Fqinji i Ruzhdi Arishtës, personi që vrau efektivin e FNSH-së, Simon Gjeta tregon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, se para disa muajsh Ruzhdiu kërcënoi me jetë disa punonjës të OSHEE-së, që i shkuan për kontroll në banesë për energjinë elektrike. Ndërsa fqinjit i mbyti lopën dhe ia theri me thikë, vetëm se iu fut në oborrin e tij. Ai tregon se 56-vjeçari ishte njeri me rrezikshmëri të lartë dhe se nuk duhet ta nxirrnin nga spitali Psikiatrik.
 
Çfarë dini për ngjarjen dhe si ndodhi? 

Po dilja në atë moment nga shtëpia kur dëgjova një debat të fortë. Në fakt u afrova për disa metra dhe pash Ruzhdiun që po përleshej fizikisht me Besar Sherbelen. Për një çast mendova se situata mes tyre ishte qetësuar, por Ruzhdiu shkoi në banesën e tij dhe mori një armë e qëlloi 2 herë në drejtim të Besarit. Djali ra përtokë dhe kërkonte ndihmë, pasi plumbi i kapi mushkërinë. I tmerruar dola në rrugë dhe i ngrita dorën një mjeti me targa të huaja. Pasi makina ndaloi, e çoi me urgjencë 21-vjeçarin në spital. Më pas unë lajmërova prindërit e tij.
 
Jeni në dijeni se për çfarë u konfliktuan dy fqinjët?


Me sa kam informacion, ngjarja ka ndodhur për një gardh, i cili ndante banesën e Ruzhdiut dhe familjes së Besmirit. Ruzhdiu i kishte thënë Besmirit të largonte gardhin, pasi pretendonte se ishte vendosur në tokën e tij. Mund të them se Ruzhdiu ishte tip konfliktual.
 
Çfarë dini ju më shumë lidhur me autorin Ruzhdi Arishta?


Ai ishte një tip mjaft problematik dhe nuk ishte në parametrat normale të psikikës. Jetonte i vetëm dhe herë pas herë hapte konflikte me banorë të zonës pa asnjë shkak. Madje, para disa muajsh, nuk e mbaj mend mirë se kur konkretisht, ai kërcënoi me automatik punonjësit e OSHEE-së, të cilët i kishin shkuar për kontroll. Ruzhdiu u drejtoi armën atyre dhe i tha që do t’i vriste nëse shkonin sërish në banesën e tij. Por rasti më i tmerrshëm është kur ai mbyti lopën e komshiut vetëm se i kishte hyrë në oborrin e banesës. E ka goditur me thikë lopën disa herë dhe e ka mbytur. Ishte person me të meta mendore.
 
Me kë jetonte në banesë ai?


Jetonte i vetëm. Vëllezërit e tij jetojnë në Shkodër, ndërsa njëri prej tyre, Sokoli, ka një pikë karburanti në fshatin Oblikë. Ruzhdiu ka qenë disa herë në spitalin Psikiatrik të Shkodrës dhe ka qëndruar me periudha aty. Kur gjendja e tij u stabilizua, mjekët e nxorën nga spitali dhe ai erdhi të jetonte i vetëm në banesën e tij. Shtëpinë ia kishin dhuruar vëllezërit. Kohët e fundit në banesë kemi parë edhe një grua të moshës 40-vjeçare. Kur e pyetëm se kush ishte, na the se kishte marrë një shërbyese. Por gruaja nuk qëndroi më shumë se një muaj, sepse ai e kërcënoi se do ta vriste. Kishte halucinacione, çrregullime mendore. Në pamje të parë nuk e jepte atë përshtypje, por në të vërtetë ishte konfliktual. Dua të them se Ruzhdiu ishte tip i mbyllur, nuk shoqërohej me askënd. Nganjëherë dilte në mal për të gjuajtur me çifte shpendë të egër. Jeta e tij ishte në mal dhe në shtëpi. Më vjen keq për atë që ndodhi dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të efektivit. Ndërsa për Ruzhdiun nuk di më çfarë të them. Ai tashmë ka vdekur, por edhe shteti ka përgjegjësi këtu, pasi ata lloj tipash përbëjnë rrezik për shoqërinë.



Redaksia Online
(shqiptarja.com)