Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i mbrëmshëm në Vlorë, ku i plagosuri Armando Sulejmani është qëlluar me 11 plumba por e kanë kapur vetëm dy prej tyre.

Atentati me armë zjarri ndodhi në lagjen "Pavarësia" dhe policia shton se Sulejmani 39-vjeç, ose siç ndryshe njihet “Çipuri” është me precedentë të mëparshëm penal. 

Të dhënat nga grupi hetimor, bëjnë të ditur se ndaj tij është qëlluar disa herë nga dy persona, njëri prej të cilëve i pajisur me armë silenciator, por vetëm një plumb e ka kapur në krah objektivin e autorëve, i cili është jashtë rrezikut për jetën. 

Në vendin e ngjarjes ekspertët e policisë dhe prokurorisë kanë gjetur 13 gëzhoja, 10 nga të cilat sipas policisë, u gjuajtën nga atentatorët e Sulejmanit, ndërsa dyshohet se edhe vetë i plagosuri i është kundërpërgjigjur me armë sulmit, duke shtënë 3 herë në drejtim të atentatorëve. Tre gëzhoja i përkasin armës së Sulejmanit, pistoletë tip TT. 

Policia me të marrë provat në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të gjetur ndonjë person tjetër të plagosur, pasi aty ka pasur shkëmbim zjarri.
Kjo ka bërë që ata të nisin kontrollet në spitale dhe qendra shëndetësore për të parë nëse është paraqitur ndonjë i plagosur për ndihmë mjekësore.

Ngjarja ka ndodhur pranë banesës së Sulejmanit, në momentin kur ai po i drejtohej hyrjes së pallatit.
 
Aty i kishin zënë pritë dy personat e maskuar, të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të 39 vjeçarit. Ky i fundit ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër në momentin kur po i drejtohej banesës. 

39 vjeçari njihet nga policia si anëtar i bandës së Gaxhait. Ai ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasje, ndërsa vetëm pak kohë më parë kishte fituar lirinë.
  
Policia ka shoqëruar disa persona për t'i marrë në pyetje, por ende nuk ka një të dyshuar konkret për ngjarjen ku mbeti i plagosur 39 vjeçari Armando Sulejmani. 

vlore atentati

vlore atentati

atentati
 Foto të tjera..

Banda e Gaxhait ishte një grup kriminal që veproi në qytetin e Vlorës gjatë vitit 1997, kur në Vlorë sundonte anarkia. Anëtarët e bandës akuzohen për krijim të grupit kriminal, mbajtje të mjeteve luftarake, vrasje, pengmarrje dhe gjobëvënie. Banda kryesohej nga Gazmir Braka i cili është në burg. 

Banda e Gaxhait lindi si bandë rivale me atë të Zani Çaushit. Përplasja midis tyre nisi më 9 Maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait. Gaxhai në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zanin, po nuk ia arriti.

Edhe pse dy kokat e bandave janë në burg, larjet e hesapeve mes grupeve kriminale vazhdojnë. E tillë është edhe ngjarja e 11 nëntorit të vitit 2015-të, kur në Dajt u ekzekutua Enton Nikaj, i cili njihej si anëtar i bandës së Gaxhait

Edhe masakra me 3 të vrarë e 3 prillit të vitit të kaluar në lagjen "Çole", gjithashtu ka lidhje me përplasjen mes këtyre bandave. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com