TIRANE- Kryebashkiaku Shpëtim Gjika, pranon se ka votuar pro ndërtimit të pallatit në pronësi të Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës.Një fakt të tillë e ka pohuar gjatë një seance marrje në pyetje në prokurorinë e Vlorës, ku para oficerit Alket Sulejmani ka deklaruar se votën e tij e ka hedhur “pro” ndërtimit të kompleksit “Jon” në bregun e detit, pranë zonës së “Ujit të Ftohtë”. Në dëshminë e tij Gjika shton se gjatë mbledhjes së 17 gushtit 2008, për këtë rast ka kërkuar informacion nga Sekretaria e Këshillit Teknik, i cili ka qënë të mos kalojë si projekt. Por njëherësh sipas Gjikës, ky këshill ka dhënë mendim me shkrim të diskutohet në KRRT-në e bashkisë.

Ndërkohë që pyetjes së oficerit se pse kishte mospërputhje lidhur me miratimin e projektit të ndërtimit, pasi në dokumentacion rezultonte një godinë banimi me 1-3-4+1 kat papafingo dhe një godinë tjetër 1-4-5+1 kat papafingo +1 kat nëntokë dyqane, kryebashkiaku Gjika ka deklaruar se besonte se një pasaktësi e tillë është bërë gabimisht dhe se me zbardhjen e formularëve në mbledhje e KRRT-së meret sekretaria teknike. Gazeta “Shqiptarja.com” publikon sot të gjithë proceverbalin e marrjes në pyetje të kryebashkiakut Shpëtim Gjika, me cili ka dhënë deklarimet e tij lidhur me miratimin e sheshit dhe lejës së ndërtimit të kompleksit “Jon” në Vlorë. Kjo dëshmi është dhënë në prokurorinë e Vlorës, ndërkohë që përfaqësuesi i akuzës e ka thirur kryebashkiakun dy herë në sallën e gjyqit dhe Gjika nuk ka pranuar të shkojë të dëshmojë, në procesin gjyqësor ndaj të pandehurit Odhise Zoto, ish-shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Vlorës.

Proceverbali i marrjes në pyetje
Unë Alket Sulejmani Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Vlorës, në bazë të neneve 297,155,160 e vijues të Kodit të Procedurës Penale mbaj këtë procesverbal për marrjen e të dhënave që tregojnë rrethanat e veprës penale nga shtetasi Shpëtim Gjika, i datëlindjes 3 gusht 1962 i lindur në Vlorë, banues në lagjen “Uji i Ftohtë”, rajoni nr.2 rruga “Çamëria” me arsim të lartë, me shtetësi e kombësi Shqiptare, me punë Kryetar i Bashkisë Vlorë, me gjëndje familjare i martuar. Pasi i shpjeguam nenet 155 deri 160 të Kodit të Prpcedurës Penale, të cilët bëjnë fjalë për rregullat e dëshmisë dhe ju kërkua që të tregojë gjithçka që di për rrethanat e veprës penale dhe personit që i atribuohet vepra si dhe pasi u paralajmëria për përgjgjësinë penale që ka nëse bën deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore, duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht ose pjesërisht të rreme apo fsheh fakte ose prova në bazë të nenit 305/b i Kodit Penal dënohet me burgim deri në 6 muaj.

Me vullnetin e tij të lirë ai deklaroi:
Më quajnë Shpëtim Gjika dhe jam aktualisht Kryetari i Bashkisë  Vlorë dhe Kryetar i KRRT pranë kësaj bashkie.
Pyetje:A keni qënë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Teritorit të bashkisë Vlorë të datës 17.08 2010?
Përgjigje: Po kam qënë prezent në mbledhjen e kësaj date.
Pyetje: A mund të na thoni se kush ka qënë relatori i kësaj mbledhje dhe ka ka detyrë për sjelljen e materialeve që do të kalojnë në KRT?
Përgjigje: Drejtoria e Urbanistikës sjell dosjet e plotësuara me dokumentacionin ligjor dhe teknik dhe pasi është dëgjuar relatori i projektit, i cili është përfaqësuesi i firmës është kaluar pa diskutim dhe më pas për miratim nga anëtarët KRRT-së.

Pyetje: Në këtë mbledhje është miratuar projektimi, studimi, leja e sheshit dhe leja e ndërtimit mbi truallin e shtetasit Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi si dhe shoqërisë “G.B.A Konstruksion” në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë. Kush ka bërë relatimin e kësaj dosje, si është relatuar dhe ju si kryetar i KRRT-së si keni votuar për këtë projekt?
Përgjigje: Me sa më kujtohet relator i kësaj dosje ka qënë përfaqësuesi i shoqërisë “G.B.A Konstruksion”, dosja është relatuar për miratim. Unë kam kërkuar në mbledhje mendimin e këshillit teknik, nga Sekretaria e Këshillit Teknik, i cili ka qënë të mos kalojë dhe të diskutohet nga KRRT-ja. Pasi është hedhur për miratim në KRRT, kjo dosje është miratuar dhe unë si krytar votën time e kam hedhur pro.

Pyetje: Nga leximi i protokollit të mbledhjes së KRRT-së të datës 17.08.2010 rezulton se për këtë subjekt është miratuar detyra e projektimit, Studimi Urbanistik, Leja e sheshit dhe Leja e Ndërtimit për godinë banimi 1-3-4+1 kat papafingo dhe në formularin nr.2 dhe nr.4 rezulton i shkruar ”Godinë banimi dhe zhvillim 1-4-5+1 kat papafingo  + 1 kat nëntokë dyqane”.Si e shpejgoni këtë ndryshim dhe kush është personi që bën zbardhjen e formularëve?
Përgjigje: I gjithë dokumentacioni është dorëzuar nga subjekti “G.B.A Konstruksion”, para datës së mbledhjes është paraqitur me projekjtin 1-4-5+1 kat papafingo nga një kat nëntokë dyqan dhe vendimarja e KKRT-së është mbi këtë bazë dokumentacioni. Ky ndryshim besoj se është bërë gabimisht dhe se me zbardhjen e formularëve meret Sekretaria Teknike e KRRT-së
Sa thashë më sipër janë të vërteta. Procesverbalin pasi e lexoj e gjej të rregullt dhe e firmos pa vërejtje.

Gjika i pandehur, për dy leje ndërtimi
Momentalisht kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika është marrë i pandehur për akzuën e “Falcifikimit të dokumentave” kryer në bashkëpunim në mënyrë të përsëritur. Sipas prokurorisë së Vlorës, Gjika ka falcifikuar lejet ndërtimore për dy raste, ku në një lulishte në Vlorë dhe në zonën e portit të këtij qyteti janë ndërtuar tashmë dy pallate disa katësh. Së bashku me Gjikën në këtë proces janë dhe 7 persona të tjerë, mes tyre dhe dy funksionarë të bashkisë Vlorë.

17 gusht 2010
Pikërisht në këtë datë KRRT-ja e bashkisë së Vlorës ka miratuar sheshin e ndërtimit dhe lejën e ndërtimit për pronarët e truallit Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi si dhe për kopmaninë “GBA Konstruksion”.
20 dhjetor 2012
Në këtë datë prokuroria e Vlorës, ka dalë me konkluzjone përfundimtare për dënimin me 1.6 vite burg dhe 4 milion lek të vjetra për të pandehurin e vetëm të kësaj çështje shtetasin Odhise Zoto.
30 janar 2013
Pikëkrisht në këtë datë gjykata e Vlorës në vend që të jepte dënimin ka pezulluar gjikimin dhe ja ka referuar dosjen për interpretim gjyqësor, Gjykatës Kushtetuese. Dosja ndodhet momentalisht në Vlorë.

Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)