Dëshmia e rrallë: Enver Hoxha i mbajti tre ditë në zyrën e tij 50 fotografi të Mehmet Shehut të vdekur, duke u relaksuar 6 orë para tyre

Dëshmia e rrallë: Enver Hoxha i mbajti tre ditë në zyrën e tij 50 fotografi të Mehmet Shehut të vdekur, duke u relaksuar 6 orë para tyre

Enver Hoxha

“Për gati tridhjetë vjet, kam parë se si Enver Hoxha relaksohej mbi fotografitë e viktimave të tij. Ai qëndronte përreth 6 orë në ditë mbi fotografitë e trupave të pushkatuar të Koçi Xoxes, Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos. Por, mbi fotografitë e Mehmet Shehut, dhe të bandës Xhevdet Mustafa, ai është relaksuar mbi tri ditë”. Kjo është dëshmia rrëqethëse e oficerit, që ka qëndruar përreth 20 vjet pranë Enver Hoxhës. Sipas ish-ushtarakut të lartë, Enveri ishte jashtëzakonisht i pasionuar pas fotografive të trupave të vrarë me plumba. Kjo “dashuri” për herë të parë, i ishte shfaqur që në vitin 1945. Pasi një prej bashkëpunëtorëve të tij të afërt, shpallej armik i partisë dhe gjykata vendoste që ai të pushkatohej, fillonte një tjetër procedurë. Sapo prokurori i kishte dhënë të dënuarit “Colpo di gracia”, atëherë një fotograf profesionist, duhej të bënte mbi 30 foto të trupit të gjakosur, në 30 pozicione të ndryshme dhe fotografitë, duhet të laheshin e stampoheshin e brenda ditës, e duhet të dorzoheshin në zyrën e “Komandantit”!.

Pasi fotografitë laheshin, i dërgoheshin në një zarf në zyrë Komandantit (Enver Hoxhës). Enver Hoxha mbyllej përreth 5 orë duke i kundruar me imtësi këto fotografi. Ky ishte një prej relaksimeve të tij më interesante. Në librin e njërit prej oficerëve të shoqërimit të Enver Hoxhës në shërbim për gati 20 vjet, (që së shpejti do të shikojë dritën e botimit), kapitulli i “dashurisë” së fotografive të trupave të vdekur prej Hoxhës, zë një vend të rëndësishëm.

Në këtë kapitull, janë prurë detaje të panjohura më parë, se si diktatori ka qëndruar më shumë se 10 orë me fotografitë e Koçi Xoxes, i mbyllur në zyrën e tij. Por të njëjtën gjë, ai ka bërë edhe me fotografitë e Beqir Ballukut në vitin 1975, si dhe të Petrit Dumes e të Hito Çakos. Po ashtu, detaje të shumta, janë evidentuar në këtë rrëfim, se si ai ka qëndruar nga 6 orë në ditë për gati një javë, me fotografitë e Mehmet Shehut, të bëra pas vetëvrasjes së tij.

Data 18 dhjetor 1981

Telefoni i Laboratorit të Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme ka rënë mbi 30 herë. Ishte data 18 dhjetor 1981. Njëri prej adjutantëve të Enver Hoxhës kërkonte që fotografitë e vetëvrasjes së Mehmet Shehut të laheshin me urgjencë. Në krevatin ku kishte vrarë veten Mehmet Shehu, veç fotografit të Laboratorit të Kriminalistikës së Ministrisë së Brendshme ishte dërguar edhe një fotograf tjetër, i cili duhet të bënte së paku 100 shkrepje, nga të cilat më shumë se gjysma të ishin për trupin e palëvizur të Mehmet Shehut në krevatin e dhomës së gjumit, ndërsa 50 shkrepje të tjera të ishin nga momenti që trupi i tij ishte nxjerrë nga dhoma e derisa të varrosej.

Të dy fotografët, shumë profesionistë, kanë punuar me shumë kujdes dhe përkushtim, sepse që në orën 10.00 të datës 18 dhjetor 1981 në zyrën e Komandantit duhej të ishin më shumë se 500 fotografi të trupit të vetëvrarë të Mehmet Shehut. Këto fotografi ishin fondi personal i Komandantit. Por deri në orën 8.00 të mëngjesit fotografitë nuk kishin mbaruar dhe në Ministrinë e Brendshme ishte një rrëmujë e madhe. Për larjen urgjente të fotografive dhe dorëzimin e tyre te komandati kujdesej vetë Kadri Hazbiu.

Ai ishte aq i zellshëm në këtë procedurë sa qëndroi personalisht në fazat e larjes së fotografive. Formati i fotove duhej të ishte 10 x 55 cm pasi Komandanti e kishte të vështirë të shikonte qartë. Fotografitë u morën me procesverbalin nr. 645, datë 18 dhjetor 1981, i cili ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Rendit në Kutinë 741, në ndërtesën aktuale, pas zyrave qendrore të Albtelekomit. Fotografitë janë marrë me procesverbal dhe mbi zarf është shkruar: «Për Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha».

Një kopje e këtyre fotografive, por edhe e zarfit, ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Fotografitë janë ekskluzive, të pabotuara, përveç treve prej tyre për të cilat ka urdhëruar vetë Komandanti që të botoheshin. Tufa e madhe prej 500 fotografish të vetëvrasjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, ka shkuar në zyrën e komandantit në orën 9.30 të mëngjesit dhe komandanti është mbyllur duke i parë ato me imtësi përreth 6 orë.

19 dhjetor 1981

Më datën 19 dhjetor 1981, në zyrën e Komandantit erdhën dhe fotografitë që kishte bërë fotografi special që nuk merrte pjesë në grupin e hetimit të vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Edhe me këto fotografi, komandanti është mbyllur më shumë se gjashtë orë. Në orën 13.30 të datës 19 dhjetor 1981, Komandanti ka nxjerrë dhe tri fotografitë e vetëvrasjes së ish-kryeministrit të cilat do të përdoreshin nga ana e ekspertizës. Pasi u dorëzuan me procesverbalin nr. 712 të datës 19 dhjetor 1981 tri fotografitë e vetëvrasjes, u dha urdhër të mbahej vetëm një film dhe të asgjësoheshin 10 filmat e tjerë.

Po ashtu u dha urdhër i prerë që të kontrollohej nga një grup special prej katër vetash Laboratori i Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme që të mos mbetej asnjë fotografi dhe të zhdukeshin të gjitha gjurmët e larjes së fotografive. Tri fotografitë e miratuara nga Komandanti iu bashkëngjitën dosjes hetimore të Mehmet Shehut, ndërsa pjesa tjetër e fotografive u kyç në kasafortën e Komandantit, i cili çelësin e mbante personalisht të lidhur në rripin e pantallonave, në anën e djathtë, që të mos dukej kur ecte.

20 dhjetor 1981

“Komandanti është mbyllur më shumë se 6 orë të tjera dhe ka hapur mbi tavolinë të gjitha fotografitë e vetëvrasjes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Ai ka pirë më shumë se katër kafe pa sheqer, duke shkelur të gjitha rregullat e dietës së tij. Kur i kemi shpurë kafenë, kemi parë se mbi tavolinë ai kishte hapur shumë fotografi dhe i lëvizte duke i radhitur ashtu si fallxhoret letrat e bixhozit. Në orën 12.00, ai ka nxjerrë urdhrin e firmosur me dorën e tij që të bëhej një aksion në shkallë kombëtare për zhdukjen e të gjitha fotografive dhe veprimtarisë së Mehmet Shehut në institucionet e shtetit, sidomos në biblioteka.

Për realizimin e këtij aksioni, nga ana e Ministrisë së Brendshme, janë mobilizuar shumë intelektualë të profesioneve të ndryshme, të cilët kanë hequr në kohë rekord për 24 orë, fondin e të gjitha fotografive publike të Mehmet Shehut, parullat e shkruara në çdo shkollë dhe në çdo vatër kulture, si dhe kanë eliminuar gjithçka nga ato që ishin shkruar në veprat e Enver Hoxhës.

Urdhri i Komandantit mban nr. 9987. Po atë ditë, Presidiumi i Kuvendit Popullor mori vendim që të mbuloheshin me shirit të zi të gjitha frazat ku Enver Hoxha përmendte Mehmet Shehun derisa të ribotoheshin. Aksioni ka zgjatur vetëm tri ditë dhe në mbarë vendin, nuk gjeje më asnjë gjurmë dhe asnjë fotografi të “tradhtarit dhe armikut të popullit”, Mehmet Shehu.

Arrestimi i Kadri Hazbiut me 50 oficerë të zgjedhur

Data 8 tetor 1982

Pas diskutimit 15-ditor në Komitetin Qendror dhe në Byronë Politike të PPSh-së, mbi: “veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut”, në orën 07:00, mbi 50 oficerët më të zgjedhur të Sigurimit të Shtetit, rrethuan shtëpinë e Kadri Habiut, që ndodhej në mes Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit dhe ambasadës vietnameze, atje ku sot është “Piramida”. Që në orën 22:00 të mbrëmjes, ishin paralizuar rojet e Kadri Habiut dhe ishin marrë masat, që të bëhej një arrestim shumë spektakolar. Kadri Hazbiu, dilte në orën 07:00 nga shtëpia dhe sapo zbriti shkallët e u drejtua për te makina që e priste e ndezur në oborr, atij iu vunë prangat.

Mbi trupin e tij u derdhën mbi 15 oficerë të Sigurimit, të cilët i shkaktuan shumë hematoma. Ata e lidhën këmbë e duar, duke i vendosur dhe skafandër në kokë e më nga aty ai u çua në Burgun 313 të Tiranës. Historia e torturave ndaj Kadri Hazbiut, është më tronditësja dhe më makabria. Atij iu shkulën dhëmbët, iu shkulën thonjtë dhe tërë kohën, mbahej i lidhur këmbë e duar, me zinxhirë dhe me skafandër në kokë. Në qelinë e tij, qëndronin brenda gjatë gjithë kohës, tre oficerë të Sigurimit të Shtetit, me skafandër në kokë, nga frika se mos i vriste Kadri Hazbiu. Tmerri nga Kadri Hazbiu ishte shumë shumë i madh…!

Si u kujdes Enveri personalisht, për hetimin, filmimin dhe fotografimin nën torturë të Fiqret Shehut?!

Enver Hoxha, që nga 18 dhjetori i vitit 1981 deri më 18 nëntor 1983, përreth 10 orë në ditë, mbyllej në zyrën e tij dhe kontrollonte me imtësi fotografitë e trupave të vdekur të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit dhe të Llambi Peçinit. Por Enver Hoxha, ka kërkuar dhe ka kontrolluar me shumë imtësi dhe fotografitë e djalit të Mehmet Shehut, Vladimir Shehut, i vdekur në rrethana shumë misterioze në internim në Gramsh.

Të gjitha raportet e Enver Hoxhës me dosjet e grupit armiqësor prej 21 vetash, të kryesuar nga Fiqirete Shehu dhe Kadri Hazbiu, ndodhen në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Ish-oficeri, që ka shërbyer për gati 20 vjet pranë ish-komandantit, në librin e tij sjell të gjitha detajet e raporteve të Enver Hoxhës me 21 dosjet e grupit armiqësor të akuzuar si agjentë të CIA-s amerikane.

18 janar 1982

Komandanti ka shkuar herët në mëngjes në zyrë. Ishte shumë i nervozuar dhe i dridheshin duart. Duke u futur në zyrë, ka urdhëruar që të mos e shqetësojë njeri pasi ka një telefonatë shumë të rëndësishme. Një ditë më parë, në zyrën e tij kishte qenë Hekuran Isai dhe të dy bashkë, kokë më kokë, kishin diskutuar gjatë me njëri-tjetrin. Në orën 14.00, në fshatin Belsh të Elbasanit, është arrestuar Fiqrete Shehu dhe djali i saj, Skënder Shehu. Akuza ishte formuluar vetëm me tri fjalë: “Armiq të Partisë”.

Të gjithë konfirmonin se akuzën e kishte formuluar vetë Komandanti dhe ishte një akuzë shumë e fortë. Qëllimi i arrestimit, i shkruar në shkresën udhëzuese të firmosur nga Enver Hoxha, ishte: Të vërtetohej se Mehmet Shehu ishte agjent i CIA-s amerikane. Në listën me 17 detyra, që kishte bërë Enver Hoxha dhe që ndodhet në Kutinë 801, në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, thuhet se duhet të zbulohet që Fiqirete Shehu ka zbatuar detyra të ngarkuara nga ana e Mehmet Shehut kur ka shkuar gjoja për të takuar djalin e saj, Skënderin, në Danimarkë dhe në Suedi.

Dy të arrestuarit, edhe pse u torturuan dhe u masakruan nga grupi i hetuesve për gati 30 ditë, nuk e pranuan asnjë prej akuzave. Komandanti, (Enveri), është marrë personalisht me hetuesinë e tyre. Ai është interesuar dhe ka qenë shumë i stresuar për hetuesinë ndaj Fiqrete Shehut. Janë bërë një sasi shumë e madhe fotografish gjatë arrestimit të Fiqret Shehut, ndërkohë që hetuesia ndaj Fiqrete Shehut ishte përreth katër orë e filmuar. Më datën 17 shkurt 1982, Enver Hoxha është mbyllur për pesë orë në zyrë duke parë tërë detajet e hetuesisë së Fiqret Shehut.

18 shkurt 1982

Komandanti është ngritur përsëri herët dhe ishte shumë i shpërqendruar. Ishte ndër herët e para që i kishte flokët të pakrehur. Por të gjithë mendonin se Komandanti ishte i sëmurë me diabet dhe ky ishte shkaku që ai i kishte flokët pa krehur. Por në orën 12.00 u hap lajmi se është arrestuar Feçor Shehu, ish-ministër i Brendshëm.

Arrestimi i tij bëri një bujë të madhe. Por më tronditës ishte lajmi se kishte vdekur në rrethana krejt misterioze djali i Mehmet Shehut, Vladimir Shehu, që ishte i internuar në Gramsh. Komandanti kërkoi që të njihej me të gjitha detajet e vdekjes së djalit të Mehmet Shehut, Vladimir Shehut. Atij në zyrë i kanë sjellë dosjen e plotë të akt-ekspertizës së vdekjes së djalit të Mehmet Shehut.

Në çdo fletë formati të dosjes ishin ngjitur nga dy fotografi të djalit të vdekur të Mehmet Shehut. Ai ka qëndruar për më shumë se 12 orë në zyrë i mbyllur mbi këtë dosje, duke pritur lajmet se si kishte shkuar arrestimi i Feçor Shehut. Por pjesa më tragjike e shënuar në proces-verbalin e pyetjeve për gati 30 ditë të Feçor Shehut, kushëri i parë me Mehmet Shehun, është se ai nuk pranoi asnjë prej akuzave. Tortura në adresë të tij ka zgjatur për 8 muaj rresht, deri në fund të shtatorit 1982. Ai ka mundur të mbijetojë me plagë shumë të rënda në trup deri më 18 tetor 1982, kur ka mbërritur urdhri i Enver Hoxhës për ta pushkatuar.

Në mënyrë të padiskutueshme mund të thuhet se Feçor Shehu ka qenë e vetmja viktimë e diktaturës komuniste që nuk e ka pranuar akuzën, nuk ka pranuar të flasë dhe nuk është thyer nga torturat çnjerëzore. Ai ka jetuar për gati tre muaj i lidhur këmbë e duar dhe me skafandër në kokë. Dosja e Feçor Shehut ndodhet e plotë dhe me shumë detaje në arkivin sekret të Ministrisë së Brendshme. Në këtë dosje janë me detaje të gjithë dëshmitarët që janë paraqitur në hetuesinë e tij me dyer të mbyllura në Burgun 313 në Tiranë.

Mbi 30 fotografi të Feçor Shehut të vdekur ndodhen në Dosjen Nr. 912, në këtë arkiv. Këto fotografi dhe një pjesë tjetër kanë qëndruar për gati 10 ditë në zyrën e Enver Hoxhës. Për Feçor Shehun dhe 21 anëtarët e tjerë të grupit armiqësor të tij ekzistojnë dhe katër kaseta filmike. Këto kaseta filmike kanë kaluar disa herë në filtrin e Enver Hoxhës. Ai personalisht është kujdesur që çfarë të pritet nga regjistrimet e hetuesisë dhe gjyqit me dyer të mbyllura të Feçor Shehut dhe të 21 të arrestuarave të tjerë.

18 mars 1982

Më datën 18 mars 1982 janë arrestuar 18 pjesëtarë të tjerë të grupit armiqësor të Mehmet Shehut. Në krye të listës kanë qenë Feçpr Shehu dhe Llambi Ziçishti, në atë kohë ish-ministër i Shëndetësisë. Enver Hoxhës, në kaseta filmike, i çohej në zyrë e tërë procedura e arrestimit të grupit armiqësor. Enver Hoxha, që nga data 18 dhjetor 1981 deri në fund të nëntorit 1982, është marrë pothuajse çdo ditë me dosjet e “grupit armiqësor”, të 21 zyrtarëve të lartë me në krye Kadri Hazbiun dhe Fiqrete Shehun.

Akuza në adresë të Kadri Hazbiut, ishte e njëjtë me atë të Mehmet Shehut, Fiqrete Shehut e Kadri Hazbiut. Nga 21 të arrestuarit e “grupit armiqësor”, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, Feçor Shehu dhe Kadri Hazbiu, janë dënuar me pushkatim. Vetëm në fund të muajit shkurt 1982, kur Fiqrete Shehu mësoi vdekjen e djalit të saj, për të shpëtuar dy djemtë e tjerë, bëri gjoja sikur e pranoi akuzën dhe firmosi çdo gjë që hetuesit i vinin përpara, madje pa i lexuar fare.

Menjëherë janë bërë kaseta filmike me pyetjet e Fiqrete Shehut. Në këto kaseta ka shumë montime. Në zyrën e Enver Hoxhës materiali ka shkuar i montuar, ndërsa ishin hequr pjesët më të dhimbshme. Në këto kaseta, Fiqrete Shehu ishte e filmuar në qelinë 101, në katin e parë të Burgut 313. Përreth tetë orë pyetje-përgjigje, Fiqrete Shehu ka shpjeguar, gjithmonë sipas kasetave të filmuara, se është agjente. Por pjesa më e dhimbshme dhe që ndryshoi tërë rrjedhën e ngjarjeve, ishte vdekja e Fiqrete Shehut në burg, në mënyrë krejt të papritur, më 11 shtator 1988, te Spitali Burgut në Tiranë.

Janë bërë me qindra fotografi të kufomës së Mehmet Shehut në qelinë e burgut. Fotografitë i janë dorëzuar në zyrë në një dosje Komandantit. Po kështu ka një proces-verbal të plotë, në lidhje me vdekjen e papritur të Fiqrete Shehut dhe një akt-ekspertizë të firmosur nga tre mjekë dhe tetë hetues. Këta fashikuj, ndodhen të ruajtur me shumë kujdes.

Një pjesë e fotografive janë djegur, ndërsa rreth 20 fotografi të Fiqrete Shehut të vdekur, janë montuar në fletët e formatit në fashikullin tre të dosjes së saj hetimore”, përfundon dëshmia e ish-ushtarakut të lartë të Ministrisë së Brendshme, që ka shërbyer për gati 20 vjet, në grupin e shoqërimit dhe sigurisë fizike të diktatorit Enver Hoxha.

Si u katandis Kadri Hazbiu nga 83, në 47 kg., pas njëmbëdhjetë muajve hetuesie?!

Komuniteti shqiptar i Amerikës, lojën me Xhevdet Mustafën, e konsideroi një katastrofë. Enver Hoxha, përdori një trafikant droge, për të goditur Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin dhe 18 anëtarët e tjerë të grupit armiqësor të Mehmet Shehut. Sigurimi i Shtetit, falë një loje shumë të rafinuar, arriti që me anë të një oficeri Sigurimi të infiltruar në diasporë, të sjellë një bandë të kryesuar nga Xhevdet Mustafa, për të asgjësuar Enver Hoxhën. Kaq u desh që të kryqëzohej Kadri Hazbiu.

Arrestimi i vërtetë i Kadri Hazbiut, kishte filluar të merrte formë që me vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Kadri Hazbiu, edhe pse mbi të ranë mbi 20 akuza shumë të rënda, nuk ishte armik i Partisë dhe as i Enver Hoxhës. Përkundrazi, ai ishte njësoj i inkriminuar sa edhe vetë Enver Hoxha dhe tërë anëtarët e tjerë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së. Por falë betejës së ashpër që zhvillohej brenda gjirit të Byrosë Politike, fati i Kadri Hazbiut ishte tragjik, i dhimbshëm dhe i mbështjellë me një mister shumë të madh.

Kadri Hazbiu lindi më datën 13 korrik 1922, në Mvarovë të Vlorës. Për 26 vjet qëndroi si ministër i Brendshëm dhe për gati dy vjet si ministër i Mbrojtjes. Ai kishte lidhje gjaku me Mehmet Shehun. U arrestua më datën 15 tetor 1982, dy ditë pas plenumit të famshëm të Enver Hoxhës, për të ashtuquajturën “të vërtetë të bandës së Xhevdet Mustafës” dhe të lidhjeve të tij me anëtarë të Byrosë Politike, për të vrarë Enver Hoxhën. Ndaj Kadri Hazbiut, u bënë 11 muaj hetuesi në Burgun 313. Hetuesia dhe tërë procesi gjyqësor ndaj Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, ngjason me hetuesinë dhe ekzekutimin që Hitleri u bëri bashkëpunëtorëve të vetë më të afërt, në vitin 1944, me pretendimin se gjoja ata, do t’i bënin atentat.

Çfarë ndodhi në orën 23:30 të datës 10 shtator 1983 në Kodrën e Linzës?

Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu janë ekzekutuar. Fjala pushkatuar është e papërfillshme, është si melhem mbi plagë në raport me atë që ka ndodhur në të vërtetë. Kadri Hazbiu, ditën që është arrestuar peshonte 83 kilogramë. Në ditën e pushkatimit peshonte 47 kilogramë. Feçor Shehu thuhet se ka humbur më shumë se gjysmën e peshës trupore. Për gati 11 muaj, ata janë torturuar, lançuar dhe përçudnuar në qelitë e Burgut 313, me metoda naziste. Mbasi mbaronin seancat e hetuesisë, gjithmonë nga ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ata mbërtheheshin në zinxhirë dhe në kokë u vendoseshin skafandra. Edhe pse pyetja: ‘pranoni që jeni armiq të Partisë dhe të popullit’, u është bërë me mijëra herë, dhe në kushtet e torturës mizore, ata asnjëherë nuk e kanë pranuar akuzën.

Kadri Hazbiut i janë shkulur thonjtë, dhëmbët, i janë përvëluar sqetullat dhe nga njëri krah është gjymtuar. Por përsëri nuk është përulur. E njëjta gjë pothuajse ka ndodhur dhe me Feçor Shehun. Më datën 10 shtator 1983, është vendosur që ata të pushkatoheshin. Makina e tipit “ZIS” ka hyrë në Burgun 313, në orën 19:30 të datës 10 shtator 1983. Në spondin e saj ishte vendosur “toga e vdekjes”. Makina ishte e mbuluar me mushama. I pari nga qelia është marrë Feçor Shehu, i cili e kishte pothuajse të pamundur që të ecte. Atë e kanë marrë peshë katër oficerë të Sigurimit, nga më të besuarit e Enver Hoxhës, dhe e kanë hipur në krahun e majtë të spondit të makinës. Në kokë kishte kapuçonin e zi.

Pas 10 minutash, kur burgu ishte në heshtje të plotë, është marrë Kadri Hazbiu. Ai ishte plotësisht i tretur dhe i gjymtuar. Veç skafandrës në kokë, i kanë vënë dhe kapuçonin e zi. Kjo është një kërkesë absolute e ligjit, për të gjithë ata që pushkatohen. Në vendin e ekzekutimit, çohen me kapuçonin të zi. Askush nuk e dinte se ku do të shkonte makina. Në orën 21:05, makina ka dalë nga Burgu 313 dhe është drejtuar për nga Unaza në drejtim të Stacionit të Trenit. Ishin marrë të gjitha masat që asgjë të mos binte në sy. Makina, pasi ka përshkruar Unazën, pas rreth 25 minutash, ka marrë kthesën te rrugica në krahun perëndimor, ku sot ndodhet Akademia e Rendit, në kodrën e Saukut dhe prej aty, në një rrugë dytësore, ata kanë ndaluar në një vend, të fshehtë në afërsi të fshatin Linzë. Pasi ka ecur rreth 800 metra, ka ndalur në një lëndinë. Tërë operacionin e ekzekutimit të Kadri Hazbiut e ka udhëhequr oficeri i Sigurimit M.D.

Operacioni i ekzekutimit të Kadri Hazbiut është koduar “Mavrova”. Gjatë gjithë rrugës askush nuk ka folur. Dy viktimat që do pushkatoheshin, ishin dy kufoma që nuk dallohej fare se merrnin frymë. Në gjyq Kadri Hazbiu, nuk e kishte pranuar akuzën, kishte injoruar të gjithë dëshmitarët që ishin ballafaquar me të në sallën e gjyqit dhe të gjithë atyre u kishte drejtuar shumë pyetje. Përgjigjja e Kadri Hazbiut, ishte e njëjtë: “Unë e kam dashur me mish e me shpirt Partinë. Nuk jam agjent i askujt dhe nuk jam armik i partisë”.

Pothuajse të njëjtën përgjigje, kishte dhënë dhe Feçor Shehu. Të dy zyrtarët e lartë të diktaturës, e kishin pritur me shumë gjakftohtësi vendimin e gjykatës. Vendimi ishte shumë i shkurtër. Në të thuhej se; Kadri Hazbiu dënohej me vdekje, me pushkatim. Feçor Shehu dënohej me vdekje, me pushkatim. Po të njëjtin dënim, kishte marrë dhe Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini. Me vendimin gjyqësor, ishin njohur të gjithë, edhe pse ai ishte zhvilluar me dyer të mbyllura. Vetëm toga e pushkatimit, nuk dinte asnjë gjë. Komandanti i togës së pushkatimit, atë ditë kthehej nga një qitje stërvitore.

Toga kishte bërë qitje në distancë 200 metra, objektiv gjoks, me karabina automatike “10 korriku”, që në krehrin e tyre, mbanin nga 20 fishekë. Në orën 16:00, tërë toga ishte furnizuar me nga dy karikatorë me fishekë. Të 18 ushtarët e togës së pushkatimit ishin gardistë, që kishin marrë pjesë në 10-garëshin e Spartakiadës së Ushtrisë, që ishte zhvilluar më datën 10 korrik 1982 në Tiranë. Të dy karikatorët ata i mbanin në çantën e krehrave. Në orën 18:00, ata kishin marrë pajimet me vete, kishin vënë armët në siguresë dhe kishin hipur në spondin e makinës.

Ata e dinin se do të kryenin qitje natën, sipas programit mësimor. Makina, pasi ishte futur në një rrugicë, mes një vreshti me rrush, i pa vjelë akoma, i cili i përkiste fermës “Gjergj Dimitrovi”, kishte ndaluar pranë një lëndine të vogël. Në krye të lëndinës, ndodhej një gardh dhe rreth 300 metra më tej një shtëpi, e cila nuk kishte dritë fare…! I pari zbriti oficeri M.D., pastaj zbritën tërë ata që ndodheshin në spondin e makinës…!/Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion