Detyrimet ligjore ndaj zgjedhësve

Detyrimet ligjore ndaj zgjedhësve
Tema aktuale e një rëndësie të veçantë mendoj se ëhstë çështja e listave të zgjedhësve. Çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë dhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet(neni 45 i Kushtetutës). Kjo e drejtë themelore kushtetuese garantohet nëse në zbatim të dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor çdo zgjedhës që ka vendbanimin e regjistruar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, përfshihet në listën e zonës së qendrës së votimit.

Pjesmarrja në votim është e vullnetshme, ndërsa përfshirja në listë në përputhje me ligjin është e detyrueshme. Çdo lloj manipulimi me listat e zgjedhësve është e ndëshkueshme. Vlen të përmendet se personat e ngarkuar me përgatitjen dhe miratimin e listave të zgjedhësve kur përfshijnë në këto lista të dhëna të rreme ose kur lënë pa përfshirë zgjedhës, përgjigjen penalisht sipas nenit 186 të Kodit penal (shih nenin 171 pika 4 e kodit zgjedhor).

Ligjbërësi me miratimin e disa dispozitave të Kodit Zgjedhor, ka synuar të krijojë të gjitha mundësitë që e drejta kushtetuese e përmendur më lart të realizohet në fakt, në praktikë. Sipas pikës 4 të nenit 51 të Kodit jo më vonë se data 3 janar 2013, zyrat e gjendjes civile, pas miratimit nga kryetari i njësisë vendore, printojnë dhe publikojnë ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të të gjithë shtetasve që kanë vendbanimin në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e çdo zyre. Kjo bëhet që zgjedhësi të njihet me këtëe ekstrakt dhe të konstatojë është ose jo në listë emri i tij, nëse ai ëhstë i saktë ose jo. Në këtë mënyrë, atij i krijohet mundësia të kërkojë korigjimin(ndryshimin e ekstraktit), duke iu drejtuar me kërkesë zyrës së gjendjes civile ose në rast refuzimi, gjykatës.

Publikimi i këtij ekstrakti duhet të bëhet në ambjentet e zyrave rtë gjendjes civile ose në ambientet pranë tyre, me akses të lirë për publikun. Sipas Kodit ekstrakti i përbërësve zgjedhorë duhet të publikohet çdo muaj deri në shpalljen e listës përfundimtare. Ky ekstrakt ndryshon, shtohet ose fshihet në rastet e parashikuara në nenin 53 të Kodit. Kjo detyrë duhet të kryhet nga zyrat e gjendjes civile. Lista zgjedhore sipass nenit 56 të kodit, pika 3, duhet të shpallet nga ZAZ-ja pranë qendrës përkatëse të votimit në një ambient me akses të lirë për zgjedhësit, jo më vonë se 19 maji 2013. nëse do të respektohej ky afat, del se ekstrakti i përbërës i zgjedhësve(ekstrakti i dytë) duhej publikuar më 3 shkurt 2013, ekstrakti i tretë më 3 mars 2013, ekstrakti katërt më 3 prill 2013 dhe ekstrakti i pestë më 3 maj 2013.

Publikimi i një numri relativisht kaq më të madh ekstraktesh, u parashikua për herën e parë në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor në vitin 2012. Përsëritja me ndryshimet përkatëse të këtyre skstrakteve mundëson publikimin e listës përfundimtare të zgjedhësve më të plotë dhe më të saktë (megjithëse edhe me këtë listë nuk përjashtohen të metat, ndaj dhe ligji u jep të drejtë zgjedhësve që të ankohen në gjykatë). Nëse do ti referoheshim disa të dhënave dhe sindazheve të pjesshme rezulton se datat 3 janar dhe 3 shkurt 2013 që duhej publikuar ekstrakti i parë dhe i dytë i përbërësve zgjedhorë nuk janë respektuar.

Për këtë, mendoj se përgjegjësinë kryesore e kanë zyrat e gjendjes civile dhe kryetarët e njësive të qeverisjes vendore. Në takimet dhe bisedat me një numër jo të vogël personash del se ata nuk kanë patur asnjë dijeni për publikimin e këtyre ekstrakteve si dhe vendin e publikimit të tyre. Ne vetë zgjedhësit(për arësye nga më të ndryshmet) ka një farë indiferentizmi. Del nevoja që nëpërmjet sensibilizimit të tyre ai të zbutet dhe të kapërcehet.

NJËSITË VENDORE
23 qershori po afron, zgjedhjet e këtij viti janë veçanërisht të rëndësishme. Ekziston mundësia, megjithëse jo e ligjshme) që publikimi i ekstrateve të mos bëhet në afatin e caktuar ligjor. Ekziston gjithashtu mundësia që një pjesë e zgjedhësve të mos njihen me to. Në Kodin Zgjedhor ka një dispozitë mjaft të rëndësishme(neni 52) që detyron kryetarët e njësive të qeverisjes vendore që të njoftojnë me shkrim çdo zgjedhës në banesën e tij, se në cilën qendër votimi do të votojë, në cilin numër rëndor figuron ai në listë.

Cila është adresa e qendrës së votimit. Mirëpi ky detyrim ligjor duhet të kryhet brenda 60 ditëve nga publikimi i esktratit të parë(afati kur duhet publikuar ekstrati i parë ishte 3 janari 2013). Nga kjo del njoftimi me shkrim në banesën e zgjedhësit duhet të përfundojë jo më vonë se 3 marsi 2013. Mendoj se nuk do të ishte paragjykim nëse do të thuhej se ky afat do të shkelej. Disa sondazhe të pjesshme vertetojnë se deri më sot askush nuk ka trokitur në derën e ndonjë zgjedhësi për t’i çuar atij njoftimin zyrtar të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore. Mos pritet vallë të përfundojë publikim i 5 ekstrateve (i fundit 3 maj 2013).

E keqja është se për këtë problem nuk flitet, nuk ka shqetësim. Ndoshta është për faktin se asnjëherë për moszbatimin e kësaj kërkese ligjore nuk ka patur asnjë lloj ndëshkimi (sanksioni)?! Është e lehtë dhe e qartë të thuash se përgjegjësinë për këtë e mbajnë kryetarët e njësive të qeverisjes vendore. Nuk e di nëse me punonjësit e gjendjes civile dhe kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, pas ndryshimeve që i janë bërë Kodit(në vitin 2012) është bërë ndonjë trajnim, pavarësisht nga udhëzimet që mund të jenë lëshuar. E them këtë dhe për faktin se në 18 nenet e pjesës së tretë të Kodit ku bëhet fjalë për hartimin e listave zgjedhore etj., janë ndryshuar 100%,

Nuk duhet harruar se për mbikqyerjen dhe kontrollin e procesit të publikimit të ekstrateve zgjedhore, njoftimi i zgjedhësve, shpalljen e listave të zgjedhësve, janë ngarkuar edhe organe të tjera. Sipas nenit 50 të Kodit ministri i Brendshëm ngarkohet të nxjerrë urdhëra dhe udhëzime për mbajtjen, përpunimin, përditësimin, ndryshimin, nxjerrjen dhe publikimin e listave zgjedhore të gjendjeve civile, për procedurat dhe afatet  për hartimin dhe shpalljen e ekstrateve dhe listave, njoftimin e zgjedhësve etj.

DETYRAT E KQZ

Drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile duhet të mbikqyrë dhe të kontrollojë veprimtarinë e zyrave të gjendjes civile dhe kur është rasti t’i propozojë KQZ-së marrjen e masave disiplinore ndaj kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore që shkelin rregullat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. KQZ gjithashtu lidhur me këtë çështje, ka detyra dhe kompetenca të rëndësishme. KQZ duhet të mbikqyrë procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, administrimin e zonave të qendrave të votimit dhe numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi. KQZ për këtë qëllim ka të drejtë të kërkojë informacionin si nga drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile dhe nga njësitë e qeverisjes vendore.

Në Kodin e ndryshuar më 2012 është miratuar një nen i ri(neni 61) që veç detyrës që përmendëm më lart, KQZ emëron 2 auditë teknicienë që ngarkohen me detyra të shumta e të rëndësishme. Ata i raportojnë KQZ-së lidhur me verifikimet që bëjnë se si të zbatohen dispozitat e Kodit nga zyrat e gjendjes civile dhe drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile. Ata kanë të drejtë të kontrollojnë dhe të gjtiha ndryshimet që kanë ndodhur mbi përbërësit zgjedhorë në gjendjes civile etj.

Nga sa u tha më lart, mund të arrihet në përfundimin se organet e mësipërme duhet të marrin të gjitha masat ligjore dhe parandaluese, me qëllim që të arrihet në hartimin e listave zgjedhore të plota dhe të sakta. Zgjedhësit kanë të drejtë ta kërkojnë këtë. Në këtë drejtim duhet pasur parasysh reakomandimi nr.18 i raportit të OSBE/ODIHR-it i 15 gushtit 2011 ku thuhet se: “autoritetet duhet të hetojnë çdo pretendim të veçantë lidhur me shtimin e zgjedhësve në regjistrin civil dhe në listat e zgjedhësve në kundërshtim me ligjin”(shih faqen 34 të Raportit). KQZ ka dhe një kompetencë tjetër disi të veçantë, por të rëndësishme për të cilën ose flitet pak ose nuk flitet fare. Në pikën 10 të nenit 21 të Kodit thuhet se KQZ-ja duhet të marrë masa dhe të organizojë dhe programe për edukimin zgjedhor të shtetasve. Për efekte sensibilimi por dhe transparence, mendoj se do të ishte e rekomandueshme që këto masa dhe programe të bëheshin të njohura, të publikoheshin.

Kam mendimin se do të ishte krejt e pamjaftueshme që një kompetencë e tillë të kufizohej vetëm në ekspozimin e disa spoteve televizive disa ditë para votimit(siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme). Ku zgjedhësi orientohet se në ç’orë hapet votimi dhe në ç’orë ai mbyllet, me çfarë dokumenti i dentifikimi votohet, si duhet të veprojë zgjedhësi që nuk mund të votojë vetë, çfarë fletë votimi konsiderohet e vlefshme apo e pavlefshme etj.

E nuk është i rëndësishëm sensibilizimi e edukimi zgjedhor i zgjedhësve për nevojën e njohjes së tyre me ekstraktet zgjedhore, mundësinë e ndryshimeve në këto ekstrakte, njoftimin e zgjedhësve në banesat e tyre, njohjen me listën zgjedhore që duhet të shpallet deri në datën 19 maj 2013 si dhe mundësinë që kanë ata për t’ju drejtuar gjykatës etj.

Kuptohet, vështirë që zgjedhësit të njihen në tërësi me Kodin. E megjithëkëtë edukimi zgjedhor nga KQZ(siç parashikohet në Kod) mund të organizohet në ato procese ku faktori “zgjedhës” nuk mund të anashkalohet. Për të gjithë është e qartë se KQZ është e ngarkuar me detyra të shumta dhe komplekse, por pjesë përbërëse e tyre është dhe miratimi dhe zbatimi i një programi që do të ndikonte pozitivisht në ndërgjegjësimin e zgjedhësve, jo vetëm për të garantuar lista zgjedhore të plota dhe të sakta por edhe një pjesmarrje sa më të gjërë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 14 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës