Qindra seanca të dështuara për Dritan Dajtin dhe disa seanca të dështuara për Emiliano Shullazin dhe Helidon Harizajt, kanë treguar dështimin e drejtësisë shqiptare. Dritan Dajti akuzohet, se në gushtin e vitit 2009, ekzekutoi katër oficerë policie, të cilët kishin kishin planifikuar një operacion për kapjen e tij. Ndërsa Emiliano Shullazi dhe Helidon Harizaj, të dy me precedentë të mëparshëm penalë, u arrestuan në vitin 2011 gjatë një operacioni të forcave RENEA në Shëngjin dhe sipas deklaratave paraprake të policisë, ishin të armatosur dhe dyshohet se do të kryenin vrasje.
Avokatë dhe penalistë, e konsiderojnë dështim të strukturave të shtetit shqiptar mënyrën sesi drejtësia po operon në të dy këto procese, kur të dy palët, mos më shumë e mos më pak, shfrytëzojnë “lojërat” sipas tyre me avokatët, për të shtyrë pa fund seancat gjyqësore dhe për të kapur kohën e paraburgimit.
Dritan Dajti, gjykohet në gjykatën e krimeve të Rënda, por e ka kthyer në një “estradë” mediatike procesin e tij gjyqësor. Ndërsa Emiliano Shullazi dhe Helidon Harizaj, pas dënimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë për armëmbajtje pa leje, kanë filluar të shtyjnë pafund proceset në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, duke mos paraqitur në proceset gjyqësore asnjë avokat, qoftë ata të miratuar nga vetë klientët, apo ata që janë vendosur kryesisht nga gjykata.
“Duhet të kuptojmë, se avokati i emëruar dhe i vendosur nga vetë klienti, prevalon mbi avokatin e vendosur nga shteti. Kjo është një mënyrë që klientët dhe avokatët e bëjnë mes tyre. Pra nëse gjykata u jep të pandehurve një avokat, këta të fundit, në seancën e radhës kërkojnë avokatin e zgjedhur prej tyre. Avokati i zgjedhur prej tyre, i kërkon gjykatës kohë për t’u njohur me materialet.
Gjykata është e detyruar të shtyjë seancën gjyqësore. Por në seancën e radhës, avokatet, sikurse po ndodh në procesin në ngarkim të Shullazit dhe Harizajt, por edhe në të Dritan Dajtit, paraqesin qoftë edhe raporte mjekësore. Gjykata sërish është e deturuar që të marrë parasysh raportin mjeksor, sipas kodit të procedurës penale, për një proces të rregullt gjyqësor.
E në seancën e rradhës së vendosur nga gjykata, ky avokat, i vendosur për klientët, jep dorëheqjen nga çështja, duke e lënë gjykatën me gisht në gojë për të shtyrë seancën dhe të fillojë odisenë me avokatët dhe të pandehurit edhe njëherë nga fillimi”, thotë një avokat penalist, i cili sqaron se në çdo moment do të jetë me klientin, përsa kohë në punën e vet është privat.
Argumenti i sjellë për çështjet e bujshme, në fakt të çon në logjikën se Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, qoftë edhe Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë janë përgjegjës për situatën tejet të vështirë në drejtësinë shqiptare dhe konkretisht për dy proceset penale në ngarkim të Dritan Dajtit dhe Emiliano Shullazit që nuk po shohin ditën e përfundimit.
DHOMA E AVOKATISË
Maks Haxhia, kryetar i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, i vendosur ditët e fundit në qendër të vëmendjes sidomos për procesin “Dajti”, ka një lloj skepticizmi me strukturat shtetërore që mendon se kërkojnë qëllimisht të mos marrin masa për situatën e krijuar. Madje sipas tij, media nuk duhet të bjerë prehë e sulmit për avokatët, por për shtetin, që nuk dëshiron të marrë asnjë masë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që të mund të ndryshojë situatën.
“Avokati ka konfidencë me klientin e tij. Nuk është avokati që duhet të zgjidhë problemin që ka drejtësia shqiptare. Duket se klasa politike shqiptare nuk ka vullnet për të zgjidhur këtë problem, pra për ndryshimet që duhet të bëjë në Kodin e Procedurës Penale, ashtu sikurse e bëri këtë në mënyrë të shpejtë me Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, shpreh skepticizmin e tij Maks Haxhia, kryetar i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë.
Pyetjes, se si Maks Haxhia mendon se do të zgjidhet odiseja e zgjatjes së proceseve të tilla si e Dajtit dhe Shullazit, për avokatin, ka një përgjigje të thjeshtë, e thënë dhe e përsëritur shpesh nga palët, më së shumti nga Dhoma e Avokatëve, pavarësisht se nuk i intereson kësaj dhome që të merret me reformën në drejtësi, përveçse të japë mendimet e saj konkrete.
“Jepet një listë avokatësh, e vendosim edhe ne në dispozicion këtë listë, për klientin. Ai duhet të zgjedhë një ndër avokatët që ta përfaqësojë në gjykatë. Ose ta gjejë këtë avokat edhe vetë, pa kërkuar nga Dhoma e Avokatëve. Në momentin që klienti zgjedh një avokat, çështja është e mbaruar sa i përket mbrojtjes.
Atëherë, nëse avokati nuk paraqitet në gjykatë, gjykata e vazhdon procesin edhe pa avokatin, sepse të pandehurit, i është dhënë mundësia e mbrojtjes, dhe ai nuk ka dashur ta shfrytëzojë”, sqaron Haxhia rastin konkret, për të shmangur në këtë mënyrë gjithë odisenë e procesit.
Të të njëjtët mendim janë edhe avokatë të tjerë penalistë, që japin edhe raste të ngjashme në procedurat penale edhe në vende evropiane. Madje përmendet rasti italian i ngjashëm, i diskutuar edhe në Gjykatën e Strasburgut për të mos lejuar proceset që të kenë zgjatje të pafundme të procedurave.
“Ndryshimi i Kodit të Procedurës penale duhet të jetë në fokus, pasi si ligji, si konventat e të drejtave të njeriut, garantojnë proceset e rregullta dhe sigurinë e mbrojtjes. Por kjo nuk mund të përligjë në asnjë rast përjashtimet e njëpasnjëshme të mbrojtjes dhe dështimin e seancave gjyqësore.
Ligjvënësi duhet të kufizojë ose të heqë mundësinë e abuzimeve të mbrojtjes dhe të pandehurit me të drejtën e sigurimit të mbrojtjes, pa e cënuar këtë të fundit. Duhet të jemi të qartë, se i pandehuri dhe avokati i tij, duan në rastet konkrete të shfrytëzojnë të gjitha shanset për të mos pasur proces”, thotë penalisti.
E në rastin konkret, bazuar në Kodin aktual të Procedurës Penale, Dritan Dajti kërkon që të gjejë shkelje në gjykatë, meqënëse ka një akuzë për burgim të përjetshëm, e për të gjetur mundësinë ta çojë çështjen në Strasburg, për të mos përligjur veprimet e ndryshme të parregullta sipas tij në gjykatë.
Ndërsa Emiliano Shullazi, i cili deri më tani, akuzën e ka për një vepër të përsëritur, kërkon që të shtyjë pa fund seancat, duke përfituar nga koha e paraburgimit edhe pse në rastin e tij, gjykata ka vendosur të mos e marrë parasysh afatin e paraburgimit, pra duke ia stopuar pa limit qënien e tij në burg deri në zhvillimin e procesit.
“Nuk është detyra jonë të zgjidhim këtë situatë. Eshtë detyrë e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilët siç bënë propozimet për ndryshimin e Kodit Penal, të bëjnë edhe këto ndryshime, në rast se duan dhe kanë vullnet që këto procese të mbyllen.
Nuk është detyra jonë të bëjmë këto propozime. Eshtë detyra e shtetit. Eshtë halli i drejtësisë shqiptare dhe handikapi i saj dhe jo i klientëve tanë apo i avoketërve. Janë politikanët, që nuk e marrin seriozisht reformën”, thotë për shqiptarja.com Maks Haxhia.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqitarja.com)