Dëshmitë e panjohura: Ju tregoj fatin tragjik të 12 shoqeve të mia ruse, që pasi i burgosën, u braktisën edhe nga…/ Historia dhimbshme e të dënuarave në burgjet komuniste

Dëshmitë e panjohura: Ju tregoj fatin tragjik të 12 shoqeve të mia ruse, që pasi i burgosën, u braktisën edhe nga…/ Historia dhimbshme e të dënuarave në burgjet komuniste

Publikohet historia e panjohur e ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”) dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha dhe filluan jetën në qytetin e Tiranës, ku Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkina, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me 16 vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al.

Shpresuam dhe mbijetuam

I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA

Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhës, që ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.

 

Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.

Vijon nga numri i kaluar

Afërisht një muaj pas lirimit ne, i ashtuquajturi në kamp “trupin diplomatik”, ato përfaqësuese të tij që jetonim në Tiranë, na kërkuan në Degën e Punëve të Brendshme. Na priti një shef i madh, në një zyrë të bollshme, ulur në tryezë të rrumbullakët. Na pyetën se si ishim rregulluar. Shumë nga ne s’kishin shtëpi, patën probleme me familjen dhe me punën. Na premtuan të na ndihmonin të gjithave. Papritur, si nëpër të, dëgjuam pyetjen: “Mos kërkon të ikë ndonjëra prej jush”? Kjo qe aq e papritur, sa të gjitha e kyçën gojën. Disa… shumica jonë, kishin fëmijë, disa ishin me burrat gjallë. Ç’qe kjo pyetje e çuditshme? Ç’të kishte ndryshuar vallë? Ne edhe më parë mund të iknim, por vetëm pa burrat dhe pa fëmijët. Dy gra, që s’kishin fëmijë, u përgjigjen me druajtje, që nuk ishin kundër të iknin. Zoja pyeti: “Do më lejoni të shkoj me djalin? Atëherë jam gati”. Përgjigjja ishte: “Mirë, do pyesim dhe do t’ju japim përgjigje”! Ne dolëm tejet të habitura; na qe ngjallur një fije shprese! “Ndoshta vërtet mund të ikim?” Por nuk e besonim, sepse mendonin se autoritetet nuk do të na lejonin kurrë që edhe fëmijët të vinin me ne. Procesi i dhënies së lejeve për dalë jashtë shtetit, zgjati shumë. Gratë e vetmuara i lejuan pas disa muajve. Zojën e torturuan gjatë, herë i jepnin lejë, herë ja kthenin.

Më në fund e lejuan të shkonte bashkë me djalin dhe ata ikën. Ndërkohë në Bashkimin Sovjetik, kishin nisur ndryshimet (Perestrojka e famshme e Gorbaçovit), kurse në Shqipëri ndryshimet ishin shumë të ngadalshme dhe të pakta. Vendi vazhdonte të mbetej i mbyllur, vetëm disa të moshuar i lejonin të vizitonin njerëzit e tyre në Greqi dhe në Jugosllavi. Pak më sipër shkrova se sa të vështirë e pati Nina Puma, pas lirimit nga burgu në qytezën e Rrëshenit; punë nuk i jepnin, me familjen e saj silleshin shumë keq. Dhe vendosi të ikte, me shpresë se më vonë, do bashkohej me ta edhe i shoqi. Mirëpo nuk e lejuan t’i merrte të dy fëmijët, vetëm djalin e madh i dhanë. Pa fëmijët lejuan edhe Volën. Në vitin 1988, unë dhe Sasha, vendosëm të bëjmë kërkesë për të ikur, atëherë ai ende nuk kishte familje. Kosta ishte martuar, kishte edhe vajzën, Junën, dhe menduam se do ta lejonin ta merrte familjen. Përgjigjja e kërkesës ishte: “Mund të bëni kërkesë për të gjithë familjen”. U habitëm pa masë, u gëzuam dhe e nisëm kërkesën. Mirëpo lejë më dhanë vetëm mua, pa fëmijët. ‘Susta’ sërish herë lirohej, herë shtrëngohej. Nisëm një lutje tjetër, që të na lejonin të gjithëve të iknim nga Shqipëria. Ngjarjet në Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore atë kohë zhvilloheshin me vrull, kjo dihet nga të gjithë. Edhe Shqipëria nuk qëndroi mënjanë; atëkohë ajo të kujtonte kazanin që vlonte. Njerëzit, veçanërisht të rinjtë, gjetën rrugët për t’u futur në ambasadat e huaja dhe kërkuan azil politik. Pushtetarët në fuqi u trembën, veçanërisht nga ngjarjet në Rumani më 1989-ën dhe vrasja e Çausheskut.

Në mars 1990, ne morëm lejë për të ikur. Vajtëm në ambasadën çeke, e cila përfaqësonte edhe interesat e shtetasve sovjetikë në Shqipëri, dhe dorëzuam dokumentet bashkë me lutjen për t’u kthyer në Bashkimin Sovjetik. Ne ishim gjithsej 7 vetë. Në korrik 1990, në Tiranë ndodhën ngjarje që ndikuan ndjeshëm në zhvillimet e mëtejshme në vend. Më 2 korrik pranë rrugës ku ndodheshin shumë nga ambasadat e huaja në Tiranë, u mblodh një turmë kolosale të rinjsh. Turma e mori përpara gardhin e policëve dhe u dynd në territoret e ambasadave. Policët përdorën shkopinjtë, armët. Pati viktima. Për të fshehur praninë e viktimave, të nesërmen u lejua që kush dëshironte, mund të futej në ambasada dhe të qëndronte atje. Pastaj dyert e ambasadave sërish u mbyllën. Në ambasadat e RFGJ-së, Francës, Italisë dhe të disa vendeve të tjera, u grumbulluan afërsisht 6000 vetë. Gjatë tri javëve njerëzit jetuan atje, fjetën në rrugë duke pritur vendimin e qeverisë. I gjithë vendi mbajti frymën i shqetësuar, të gjithë kishin frikë se pushteti në asnjë mënyrë nuk do t’i lejonte të ngujuarit në ambasada të iknin nga vendi, se ata i priste burgu. Çështja mori formën e një skandali ndërkombëtar. Më në fund i lejuan këta njerëz të largoheshin nga Shqipëria, u dhanë pasaporta, autobusë, të cilët i morën dhe… në varg të gjatë… i nisën drejt një jete të re. Ndërkohë ne pritnim lejen nga Bashkimi Sovjetik për të hyrë në vend. Motra ime u përpoq sa mundi që të na lejonin të ktheheshim. Kjo s’ishte as e lehtë, as e thjeshtë. Motrës i’u desh të trokiste në disa dyer, deri në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të jepte garancitë se do të na priste, do të na siguronte nga ana materiale. Më në fund e mori lejen. Me ndihmën dhe përkrahjen e konsullit çek, sjellja e të cilit ndryshonte shumë nga ajo e diplomatëve të vrazhdë dhe moskokëçarës sovjetikë, me të cilët pata rast të ndeshesha 30 vjet të shkuara, më 12 tetor 1990 i hipëm avionit dhe u nisëm për në Moskë. Më në fund, unë sërish shkela në tokëm amtare, përqafova të afërmit dhe miqtë e mi. Këtë çast e kisha pritur 30 vjet…! Bashkë me mua erdhën ne Rusi dhe djemtë me familjet e tyre, por tashme kohët kishin ndryshuar. Perdja e hekurt kishte rënë dhe ne kishim besim që të rinjtë dhe familjet e tyre, nuk do të provonin atë fat që kisha provuar unë dhe shoqet e mija në një vend të huaj. Pas largimit tonë, në Shqipëri ndodhën ngjarje që e zhdukën plotësisht regjimin e Enver Hoxhës dhe mundësuan zgjedhje demokratike, lirimin e të gjithë të internuarve dhe të burgosurve politikë. Por unë nuk qeshë dëshmitare e këtyre ngjarjeve, prandaj nuk shkruaj dot për to, shkruaj vetëm ato që kam ditur dhe parë vetë. Të tillë më takuan njerëzit e mi pas 10 vjetëve!

“Trupi diplomatik”

“Trupi diplomatik”! Kështu e quanim ne veten me të qeshur. Por në këtë shaka kishte një pjesë të mirë të vërtetë. Në burg kishte gra të burgosura nga shumë vende. Njëra nga këto ishte Sharlota, francezja, e cila kishte vdekur, pak para se të vija unë në kamp. Për të më treguan gratë me të cilat ajo rrinte. Në Shqipëri Sharlota kishte ardhur para se të niste Lufta e Dytë Botërore, bashkë me të shoqin nga Franca. Burri i Sharlotës kishte punuar në minierë dhe doli herët në pension. Ata u ndalën në Sarandë, një qytet jo i madh, i mrekullueshëm, në brigjet e detit Jon në jug të Shqipërisë. Atje jetonte një shoqe e ngushtë e Sharlotës. Në Francë s’kishin njeri, kurse qyteti i vogël në mes të luleve dhe agrumeve, i pëlqeu shumë. Edhe pas luftës ata qëndruan në Sarandë, jetonin të qetë, nuk vuanin (nga Franca u vinte pensioni). Burri i Sharlotës vdiq dhe ajo mbeti vetëm. Por nuk e lanë të qetë. Pas disa kohësh organeve shqiptare të Sigurimit, i’u desh një tjetër spiune… dhe zgjodhën Sharlotën; e arrestuan, e gjykuan dhe i dhanë 10 vjet burg. Gruaja fatkeqe ishte e moshuar dhe e sëmurë nga zemra. Shumë shpejt vdiq në burg. Në fund të viteve ’60-të, apo në fillim të viteve ’70-të, në Shqipëri u arrestua një grup i madh, të cilin e paditën për veprimtari spiunazhi në shërbim të Polonisë… ashtu i quajtën, “spiunët polakë”. Midis të arrestuarve ishin dy gra polake (me burra shqiptarë) dhe burri i njërës prej tyre. Kishte edhe të tjerë, që kishin studiuar në Poloni, ose thjesht të njohur të tyre. U fabrikua çështja për spiunazh dhe të gjithë u dënuan me afate të gjata burgimi. Gratë fatkeqe, pas hetimit tejet të rëndë dhe gjyqit, i çuan në kamp. Njëra prej tyre ishte dënuar 13 vjet, ndërsa tjetra 15 vjet heqje lirie. Të dyja ishin në gjendje shumë të rëndë, veçanërisht ajo, që kishte edhe të shoqin në burg, të dënuar për të njëjtën çështje me 25 vjet. Kurse jashtë i mbetën dy fëmijë të vegjël, që pa pritur e pa kujtuar e panë veten jetimë. Por ato patën fat.

Qeveria polake, kur mori vesh për arrestimin e shtetasve të vet, kërkoi lirimin e tyre. Nuk e di çfarë masash mori qeveria polake, çfarë presioni ushtroi mbi qeverinë e Shqipërisë. Thanë sikur Polonia e ndaloi shkarkimin e qymyrit koks në Shqipëri, ndoshta ka pasur të tjera masa shtrënguese, por fakti mbetet fakt, qeveria shqiptare u detyrua t’i lironte polaket. Në burg erdhi urdhri për lirimin e tyre dhe brenda 24 orëve, polaket dolën në liri, pasi kishin qëndruar në burg gjithsej afër 3 vjet. Mirëpo, kur njëra nga të liruarat vendosi të kthehej në Poloni, nuk e lejuan të merrte fëmijët me vete. Kështu u hakmorën organet shqiptare të Sigurimit për disfatën. Padashur krahasova qëndrimin e Polonisë dhe Bashkimit Sovjetik, ndaj shtetaseve të tyre. Edhe në Poloni rendi socialist ishte, por qeveria polake nuk i braktisi shtetasit e vet, nuk i la në mëshirë të fatit, i mbrojti interesat e tyre. Kurse qeveria sovjetike nuk reagoi fare ndaj arrestimit tonë. Të gjitha përpjekjet e të afërmve tanë, të gjitha lutjet dhe letrat mbetën pa përgjigje. Askush s’deshi të dinte për ne, për fatin tonë. Jeta e njeriut në Bashkimin Sovjetik, nuk kishte vlerë, për ne nuk u interesua njeri! Kur ishim në kamp, në përbërje të “trupit diplomatik”, hynin 13 gra sovjetike, 2 jugosllave, një italiane, një rumune dhe një hungareze. Të gjitha ishin gra fatkeqe, pa asnjë lloj faji, gra të shkelura nga çizmja e hekurt e organeve shqiptare të Sigurimit, të shkëputura nga fëmijët, burrat, që kishin humbur shtëpi, familje, mall e gjë. I gjithë faji, apo fatkeqësia e tyre ishte, që u dashuruan me shqiptarë, u martuan me ta dhe, për të mos e prishur familjen, nuk ikën nga Shqipëria atëherë, kur kjo ishte ende e mundur.

Ne kurrë, as në mendje nuk e çonim, se do të krijoheshin një ditë të tilla kushte, kur do të na arrestonin. Por kur gjendja në vend ndryshonte, ndryshonte edhe qëndrimi ndaj nesh. Përndjekjet e vazhdueshme, gjyqet, pushkatimet, internimet… të gjitha këto krijuan në vend atmosferë frike. Gjithandej kishte përgjime, spiunime, provokime, shpifshin gjithfarë krimesh antishtetërore. Askush nuk ndihej i sigurt. Të gjithë ndiheshin të dyshuar, pre e lehtë e kallëzimeve, trembeshin të tregoheshin të arsyeshëm, të mendonin të pavarur. Për fat të keq, ne, pavarësisht dëshirës sonë, dallonim, vetëm sepse ishim të huaja. Shumë nga ne ishin integruar plotësisht ne jetën e vendit. Duke qenë shumica me arsim të lartë, përpiqeshim te jepnim kontributin tonë, punonim mjeke, pedagoge, inxhiniere. Gëzonim respektin e kolegëve, të të afërmve, fqinjëve. Në prag të viteve ’70-të, në vend nisi të fryhej fuqishëm ksenofobia dhe spiuno mania. Qarkullonin fjalë, enkas të përhapura nga Sigurimi, që ne s’duhej të na besonin, që shumë shpejt të gjitha gratë e huaja do të dëboheshin nga Tirana dhe të tjera si këto. Nga viti 1974 deri në 1977, u arrestuan 13 persona, 13 gra sovjetike. Ato që mbetën të lira, kishin hallet e veta. Dikujt i kishin arrestuar burrin, vetë ato dhe familjet e tyre i internuan, ose i transferuan në punë në rrethet më të largëta. Të gjitha ne, që hymë në burg, u lidhëm me të njëjtin fat, të njëjtën fatkeqësi, të njëjtën katastrofë, fati i secilës prej nesh ishte vetjak dhe tragjik sipas llojit të vet. Disave prej nesh u arrestuan edhe burrat, fëmijët, u internuan familjen. Të gjithë e përjetonin sipas mënyrës së vet fatkeqësinë tonë. Do të sjell më poshtë fatet e disave prej nesh.

Fakti, që njëra duron relativisht lehtë diçka, për një tjetër kjo është barrë e padurueshme. Dikush është më e durueshme, dikush më e fortë, një tjetër më dobët, por u duhet dhënë haku të gjithave; ne mundëm të duronim e të mbijetonim, secila me të sajën, sepse edhe kushtet ishin të ndryshme, edhe karakteret… por edhe jeta para burgut.

Nadja

Nadjen e arrestuan në vitin 1974, më parë, se të gjitha të tjerat. Atë kohë ajo jetonte në Shkodër, në Veri të Shqipërisë, me të shoqin dhe djalin. Nadja qe natyrë e çelur, grua me karakter të lehtë, gazmor, i pëlqente të vishej bukur dhe veç të tjerave, binte në sy. Kishte ardhur nga Leningradi, inxhiniere, kishte mbaruar Akademinë e Pyjeve të Leningradit. Në Shkodër punonte në Drejtorinë e Ekonomisë Pyjore, ne degën e gjelbërimit. Punonte mirë, e donin, e respektonin, ajo kishte shumë miq. Për Nadjën sikur gjithçka shkonte për bukuri… Dhe, papritur arrestimi, vetmia, seancat e marrjes në pyetje, gjyqi dhe dënimi 8 vjet për agjitacion e propagandë. Nadjen e çuan në kamp. Familja e mohoi, askush nuk vajti ta shihte. Gratë më treguan, se Nadja e kalonte gjithë ditën shtrirë në shtrat, mbuluar kokë e këmbë me batanije, nuk fliste me njeri. Në kampin e vjetër, punë s’kishte pothuajse fare. Të burgosurat me ditë të tëra rrinin në baraka në kushte shumë të rënda, ngushtë, papastërti, ujin e jepnin me racion. Ne, që ishim ende në liri, mësuam për arrestimin e Nadjës, por s’dinim gjë për fatin e saj, për akuzën që i paraqitën dhe fshihnim kokën në rërë, si struci, rrekeshim të gjenim gjithfarë arsyesh të arrestimit të Nadjës, arsye, që s’kishin të bënin me ne; përpiqeshim t’i mbushnim mendjen vetes, se e keqja do të na kalonte anash, nuk do të na prekte. Vepronte instinkti i vetëmbrojtjes, i cili na ndihmonte të shpresonim që gjithçka do të shkojë mirë; ai na mbrojti edhe më vonë, kur mbi ne, njëra pas tjetrës, ranë goditjet më të rënda të fatit. Më pas mësuam se Nadjës i kishin dhënë 8 vjet “për agjitacion dhe propagandë”.

Kur më arrestuan, nga fqinja e qelisë, e cila, siç mora vesh më vonë ishte e vënë nga Sigurimi, mësova e tmerruar se Nadjën e kishin arrestuar sërish, e kishin sjellë në burgun e hetuesisë dhe po krijonin grupin e spiunazhit. (E përmenda në fillim, që fqinja ime trokiste në qelinë ngjitur dhe merrte “të dhëna”). Kohë më vonë, më thanë se ishte sajuar një grup spiunazhi prej pesë vetash: tri shoqe të miat dhe dy shqiptarë, që njiheshin shumë pak me to. Pas hetimit të rëndë dhe gjyqit, Nadjën e dënuan me 18 vjet heqje lirie. Afatin kaq të gjatë ia dhanë edhe sepse ajo, gjoja, gjatë hetimit të parë e kishte fshehur veprimtarinë e spiunazhit. Siç thashë më lart, se Nadja punonte në Drejtorinë e Ekonomisë Pyjore. Në punë, në tryezën e saj, ajo shpesh gjente harta, të cilat absolutisht nuk i hynin në punë dhe ajo i kthente, pa i hapur zarfet. Një herë e dërguan me punë. Nadja i hipi biçikletës dhe vajti ku i thanë. Por atje e ndaluan, vendi kishte qenë… zonë e mbyllur ushtarake. Vetëm kur ndodhej në burg, gjatë hetimit, kur e paditën për spiunazh, Nadja e kuptoi, që e kishin provokuar, përgatitnin “fakte” për akuzën e mundshme për spiunazh. Gjithçka ishte planifikuar dhe e sajuar shumë kohë para se të na arrestonin. Numri i grave të arrestuara në Shqipëri sa vinte e rritej, burgu i vjetër i grave nuk i nxinte të gjitha të arrestuarat. U ndërtua një burg i ri, në një vend të largët, të izoluar. Rreth burgut ishte një sipërfaqe e madhe toke. Ju kam thënë, që drejtori ynë e donte tokën, deshi të hapte lulishte përreth kampit dhe një kopsht tonin dhe i kërkoi Nadjes të merrej me punimin dhe gjelbërimin e territorit. Në faqe të kodrës kishte vetëm dhé e gurë.

