Detyrimet e shtetit/Janar-mars 2018, borxhi publik ulet me 150 mijë euro në ditë

Detyrimet e shtetit/Janar-mars 2018, borxhi publik ulet me 150 mijë euro në ditë

Foto ilustruese

Borxhi publik është ulur gjatë tremujorit të parë të vitit në vazhdim, duke shënuar një shifër më të vogël se në fund të tremujorit të parë të vitit të kaluar, por edhe më të vogël se fundi i 2017-ës. Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të publikuar pak ditë më parë, aktualisht shifra e borxhit publik të Shqipërisë është 1 trilion e 86 miliardë lekë, e barabartë kjo afërsisht me 8 miliardë e 328 milionë euro.

Duke qendruar gjithnjë në nivele të larta – institucionet e huaja financiare sugjerojnë një nivel jo më të lartë se 40 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto – gjithsesi qeveria ja ka arritur të ulë nivelin e saj edhe në raport me PBB-së. Kështu, në fund të marsit të vitit të kaluar borxhi publik ishte sa 68.42 për qind e Prodhimit të Brendshëm, por aktualisht është në nivelin e 65.9 përqindëve të PBB.

Vitin e kaluar, në fund të marsit borxhi i përgjithshëm publik ishte 1 trilion e 92 miliardë lekë të reja, për të zbritur në fund të vitit të kaluar në nivelin e 1 trilion e 88 miliardë lekëve.

Sipas këtyre shifrave, rezulton që krahasuar me fundin e marsit 2017, pra gjatë 12 muajve të fundit, ky borxh është pakësuar me 5.9 miliardë lekë, ose 45.9 milionë euro, sipas kursit zyrtar të këmbimit të këtij viti. Ndërkohë, me 1.74 miliardë lekë është ulur ky borxh vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, ose 13.5 milionë euro, duke u ulur mesatarisht me 19.3 milionë lekë shqiptarë në ditë, ose afro 150 mijë euro në ditë.

Shifrat e raportuara nga Financat tregojnë raportin e stokut të borxhit në fund të tremujorit të parë mbi vlerën e projektuar të PBB-së nominale vjetore nga Ministria e Financave. Një shifër më realiste e raportit të borxhit me prodhimin kombëtar mund të jetë e disponueshme në fund të vitit, ndërkohë që objektivi i qeverisë për këtë vit është një borxh në nivelin e rreth 68.6 përqindëve të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

Raportet

Shifrat e borxhit sipas monedhës tregojnë se, në tremujorin e parë të këtij viti qeveria shqiptare, ka shfrytëzuar kryesisht tregun e brendshëm për huamarrje. Borxhi në lekë është rritur me mbi 11 miliardë lekë, ndërsa ai në valutë të huaj është pakësuar me rreth 13 miliardë lekë. Leku vazhdon të ketë kështu një kryesim të lehtë në strukturën e borxhit sipas monedhës, me 50.2% të totalit. Megjithatë, borxhi në valutë të huaj ende zë pothuajse gjysmën e totalit, por edhe një pjesë e këtij borxhi është detyrim ndaj kreditorëve rezidentë, në formën e obligacioneve në euro ose kredive për Korporatën Elektroneergjetike Shqiptare.

Borxhi i brendshëm vazhdon të financohet kryesisht nga bankat tregtare, me mbi 60% të stokut total. Individët përbëjnë grupin e dytë më të madh të financuesve të borxhit qeveritar, me afro 16% të totalit (nëpërmjet letrave me vlerë – bono thesari apo obligacione shtetërore), të ndjekur nga institucionet financiare jobanka, me rreth 15%. Pesha e Bankës së Shqipërisë ka rënë në 7.3%, nga mbi 12% që ishte pesë vjet më parë.

Po të marrim për bazë vlerësimin më të fundit të numrit të popullsisë rezidente në Republikën e Shqipërisë, të bërë nga Instituti zyrtar i Statistikave në 1 janar të vitit 2018, që raporton një popullsi prej 2.870.324 banorësh, mesatarisht çdo shqiptari i takon një borxh prej 378.479 lekësh dhe një familjeje mesatare me katër banorë 1.513.916 lekë. Në valutë të huaj këto shifra konvertohen në 2.933 euro për frymë të popullisë dhe 11.735 euro për çdo familje shqiptare.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot