan sipas krahinave të tyre. Ndërsa misionin e tretë e ndërmorëm në 2 tetorin e vitit 1950 duke u hedhur me parashuta në malet e Këndrevicës së Kurveleshit. Avioni ynë u zbulua dhe ne ramë në pritë sa zbritëm në tokë, por mundëm të shpëtonim nga terreni i thyer. Ndërsa grupi i Kurveleshit u hodh me parashuta në Valë të Golëmit.

Po gjatë këtij misioni, çfarë udhëzimesh ju kishin dhënë?

Ndryshe nga dy misionet e para ku ne duhet të mblidhnim informata për vendosjen e rusëve në vëndin tonë, këtë herë kishim si detyrë që të takoheshim me sa më shumë njerëz dhe baza për të shpërndarë në popull komunikata dhe fletushka të Komitetit “Shqipëria e Lirë” ku thuhej se; me ndihëm e anglo-amerikanëve do zbarkohej në Shqipëri. Misionin tonë ne e përmbushëm në një farë mënyre duke shkuar në disa baza dhe duke takuar disa njerëz të besuar, ndonëse kudo ishim të ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Në misionin e dytë nuk patëm asnjë humbje, ndërsa në të tretin na u vra Ramiz Matuka në Bënçë të Tepelenës, dhe u kap i gjallë me tradhëti në Kolonjë, Sami Bardha. Edhe nga grupi i Korçës u vranë në përpjekje me Sigurimin e Shtetit, Seit Piluri dhe Shahin Dushku. Më 23 tetor ne dolëm në Greqi dhe pas dy ditësh u nisëm për në Maltë. Pas pak kohësh të gjithë shqiptarët i kthyen në Angli, kurse mua më mbajtën edhe 6 muaj atje dhe më pas më dërguan me mision në luftën e Koresë.

Në ç’rrethana dhe pse u dërguat ju me mision në Kore?

Nga qershori i 1952 erdhi një oficer englez dhe me një avion ushtarak shkuam në Liverpul. Pas dy muajsh më thirrën në një zyrë ku bashkë me Philbin, ndodhej edhe një oficer amerikan me kapitenin skocez që quhej Grant. Philby më tha: “Arif, që sot e tutje ti e ke mbarur shërbimin me ne dhe do të shkosh në SHBA”. Atë natë ata më prezantuan me oficerin amerikan dhe të nesërmen udhëtuam për në Alaska. Sa mbërritëm atje, shkuam në një zyrë ku takuam një major dhe një kolonel. Oficeri amerikan që më kishte shoqëruar deri aty, u largua sapo më prezantoi me ta. Dy oficerët pasi më paisën me një pashaportë amerikane më pyetën nëse do t’i qëndroja besnik shtetit Amerikan, dhe unë i’u betova. Më pas ata më thanë: “Po të jetë nevoja a do të luftosh kundër vëndlindjes tënde”? Unë i’u përgjigja duke u thënë: “Po të jetë e nevojshme”.

Dhe çfarë ndodhi me ju pas kësaj?

Të nesërmën më morën dhe më hipën në një avion ku kishin zënë vënd 12 ushtarë amerikanë, me të cilin ne udhëtuam për në aeroportin ushtarak të Seulit në Korenë e Jugut. Në atë bazë qëndrova për rreth dy javë pushim absolut dhe më pas erdhi një civil i cili më mori në pyetje. Me një anglishte me theks amerikan, ai më pyeti se çfarë kisha bërë unë deri në atë ditë që kisha mbërritur aty. Në fund ai më pyeti se ku dëshiroja të shërbeja, në front apo në prapavija. Dhe unë i thashë: “Deri sa kam ardhur këtu, ku ta shihni ju të nevojshme”. Nga që nuk e dija mirë anglishten më caktuan në ekuipazhin e një avioni bombardues, i cili përbëhej nga 12 vetë.

Çfarë armatimesh kishte ajo bazë?

Në atë bazë kishte me qindra avionë amerikanë dhe 44 prej tyre ishin bombardues “B-52”, ndërsa të tjerët për transport. Pranë asaj baze unë qëndrova për 8 muaj dhe gjatë asaj kohe mora pjesë në dhjetra fluturime. Detyra e ekuipazhit tonë ishte që para nisjes së avionit për bombardime, ta furnizonim atë me të gjitha materialet që duheshin. Ndërsa gjatë fluturimit kishim detyra të tjera: 2 ishin pilotët që drejtonin avionin, 2 vetë ishin për të fotografuar, 2 të tjerë me harta për të treguar vëndet e objektet që duheshin bombarduar etj.

Çfarë trajtimi ju bëhej aty?

Trajtimi që na bëhej aty ishte shumë i mirë, ndonëse pjesën më të madhe të kohës ne e kalonim në repart duke qëndruar në gatishmëri. Si rezultat i kësaj unë pata rastin të dilja vetëm dy herë në qytetet Su dhe Pusan.

A u rrezikuat ndonjë herë të vriteshit?

Rreziku për t’u qëlluar nga koreanët ishte gjithnjë prezent, por rreziku më i madh që kam kaluar në atë kohë ishte ai kur avioni ynë u godit nga një rrufe.

Si dhe kur ka ndodhur kjo?

Ka qenë 2 janari i vitit 1953 kur na ndodhi kjo tragjedi prej së cilës gati humbi jetën i gjithë ekuipazhi ynë. Pas goditjes nga rrufeja, dy pilotët dhe dy të tjerë që ishin përpara mbetën të vdekur në vënd nga flakët që i përpinë, në çast, ndërsa ne të tjerët u hodhëm me parashuta. Avioni u rrëzua në një vënd malor afër paralelit 36 dhe vetëm unë e një ushtar tjetër amerikan nga shteti i Xhorxhias patëm fraktura në këmbë nga që na ngeci parashuta në pemë, ndërsa të tjerët nuk patën probleme.

Si mundët që të shpëtonit për t’u kthyer në bazë?

Pas 6 orësh njëri nga shokët tanë u lidh me radio me qëndrën dhe erdhi e na mori një helikopter të cilit i dhamë shenja me elektrikët e dorës. Prej andej unë me ushtarin tjetër të plagosur u dërguam në një spital amerikan në Okinava, 110 km. në veri të Tokios, ku kishte rreth 40 ushtarë amerikanë të plagosur.

Sa qëndruatr në atë spital?

Atje ne qëndruam deri më 12 shkurt 1953 dhe atë ditë erdhi e na mori një major amerikan i cili na çoi në hotel. Të nesërmen nga ora 10 ai na dërgoi në një aerodrom ushtarak, ku na mori një avion i cili na dërgoi në një bazë në Filipine. Pas tre ditëve me një avion tjetër udhëtuam për në bazën ushtarake “Fordiks” të Xhorxhias ku grumbulloheshin rreshterët që vinin nga fronti i Luftës. Të nesërmen ndërsa qëndroja në kazermat e asaj baze, erdhi një civil i cili më tha: “Zoti Xhaferri, shërbimi juaj mbaroi. Ju falenderoj për besnikërinë që keni treguar ndaj SHBA-së”. Pastaj ai më pyeti se ku dëshiroja që të qëndroja në SHBA, që të më përgatiste dokumentet. Por unë i thashë se do të shkoja tek dajua im, Qani Lesko që banonte në New York. Pasi mori emrin dhe adresën e tij, ai më dha një adresë në New York ku unë duhet të paraqitesha pas një jave dhe numrin e telefonit të tij, duke më thënë që për çdo problem unë duhet t’i telefonoja. U ndava me të dhe u nisa për në New York tek shtëpia e dajos sim, të cilin nuk e kisha parë që në 1948-ën kur ishim në kampet e Italisë. Pas një jave shkova dhe u paraqita në zyrën që më kishin adresuar ku gjeta një major dhe dy vajza civile. Pasi iu dhashë pashaportën dhe librezën ushtarake, ata më dhanë rrogën prej 5.447 USD që më takonte nga shërbimi ushtarak duke më falenderuar për besnikërinë që kisha treguar ndaj SHBA-së. U përshëndeta me ta dhe u nisa për tek shtëpia e dajos tim ku më prisnin dhe shumë shokë që kishin ardhur për të më takuar.

Xhaferi: Konflikti im i ashpër me Philby në Maltë

Pak kohë pasi ishte kthyer nga misioni i tretë në Shqipëri, Arif Xhaferri pati një konflikt të ashpër me kolonelin, Kim Philby, i cili ishte dhe komandanti i asaj baze. Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Pasi përgatitëm me shkrim raportet e zakonëshme nga misioni ynë i tretë në Shqipëri, me urdhërin e Philby i larguan të gjithë shqiptarët nga baza duke i dërguar në Angli. Aty mbetëm vetëm pesë vetë: unë, Turan Aliko, Muharrem Hitaj, Pëllumb Sino dhe Ahmet Kuka. Ne qëndruam edhe tre javë më pas. Një ditë pasi na thirri në zyrë ku ndodheshin dhe dy kolonelë të tjerë englezë, Philby na tha: “Do t’ju çojmë përsëri me mision në Shqipëri, duke u ndarë në grupe me 2 englezë dhe 2 shqiptarë”. Unë kundërshtova duke u thënë se as ne dinim mirë anglisht dhe as ata nuk dinin shqip, prandaj ajo gjë nuk mund të bëhej se nuk merreshim dot vesh me njëri tjetrin dhe do vriteshim kot. Philby nguli këmbë duke thënë se ai ishte urdhër dhe nuk diskutohej. Unë i thashë se nuk ishim robër afrikan që të na trajtonin në atë mënyrë, por kishim shkuar aty me dëshirën tonë si vullnetarë. Dhe në kulmin e nervave i shtyva tavolinën duke ia hedhur atë në gjoks. Shokët e mi u trembën dhe thanë: “Ç’na bëre, Arif”?! Pas kësaj dola menjëherë jashtë dhe me një motoçikletë u nisa për në qytet duke ndaluar para një kinemaje. Pas pak aty erdhën dy oficerë dhe më morën duke më thënë se më kërkonte zonja Holldi, sekretarja e zyrës së Intelixhent Servis-it për Maltën. U takova me të dhe i thashë të njëjtat fjalë që i kisha thënë Philby .

Libri “Philby KGB Masterspy” i botuar në Londër në ’88-ën: Si dështuan operacionet e anglo-amerikanëve në Shqipëri?!

Në librin “Philby KGB Masterspy” të autorit Phillip Knighteley, të botuar në anglisht në vitin 1988, jepet e plotë e gjithë veprimtaria agjenturore e Philbit në favor të rusëve. Lidhur me ngjarjet e Shqipërisë në atë libër në mes të tjerash shkruhet: “SIS dhe CIA kanë bashkëpunuar për disa operacione në vitet 1940-‘50 për të penetruar në Bashkimin Sovjetik dhe për të destabilizuar republikat e bllokut sovjetik. Ai më famëkeqi dhe me humbje më të mëdha ishte operacioni në Shqipëri. Në 1948 qeveritë britanike dhe amerikane kishin sanksionuar idenë e përçarjes së Bllokut Sovjetik, duke shkëputur një vend nga kontrolli i Moskës me synim teorinë e efektit domino. Ideja ishte të infiltroheshin në këtë vënd agjentë të trajnuar për të organizuar një fushatë që mund të çonte në një luftë të ashpër civile. Shumë punë parapërgatitore u bënë për të përzgjedhur vendin dhe më të fund u vendos që Shqipëria, shteti më i dobët dhe më i vogël socialist, mund të ofronte të gjitha munmdësitë për sukses. Regjimi i Enver Hoxhës nuk ishte stabilizuar tërësisht, gjermanët ishin larguar, por Shqipëria kishte probleme me rindërtimin, ndërsa Mbreti Zog ishte në azil në Kajro dhe shumë mbështetes të tij kishin mbetur në vënd. Planet avancuan, Britania siguroi Maltën si bazë për anijet e misionit, amerikanët siguruan fondet dhe armët. Qindra emigrantë u trajnuan në një bazë të Maltës. Në vitin 1973 unë takova një nga oficerët e SIS-it që kishte ndihmuar në trajtnim. Ai kujton: Ne u vendosëm në një bazë në Korfuz, të quajtur Dhasja. Në dhjetor të vitit 1949 u dërguan 6 të infltruruarit e parë. Dy ditë më parë morëm një sinjal nga grupi sipas të cilit ata kishin vendosur kontakte me mbështetesit e Mbretit. Katër të tjerë u dërguan, por një i infiltruar i pestë u qëllua nga një motobarkë shqiptare. Më pas vetëm heshtje. Ata nuk na informuan deri kur morëm një mesazh nga misioni ushtarak në Athinë i cili kishte të dhëna se të gjithë grupet ishin kapur sapo kishin mbërritur. Një prej agjentëve u kthye, por pati probleme me rojat kufitare greke që mendonin se ai ishte agjent shqiptar që donte të hynte në Greqi dhe që na treguan se donin të informoheshin për operacionet tona. Ne u thirrëm në Londër dhe aty na u tha se kishte nisur një hetim për të zbuluar se kush i kishte dekonspiruar dhe se për atë vit operacioni ishte pezullur. /Memorie.al 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A r: 16/04/2020 00:08

    Ky ja fute kote duket qe genjen mos humbni kohen kote

    Përgjigju
  • Thjesht shqipetar: 10/02/2020 11:17

    Ky miku e pranoj me plot goje se u betua se nese eshte e nevojshme do te luftonte kunder vendlindjes dhe ne e trajtojme si hero??? Ky me gjithe rracen e tij te qelbur vinte ne Shqiperi e vriste intelektual, mesues, e njerez te perparuar dhe ne i bejme nderet sikur te ishte Skenderbeu??? Ky qe i sherbeu agjencive te huaja per nje grusht flori qe donin ta ndanin Shqiperine ne 400 copa meriton vetem plumbin.... Turp o shqipetare turp. Akoma me turp per ate qe e shkruajti kete artikull...

    Përgjigju
  • Tarasi: 08/02/2020 19:26

    Ky ballisti paska qene nje kokerr legeni agjent anti shqiptare.Duket ne fyture qe ky nuk i ka sherbyer askerkujt.Mesaduket qenka pulaxije.

    Përgjigju
    • A.n.: 09/02/2020 12:53

      Nuk mund ta quash anti shqiptar, por anti Enver. Te kishte pasur shsiperia pak me shume te tille nuk do ishim sot ne kete gjendje qe jemi.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura