LEZHE-Detaje të reja janë zbuluar nga tritoli i cili u vendos noterisë së Fran Gjonit më 26 shkurt në Lezhë. Burime bëjnë me dije se janë të përfshirë dy autorë, të cilët kanë përdorur tritol me fitil që e kanë hedhur direkt nga makina.Gjithashtu raportohet se ata ishin maskuar ku shfaqeshin si të moshuar.

Nga pamjet e sigurisë shihen dy persona ku njëri prej tyre ka qenë në rolin e shoferit ndërsa tjetri ka kryer hedhjen e tritolit tek shkallët para noterisë.

Autorët e dyshuar kanë udhëtuar me një automjet tip BMW të aksidentuar shumë kohë e pa përdorur dhe me targa të vjedhura. Po ashtu dyshohet se ata kanë dalë jashtë Lezhës.

Kur ndodhi shpërthimi

Shpërthimi ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit të së mërkurës, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Në dëshminë e tij paraprake në polici, Fran Gjoni ka deklaruar se nuk kishte konflikte.

Grupi hetimor po mbledh çdo provë dhe dëshmi dhe pista me qëllim zbardhjen e ngjarjes, ndërsa pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek veprimtaria e noterit i cili operon prej më shumë se 1 dekade në qytetin e Lezhës.