Dëshmia për masakrat/Qershor '44,
i therën fëmijët si berra në Paramithi

Dëshmia për masakrat/Qershor '44,<br />i therën fëmijët si berra në Paramithi<br>
Si në një film horror vjen kjo dëshmi e një grup çamësh nga Paramithia dhënë në vitin 1947, mbi masakrat që kanë parë me sytë e tyre me 27 dhe 28 qershor 1944. Ata dëshmojnë tmerre të paimagjinueshme që ishin kryer mbi fëmijë të pafajshëm, vajza e gra, burra, pleq e plaka.

Ata listojnë me emra e mbiemra gjithë viktimat e shkaktuara gjatë këtyre ditëve në Paramithi. “Katilat e Zervës, i thernin fëmijët e pafajshëm me thika, sikur të ishin berra”, dëshmojnë të mbijetuarit çamë mbi këtë ngjarje të përgjakshme. Më poshtë e sjellim të plotë deklaratën e tyre mbi masakrat e Zervës në Paramithi. 

D E K L L A R A T Ë
Na të nënëshkruarit: Kadrije Haxhi Bajrami, Gjylso Bajram Rushit, Adile Bilali, Hanume Asllan Myftar, Ismete Shahin Islami, Qemal Asllan Myftar, Haxhi Bajrami dhe Shahin Ismaili, të gjithë nga qyteti i Paramëthisë, dekllarojmë se në qytetin t’onë (Paramëthi) më 27 Qershor 1944 ushtrija e Gjeneralit Napoleon Zervës hynë në këtë qytet e komanduar prej Kamarës Komandat i Divizionit VIII si dhe prej Regjimentit 15 e Komanduar prej Kranjajt dhe mbasi u bashkuan me agjentëtë e tyre Dhespotin e  Paramëthisë, Avokatin Stavropullos, Priftin Papa Andonin dhe bashkë me agjenta të tjerë, fillojnë masakrat më barbare. Këtë ditë, d.m.th. më 27 Qershor 1944, mbasi çnderuan dhe rrahën shumë nga Çamërit, filluan therjet me thikë.

Pamë me sytë t’onë të therur prej kryeminelëve Zervistë këta fëmijë: Lut Nuh Asim, vjeç 10, Nuh Asim vjeç 7, Hiqmet Isa Mazreku vjeç 1, Nuh Tahsin Bil vjeç 11, Hanushe Shaban Boçe vjeç 13, Abdulla Isuf Salica vjeç 15, Haki Asllani Myftar vjeç 12, Hedo Rexhep Maliq vjeç 9, Nezire Rexhep Maliq vjeç 8, Xhevit hasan Abdulla vjeç 13, Fuat Isuf Bollati vjeç 13, dhe Harun Mezani vjeç 8. Nuk mjaftoj vetëm therja e këtyre fëmijëve të pa fajshëm. Kryeminelat si Lefter Strugari, Aristotel Strugari, Kristaq Strungar, Sotir Shama, Thoma Karagjiozi, Nasho Kosta Jani, Petro Bazaku, Haris Konomi, Thoma Konomi, Nikolla Vasil Canus, Leonidha Lako, Pavllo Lako, Koço Fili nga Paramëthija, mbasi çnderuan dhe torturuan Nurije Nuh Asimin, Bide Nuh Asimin, Kadrije Qazim Rexhep, Adile Subhi Dino, Nakije Rexhep Maliqi, Gjulo Ramadan Hanxhara, Hajrije Rafat Arapi, Duso Dino Qero, gruan e Shero Baracena dhe shumë të tjera, i vranë në mënyrën më të poshtërme.

Më datën 28 Qershor 1944 kryeminelat Zervistë si: Kostaras Nikolla nga katundi Lugat i Paramëthis, Kosta Kolokiçi nga katundi Dhragomi, Nako Ducka nga katundi Koronë i Margëllëçit, Ajdhon Nikolla nga katundi Salloniq, Foto Ikonomo nga katundi Gllavicë, Stavro Thoma Faço, Ajdhon Spiro Shoho nga katundi Kariot i Paramëthisë duke qënë prezent edhe ata që ishin një ditë më përpara, vranë përsëri edhe këtë ditë këta burra: Salih Pronjo, Abdurahman Tahir Hima, Omer Murati, Qani Bollati, Isuf ose Luf Bollati, Isuf Pronjo, Mehmet Pronjo, Tefik Abas, Malo Kipe, Maksut Beqiri, Hajrishen Laze, Jakup Kasimi. Haxhi, Emin Mullahusejn, Sami Hasim Dino, Met Hysen Mullamet, Merush Met Meri, Ferhat Salih Muhedin dhe plakun 85 vjeçar Xhelal Bollati. Vrasja e këtyre nuk ka qënë me pushkë. Këta njerëz të pa fajshëm janë therur nga katilat e Zervës me thika sikur të ishin berra.

Ato që na kanë parë sytë nuk i rëfejmë dotë. Na dridhet mishtë kur i dekllarojmë. Muharrem Bollatin plak 95 vjeçar mbasi e zunë e hodhën nga shkalla dhe e rrahën me dru sa ky vdiq, fëmijën e mitun Memko Tahir 7 muajshë e therën, Naire Muftiu, Samije Brahim Nuri e dogjën në zjar, Zubo Maksu Beqir, Safije Merzush, Hasije Karahman Pronjo, Gruan e Fuat Pronjos, Feride Hysen Adem, Xheko Shefqet Kati, Xheko Rustem, Adife Halil Mullahapa, Hadixhe Isu Salica, Dusho Hasan Man, Fahro Hasan Dush, Naxho Man Demir, Qamile Duroman Demir si dhe 46 gra e fëmijë nga Katunde i çnderuan e i vranë.

Kryeminelët Zervistë nuk bënë vetëm këto, por masakrat e tyre i vazhdojtin edhe në mënyra të tjera në këta njerëz: Aga Kubullati e prenë cop copë me thikë, Sali Muhedin, Malo Sehidi, Haxhi Shehu, mbasi i vranë dhe i therën i varën në çengel; Abedin Bakon, Gani Bakon, Tahir Kaço vjeç 90 dhe Shaban Gaxirin si u prenë këmbë, duar, vesh, hund e u kryen sytë i therën dhe i varën në çengel.

Gruan e Shero Baracena në mëngjezin e një dite të Qershorit 1944 e dogjën në zjar. E lahtarisur ka qënë varja e Meko Mustafa Pronjos, këtë pasi e çpuan me thika, e karfosën si Krishtin në portën e tij. Të thënat t’ona nuk janë vetëm kaqë. Ne kemi për të thënë shumë gjëra se të shumta janë veprat çnjerzore të ushtris Greke.

Ne ishim të zënë robë nga ushtrija Zerviste, këto që thamë dhe shumë të tjera i kemi parë me sytë t’ona. Ma në fund të shoqëruar na prunë deri në kufirin Shqipëtar; këtu ne mbasi shkelëm në tokën Shqipëtare gjëjmë përkrahjen e vëllezërvet t’anë dhe të Qeveris Demokratike. Jemi gati t’i themi e me gojë kur të na kërkoni për sa dekllaruam.

dosieri

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë