Dëshmia e rrallë nga SHBA: Me njerëzit e mi besnik, arrita ta nxjerr gruan time nga qelitë e burgut të Krujës dhe pasi ndenjëm tre vjet maleve, u arratisëm nga Shqipëria…

Dëshmia e rrallë nga SHBA: Me njerëzit e mi besnik, arrita ta nxjerr gruan time nga qelitë e burgut të Krujës dhe pasi ndenjëm tre vjet maleve, u arratisëm nga Shqipëria…

Llesh Mark Doda

Pjesa e parë

-Historia e panjohur e familjes Qypi të Kurbinit, që jetoi 3 vjet e arratisur në male dhe humbi 9 pjesëtarë të saj, në luftën kundër komunizmit-

Para ca vitesh, kur në faqet e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” sapo kisha përfunduar shkrimin e tretë, të një cikli kushtuar një prej figurave më enigmatike të nacionalistëve antikomunistë shqiptar, profesorit Alush Leshanaku, në redaksi, telefonoi Hysen Blloshmi, i biri i njërit prej atyre që amerikanët, i hodhën në malet shqiptare, në fillim të viteve ’50-të të shekullit të kaluar, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, Xhevdet Blloshmit. Hyseni, më tërhoqi vëmendjen se; kishte një pasaktësi që binte në sy në atë shkrim; Alushin, pas vrasjes me pabesi, rënien në kurthin që i pat ngritur Sigurimi Shtetit me anë të një gruaje, të nesërmen, trupin e pajetë, ia vendosën tek Shkolla Pedagogjike, për të terrorizuar  qytetarët. “Ju nuk e keni përshkruar kështu”, – tha ai, nga ana tjetër e telefonit.

– E kam parë me sytë e mi, këmbënguli Hyseni, pastaj shtoi: Njoh një njeri që e ka strehuar Alushin, i ka rrëfyer shtigjet; e ka ndihmuar, kur Forcat e Ndjekjes, e plagosën; ka qenë së bashku me të në një aksion, kur pritej hedhja e pajisjeve nga ajri, ku përveç tij, ishte edhe Gjon Gjinaj, si dhe ‘Grupi i kosovarëve’ të dërguar prej Xhaferr Devës. Është histori interesante; ata u rrethuan nga forca të shumta të Sigurimit dhe në përpjekje, mbeti i vdekur komandanti kosovar, Ali Rizaj e Pashko Suma, u plagos Alushi, plagë mori edhe Gjon Gjinaj”. Historia dukej interesante dhe lamë ditën e takimit.

Së bashku me Hysenin, trokitëm një ditë vjeshte të vitit 2003, në apartamentin e Bardhok Ndreut, në Queens, i cili na tregoi historinë e mëposhtme; ç’ka la mangut Bardhoku, e plotësoi Ndrec Gjergji, një mërgimtar që ka kaluar shumë vite në Belgjikë, e tri dekada, i ka kaluar në Nju Jork.

Në gjurmët e familjes Qypi

Familja Qypi, në Mal të Bardhë të Kurbinit, është ndër familjet më të vjetra dhe më me tradita të asaj krahine. Ajo ka nxjerrë burra trima dhe të besës, që kanë bërë emër në historinë e zonës së Kurbinit dhe të Shqipërisë. Arkivat dëshmojnë se, që në kohën e sundimit Osman, fisi Qypi, është shquar për ndjenja atdhetarie dhe qëndrese. Nikollë Gegë Qypi, ka udhëhequr një kryengritje anti turke, që tronditi Portën e Lartë. Turqia, derdhi ndër ato anë, taborre të pafund me ushtarë dhe e shtypi kryengritjen, por Nikollë Gegë Qypi, nuk ra në dorë të Pashait që udhëhiqte taborret e Sulltanit; ai u ngjit maleve dhe pyjeve e mbeti rrezik për turqit. Me forcën e armëve, gjenerali turk, nuk mundi t’i bënte zap arnautët, siç i quante Porta e Lartë, por atë që nuk bënë armët, e realizoi kurthi; Pashaj, u çon fjalë që të dorëzojnë armët, se nuk do të kishin asnjë pasojë, do të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe ai nuk do t’u bënte asgjë të keqe. Shqiptari, lidhet prej fjalësh. Turku, u tregua i pabesë; i lidhi me hekura dhe i vuri në konop, tek Arrat e Vromit në Fushë të Milotit. Kështu, u shua një prej trimave të këtij fisi.

Prej derës Qypi, do të dilte dhe një tjetër pinjoll, që u bë i dëgjuar; ai ishte; Nikoll Ndre Bardhoku, udhëheqësi i vonshëm, që gjithsesi, ka lënë gjurmë pas në historinë e fisit. Nikollë Ndreu, ishte bashkëpunëtor i ngushtë, si për çështje bese, ashtu dhe çështje kanunore e kombëtare, i Gjin Pjetër Pervizit. Pa pjesëmarrjen e Gjin Pjetrit dhe Nikollë Ndreut, nuk mblidhej pleqnia në Kurbin.

Emrin e Nikollë Ndreut, e gjejmë edhe në ngjarjet që çuan në pavarësinë e Shqipërisë. Në ato kohë të vështira për kombin, kur sllavët në Veri dhe grekët në Jugë, përpiqeshin që të shkisnin copa të mëdha, nga trupi i Shqipërisë, atdhetarët, u përpoqën që t’i dilnin zot, çdo copëze Shqipërie. Edhe Nikollë Ndreu, qe një nga burrat, që bënë sa mundën për ditën e shënuar të Flamurit. I njohur për ndikimin e tij në zonën e Kurbinit, Nikolla, thirret nga Monsinjor Vincens Prenushi dhe zv/ kryeministri i ardhshëm i Qeverisë së Vlorës, Dom Nikoll Kaçorri në qelën e Kishës së Dilbneshtit.

Aty u fol gjatë për ditën e bekuar të Flamurit, për plakun e urtë Ismail Qemali, që kishte marrë përsipër aktin historik të pavarësisë. Pyetja ishte shtruar fare hapur: Ç’mund të bëjmë ne këtu në Kurbin? Ndërhyn Nikollë Ndreu: Do të kërkoj ndihmën e Gjin Pjetrit, të cilit i digjet zemra për Atdhe e Flamur, mezi e pret pavarësinë e vendit. Veprojnë shpejt; sajojnë një flamur, si ai i Skënderbeut, duke marrë një copë të kuqe dhe një shami të zezë, me të cilën u imitua shqiponja. E merr Nikolla këtë flamur dhe shkon tek Gjin Pjetri në Skuraj. Ky mbledh pleqësinë e Kurbinit dhe aty në kuvend, merret vendimi që Kurbini të solidarizohej me Vlorën dhe të bënte fakt të kryer, pavarësinë.

Në të njëjtën datë me Vlorën, me 28 Nëntor 1912, u mblodhën kurbinsit tek Shterporja e Simon Kokës në Milot dhe përmes të shtënave të pushkëve, lajmëruan aktin e pavarësisë dhe e festuan së bashku. Në krah të atdhetarëve, do të ishte Nikollë Ndreu edhe gjatë Kryengritjes antishqiptare të Haxhi Qamilit, të cilët do ta dënonin me vdekje për rebelizëm. Ishte kjo arsyeja që së bashku me 20 pjesëtarët e shtëpisë, Nikollë Ndreu, braktis vatrën familjare dhe shkon e vendoset në katundin Lukth të Kthellës. Vendasit i lirojnë një shtëpi. Aty qëndron në ilegalitet derisa asgjësohet Haxhi Qamili.

Si e ndanë komunistët Gjin Pjetrin, nga Nikollë Ndreu, pas vdekjes?

-“Për Gjin Pjetrin, komunistët folën dhe shkruan me respekt, ndërsa për Nikollën Ndreun, jo, përkundrazi e nxinë. Ata nuk mundën t’ia falnin atij, ndjenjën antikomuniste. Për shkak të anti komunizmit, e dënuan me burgim të përjetshëm, në vitin 1949”, – ndërhyn në bisedë Ndrecë Gjergj, i cili shton edhe një detaj: “Gjin Pjetri, sa qe gjallë nuk ndahej nga Nikollë Ndreu. Mirëpo komunizmi i ndau. Pat lënë një fotografi ky, Gjin Pjetri, ku kishte dalë së bashku me shokun e armëve, mikun e pajtimit dhe pleqnimit, Nikollën.

Komunistët e detyruan familjen e Pjetrit që edhe fotografinë, që pat lënë në kullën e vet, atje në fshatin Skuraj, ku pat dalë së bashku me Nikollën, ta përgjysmonin me gërshërë; hoqën nga fotografia Nikollën dhe lanë Gjinin, gjë që ishte njësoj sikur t’i hiqje atij një krah. Ç’them, jo jo, ishte njësoj si t’i hiqje një gjysëm zemre. Edhe sot e kësaj dite, fotografia e Gjin Pjetrit, qëndron përgjysëm, në pritje të vllamit të vet Nikollë Ndreu, i cili kur komunistët e dënuan me burgim të përjetshëm, u paska thënë: Po më vjen keq, se kam me i mbetë borxh qeverisë tuaj, pasi nuk më kanë mbetë dhe shumë vite për të shlyer dënimin, që më keni dhënë…! Po më vjen keq, se nuk jam mësue t’i mbetem kujt borxh”!

Ai do të vdiste në burgun e Tiranës. Nikollë Ndreu, u dënua edhe pse ka qenë një nga shtyllat e Krahinës. Këshilli i Naltë e ka pasë zgjedh atë këshilltar të Këshillit Krahinor të Krujës….! Kur fashistët italianë mbinë si mizat në Durrës ditën e pushtimit të Shqipërisë, shtëpia me emër e Qypve, dërgoi tri pushkë, në mbështetje të Abaz Kupit; Gjergj Nikollën, Llesh Gjok Lalën dhe Frrok Preng Ndrecën.

Bardhoku, më tregon se; Nikollë Ndreu, ka pasë pesë djem: Ndre Nikollën, Zef Nikollën, Gegë Nikollën, Gjergj Nikollën dhe Gjon Nikollën. Një ndër këta, Gjoni, ka pasë mbaruar shkollën e oficerëve, në kohën e Mbretit Zog dhe kishte fituar gradën e kapitenit, në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. Gjoni, u vra në vitin 1944, në Pejë të Kosovës. Ishte kohë lufte dhe trupi i të vdekurit, nuk mund të sillej pranë familjes. Një mik i familjes Qypi, Lek Tun Gjidoda, me të motrën dhe miqtë e tij, e qanë sipas zakonit dhe e varrosën në Pejë. Edhe sot e kësaj dite, nuk i dihet varri, pasi Shqipëria dhe Kosova, mbetën të ndara nga komunizmi. Nikoll Ndreu, priste për krye shëndoshë në shtëpinë Qypi, e kur e ngushëllonin për t’i dhënë zemër, ai përgjigjej: “Ia kam pasë borxh një djalë Kosovës”!

Pse dhe si u arrestua kryetari i komunës (lokalitetit) të Milotit?

Jeta u tregua e ashpër, me Nikollë Ndreun, i cili mbeti vetëm me një djalë, me Gjergjn. Kurbinsit tregojnë se; Gjergji ishte sa për njëqind djem; i mençur, trim, burrë i Kanunit, bujar, i nderuar dhe i respektuar në të gjithë krahinën e Kurbinit, i përmendur në miqësi, në familje, fjalëmbël në kuvend, fjala i zinte vend, i matur, burrë vetëm i cilësive të mira. Ndoshta të tëra këto, ishin të mjafta që komunistët, kur morën pushtetin më 1944-ën, e emëruan kryetar komune (lokaliteti) në Milot, dhe anëtar të Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në Kurbin.

Shtëpia Qypi, ka pasë marrëdhënie të ngushta me familjen Kupi në Krujë, që me Sajen e Sanën e Rustemit, kundër Haxhi Qamilit, me Abas Kupin, Ibrahm Kupin, e të tjerë. Kjo ishte arsyeja që Abas Kupi, me gjithë shtabin e vet, së bashku me misionin anglez; Julian Emrin, David Smailin, me ekspertët kaukazian, që ishin me ta, si dhe me krerët e ‘Ballit Kombëtar’ si; Mid’hat Frashërin, Abaz Ermenjin, përfshi edhe Fiqiri Dinen e Preng Pervizin, qëndruan më shumë se tri javë, në shtëpinë Qypi. Kur iku Abas Kupi, la tek shtëpia e madhe Qypi, shumë armatime; mitraloza të rëndë, bomba, pushkë, fishekë, duke u kërkuar besën se, këto armë, do të ruheshin aty derisa ai të kthehej. Shumë nga krerët nacionalistë, ikën me mendimin se kthimi do të ishte i shpejtë.

–“Për t’ia ruajtur amanetin komandant Abazit, së bashku me kushërinjtë e mi, materialin luftarak e fshehëm në pyll”, më tregon Bardhoku. Mirëpo komunistët me të marrë pushtetin, puna e parë që bënë, ishte çarmatimi i popullsisë, veçanërisht në zonat që s’ishin të dominuara prej tyre. Në atë kohë, kush nuk dorëzonte armët, dënohej dhe pushkatohej pa gjyq. Gjergji qe kryetar i komunës së Milotit dhe kryetar komisioni për mbledhjen e armëve, kështu që komunistët nuk mund t’ia falnin që shtëpia e tij ishte strehuese e armëve të Abas Kupit, i shpallur armik “në emër të popullit”. Një  natë me shi e erë, rrethohet shtëpia Qypi, gjenden armët e Abaz Kupit dhe menjëherë shkojnë në zyrën e komunës, ku gjendet Gjergj Nikolla dhe arrestohet. Në fillim, deshën ta pushkatonin në Milot, por duke qenë se ishte njeri me influencë të madhe, i’u ruajtën ndonjë trubullirë dhe e larguan për në  Shpal të Mirditës. Atje deshën sërish ta pushkatonin, por Bardhok Biba, nuk pranoi, duke thënë se kishte miqësi me familjen Qypi dhe ajo ishte me zë në të gjithë krahinën.

E dërgojnë në Shkodër, ku ligjin e bënte Tuk Jakova me vëllezër. As Tuku, nuk e mori atë vendim, duke relatuar lart në qeveri se; familja Qypi ishte me tradita atdhetare, se kishte luftuar kundër të gjithë pushtuesve, se kishte marrë pjesë në ngjarjet e pavarësisë dhe në ato kundër pushtimit fashist e kundër gjermanëve. Duke qenë se ajo është familje bese dhe e lidhur me Kanun, nuk e shpërdoron amanetin e mikut, nuk është në favorin tone, ta bëjmë kundër nesh, argumentoi lart udhëheqësi komunist shkodran. Në këto rrethana Tuku, arrin që ta lirojë me kusht, e ta dërgoj në shtëpi, me porosi që të mos përzihej më në luftë kundër komunizmit.

Gjergji u kthye në shtëpi, por nuk hoqi dorë nga takimet me krerët nacionalistë, që vërtiteshin nëpër male, si: Mark Gjomarkaj, Sif Merlika, Frrok Mëlyshi, Fran Miri, e të tjerë. Komunistët, ia ndjekin gjurmët dhe e arrestojnë sërish. Më pas, në familje, ka një tjetër ngatërresë që bie në sy të qeverisë; djali i Gjergjit, Prenga, ikën nga ushtria, më pas arratiset…! Ndëshkohet familja; të gjithë internohen në Berat. Pasi vritet Prenga, në vitin 1948, rikthehet familja nga internimi. Lirohet edhe Gjergji nga burgu.

Përse la shtëpinë dhe u ngjit në mal Gjergj Nikolla, vetë i gjashtë?!

Presioni dhe përndjekja prej Sigurimit, nuk iu nda familjes Qypi. Jeta u bë e padurueshme, shtëpia qe kthyer gati në një burg a, në një kamp internimi; vëzhgime të rrepta, presione, kurthe, shantazhe. Pikërisht për këto shkaqe, në vitin 1949, Gjergj Nikolla, me pesë djem të shtëpisë Qypi, braktis shtëpinë dhe ngjitet në mal, për t’mos u kthyer më aty. Krijohet kështu çeta antikomuniste, e përbërë nga pjesëtarë të një fisi:  Gjergj Nikolla, Bardhok Ndreu, Ndue Lala, Zef Gjergji, Pal Lala dhe Marka Gjoni. Masa e parë që mori Sigurimi i Shtetit, ishte internimi i pjesëtarëve të tjerë të familjes. Të gjithë ata iu nënshtruan kushteve të skëterrshme të kampit shfarosës të Tepelenës, ndërsa më i moshuari i shtëpisë Qypi, dënohet me burg të përjetshëm. Bardhok Ndreu, është i vetmi prej atyre të gjashtëve i mbetur gjallë, prandaj bisedën e bëj me të.

-Kush është Bardhok Ndreu?

Pyetjes time, ai i përgjigjet pas një heshtje, që mu duk se zgjati ca si shumë…!

–  “Këtu më thërrasin Bardhok Çupi. Është një mbiemër që më mbeti pasi kalova kufirin shqiptar dhe u hodha në Jugosllavi, së bashku me gruan, për të marrë më pas rrugën drejt Amerikës.

–  Atje më pyetën si e ke mbiemrin?

–  Qypi-u thashë.

Ata siç duket e ngatërruan “Q” me “Ç” dhe më mbeti Çupi. Ndërsa miqtë dhe shokët, më njohin si Bardhok Ndreu”.

Bardhok Ndreu, ka lindur në Malin e Bardhë të Kurbinit, më 5 maj 1915. Baba e ka lënë të vogël. Ishte vetëm 1 vjeç kur i vdiq i ati nga një aksident. Nëna, e ka rritur dhe po ajo e ka martuar. Nikoll Ndreu dhe Gjergj Nikolla, e donin Bardhokun njësoj si djemtë e tyre. Nga rinia e vet, Bardhoku, nuk veçon ndonjë ngjarje, veç martesën në moshë të vogël.

Vitet e Luftës së Dytë Botërore, i ka kaluar duke u marrë me punët e bujqësisë dhe duke u përkujdesur për bagëtitë. Qypi, ishte familje e madhe dhe qenë pjesëtarët e tjerë të familjes, që u rreshtuan në formacionet e Abaz Kupit, për të luftuar kundër pushtuesve. Megjithatë, në një farë mënyre edhe ai u përzje me luftën, sidomos kur shtabi i Abaz Kupit, së bashku me anglezët, u vendosën për më shumë se dy javë në shtëpinë e tyre.

– “Ja me këto duar i kam shërbyer Mid’hat Bej Frashërit. Vetë ia shtroja dhe ia ngrija dyshekun. Ishte fisnik burrë. I shërbeja me qejf. Abas Ermenji, ishte një çik mendjemadh, por Mid’hati, qe tepër i edukuar dhe shumë i sjellshëm. Kanë qenë në shtëpinë tonë edhe legalistët edhe ballistët”, tregon Bardhoku.

Z. Bardhok, pushteti komunist, ju kishte shpallë person të kërkuar, armik të popullit, përse ndodhi kjo, kur ju s’kishit marrë pjesë në luftë?

– “Sepse më 1949 unë kisha lënë familjen dhe qeshë ngjitë në mal me pushkë në dorë”.

Si e nxori gruan nga burgu i Krujës Bardhoku dhe si e mbajti 1 vit në mal?

 

-“Kam qëndrura tre vjet maleve. Besoj se jam një përjashtim në luftën e maleve. Ndoshta jam i vetmi që për një vit kam qëndruar në mal me gjiithë gruan time”, më befason këtë të fshehtë Bardhok Ndreu.

-Si ndodhi që e morët edhe gruan në mal?

Ndërhyn Ndrecë Gjergji, për ta sqaruar këtë detaj:- “Kur të gjithë pjesëtarët e shtëpisë Qypi, i nisën drejt Tepelenës, gruan e Bardhokut, Bardhën, Sigurimi e la tek i ati i saj, në Fushë-Krujë. Ky ishte një kurth, që ata patën ngritur me mendimin se, Bardhoku do të shkonte ta takonte gruan dhe ata do ta arrestonin, ose do ta vrisnin direkt, por Bardhoku nuk ra në atë kurth. Sigurimi duroi një vit, duke e mbajtur shtëpinë në vëzhgim dhe kur e pa se Bardhoku, nuk po binte në atë kurth, arrestojnë Bardhën me akuzën: Je takuar me Bardhokun dhe nuk ke lajmëruar qeverinë!

Filluan dhe për Bardhën ditët dhe netët e vështira të qelisë e torturave. Bardhokun, nuk e zinte vendi që ai rrinte i lirë majë malesh, ndërsa e shoqja dergjej në qelitë e burgut të Krujës. Pas këtij momenti, vjen aksioni për lirimin e saj nga burgu, aksion i organizuar nga Nikollë Gjergji e Bardhok Ndreu, me miqtë e tyre që kishin në Krujë. Çeta ishte në mbështetje të aksionit. Kështu, një natë dimri me shi e erë të fortë, me vetëtima e bubullima, hapet dera e qelisë dhe “njeriu i brendshëm”, nxjerr që andej Bardhën, të cilën e priste jo më larg se 100 m. i shoqi, Bardhoku me shokët e vet të Çetës.

Si ndër përralla, Bardha fluturon nga qelia në mal dhe shpëtoi kështu prej torturave të komunistëve. Qeveria jep alarmin; si kishte mundësi që, një grua të thyente derën e qelisë dhe arratisej?! Ndjekjet e Sigurimit shumfishohen. Kërkohej të kapej e gjallë, por atë e mbronte çeta. Bardhoku, i cili kishte dy vjet në mal, qëndroi edhe një vit tjetër së bashku me gruan e pastaj, kaloi kufirin dhe morën rrugën drejt Amerikës.

-Përse e latë shtëpitë dhe u ngjitët në male? Si u konfliktuat me qeverinë?

– “Hallet na ngjitën në mal. Jeta jonë u trodit që në fillim nga regjimi i komunistëve. Që në shtator 1947, jam internuar me 14 pjesëtarë të familjes, përfshirë dhe gjyshin, Nikollë Ndreu. Na dërguan në Berat. Jeta e kampeve, ende është në kujtesën time, ashtu e rëndë e plot tmerre. Arsyeja e interrnimit, ishte se një djal i Gjergjit, qe ushtar dhe iku nga ushtria. Pasojat ranë mbi të gjithë pjesëtarët e familjes, të cilët iu nënshtruan internimit.

Në kampin e Beratit gjetëm të gjiitha familjet e mëdha shqiptare të shpallura “armike”, familjet nacionaliste, që qenë shpallë humbëse të luftës, së bashku me pushtuesit edhe pse ne kishim luftuar pushtuesin me armë në dorë. Atje, gjetëm familjet: Kupi, të Blloshmeve, të Lleshanakut, të Hamit Matjanit, të Previzve, Bajraktarët, Dinet, Kaloshët, ku numërohen të gjithë…”?!

-Ç’punë bënit në Berat?

-“Punuam fushave, më pas na çuan në Kuçovë, në fushën e aviacionit, në bujqësi, në kanale, mbillnim dhe korrnim”.

– Kur ju liruan nga internimi?

-“Një amnisti mashtruese, si për t’na vënë në gjumë, na liron nga internimi në mars 1948. Por s’kaloi shumë dhe babën e Ndrec Gjergjit e arrestuan. Fati ynë dhe i atij, ndërhyri i gjithë rrethi miqsor dhe ai u lirua. Por nuk zgjati shumë dhe e kapën përsëri. ‘Përse ke ndihmuar reaksionarët’? Me këtë pyetje u arrestua. E çuan në burg në Durrës, Tiranë”.

Sigurimi i dha Zefit helm, që të helmonte Mark Pirolin

“Por prap nuk na u ndanë hallet me qeverinë. Hetuan një djalë të Gjergjit, Zefin” – vazhdon Bardhoku rrëfimin e historisë me plot të papritura të familjes Qypi…! U akuzua se kishte furnizuar me bukë komitët që donin të rrëzonin komunistët. E kapën e çuan tek Nuri Luçi, e torturuan pastaj e ftuan për bashkëpunim. I kërkojnë që të priste në besë komitët që kishte ushqyer me bukë. Për këtë qëllim i dhanë helm që të helmonte Mark Pirolin. Në të vërtetë, ai i Sigurimit, e kishte të vetin Mark Pirolin, por mbi të gjitha, kishin besë ideologjinë e komunizmit…! E merr helmin dhe nënshkruan një deklaratë, ku shkruhej e bardha mbi të zezë: Nëse për dy javë nuk helmohej ose vritej Mark Piroli, Zefi do të pushkatohej. E porositën që në shtëpi, të mos tregonte asgjë, ndryshe e priste plumbi.

Kur erdhi djali në shtëpi u tregoi njerëzve të shtëpisë, fill e për pe’ bisedën që kishte patur me ata të Sigurimit, për kushtet që i kishin vënë ata. Pasi u tregoi fill e për pe’ gjithçka, kërkoi mendim në kuvendin familjar: Ç’të bëj tani? Ç’ka të bëjmë? A të frikemi a të marrohemi?-pyetën më të moçmit. Familja, mori vendimin që të mos marrohet, pra të mos priten në besë komitët, që qenë ushqyer me bukë. Vendimi qe i formës së prerë: “Të arratisemi nga shtëpia, të shkojmë në mal, atje ku Sigurimi nuk ngjitet”!

Dolën në mal, Bardhoku, Gjergj Nikolla me djalin, Zefin, Marku, djali i axhës tjetër, kushërinjtë e Bardhokut, Ndue e Pal Lala. Pra gjashtë vetë vendosën që t’i kundërviheshin qeverisë duke u ngjitur në mal.

– Si kaloi jeta e malit?, e pyes Bardhokun.

-“Me halle të mëdha, strehë kishim qiellin, shtrojë kishim tokën. Zoti e bëri kiamet atë dimër, dëborë e madhe, acar. As bukë nuk kishim. Bazat, ç’kohë vinte, zvogloheshin. Sigurimi u xhindos. Ne kishim dalë grup i madh dhe për propagandën komuniste, ky ishte një dëm i jashtzakonshëm…! Inati i qeverisë, u zbraz mbi të pafajshmit; familja u internua sërish në Tepelenë, në kampin e vdekjes. Forcat e Sigurimit, kërkonin gjurmët e grupit armiqësor, që kishte guxuar të sfidonte shtetin.

Natë e ditë, Forcat e Ndjekjes, kërkonin nëpër male e ndër shpella, por pa arritur dot tek foleja e çetës, me 6 kundërshtarët e regjimit. Ata i ndiqnin këmba-këmbës. Në majë të Malit të Trolles, Sigurimit nuk i shkonte mendja se, njerëz normal, do të rrezikonin të jetonin në atë dëborë, me shumë shtresa e, në atë të ftohtë kallkan. Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Erion Veliaj do hetohet i lirë, sepse gjykata hapi praktikë penale të njëjtë për Berishën

Spahiu: Erion Veliaj do hetohet i lirë, sepse gjykata hapi praktikë penale të njëjtë për Berishën