Nadja bëri projektin, punoi shumë dhe e kreu mirë detyrën, që i ngarkuan. Faqet e kodrave i pastruan nga gurët, mbollën bar, hapën rrugina, ndërtuan lehe për lulet. Nadja e kishte kokën të mbushur me projekte. Ajo kërkoi të mbilleshin lule përgjatë mureve mbështetëse, të mbillnin fidanë pishe e të tjera. Drejtori solli fidanë dhe farëra, i dha ndihmesa. Shefat që vinin në kamp, kënaqeshin, sepse krijohej iluzioni i burgut të mirë dhe i jetës së lumtur për të burgosurat. Lehet me lule shumëngjyrëshe të gëzonin syrin, kurse në mure varën parulla dhe thirrje nga veprat e Enver Hoxhës të tipit: “S’ka mëshirë për armiqtë”!, “Kurrë nuk do të heqim dorë nga lufta e klasave”! Punova për shumë vite me Nadjën, shkonim mirë me njëra-tjetrën, kujdeseshim për lulishten, pastronim territorin. Energjia e Nadjës, puna e saj, optimizmi dhe ndjenja e humorit e ndihmuan të mbijetonte. Shakatë e saj na ndihmonin edhe ne, sikur e shkarkonin disi atmosferën e rënduar. Një mbrëmje, të lodhura pas punës, po përgatiteshim për të fjetur. Ishte dimër dhe në dhomën pa ngrohje bënte ftohtë. Nadja sillej rrotull në shtrat, rrekej të mbështillej me batanije. Shtrati i vjetër, i ndryshkur dykatësh gërvinte me zhurmë. Nga kati i dytë i shtratit befas dëgjohet zëri i Ninës: “Nadja, mos bëj zhurmë”! “Është shpirti im që gërvin”! – qe përgjigjja. Të gjitha qeshëm dhe sikur u lehtësuam. Po, shpirtrat tanë gërvinin, rënkonin, qanin. Ne shtrëngonim dhëmbët dhe përpiqeshim që këto rënkime të mos shpërthenin jashtë.

Për t’u zbavitur disi, kujtonim lojërat e dikurshme, sajonim të reja, tregonim ç’kishim lexuar kohë më parë. Nadja mbante mend më shumë dhe na rrëfente shpesh, duke i zbukuruar rrëfenjat me shaka të sajuara nga vetja.

Në kamp Nadja kishte një shoqe të pandarë, shqiptare. Të gjitha e dinim që atë e kishin vënë të na gjurmonte. Nadja shfrytëzonte shërbimet e saj dhe ia bënte trutë dhallë. Për ne s’kishin ç’të spiunonin, ne edhe kur ishim në liri, flisnim shumë rrallë, aq më tepër në burg. Të gjitha kallëzimet, që bënin për ne një regjiment i tërë spiunësh, ishin vetëm sajesa, shpifje të tyre. Gjatë gjithë viteve të burgimit, Nadja luftoi për lirimin, shkroi në të gjitha organet, që padia kundër saj ishte kryekëput e fabrikuar. Por vazhdimisht merrte përgjigje negative dhe… shkruante sërish. Që në letrën e parë, që e lejuan t’i dërgonte në Leningrad të ëmës, Nadja shkroi për arrestimin e saj. E ëma, Eugjenia Dmitrievna, një grua burrneshë, menjëherë nisi luftën për lirimin e të bijës. U shkroi instancave dhe organizmave më të ndryshme, por nga askush nuk mori përgjigje. Nga askush…! U përpoq ta ndihmonte Nadjën nëpërmjet Kryqit të Kuq, mirëpo Shqipëria në vitet gjashtëdhjetë, kishte dalë nga kjo organizatë. Komunistët shqiptarë nuk mund të pranonin që personat e mbyllur në burgjet e tyre, të merrnin ndihmë nga dikush tjetër. Ne edhe nga të afërmit tanë nuk merrnim dot ndihmë. Nga Bashkimi Sovjetik nuk lejohej të na dërgonin të holla, pakot e ardhura në Shqipëri ngarkoheshin me të tillë tatim, sa ne nuk e paguanim dot, prandaj nuk mund t’i merrnim. Pa tatim mund të merrnim vetëm vitamina.

Nëna e Nadjës vazhdimisht i dërgonte të bijës pako të tilla; në jetën tonë, ku s’na ndahej uria, ato ishin ndihmë e madhe për ne; ajo i jepte zemër Nadjës, përpiqej ta qetësonte, t’i ngjallte shpresën dhe kjo ishte me shumë vlerë. Si të gjitha ne, Nadja mbijetonte me gjithfarë mënyrash. E kishte të vështirë pa ndihmë, por asnjëherë nuk e humbi kurajën. Kështu kaluan… 12 vjet. 12 vjet ajo nuk e pa të birin. Djali mbeti me të atin dhe mësonte në Teknikum. Burri i Nadjës nga frika për veten dhe të birin, nuk e linte atë të takohej me të ëmën. Babai nuk duroi, nuk priti dot… u martua. Djali i Nadjës mbeti vetëm… si shumë nga fëmijë tanë. Si edhe ne të tjerat, Nadja u lirua me amnistinë e dytë dhe u kthye tek i biri. Disa vite më vonë mundi të shkëputej nga Shqipëria dhe bashkë me djalin u kthye në Rusi, në Shën-Petërsburg. Ajo pati fat, e gjeti gjallë nënën e saj dhe ato kaluan bashkë 10 vite të lumtura.

Zoja

Zojën e arrestuan një vit para meje. Ajo ishte shumë shoqe me Nadjën. Po atëkohë arrestuan edhe Natashën, shoqet e mia inxhiniere të naftës dhe ne e kuptuam se çështja ishte shumë serioze, dhe se askush nga ne s’mund të ishte e sigurt për veten, që po fabrikohej një dosje kundër nesh, kundër grave sovjetike. Si të gjitha ne të tjerat, Zoja ishte thjesht bashkëshorte, thjesht nënë, jepte gjuhën ruse në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja, punonte shkëlqyeshëm. I shoqi ishte pedagog në Universitetin e Tiranës. Kishin vetëm një djalë, Sashën. Dukej sikur gjithçka shkonte mirë e bukur në familjen e tyre; shtëpia, puna, familja…! Dhe papritur gjithçka u shemb. Zojën e shkëputën nga jeta e zakonshme, normale dhe e flakën në vetmi të ndyrë. Si të gjitha ne, edhe ajo kaloi hetim të rëndë, pastaj e paditën për spiunazh, e përfshinë në grupin që kishin sajuar vetë, bashkë me Nadjën dhe Ninën dhe e dënuan me 15 vjet heqje lirie. Me ne bënin ç’të donin; na kthenin në spiune, na fajësonin për minim të bazave të shtetit. Akuzat ishin thjesht qesharake, por kjo nuk e pengoi pushtetin të na gjykonte, të na torturonte, të na shkelte me këmbë ne vetë, familjet tona, jetën tonë. Burri i Zojës, menjëherë pas arrestimit të saj, pa e pritur gjyqin, u nda me të dhe shumë shpejt u martua. Djali, i cili atëkohë ishte 15 vjeç, mbeti vetëm, e la shkollën (mësonte shkëlqyeshëm) dhe hyri në punë në ndërtim, megjithëse nuk gëzonte shëndet të mirë, sepse në fëmijëri kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Kjo ndikoi shumë rëndë te Zoja. Gratë që pritnin vizita, takime, që i ndihmonin të afërmit, e kishin më të lehtë. Zoja nuk mori të paktën një letër nga shtëpia, apo ndonjë ndihmë. I biri, i trembur nga kërcënimet e të atit dhe gjendja e përgjithshme e tensionuar, nuk erdhi asnjëherë në takim me nënën./ Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë/ Drejtori i Policisë: Kevin Hajrulla ndodhej në makinë kur u qëllua (VIDEO)

Atentati në Vlorë/ Drejtori i Policisë: Kevin Hajrulla ndodhej në makinë kur u qëllua (VIDEO)