Ardhja e komunistëve në pushtet në Shqipëri, në fund të vitit 1944, për Hevzi Kqikun konsiderohet një prej tragjedive të kombit.

Ai ka një histori me një koincidencë të çuditshme, ku ndërthuret fati i tij me atë të të atit, Fazli Krasniqi Kqiku, i cili u përball me komunistët që në vitet e luftës.

Historia e Hevziut është një prej qindra historive të shqiptarëve të Kosovës, të cilët gjatë 45 viteve të komunizmit në Shqipëri merrnin guximin të kalonin kufirin, duke i ikur represionit serb për t’u strehuar në Shqipërinë mëmë, e më pas, këtu në atdheun e shumëdëshiruar, gjenin një realitet aspak mikpritës e shpeshherë armiqësor e gjakatar. Hevziu thotë se, ashtu si i ati dhe të gjithë paraardhësit e tij, u udhëhoqën në jetë nga atdhedashuria, por kjo ndjenjë e fortë shenjoi edhe fatin e tyre, duke lënë plagë të thella që nuk do të mund t’i shëronte as koha. Emëruesi i përbashkët që ai njeh si shkak të tragjedisë së kombit është mbiemri Hoxha, që për ironi të fatit vulosi jetën e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri: në Shqipëri Enver Hoxha e në Kosovë Fadil Hoxha.

Ishte viti 1943. Italia fashiste po shkonte muaj pas muaji drejt kapitullimit. Në këtë atmosferë, me ëndrrën për ndërtimin e një Shqipërie të madhe e të lirë, shqiptarët ishin angazhuar në të gjitha trojet për krijimin e një ushtrie të fortë që do të mbronte trojet shqiptare. Në Kosovë, në muajt e pranverës dhe verës së vitit 1943, kishin nisur përgatitjet për krijimin e një ushtrie të rregullt. Fazli Krasniqi, me një grup shqiptarësh nga Gjilani, kishte ndërmarrë një aksion për të siguruar armë për ushtrinë e re që po krijohej. I biri, Hevzi Kqiku, në rrëfimin e tij për Dosja K, zbulon se i ati dhe shokët e tij kishin bërë çdo përgatitje për ta bërë realitet këtë ëndërr të tyre… Por nuk kishin përllogaritur me saktësi prapaskenat me të cilat do të përballeshin në Shqipëri.

“Të parët e mi gjithmonë kanë qenë të lidhur me çështjen e shenjtë kombëtare. Kanë bërë ato çfarë kanë mundur, diçka që s’mundesh, s’mund ta bësh. Më parë kanë pranuar, kemi pranuar të vdesim, se të bëjmë keq. S’kemi mundur të bëjmë, por me turp jo, të turpërohemi.

Babai, gjatë Luftës II Botërore, ka kaluar në atë anën e duhur, për të krijuar ushtrinë kombëtare, të fillonte gjithçka prej aty, edhe i kanë bërë përgatitjet. Babai im, me 4 pjesëtarë të tjerë, 3 kanë qenë të fshatit tonë, 1 ka qenë i një tjetër fshati. Edhe i kanë bërë përgatitjet e duhura, i kanë zgjedhur njerëzit, i kanë krijuar listat, kuadrin, d.m.th. një anëtar i organizatës, i grupit, ka qenë i shkolluar. Ai d.m.th. i ka ecur ato gjërat e evidencës, përgatitur. Babai, më duket, ka qenë postier, 2 të tjerët, 3 të tjerët nuk e di, shefi ka qenë ai kryesori, ai që ka udhëhequr punën gjatë vitit 1942 dhe në fillim të vitit 1943. Në fillim të vitit 1943, udhëheqësi i grupit, në të cilin ka bërë pjesë edhe babai im, është quajtur Vesel Fejzulla Dushica. Bashkëfshatari ynë ka qenë. Ai ka qenë shumë i ngritur.

Ka shkuar bashkë me pjesëtarët e shërbimit anglez, ka udhëtuar prej anës lindore të Kosovës, prej fshatit tonë të lindjes Veliaglava, edhe kanë shkuar në Kretë, kanë marrë armatimin, 1 kamion. Kur kanë kaluar kufirin në Korçë, për të hyrë në territorin shqiptar, i kanë ndaluar. Edhe ky kamion me armë nuk shkon për në Veliaglava, por shkon për në Vithkuq të Korçës. Ashtu e kështu, urdhri amerikan i shkon, sipas Lefter Nasit, që mos të çohej, për të krijuar ushtrinë kombëtare shqiptare atje, por ushtrinë nacionalçlirimtare në Korçë. Dhe ka marrë fund gjithçka”, tha mes të tjerash Hevzi Kqiku.

Ky aksion i prerë në mes do ta shuante ëndrrën e qindra të rinjve që ishin mobilizuar e prisnin armët për të luftuar. Ndërsa grupi i Vesel Fejzulla Dushicës dhe të rinjve të tjerë kosovarë, që ishin ndaluar në Korçë, do të kalonin një vit të vështirë në burgjet gjermane. Hevziu tregon se i ati dhe shokët e tij do të kalonin një kalvar të gjatë e të vështirë në Shqipëri dhe, në fund, do të kuptonin se në prapaskenë të gjithçkaje ishin komunistët e Tiranës.

“Në Tiranë i kanë sjellë dhe ka ndenjur babai im prej gushtit 1943 deri në shtator 1944, 11-12 muaj, 13 muaj, prej korrikut 1943 deri në shtator 1944. Edhe pushkatonin edhe njerëz shpesh. Ne e kemi pasur një të afërm, që para Luftës II Botërore, në vitin 1928, me familje u shpërngul prej Veliagravas, fshatit tonë, në Elbasan ka ardhur. Edhe ai ishte bërë anëtar i Gardës Kombëtare këtu në Shqipëri. Gjatë kohës së Zogut ka qenë ajo, por Garda Kombëtare kishte mbijetuar, kishte mbetur ajo që ka qenë, edhe gjatë luftës.

Babai thotë: ‘Ndërhyrja e atij na ka shpëtuar pa na pushkatuar. Se ata kanë pasur për t’i pushkatuar’. Por, - thotë, - ‘ndërhyrja e atij të afërmit tonë që ka qenë këtu në Elbasan, anëtar i Gardës Kombëtare, tek autoritetet e kohës, edhe u mbyll me sukses’. I kanë shpallur të pafajshëm. Kjo ka ndodhur në 4 shtator të vitit 1944. Kur na kanë liruar autoritetet e burgut të dilnim në rrugë, s’kemi pasur ku të shkojmë, s’kemi ditur nga të shkojmë, jemi vendosur në verandën e xhamisë së Et’hem Beut, në qendër, se nuk kishte vend sa herë për udhëtarë, të kishte vend për autobusë Shkodër-Tiranë-Prizren. Më 4 e ka lëshuar qeveria e kohës prej burgu babanë tim, 12 ditë ka ndenjur në verandën e xhamisë së Et’hem Beut, po bëhet data 16, me shokë ka ndenjur aty, në ca kartonë, tha, rrinim aty. 16. Dhe ka ardhur te shtëpia, jeta ka vazhduar.

Përmes internetit e kam gjetur Halo Asim Ymerajn, anëtarin e jurisë së gjyqit. E ka shpallur babanë tim të pafajshëm. Ka dashur ta shpëtojë, shkurt, edhe shokët e tij i ka liruar. Ka dashur t’i shpëtojë. Edhe ka shkuar babai im për në Kosovë me shokët. 6 muaj më vonë Enver Hoxha e ka pushkatuar Halo Asim Ymerajn. Kjo për mua është domethënëse. Njeriu që s’ka asnjë faj politik, që ka qenë veçse një zyrtar i çështjeve ushtarake, të pushkatohet. Kjo për mua është shumë domethënëse.

6 muaj më vonë, Enver Hoxha e ka pushkatuar atë gjykatësin që e ka shpallur babanë tim të pafajshëm, me gjithë shokë. E paharrueshme është ajo vepër e atij gjykatësi, Halo Asim Ymeraj.

Babai im, kur u kthye në Kosovë, ka qenë fundi i shtatorit i vitit 1944. Thotë: mori fund gjithçka. Na i morën armët, na shkatërruan, na, të gjitha, pa, si të mos kishe armë, s’bëje kurrgjë”, shtoi Hevzi Kqiku.

Dokumentet arkivore të periudhës së Luftës dëshmojnë se pothuajse të gjitha ngjarjet e rëndësishme në Ballkan lidheshin ngushtë me njëra-tjetrën dhe në fatin e secilës prej tyre kishte shumë forca që ndërhynin. Kështu kishte ndodhur edhe me iniciativën për krijimin e ushtrisë kombëtare në Kosovë gjatë viteve 1942-1943.

Autori që Hevziu citon, akademiku Lefter Nasi, ka zbardhur në librin e tij “Ripushtimi i Kosovës” shumë prej këtyre ngjarjeve, të cilat, të lidhura me njëra-tjetrën, prodhuan tablonë famëkeqe për shqiptarët në fund të Luftës së Dytë Botërore, ku interesat e fqinjëve vendosën për aneksimin e shumë viseve shqiptare.

Siç shkruan Lefter Nasi, popujve të rajonit u ishte pohuar shpesh se vetë ata do të vendosnin për fatin e tyre në fund të luftës. Por si ndodhi që trojet shqiptare u copëtuan për së dyti dhe pse nuk u dëgjua vullneti i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi?

Dokumentet arkivore zbulojnë shumë prapaskena nga marrëveshjet e fshehta gjatë viteve të Luftës.

Mes këtyre dokumenteve pikas edhe revolta e shqiptarëve të zhgënjyer në fund të vitit 1944 dhe fillimit të vitit 1945, kur u kuptua se përfundimisht Kosova dhe pjesë të tjera shqiptare mbetën në Federatën e sapokrijuar Jugosllave.

Duket se gjithçka kishte nisur gjatë luftës dhe lidhej ngushtësisht me ndjenjën e theksuar të nacionalitetit tek shqiptarët.

“Pas luftës problemi i aneksimit të Kosovës në kuadrin e Serbisë përbënte një temë tabu, në një kohë që gjatë viteve të luftës temë tabu nuk ishte as problemi i kufijve veriperëndimorë të Jugosllavisë. Për më tepër gjykimet dhe kërkesat e ligjshme të shqiptarëve në ato vise për zgjidhjen e drejtë të problemit kombëtar, për realizimin e barazisë së plotë me popujt e tjerë të Jugosllavisë u vlerësuan si shoviniste, reaksionare e shqiptaromëdha. Këto vlerësime dhe ky trajtim i problemit kombëtar të popullit shqiptar nuk u përgjigjej aspiratave të këtij populli…”, shkruan Nasi në librin e tij “Ripushtimi i Kosovës”.

Për të ilustruar këtë revoltë të shqiptarëve, Lefter Nasi citon dy dokumente, ku theksohej qartë dhe pa mëdyshje se populli në çdo rast kërkonte bashkimin me Shqipërinë.

“Në janar të vitit 1945, në një letër dërguar nga Struga Shtabit të Divizionit IV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, theksohej se: ‘Përshtypja e dy fjalimeve që u mbajtën në Strugë e në Vevçan nga Petro Firuze dhe Vasil Kallajxhi... që caktuan kufijtë e Maqedonisë kundrejt Shqipërisë, edhe më tepër e alarmuan pjesën shqiptare, aq sa që një ditë, shumë pari dhe këshilla nacionalçlirimtare të katundeve shqiptare... kërkonin shpjegime për këtë çështje’”, shkruan Nasi.

Ndërkohë, në një raport të vitit 1945, dërguar nga Toplica e Gostivarit Shtabit të Divizionit V të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, theksohej se populli në viset shqiptare kërkonte të dinte se për çfarë arsyeje, pas mbarimit të luftës, 'Çamëria duhej të qëndronte me Greqinë dhe Kosova të ishte me Jugosllavinë'. “Përse Shqipëria duhej të mbetej e vogël, kur ajo e kishte nisur luftën më parë nga të tjerët dhe vetë u çlirua. Pse thonë pakicat shqiptare që ndodhen në Maqedoni, kurse ne jemi më shumë se nga maqedonasit. Pse ne të mos vemi me Tiranën, kur na kanë thënë të vetëvendosim. Ja pra, ne duam këtë, të jemi me Tiranën”.

“Po e rimorën shkijet Kosovën. 5 herë i kemi mposhtur serbët në fushën e betejës gjatë vitit 1944. 5 herë. Me forcën e armëve. Dhe kurrë s’mund ta kishin marrë, po të mos ishte kurthi i Enver Hoxhës e gjithë të tjerëve. Lëshoni armët, lëshoni armët se me dialog ka për t’u vendosur çështja e Kosovës. Sa kanë depërtuar serbët”, shkruan më tej Nasi.

Hevziu thotë se i ati dhe gjithë brezi i tij e dinin mirë se fajtorë për këtë ishin dy udhëheqësit komunistë, Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha.

“100 mijë shqiptarë janë ekzekutuar prej nënshkrimit të Fadil Hoxhës, në Kosovë. 100 mijë shqiptarë.

Prej nënshkrimit të Fadil Hoxhës. 100 mijë veta bëjnë 20 divizione ushtarake. Kush i llogariste ato? Ë? Ata përtej Atlantikut, që e kanë sjellë Enver Hoxhën në pushtet, që e kanë ndërtuar krejt, dhe kanë bërë çfarë kanë dashur. 100 mijë shqiptarë janë ekzekutuar prej serbëve në Kosovë pas ripushtimit të Kosovës prej serbëve.

Ka qenë fundi i 1944-s. Serbia në fund të 1944-s e ka marrë, prej tetorit të 1944-s e ka marrë Kosovën, në 1945-n, 1946-n. Në këta 3 vite janë pushkatuar 100 mijë të rinj shqiptarë në Kosovë.

Brigadat partizane të Shqipërisë, një divizion ka qenë, Shefqet Peçi ka qenë në krye të atij divizioni, kanë qenë kurthi më tragjik i çështjes kombëtare shqiptare, i Kosovës, i Shqipërisë e krejt. Mundem të them që ka qenë shumë tragjike, mbase varri i çështjes kombëtare. Këtë ma ka pohuar edhe akademik Lefter Nasi. E kemi humbur Çamërinë, u shfaros një pjesë e Kosovës, shumë qytete në Maqedoni, në Peshter, në të tëra anët”, thotë Hevzi Kqiku.

Në këtë zhgënjim të thellë e gjeti veten edhe i ati i Hevziut, i cili, me kthimin në Kosovë, do të dërgohej bashkë me mijëra kosovarë të tjerë pothuajse me forcë për të luftuar deri në kufijtë e largët me Austrinë.

“Edhe e kanë mobilizuar babanë serbët, Jugosllavia, dhe e kanë çuar në luftë në frontin e veriut, kundër forcave gjermane. Kjo punë ka qenë nga marsi i 1945-s. Edhe ka marrë pjesë babai në luftime deri në kufijtë e Austrisë.

Babanë tim edhe e kanë mobilizuar, e kanë çuar në kurse speciale, i kanë mësuar të gjitha, shkrim e lexim shqip, të gjitha ia kanë mësuar. U çmobilizua, u krye mobilizimi, ka ardhur, ajo ka qenë prej marsit të 1945-s, ka ardhur në shtëpi nga marsi ose prilli i 1946-s, prej mobilizimit.

Ka ndenjur 2-3 muaj në shtëpi edhe e kanë çuar në ushtri të rregullt, të shërbente. Gjatë shërbimit ushtarak të rregullt, e kanë çuar babanë tim në shkolla speciale, të cilat i ka kryer me sukses”, shton Hevzi Kqiku.

Hevziu tregon më tej se rrjedha e jetës së të atit do të normalizohej vetëm pasi do të kryente edhe ushtrinë dhe, në Kosovën e vënë nën sundimin e ri serb, jeta do të zhvillohej mes privimeve të panumërta.

“Kur janë kundër teje të gjithë, s’mund të bësh kurrgjë. E kanë çuar në shkolla speciale. Ai ka ardhur me diploma në shtëpi. Edhe ka ardhur në shtëpi, por shumë kokëfortë ka qenë. Ai ka ndenjur këtu në burg, në Tiranë, me kryeshefin e UDB-së së ardhshme, Sahet Zatriqin. Ka qenë babai i Agim Zatriqit, drejtorit të RTK-së, nëse ju kujtohet. Babai i tij ka qenë shefi i UDB-së për Kosovën, prej 1946-s deri në 1970-n. Dhe kur kishte ardhur babai prej ushtrisë, që i kishte kryer të tëra ato detyrimet ligjore, ai, po ai e ka çuar babanë tim, Sahiti, babai i Agim Zatriqit. Kishte ardhur nga Prishtina e në lindje në Veliagrava, ku është fshati ynë, ta thërriste: ‘Hajde, o Fazlli, të punosh’. S’ka shkuar.

Pse? Sepse s’e kishte realizuar ëndrrën e vet. Ai e dinte si ishte puna, çfarë gënjente Enver Hoxha, ç’ka falsifikuar ai e ai, të tërë. Kurrë nuk ka shkuar. Por ia kanë mundësuar të hapte një sipërmarrje private. Ka prodhuar, tani i themi shniper për hekurudhë.

Për hekurudhë. Ai i ka mbaruar. Gjysma e hekurudhës së Serbisë Jugore me shniperët që i ka prodhuar babai im.

Shinat vendosen përmbi to. Ato janë shniperët, drurët. Babai im i ka prodhuar ato”, thekson Kqiku.

Në fund të rrëfimit të historisë së të atit, Hevziu kujton edhe njëherë datën 16 shtator 1945, kur të atin, pasi e liruan nga burgu, e dërguan në Kosovë. Ajo datë, sipas tij, është shumë domethënëse. Sepse 40 vjet më vonë, një histori tjetër dramatike dhe zhgënjyese do të zhvillohej. Këtë herë ishte radha e tij…