Dështon tenderi 620 mln euro
për aksin Rrogozhinë-Thumanë

Dështon tenderi 620 mln euro<br />për aksin Rrogozhinë-Thumanë
TIRANE - Nuk është paraqitur asnjë firmë për marrjen e ndërtimit me koncension për segmentin nga Rrogozhina në Thumanë të Krujës, vepër infrastrukturore, e cila ka të paktën 10 vjet që zvarritet.

Ka dështuar kështu tenderi i hapur për ndërtimin për herë të parë të një rruge nacionale me financim të ndërtuesit, i cili, më pas, vendos pagesë për të gjitha automjetet që kalojnë në të. Agjencia e Prokurimit Publik kishte hapur garën në datën 25 prill, por asnjë kompani nuk ka paraqitur ofertë në datën e caktuar.

Në mbledhjen e qeverisë të 5 gushtit të vitit 2008, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncension të autostradës Thumanë-Rrogozhinë dhe miratimin e bonusit të procedurës përzgjedhëse konkurruese që i jepej shoqërisë.

Kryeministri Berisha e konsideroi atëhere vendimin si një “zhvillim shumë të rëndësishëm në fushën e transportit”. “Një kompani serioze kroate, - bëri të ditur kryeministri - ka bërë gati të gjithë dokumentacionin dhe kërkon të marrë me koncension këtë rrugë, por ligji shqiptar nuk e lejon koncensionin direkt.

Ndaj edhe kërkesa e kompanisë, duke u kuotuar me një bonus, paraqitet në tregun ndërkombëtar, ku mund të marrin pjesë edhe kompani të tjera. Urojmë që ky proces të kurorëzohet me sukses, sepse ky aks është jetik për transportin.” Berisha përgëzoi ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për “punën serioze për përgatitjen e dosjes për miratimin e bonusit”.

Pavarësisht nga kjo, me një vendim të dytë, të datës 16 tetor 2012, me propozimin e ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, qeveria ka miratuar dhënien e bonusit prej 9.1 pikësh firmës kroate “Konstruktor-Inzenjering d.d” Split, për dhënien me koncension të po kësaj autostrade.

Miratimi i bonusit i jepte praktikisht mundësi firmës të ketë avantazh në realizimin e tenderit, pasi është vetofruar për realizimin e projektit.

Por, e njëjta autostradë rezulton se është dhënë me koncension së paku edhe dy herë të tjera nga qeveria paraardhëse, e drejtuar nga ish-kryeministri Fatos Nano.

Në korrik të vitit 2003, qeveria e Fatos Nanos hapi procedurat për t’ua dhënë me koncension këtë rrugë kompanive “Riviera J.V.Ltd & Sh.a. “DNS” S.A, por e shfuqizoi vendimin disa muaj më vonë.

Në dhjetor të vitit 2004, Nano hapi procedurën për t’ia dhënë me koncension të njëjtën rrugë kompanisë austriake STRABAG. Këto vendime nuk u zbatuan më tej.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.05.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë