Report Tv ka mundur të mësojë pjesë nga dëshmia që kanë dhënë në Policinë e Gjirokastrës personat e shoqëruar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi 44 vjeç, i cili u gjet i vdekur të shtunën (27 shtator) në Tepelenë.

Sipas dëshmive që kanë dhënë në polici Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij Gazmendi e Danieli, por dhe nga deklarimet e bariut Armir Hitoveizi, ata pretendojnë se janë sulmuar me armë nga një person misterioz, në Dilan mes Nivicës dhe Salarisë, aty ku është skena e krimit. I paqartë mbetet edhe momenti kur bariu Hitoveizi, që është banor i zonës, ka dalë në skenë dhe si u bë dëshmitar i ngjarjes. 

Sipas tyre, biznesmeni italian dhe Braçët kanë qenë së bashku me dy fuoristradat, Land Roverin dhe Volksëagenin. Gjithmonë sipas dëshmisë së tyre, italiani ka qenë në fuoristradën e parë së bashku me një prej Braçëve.

Ekspertiza e bërë në vendin e ngjarjes, konfirmon se italiani nën shoqërinë e Eqerem Braçit dhe dy djemve të tij, ishin duke qarkulluar nga drejtimi Nivicë në atë të Salarisë, në Tepelenë.

Pretendimet e të shoqëruarve:

Të shoqëruarit kanë thënë se fillimisht kanë dëgjuar tre të shtëna të cilat kanë qenë shumë afër çka bëri që të ndalej automjeti i parë tip Land Rover në bordin e të cilit ishte biznesmeni italian dhe njëri prej personave të shoqëruar.

Pasi kanë qëndruar për 2 minuta, është dëgjuar një breshëri tjetër, ndoshta në ajër. Përpara rrugës në një distancë prej 10-15 metrash shfaqet një person me armë në dorë automatik i cili shkreh armën në drejtim të gomave të Land Roverit duke mos thënë asnjë fjalë. Në këtë moment, biznesmeni italian dhe personat e tjerë në bord fshihen pas mjetit shoqëruar me britmat e frikës.

Fillimisht u ça goma e përparme e mjetit, ndërsa shkrehja e dytë e armës automatike nga personi misterioz, shkaktoi plagosjen e biznesmenit italian. Mendohet se ky i fundit është lënduar nga një plumb rikoshet të cilën e kapi në pjesën e femurit të këmbës së djathtë. Pas shkrehjes së armës nga agresori misterioz, biznesmeni italian është ankuar për plagën që mori. Hemoragjia ka qenë e madhe që në momentin e parë, ndërkohë që djemtë e Eqerem Braçit lajmërojnë policinë për atë çfarë kishte ndodhur që një person misterioz i pati qëlluar me breshëri arme në vendin e quajtur Dilan.

Të gjitha thëniet e mësipërme janë sipas deklarimeve apo pretendimeve në polici të të shoqëruarve. E gjithë ngjarja është e rrethuar me mister dhe dëshmitë e të shoqëruarve, që sot janë të lirë, lënë shumë pikëpyetje mbi këtë ngjarje të rëndë. Por nisur nga dëshmitë e tyre, lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje.

PIKËPYETJET DHE DYSHIMET:

1) Si e ka ditur “atentatori” që grupi duhet të kalonte atje në atë orar?

2) Pse nuk e kanë transportuar në spital biznesmenin italian?

3) Është lajmëruar spitali duke kërkuar ndihmë të shpejtë? Nëse po, kur?

4) Në cilën orë ka ndodhur realisht ngjarja? Nuk bëhet gjueti gjatë natës! (Siç pretenduan të shoqëruarit në momentin e parë)

5) Me çfarë lloj arme u plagos? Dhe nga çfarë distance? Për këto pritet ende rezultati i autopsisë

6) Atentatori me çfarë saktësi ka goditur gomat e makinës dhe jo karrocerinë apo xhamat kur nuk ka asnjë shenjë plumbash?

7) Është bërë test STUB për ta vërtetuar nëse të shoqëruarit kanë përdorur armë zjarri?

(Foto: Skena e krimit dhe njolla e gjakut të viktimës në rrugë)
 

Mësohet se katër personat që kanë dhënë dëshmi dje, mund të thirren përsëri në ditët pasuese në varësi të dinamikës së ngjarjes. Policia e Gjirokastrës ndërkohë ka ngritur katër postblloqe në zonën e Kurveleshit për të bërë të mundur gjetjen e autorit. Deri më tani, janë angazhuar dy grupe specialistësh që po krehin zonën që nga vendi i ngjarjes e deri në periferi të fshatit Gusmar në veri e në jug deri në fshatin Dukaj.

Sipas informacioneve që Shqiptarja.com ka mundur të mësojë, në vendngjarjen e krimit nuk është gjetur asnjë gëzhojë arme deri në këto momente. Ndërkohë që mësohet se skena e krimit është duke u kqyrur sërish nga grupi hetimor i Policisë dhe Prokurorisë së Gjirokastrës.

Sa i përket plagës së plumbit në trupin e 44-vjeçarit italian që i mori jetën këtij të fundit, priten rezultatet e autopsisë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për saçme (të qëlluara nga çiftja) apo gëzhojë arme tjetër.

Ajo që dihet me siguri, siç mëson Shqiptarja.com, është fakti që Edoardo Sarchi është vrarë me plumb.

Theksojmë që përveç komunikatës paraprake të Policisë së Gjirokastrës, një ditë më parë, deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë ngjarje të rëndë të mbuluar me mister.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:25
Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë/ Zbardhet roli i bariut si dëshmitar, përse u gjend në skenën e krimit Armir Hitoveizi

 

Armir Hitoveizi, banor i zonës së Dilanit pranë Selenicës në Tepelenë, është 1 nga 4 dëshmitarët që u pyetën nga grupit hetimor i Gjirokastrës për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi 44 vjeç, një ditë më parë.

Teksa roli i 3 të tjerëve, Eqerem Braçit dhe dy djemve të tij Gazmend e Daniel, është i ditur sipas pretendimeve dhe versionit të tyre të cilët kanë qenë së bashku me biznesmenin italian kur u sulmuan me armë, ajo që nuk dihej ishte fakti përse bariu u gjend aty në orët e para të mëngjesit të së shtunës, pak pas mesnate, në ora 00:30.

Gazetari i Report Tv, Piro Nase, ka mundur të mësojë se bariu Hitoveizi ka një stan rreth 200 metra më tutje vendit që është regjistruar si skenë krimi.

Sipas informacioneve, bariu ka qenë duke udhëtuar me makinë dhe mbeti në rrugë për shkak se i mbaroi karburanti. Duke qenë se ishte aty pranë, ai ndaloi te vendngjarja, pra rreth 200 metra larg stanit të tij të bagëtive.

Njësoj si dhe familja Braçi, ai deklaroi për hetuesit se pati dëgjuar 3 të shtëna me armë zjarri, të qëlluara nga një person misterioz.

Ora 11:49
Ja 7 pyetjet që ngrenë dyshime dhe misteri që rrethon vrasjen e Edoardo Sarchi në Tepelenë

Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi 44 vjeç, në Tepelenë, vijon të jetë mister për rrethanat, dinamikën dhe motivet.

7 pyetje që ngrenë dyshime mbi thëniet dhe deklarimet në polici të 4 të shoqëruarve, Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij Gazmendi e Danieli, si dhe bariu Armir Hitoveizi, kërkojnë përgjigje dhe shtojnë akoma më shumë dyshimet mbi të vërtetën.

Por nisur nga dëshmitë e tyre, lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje.

PIKËPYETJET DHE DYSHIMET:

1) Si e ka ditur “atentatori” që grupi duhet të kalonte atje në atë orar për të organizuar kurthin?

2) Pse shoqëruesit nuk e kanë transportuar në spital biznesmenin italian pas plagosjes?

3) Është lajmëruar ndonjë ambulance duke kërkuar ndihmë të shpejtë? Nëse po, kur?

4) Në cilën orë ka ndodhur realisht ngjarja? Nuk bëhet gjueti gjatë natës! Siç pretenduan të shoqëruarit në momentin e parë

5) Me çfarë lloj arme u plagos? Dhe nga çfarë distance u qëllua? Për këto pritet ende rezultati i autopsisë

6) Atentatori me çfarë saktësie ka goditur gomat e makinës dhe jo karrocerinë apo xhamat kur nuk ka asnjë shenjë plumbash?

7) Është bërë test STUB për ta vërtetuar nëse të shoqëruarit kanë përdorur armë zjarri?

Kujtojmë se sipas personave që u shoqëruan dhe dhanë dëshmi, ata pretendojnë se kanë qenë së bashku me biznesmenin italian në dy makina të ndryshme. Teksa papritur, sipas tyre, dëgjuan të shtëna me armë zjarri 3 herë, e më pas ndaluan. Ata thonë se një person misterioz qëlloi sërish me armë drejt automjetit të tyre, duke çarë gomat e fuoristradës së parë, teksa njëri nga plumbat preku rikoshet viktimën duke i shkaktuar vdekjen.

Deri më tani, në skenën e krimit nuk është gjetur asnjë gëzhojë arme. Ndërkohë që mësohet se vendngjarja është duke u kqyrur sërish nga grupi hetimor i Policisë dhe Prokurorisë së Gjirokastrës.

Sa i përket plagës së plumbit në trupin e 44-vjeçarit italian që i mori jetën këtij të fundit, priten rezultatet e autopsisë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për saçme (të qëlluara nga çiftja) apo plumba të një arme tjetër.