Një “rojtar” i ri për financat publike pritet t’i shtohet zinxhirit të institucioneve të vendit.
Përmes projektligjit “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, qeveria synon të krijojë një institucion të pavarur që do të monitorojë politikën fiskale, menaxhimin e borxhit si dhe do të mbikëqyrë respektimin e rregullave buxhetore dhe rreziqeve të mundshme nga devijimet.
“Këshilli Fiskal monitoron zbatimin e parimeve, rregullave dhe kufizimeve fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, vlerëson zhvillimet në politikën fiskale dhe jep opinione të pavarura mbi qëndrueshmërinë e financave publike si dhe rreziqet ndaj saj”, thuhet në nenin 4.
Këshilli Fiskal do të jetë një institucion i pavarur, që i përgjigjet dhe raporton në Kuvend, dhe anëtarët e tij do të propozohen nga Komisioni i Ekonomisë për t’u miratuar më pas në Parlament, siç aktualisht ndodh me institucionet e pavarura si BSH, AMF, AK etj.
“Këshilli Fiskal ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë të pavarur nga çdo institucion tjetër publik apo subjekt privat dhe nuk i nënshtrohet asnjë forme ndikimi në ushtrimin e funksioneve të tij”, thuhet në nenin 3.
Ngritja e ‘këshillit Fiskal’, sipas Ministrisë së Financave synon forcimin e disiplinës fiskale, rritjen e transparencës dhe është në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Në mungesë të një institucioni të pavarur të dedikuar për vlerësimin e zhvillimeve fiskale dhe makroekonomike, kufizohet ndarja funksionale ndërmjet rolit të hartimit dhe atij të vlerësimit të politikave, si dhe ndikohet në perceptimin mbi transparencën dhe besueshmërinë e tyre”, thuhet në relacion.
Kryetari i këtij institucioni do të ketë një mandat 2 vjeçar, ndërsa për 3 anëtarët e tij mandati do të jetë 6-vjeçar me mundësi ri-zgjedhjeje vetëm një herë.
“Kryetari i Këshillit Fiskal përfiton pagë mujore të barasvlershme me pagën e Ministrit, ndërsa anëtarët e tjerë përfitojnë pagë mujore të barasvlershme në masën 85 për qind të pagës së Kryetarit”, thuhet në nenin 6.
Anëtarët e Këshillit Fiskal nuk duhet të kenë ushtruar funksione politike apo të kenë qenë të punësuar në administratën publike gjatë 2 viteve para emërimit të tyre. Fondet e nevojshme për funksionimin e Këshillit Fiskal, sigurohen nga Buxheti i Shtetit mbi bazën e kërkesave buxhetore të paraqitura nga Këshilli Fiskal.
Komente











