Dëshmia: Kur i ra infarkti Enverit dhe gjendja ishte shumë e rëndë, filloi ndarja e klaneve, ku Mehmeti, Hysniu, Kadriu e Ramizi, u vunë në lëvizje

Dëshmia: Kur i ra infarkti Enverit dhe gjendja ishte shumë e rëndë, filloi ndarja e klaneve, ku Mehmeti, Hysniu, Kadriu e Ramizi, u vunë në lëvizje

Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.

(Vijon nga numrat e kaluar)

– Nuk vonoi dhe ato ditë filluan presionet gjithfarëshe deri në mos dërgimin e furnizimeve me drithëra, sjelljet arrogante, dërgimin e një akuze zyrtare e të hapur, që fliste për kristalizimin e një fronti anti-jugosllav në krye të partisë e të shtetit. Pas pak erdhi edhe akuza e dytë, që kësaj radhe fajësonte me emër Nako Spiron me “elitën” e tij. Filluan nervozizmat dhe intrigat.

Kur u diskutua më në fund në Byro, për sa më sipër, disa nga ne s’u thirrën në mbledhje. Rezultati: Nako Spiro vrau veten, disa nga ne të tjerët u përjashtuam nga Byroja Politike dhe nga partia. Plenumi i VIII-të famëkeq i Komitetit Qendror i shkurtit ’48-të, hapi rrugë për gllabërimin e Shqipërisë nga Jugosllavia. Por s’pati kohë, sepse shpërtheu hapur konflikti Moskë-Beograd.

– Nē nëntor të ’47-ës, pas vetëvrasjes së Nako Spiros, Koci Xoxe mbajti një fjalim në Shkollën e Partisë, ku foli gjerë e me tone madhore, për miqësinë shqiptaro-jugosllave dhe tradhtinë e Nako Spiros. Të nesërmen, me urdhër të tij, më thirri Manush Myftiu, për të më pyetur se ç’kisha në mend, e ç’kuptim kishin fjalët nënvleftësuese e të dyshimta, që kisha shprehur diku me të tjerë, për atë fjalim dhe gjithë si qe folur, ku ishin bërë edhe kërcënime ndaj kujtdo që mendonte ndryshe. Ky qe paralajmërimi për ato sa ndodhën me mua ato ditë.

***

Vërtet pas dënimit të Koci Xoxes e bandës se tij, shpejt u rehabilitova, por Enver Hoxha, nuk harroi se kundërvënia ime ato vite, s’qe diçka e rastit, prandaj duhesha trajtuar me kujdes, derisa të sqarohej, deri ku arrinin rezervat e pikëpamjet edhe për çështje të tjera.

Ky qe tani e tutje, pozicioni i përhershëm ndaj meje, deri në vitin ‘73-në, tërhiq e mos e këput. Pra, edhe nuk u zgjodha në organet drejtuese të partisë, në Kongresin e I-rë. Enver Hoxha nuk lajthiste, po t’i lindnin dyshime për cilindo, aq më pak falte, po ta kishe cënar qoftë edhe vetëm në sedër, më shumë akoma, po t’i dije ndonjë dobësi. Të fuste në atë defterin e vogël që mbante me vete dhe s’dilje më që andej.

Viti 1960-të

Rasti e solli të jem në dijeni për sa do të them më poshtë: – Kur në Moskë, erdhi delegacioni i PPSh-së për të marrë pjesë në mbledhjen e 81 partive, që do të bëhej në nëntor të ‘60-ës, të cilin e drejtonte Enver Hoxha, ku bënin pjesë edhe Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Ramiz Alia, nga se u ndodha atje për studime, më tërhoqën pranë tyre. Menjëherë më ra në sy se, gjithçka fliste për një tension të përgjithshëm, e acarim me vendësit.

Delegacioni qe vendosur në një vilë, ku pati disa takime me udhëheqës të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, si Mikojani, Suslovi, Kozllovi, etj., gjatë të cilave dolën në shesh, një tok kundërshtish e mosmarrëveshjesh të hapura. Qe vendosur që Enver Hoxha, të takohej edhe me Nikita Hrushovin ato ditë, para se të fillonte mbledhja e 81 partive, për të sheshuar disa prej tyre, mirëpo Enver Hoxha, s’kishte ardhur për të shuar, por për të ndezur sherr, siç edhe ndodhi.

Duke shfrytëzuar rastin, që në një letër të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, dërguar ato ditë Partisë Komuniste të Kinës, diç përmendej edhe për Shqipërinë, bëri hapa të llogaritur për shpërthimin e ngritjen e tensioneve, duke anuluar takimin e parashikuar. Braktisi edhe vilën, në shenjë mosbesimi dhe u vendos në ambasadën tonë në Moskë.

Dy ditë më vonë, pranoi të takohet, por siç u kuptua, nuk shkoi për të gjetur pika afrimi; përkundrazi, i ndezi zjarret më tej, ç’ka kuptohet edhe nga shpjegimet, që dha porsa u kthye, si dhe më vonë në shkrimet e tij, për si u përplasën, fjalët e rënda që shkëmbyen e, si u ndanë pa u përshëndetur. Është folur atëherë, edhe më vonë, se në ambasadën tonë në Moskë, u diktuan përgjues.

Mundet, të gjitha ndodhin në vendet diktatoriale, ashtu si dhe gjithçka sajohet, kur ua do puna palëve në sherr. Meqë kam qenë aty, do të flas për atë skenë. Po rrinim në një nga sallat e ambasadës. Ishin Enver Hoxha, e të tjerë. Ndërkohë hyri Mehmet Shehu, me një lloj aparati (për zbulimin e përgjuesve, siç u tha), në duar dhe filloi të kontrollonte pranë termosifonëve e, këndeve të sallonit.

Po e ndiqnim me sy. Dikush tha se; kontrollon mos ka përgjues. Papritur mori një karrige, hip në të, shtriu dorën me aparatin drejt llambadarit dhe veç kur lëshoi me të baritura një tok fjalësh, plot sharje rusisht, në drejtim të tij. Pas pak tha: “Aparati tregoi se përgjuesi është këtu, tani e ndërprenë”. Kështu ndodhi, kaq u tha. E vërtetë? Inskenim? Filluan të bëhen komente, kuptohet me të shara.

– Atë ditë që Enver Hoxha, mbajti fjalimin e tij të njohur në Mbledhjen e 81 partive, për të cilin është folur, reagimi në sallë qe i dukshëm. Gjithë sa hodhi, qenë vërtet bomba, siç edhe u quajtën. Kur delegacioni u kthye në ambasadë, pati përqafime e përshëndetje, si për një ngjarje të shënuar, njëheri lehtësuese nga një shqetësim e ankth, sikur të qe shpëtuar nga një e keqe që u rrinte mbi kokë, si shpata e Demokleut.

I qe arritur qëllimit: Enver Hoxha, prej kohësh jetonte me makthin e përmbysjes nga Olimpi, ku qëndronte në krye të partisë e të vendit, tani që bërë bujë dhe do të qe më e vështirë. Britmat për parime e ngjyrat ideologjike, s’qenë veç maska. Pas këtij fjalimi, nuk u duk më në mbledhjen që vazhdonte në Kremlin dhe u nis për në Shqipëri me tren, deri në Budapest, e prej andej me aeroplanin tonë, përmes Italisë e Adriatikut, për në Tiranë, me pretekstin se po afronte 29 Nëntori dhe duhet të ishte atje për festë.

Vitet 1973 – ‘74 – ‘75

– Për ’73-shin, kam folur më sipër. Shtoj vetëm se pas Plenumit të IV-ët, Enver Hoxha pësoi një infarkt, që pat pasoja të rënda për shëndetin, aq sa mezi e mori vetë, si edhe për gjithë sa ndodhën më pas. – Sëmundja dha shkak që rrethi i tij i afërt, e kryesisht Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu e Ramiz Alia, të vihen në lëvizje, si ndodh kjo nga hera në raste të tilla, e njohur prej shekujsh në oborret mbretërore, kur shihet se sovrani, mund t’i lerë shpejt shëndenë kësaj bote dhe del çështja e trashëgimisë së fronit. Për analogjitë, kujtojmë edhe sa ndodhi në Bashkimin Sovjetik, pas vitit 1953, kur vdiq Stalini.

Tregojnë se edhe Enver Hoxha, qe shqetësuar për këtë, meqë nuk pat përcaktuar prerazi, atë që do t’i zinte vendin e, do të siguronte vazhdimësinë, edhe pse syrit të tij të mprehtë, në punë intrigash pallati, nuk i shpëtuan pa i vënë re prapaskenat, me kahjet e tyre. Ashtu siç ndodh në të tilla raste – rivalitetesh pallati, edhe në stanin pretendentëve, zienin intriga ndaj njeri-tjetrit. Ndërsa para sovranit, përgjëroheshin për besnikëri, secili thurte për të çarë me bërryla edhe mbi kokallat e të tjerëve, drejt majës së piramidës. Në këtë sfond, merrnin formë miqësira e grupime, edhe armiqësira e goditje rivalësh.

Treshja më e fuqishme, qe ajo; Mehmet-Hysni-Kadri, pra: Shteti-Parti – Sigurimi. Po Ushtria? Beqir Balluku, s’qe i aftë për këto lojëra, pra edhe dilte pengesë. Atëherë? Duhej eliminuar. Shikohej vëngër edhe një farë afrie Enver Hoxhës me të, jo se ai kish ndonjë vlerësim për të, por i duhej – ish çështja e ushtrisë. Po Ramiz Alia? Njihej si një “Demkë” i Enver Hoxhës dhe aq, po që mund të bëhej edhe i cilitdo tjetër nesër.

Pra edhe Mehmet Shehu, nuk e pat ngacmuar në ‘73-në, kur u godit sektori ideologjik dhe u patën ngritur disa zëra kundër tij, si një kartë rezervë, kur t’i duhej. Hysni Kapo, ia dinte po ashtu këtë anë dhe e mbante nën sqetull. Kurse Kadri Hazbiu, me syrin e policit, e shikon me dyshim. Në një plan diku më poshtë, qëndronin Manush Myftiu, por në hijen e Hysni Kapos, si edhe Abdyl Këllezi, nën atë të Mehmet Shehut. Të tjerët nga të Byrosë Politike, tërhiqeshin rrëshqanë.

Në një nga ato ditë, kur Enver Hoxha filloi ta rimerrte veten, të ndihej më mirë dhe filloi të dilte, ndërsa po ecnin së bashku në formë shëtitjeje, në atë rrugë kryesore të Bllokut, se si ndodhi, por jo pa qëllim, ky i futi krahun Beqir Ballukut, duke i lënë të tjerët pak prapa, dhe ecën një copë rrugë duke biseduar, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, e kuptuan këtë si një gjest, që donte të thoshte se ushtria, mbetet gjithmonë mbështetja e fortë për atë.

Por në ushtri ishin dhe Petrit Dume, që njihej si i Mehmet Shehut edhe Hito Çako, që njihej si i Hysni Kapos. Atëherë? Duhej eliminuar, pra, Beqir Balluku. Dhe u thur loja. Kohë më parë, në një mbledhje të Byrosë Politike, meqë Beqir Balluku, kishte zgjatur për muaj të tërë paraqitjen e projekt-tezave për ushtrinë, siç qe vendosur dhe i qenë kërkuar, Mehmet Shehu, e ngriti me të madhe këtë çështje, e kritikoi fort dhe tha se, qe gati t’i vihej vetë asaj pune. Ashtu edhe u vendos.

I përgatiti ato në pak ditë, siç duket i kishte gati, pasi qe marrë prej kohësh me to, dhe u vendos të diskutoheshin më parë, me disa nga kuadrot, për të vjelë ndonjë mendim. Vetë Mehmet Shehu, i shtroi në një auditor të gjerë në Shkollën e Partisë (pse atje dhe jo në ndonjë nga shkollat ushtarake, kjo s’qe pa qëllim). Ju shpërndanë edhe kuadrove kryesore në ushtri. Thonë se nga ana e tyre, pati edhe ndonjë vërejtje.

Beqir Balluku, foli për këto me Enver Hoxhën dhe ky i tha që të mblidheshin ato me kujdes dhe të bëheshin gati, me qëllim që të plotësoheshin projekt-tezat e paraqitura. Beqir Balluku thirri në Pogradec, në një nga shtëpitë e pushimit atje, tre ushtarakë që i mbante nga më ekspertët dhe u ngarkoi këtë detyrë. Këta i përpunuan edhe ia dorëzuan, ky ua dha edhe ndihmësve të tij – Petrit Dumes, Hito Çakos, etj.

Sa mori vesh për këtë Mehmet Shehu, shfrytëzoi rastin dhe shpërtheu sulmin e hapur ndaj Beqir Ballukut, duke i quajtur ato “antiteza”, ose “tezat e zeza”, siç u emërtuan më vonë, lidhur me të ashtuquajturën; “teori e rrëshqitjes”. Ashtu siç kishte ndodhur edhe në raste të tjera (le të kujtojmë Nako Spiron më ’47-ën) Enver Hoxha bëri përsëri të paditurin, me një fjalë, e la në baltë Beqir Ballukun, madje edhe bëri sikur u zemërua keqas.

Kur Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Kadri Hazbiu, i thanë se kishte edhe disa gjëra të tjera serioze, për gjendjen dhe mosmarrëveshjet në Ministrinë e Mbrojtjes, edhe se kishin menduar t’i shtronin njëherë e mirë në Këshillin e Mbrojtjes, ai ra dakord, por tha se, meqë nuk ndihej mirë akoma, nuk do të merrte pjesë, si dhe iu sugjerua. Kështu edhe u bë.

Mbledhjen e drejtoi Mehmet Shehu, ku merrnin pjesë si anëtarë të Këshillit të Mbrojtjes, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu e Petrit Dume. Aty u fol edhe për antitezat. Beqir Balluku, nuk tha asgjë, se kishte vepruar me porositë Enver Hoxhës dhe se ky qe në dijeni për gjithçka, sado, që e ndjeu veten të braktisur nga ai. Me sa duket, besonte akoma se në momentin e duhur do të bënte diçka për ta mbyllur çështjen.

Pranoi që nuk kishte vepruar drejt, pranoi edhe se në mes tij e Petrit Dumes, kishte patur disa keqkuptime, por do të përpiqej t’i mënjanonte. Këtu, me sa duket, sipas një skenari të parapërgatitur, Petrit Dume ngriti çështjen, se nuk ishte fjala për keqkuptime, as thjesht disa mosmarrëveshje, po për çështje më të thella, parimore, të karakterit botëkuptimor, strategjisë e të taktikave ushtarake.

Aq deshi Mehmet Shehu dhe u hodh: “Pa qëndrojmë pak, e të shpjegohemi më mirë”! I quajti shumë serioze, hiperbolizoi dhe i etiketoi si deshi vetë. Kështu iu raportua edhe Enver Hoxhës. Ky prapë heshti dhe vendosi ta braktiste përfundimisht Beqir Ballukun, çka ndodhi në plenumin e Komitetit Qendror të korrikut ’74-ër, ku e shkarkuan nga funksion e larta partiake dhe shtetërore.

Por pa kaluar as dy muaj, bëri një manovrim që i hutoi të gjithë: goditi fort Petrit Dumen e Hito Çakon, indirekt edhe Mehmet Shehun e Hysni Kapon, si dhe kundër një sërë gjeneralësh e kuadrosh të tjerë ushtarakë, te të cilët kishte humbur besimin. Kësaj radhe, qenë Mehmet Shehu e Hysni Kapo, që i lanë në baltë njerëzit e tyre. Kështu vajti kjo punë. S’ka këtu, pra, asgjë nga ato që u thanë në atë kohë e më vonë, rreth puçit ushtarak e, që çuan në pushkatimin e tyre dhe atë shpjegimi që dha Enver Hoxha më pas, në librin e tij “Titistët”, ku ai shkruante:

“Më 1973-in, u vu në veprim grupi i Beqir Ballukut, që përgatiste puçin ushtarak me “tezat e zeza”, teorinë e rrëshqitjes, lënien e bregdetit e të qyteteve, agresorëve imperialiste, padronëve të Mehmet Shehut. Beqir Balluku, u demaskua plotësisht. Atë e braktisën edhe Petrit Dume me Hito Çakon, që ishin në komplot.

Mehmet Shehu, që ishte në krye të komplotit dhe luante fijet në prapaskenë (tashti del se të gjitha planet strategjike, ishin përpunuar në kundërshtim me planet e Këshillit të Mbrojtjes dhe këto materiale të zeza, siç u quajtën kur u zbuluan, ishin miratuar nga ai), u mundua të shpëtonte Petrit Dumen dhe Hito Çakon. Ato patën shumë shpresa te Mehmet Shehu, se “nuk do tu pritej koka”, sikur u tha ai në plenumin e Komitetit Qendror, që u mblodh atëhere për këto probleme dhe nuk e dhanë Mehmetin; por edhe ky nuk i shpëtoi dot, nga rreziku se mos dëmtonte veten”.

Më vonë pat çarje edhe në mes Mehmet Shehut dhe dyshes; Hysni Kapo e Kadri Hazbiu. Sa ndodhën, pa kaluar veç pak muaj, me “sabotatorët e ekonomisë”, si u quajtën, thonë se loja filloi kështu: punët në naftë, nuk po ecnin (jo vetëm atje, por edhe në fusha e degë të tjera të ekonomisë që filluan të ndihen pas shenjave të para të prishjes me Kinën), prandaj u bë një mbledhje me kuadrot, atje ku nxirrej nafta. U dërguan të marrin pjesë Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi.

Si papritur, por jo rastësisht, shpërthyen kritika; sulme e kundërshtime, me akuza të ndërsjella; u fol edhe për sabotim. Pas tërmeteve që kishin rënë e duke ndierë se edhe të tjerë do të binin, nuk kishte më qetësi, jo vetëm rreth “Piramidës”, por edhe poshtë – intriga, arriviste e frikamane, lajkatarë e akuzues gjithandej. O tmerr, ç’po ndodh kështu? Me qëllim distancimi, Abdyl Këllezi, u largua nga mbledhja pa mbaruar akoma dhe u kthye në Tiranë, ku vajti t’i raportojë Enver Hoxhës, për gjendjen dhe sa ndodhi.

Ai e dëgjoi si me vëmendje, por në ç’listë e kishte futur, kjo u pa shumë shpejt, me “furtunën” që shpërtheu kundër “sabotatorëve në ekonomi” dhe përmasat që mori, deri në dënimin kapital të atyre, që i quajti fajtorë. Diku duheshin hedhur fajet, për vështirësitë që po kalonte vendi, në fushën e ekonomisë. Shkaqet qenë të tjera, më të thella, ato u bënë të qarta më vonë: ishin pasojë e asaj rruge në të cilën qe ecur, i asaj politike dritëshkurtër izolimi, mendjemadhe e, kundër të gjithëve, të ndjekur prej kohe dhe që në vitet ‘70-të, erdhi duke u thelluar, ndërkohë që po shternin dhe rezervat dhe vendi shkonte drejt kolapsit!

Viti 1981

Vijmë kështu edhe te fundi i Mehmet Shehut. Siç dihet, gjatë gjithë kohës, në mënyrë të veçantë, që nga ’48-të, ai qe krahu i djathtë i Enver Hoxhēs, bashkëpunëtori e ndihmësi i tij më i afërt, në hartimin dhe zbatimin e asaj politike të terrorit, kriminale e shkatërrimtare, në të cilën e çoi vendin diktatura. Dallohej në mënyrë të veçantë për egërsinë e tij, i prirur e i papërmbajtur drejt krimit; për mendjemadhësinë fodulle; hiqej specialist i gjithditur, në të gjitha fushat – politike, ushtarake, ekonomisë, ligjshmërisë, arsimit e kulturës, etj., prepotent e me një fobi neveritëse, ndaj progresit e vlerave intelektuale të kohës.

Por kur e humbi besimin Enver Hoxha? Thonë – edhe nga zhvillimi i ngjarjeve, bëhet e qartë – se pas sa ndodhën në ‘73-në, ‘74-ën e ’75-ën, diktatori e futi në listën e atyre që duheshin eliminuar. Fillimisht e ledhatoi, por menjëherë, pak sot a, pak nesër, shkallë – shkallë, e ndau nga njerëzit e tij më të afërt, disa prej të cilëve, i zhduku, të tjerë ia tërhoqi dhe i izoloi. Pas Petrit Dumes e disa gjeneralëve, si dhe të Abdyl Këllezit me të tjerë, bëri çarjen dhe futi pykat, në mes të tij e Hysni Kapos, joshi nga vetja dhe e tërhoqi Kadri Hazbiun, e rrethoi me të paaftë të tjerë, intrigantë si Hekuran Isai e Simon Stefani, filloi ta sulmonte nga shumë anë dhe i bëri dredha, derisa e çoi në vetëvrasje më 81-n.

Ishte se qershor, se korrik të atij viti, kur njëri nga djemtë e tij, shpalli fejesën me një vajzë nga një familje e prekur, siç quheshin atëhere, që i kishte njerëzit e saj, deri në Amerikë, si refugjatë politikë e, kundërshtarë të regjimit. Këtu nisi goditjen fatale, – i erdhi rasti. Megjithëse për këtë, ishte në dijeni, i vajti për urime familjarisht e, me një pjesë të skotës së tij, ku u shprehën fjalë nga më të gëzueshmet, u bënë edhe shumë fotografi, së toku. Pra, çdo gjë dukej se vente, si s’ka më mirë.

Atë vjeshtë, në nëntor, do të mblidhej Kongresi i VIII-të i Partisë. Filluan të bëheshin konferencat e rretheve, për zgjedhjen e delegatëve dhe në shtator Mehmet Shehu shkoi në njërën prej tyre, në atë të Korçës. Arriti dy ditë para se të bëhej mbledhja, por të nesërmen, Enver Hoxha, e thirri të vinte urgjentisht në Tiranë. E çuditshme, por jo, e llogaritur edhe kjo.

U detyrua ta shtynte konferencën dhe të nisej. Kur vajti tek Enver Hoxha, ky i tha se i kishin ardhur të dhëna të sakta, që më parë s’kishte ditur, rreth të fejuarës së djalit të tij, se si qe pritur ajo fejesë, në qarqe të caktuara ballisto-zogiste dhe të të ikurve të tjerë në Amerikë, se edhe fotografitë e marra në shtëpinë e tij, ditët e fejesës, kur i vajtën për urime, kishin përfunduar në duart e CIA-s amerikane.

Memorie.al 

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • albi: 02/11/2023 11:57

    Pra Fadili, nga menyra si komenton, duket qe paska qene ne anen e Sovjetikeve. Kjo do te thote qe Dulla e paska qelluar menjanimin e denimin e tij. I drejte a i padrejte ky eshte muhabet tjeter, por nuk mund te thuhet qe Fadili e hengri kot pa asnje arsye. Arsyeja ka qene mbeshtetja e Sovjetikeve, e mbeshtetja ne ate kohe shihej si venie ne sherbim, pavaresisht ne ishte a jo e vertete.... Dulla ka qene nona e Makiavelit do thoshin sot... ishte 2-3 hapa para gjithe te tjereve per te ruajtur pushtetin...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

4 rekomandimet e qeverisë për SPAK dhe Prokurorinë! Manja: Prioritet lufta kundër krimit organizuar dhe korrupsionit, shmangni çdo lloj influence

4 rekomandimet e qeverisë për SPAK dhe Prokurorinë! Manja: Prioritet lufta kundër krimit organizuar dhe korrupsionit, shmangni çdo lloj influence