Dështon sistemi elektronik SEV
KQZ miraton verifikimin manual

Dështon sistemi elektronik SEV<br />KQZ miraton verifikimin manual
TIRANE-  Verifikimi i votuesve në Tiranë do të bëhet në mënyrë manuale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në mbledhjen e sotme me katër votat e anëtarëve aktualë vendimin për “Mosaplikimin e SEV në qarkun e Tiranës”. Ky vendim i arrit pas debateve mes përfaqësuesve të PS dhe atyre të PD. Sipas Njazi Kosovrastit, “nuk duhet të aplikohet verifikimi elektronik i kartave të identitetit pasi ky proces shoqërohet me probleme”.
 
Ndërsa përfaqësuesi i PS në KQZ, Genci Gjonçaj, tha se “Procesi është sabotuar qëllimisht nga KQZ, dhe ky institucion ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit. KQZ është përgjegjëse për shpërdorimin e fondeve”.

Gjatë mbledhjes administrata ka raportuar lidhur me vlerësimet e auditëve gjatë realizimit të dy provave më 17 maj dhe 8 qershor, pas të cilave rezulton se rreziku i votimit të shumëfishtë mbetet prezent. Kjo bën që procesi i verifikimit elektronik të kartave të identitetit më 23 qershor të jetë i pamundur. Administrata ka prezantuar një projekt akt ku do të sqarohen dhe arsyet pse kërkon mos zbatimin e këtij projekti.
 
Sipas raportit të audituesve, 4 janë problematikat kryesore të projektit pilot të kompanisë spanjolle INDRA, çka bën që ky proces të mos zbatohet në Tiranë, në mbi 1400 qendra votimi që janë në këtë qark, ku ky sistemin pritej të implementohej.
 
Gjatë 2 provave të bëra rezulton se procesi shfaq vonesa në leximin e kartave të identitetit, pasi mbi 10 % e tyre nuk u arrit të lexohen elektronikisht nga sistemi SEV.
 
Një tjetër problematikë kyç mbetet mungesa e sigurisë së sistemit të kompjuterëve, si dhe e procesit të transmetimit të të dhënave.
 
Ndërkaq, në raportet e auditivit theksohet se të dhënat mund të fshihen nga sistemi, gjë që mund të shoqërohet edhe më votim të shumëfishtë.
 
Sipas KQZ, “zbatimi i SEV nuk përbush detyrimet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për t’i dhënë zgjedhësve sigurinë dhe garancinë e kërkuar. Dhe kjo do të çonte në cenimin e besimit të të gjitha palëve në sistemin zgjedhor”.
 
Ndërkaq, nuk iu dha përgjigje pyetjes për detyrimin ligjor për zbatimin e këtij projekti, me arsyetimin se “Administrata ka qenë e përgatitur për të folur për rezultatin e testimit dhe jo për kushtet financiare të kontratës”.

E ndërsa KQZ, tashmë vetëm me 4 anëtarë pritet të marrë vendimin pasditen e sotme, dëmi i përllogaritur shkon rreth 2 mln euro, dhe fondi është paguar paradhënie.

CFARE PARASHIKON SEV
Më 25 mars KQZ nënshkroi kontratën me kompaninë spanjolle INDRA, për realizimin e  projektit të “Sistemit Elektronik të Verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës”. Vlera e ofruar nga kompania INDRA për realizimin e këtij projekti ishte 2, 660,995 Euro pa TVSH, informonte KQZ

SEV parashikonte procesin e verifikimit elektronik të mjeteve të identifikimit të zgjedhësve, që do të votojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, dhe do të implementohej në mbi 1400 qendra votimi që janë në këtë qark. Testimi i këtij projekti pilot hasi një sërë problemesh.

Për realizimin e këtij projekti u bënë 2 testime, më 17 maj dhe 8 qershor. PD, e PS patën vërejtje ndaj këtij sistemi pasi nga testimi konstatoi se kishte një sërë problemesh lidhur për verifikimin me vonesë të një votimi të dyfishtë nga i njëjti mjet identifikimi. Pak ditë më parë nënsekretari për cështjet zgjedhore të PS-së Bledar Çuçi u shpreh se KQZ çoi projektin drejt një dështimi të qëllimshëm, pasi vërejtjet e partive nuk ia raportoi firmës.

Ky është projekti i dytë që dështon pas dështimit të sistemit për numërimin elektronik i cili ishte parashikuar të zhvillohej në Fier. SEN dështoi pasi numri i partive të regjistruara në zgjedhje ishte disa herë më i madh se fleta specifike e votimit me 42 parti e miratuar për këtë proces. SEN që ishte parashikuar për tu aplikuar në Qarkun e Fierit kërkonte që fleta e votimit të përmbante vetëm 42 subjekte, por fleta përfundimtare që do të përdoret në zgjedhje përfshinë 66 subjekte.

Redaksia online
(e.s/s.g/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit