Deutsche Bank një “pulë” që
u rrop në duart e Becchett i-t

Deutsche Bank një “pulë” që<br />u rrop në duart e Becchett i-t
TIRANE-  Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe i ka kërkuar gjykatës së Tiranës të gjykojë Francesco Becchettin, një grup të familjarëve të tij dhe bashkëpunëtorë, si dhe dy funksionarë publikë me akuzën e grabitjes, falsifikimit të dokumenteve, evazion fiskal dhe pastrim parash.

Pronari i konçensionit për hidrocentralin e Kalivaçit marrë nga qeveria shqiptare në kohën e Bashkim Finos kryeministër, është akuzuar  se ka bërë abuzime për më shumë 40 milionë euro, një pjesë e të cilave të përdorura pastaj për të financuar bizneset e tij në Itali të transferuara në banka në Luksemburg, ose të shpenzuara për të ndërtuar dhe financuar televizionin Agon Channel. Surpriza që del duke lexuar dokumentet e prokurorisë, të cilat Shqiptarja.com pati mundësi t’i shihte - është se pjesa më e madhe e këtyre parave që konsiderohen si të vjedhura i përkiste të fuqishmes Deutsche Bank.

Deutsche Bank është themeluar në Berlin më 10 mars 1870. Sot grupi ka më shumë se 100.000 punonjës në më shumë se 70 vende të botës dhe jo vetëm që është një nga grupet më të mëdha bankare, por konsiderohet dhe një nga multinacionalet më me influencë në botë.

E megjithatë, duke lexuar aktet e hetimit shqiptar, Deutsche Bank duket se është trajtuar nga Francesco Becchetti si një pulë për t’u rrjepur. Dhe që në fakt është “rrjepur” për dhjetëra e dhjetëra milionë euro. Deri në atë pikë sa të bën të dyshohet se ky skandal fsheh dhe bashkëpunëtorë të tjerë mes drejtuesve të bankës gjermane të cilët nuk janë zbuluar ende.

Si filloi historia
Por nisim nga fillimi duke ndjekur linjën e hetimeve të bëra nga prokuroria. Historia nis në kulmin e revoltave pas falimentimit të firmave piramidale. Ndërsa vendi është në buzë të një lufte civile dhe qeveria drejtohet nga Bashkim Fino më 24.05.1997 Këshilli i Ministrave ka miratuar marrёveshjen për ndërtimin e Hidroçentralit të Kalivaçit me shoqërine Italiane “BEG” S.p.a. të Francesco Becchetti. Kjo marrëveshje është ndryshuar një herë në vitin 2000 me Fatos Nanon kryeministër, dhe një herë tjetër në datë 06.06.2007 me Sali Berishën kryeministër.

Në vendimin e fundit të KM u miratuan ndryshime të reja në kontratën Konçesionare, për ndërtimin e hidrocentralit, duke u legjitimuar pjesëmarrja e një partneri të ri në Konçesion dhe pikërisht operatorit ekonomik “Deutsche Bank”.  Kapitali fillestar i shoqërisë konçensionare sipas marrëveshjes duhet të ishte 15.000.000 Euro.

Për tu përballuar pikërisht ky kusht në vitin 2007 Francesco Becchetti ka krijuar në Itali shoqërinë “Hydro Srl”, në të cilën “BEG” S.p.a (pra Becchetti) zotëronte 55% të aksioneve dhe Deutsche Bank 45% të aksioneve. Gjithashtu, në të njëjtën kohë në Shqipëri u krijua shoqëria “Kalivaç Green Energy” sh.p.k (KGE), e cila aktualisht zotërohet në masën 100% nga shoqëria “Hydro” S.r.l. Qëllimi i krijimit të shoqërisë ishte ndjekja e punimeve në hidroçentralin e Kalivaçit.

Me qëllim kryerjen e punimeve në hidroçentralin e Kalivaçit, në 2007 Becchetti lidhi një kontratë me një shoqërinë shqiptare, “Energji”: kjo shoqëri zotërohet nga dy ortakët kryesorë Liliana Condomitti dhe Vjollca Kamberi (nёna dhe vjehrra tё Francesco Becchetti).

Becchetti që ka nënshkruar kontratën konçensionare ka qenë deri në muajin Tetor të vitit 2013 edhe kryetar i këshillit mbikqyrës të shoqërisë KGE, madje de fakto – sipas prokurorisë -  ёshtё sjellё si administrator dhe pronar i tё gjitha shoqёrive tё sipёrcituara. Pёrpara Gjykatёs Erjona Troplini, punonjёse e shoqёrisё “Energji”, por njëkohësisht administratore dhe ortake e shoqёrive “Cable System” dhe “400 KV (është një nga të pandehurit) deklaron se: “pёr çdo transaksion qё kryeja nё tё gjitha shoqёritё, pёr çdo lek tё shpenzuar merrja  urdhër nga shtetasi Francesco Becchetti”.

Sipas Prokurorisë pёrfaqёsuesit e shoqёrive nёnkontraktore tё shoqёrisё “Energji” deklaruan se de fakto administrator dhe pronar i “Energy” ishte Francesco Beçheti. Kёto dy shoqёri nё fakt kanё tё njёjtat zyra, tё njёjtёn sekretare, tё njёjtёt financier, tё njёjtёn arshivё dhe nga tërësia e provave të administruara rezulton se shoqёritё “Energji” dhe “Kalivaç Green Energy” madje dhe dy shoqёritë e tjera “Cable System” dhe “400 KV” sh.p.k kanë egzistuar të ndara vetёm nё letra, sepse nё realitet kёto shoqёri kanё funksionuar si njё e vetme.
 
Ne Kalivaç filloi rritja artificiale e kostos
Deri më 2013, kur në qeveri ishte Sali Berisha asnjë institucion nuk ka tentuar të hetojë aktivitetin në Kalivaç dhe pavarësisht dyshimeve të hedhura nga Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore, dhe nga KLSH, nuk u hap asnjëherë ndonjë hetim i vërtetë.

Dyshimet e para të forta në lidhje me fryrjen e punimeve kanë rezultuar nga akti i kontrollit i kryer nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj tek shoqёria “Energji” sh.p.k i vitit 2014, nga i cili ka rezultuar se vlera e punimeve të shitura shoqërisë “KGE” nga shoqëria “Energji” ishte disa herë më e lartë (deri 23 herë) se vlera e punimeve që kjo shoqëri (shoqëria “Energji”) ka blerë nga nënkontraktorët e saj, pasi punimet në ndërtimin e H/C Kalivac, shoqëria “Energji” sh.p.k i ka bërë me shoqëri të treta nënkontraktore.

Për të vërtetuar këtë dyshim të ngritur gjatë hetimit të çështjes penale u vendos kryerja e një akti ekspertimi kontabël, si dhe kryerja e njё akti ekspertimi teknik, me qëllim që të bëhej krahasimi  i volumeve të punimeve të blera nga shoqëria “KGE” shpk nga kontraktori i vetëm “Energji” sh.p.k me volumet e blera nga kjo e fundit nga nënkontraktorët e saj. Krahasimi u krye jo vetёm nё vlerёn e punimeve, por edhe nё llojin dhe sasinё e punimeve.

Nga aktet e ekspertimit, si dhe tё dhёnave tё tjera tё administruara gjatё hetimit tё çёshtjes penale është arritur në konkluzionin se shoqёria ”Energji” sh.p.k rezulton tё ketё rritur çmimet e punimeve në shitje shumë-herë nga çmimet e blerjes dhe ka shitur volume punimesh në sasi më të madhe se sa volumet e punimeve të blera. Gjithashtu, rezulton se shoqёria ”Energji” ka shitur për shoqërinë ”Kalivaç Green Energy” edhe punime tё cilat nuk i ka  kryer fare.

Konkretisht, në konkluzionet e aktit të ekspertimit kontabёl dhe nga krahasimi i kryer sipas viteve rezultojnё kёto tё dhёna:
 
Viti 2007
Për vitin 2007, shoqëria “Energji” sh.p.k ka blerë situacione punimesh gjithsej, 1,035,295 euro nga nënkontraktorë ndërkohë që «Energji» i ka shitur situacione investitorit «Kalivac Green Energy» sh.p.k gjithsej në vlerën 5,743,455 euro
 
Viti 2008
Për vitin 2008 shoqëria « Energji » sh.p.k ka blere situacione punimesh gjithsej, 8,099,616 euro nga nënkontraktorë ndërkohë kjo shoqëri i ka shitur situacione investitorit ”Kalivac Green Energy” sh.p.k gjithsej në vlerën 14,820,797 euro
 
Viti 2009
Për vitin 2009 shoqëria “Energji” ka blerë situacione punimesh gjithsej 146,598 euro nga nënkontraktorë ndërkohë kjo shoqëri i ka shitur situacione investitorit “Kalivac Green Energy” sh.p.k gjithsej në vlerën 1,651,097 euro
 
Viti 2010
Për vitin 2010 shoqëria ”Energji” sh.p.k nuk ka blerë situacione punimesh nga asnjë shoqëri tjetër ndërkohë që i ka shitur situacione investitorit ”Kalivac Green Energy” sh.p.k gjithsej në vlerën 1,841,000 euro
 
Viti 2011
Për vitin 2011 shoqëria ”Energji” ka blerë situacione punimesh vetëm nga një nënkontraktor në vlerën totale 284.000 euro, por i ka shitur investitorit ”Kalivac Green Energy” sh.p.k punime nё vlerёn 1,621,842 euro
 
Viti 2012
Për vitin 2012 shoqëria ”Energji” sh.p.k ka deklaruar blerje situacione punimesh nga një nënkontraktor në shumën 264,405 euro dhe i ka shitur ”Kalivac Green Energy” sh.p.k me fatura tatimore gjithsej punime 4,479,613 euro
 
Viti 2013
Për vitin 2013 shoqëria ”Energji” sh.p.k ka deklaruar blerje situacione punimesh gjithsej 454,905 euro dhe ka lëshuar fatura tatimore me përshkrimin “Punime në H/C Kalivac” gjithsej 4,711,643 euro.
Sipas prokurorisë për vitin 2013 nga aktiviteti i shoqërisë ”Energji” sh.p.k rezulton se kjo shoqëri përveç se ka rritur çmimet e punimeve në shitje disa herё nga çmimet e blerjes, konstatohet se ka shitur volume punimesh ne sasi më të madhe, se sa volumet e punimeve te blera. Kjo diferencë volumesh e trajtuar më sipër është e pajustifikuar dhe tregon që faturat janë fiktive.

Gjatë hetimit të çështjes është kryer edhe një akt ekspertimi teknik nga  inxhinjerë dhe ekonomistё të AKBN, nga i cili ka rezultuar se  punimet faktike të kryera në hidrocentralin e “Kalivaçit” janë më të vogla se punimet e raportura. Kështu, sipas prokurorit ndër vite shoqëria “Energji” ka lëshuar disa situacione me të dhëna të pavërteta, si dhe fatura fiktive me përshkrimin “Punime në Hec Kalivaç”, mbështetur në këto situacione me të dhëna të rreme.

Por jo vetëm kaq. Nga hetimi ka rezultuar se pёr ndёrtimin e Hidroçentralit tё “Kalivaçit” nuk ka pasur fare mbikqyrёs punimesh deri nё muajin Maj tё vitit 2011. Mё pas ёshtё caktuar me anё tё njё shkrese inxhinieri Ёngjёll Cici dhe mё pas shtetasi Hamit Shehu, por edhe kёta shtetas nuk kanё pasur tё pёrcaktuar nё kontratat e tyre detyrat kryesore tё mbikqyrёsit tё punimeve.
 
Nga aktet e prokurorisë rezulton se për  punimet në “Hec Kalivaç” janë përpiluar gjithsej 27 situacione. Situacionet nga numri 1 deri në numrin 22 janë firmosur nga (i pandehuri) Mauro De Renzis dhe (i pandehuri) Stavri Peci, i cili ka qenë drejtuesi teknik i shoqёrisё KGE, ndërsa situacionet nga numri 23-27 janë firmosur nga vetë Francesco Becchetti, si dhe Mauro De Renzis. Në Agjensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) janë dërguar me shkresë përcjellëse nga shoqëria “Kalivaç Green Energy”, nё vitin 2012, situacionet nga numri 1-19, dokumente fotokopje, në të cilat gjendet dhe rekuizita, “Mbikqyrësi i Punimeve” dhe poshtë saj emri i inxhinierit “Ëngjëll Cici” dhe nënshkrimi përkatës nё fotokopje.

Por Ёngjёll Cici deklaroi se nuk ka qenë supervizor punimesh deri në muajin Qershor të vitit 2011, por punonjёs i shoqёrisё “Energji” dhe nuk ka firmosur ndonjëherë situacione punimesh. Nё lidhje me nёnshkrimin e  ndodhur nё situacionet fotokopje tё paraqitura nё AKBN, ai ka shpjeguar se nuk e dinte pse ndodhej në këto fotokopje nënshkrimi i tij, duke kërkuar t’i  paraqitet dokumenti origjinal. Pёr kёtё arsye u sekuestruan situacionet origjinale, të cilat nuk janё tё firmosura nga mbikqyrёsi i punimeve, por bashkëlidhur këtyre situacioneve origjinale nё shoqёri janё gjetur fotokopje tё tyre, ku në fotokopje ndodhet dhe firma e “mbikqyrёsit” Ёngjёll Cici, ndërsa nё shoqёri nuk egziston origjinali i tyre me firmё tё kёtij shtetasi.

Pra, sipas prokurorisë, situacionet e nënshkruara nga Mauro de Renzis, si përfaqësues i shoqërisë “Energji” dhe të Stavri Peçi apo Francesco Becchetti janë dokumente me përmbajtje të rreme. Gjithashtu, faturat bashkëlidhur këtyre situacioneve, si dhe faturat pa situacione me përshkrimin punime në “Hec Kalivaç” (tё vitit 2012 dhe 2013), janë fiktive, pra të falsifikuara.

“Këta të pandehuri në bashkëpunim me njëri tjetrin, në rolin e bashkëekzekutorit kanë përpiluar këto situacione pёr tё bёrё tё mundur vjedhjen e pasurisё sё shoqёrisё “KGE” akuzon prokuroria.
Por, nëse Francesco Becchetti është pronar i 55% të KGE, çfarë kuptimi ka të vjedhë veten? Pikërisht kjo duket se është nyja e mashtrimit. Sipas prokurorisë në fakt objektivi ishte vjedhja e pasurisë së ortakut tjetër të kësaj shoqërie, “Deutsche Bank” që zotëron 45% të aksioneve të Kalivac Energy Green.

Por pasi ka “rrjepur” Deutsche Bank duke e bërë të paguante fatura shoqërisë Energy (të kontrolluar nga Becchetti) për shumë milionë euro për punë që nuk ishin kryer kurrë, ose që kishin kushtuar shumë më pak, ndaj Deutesche Bank  nis një plan i dytë.
 
Plani i dyte kunder Deutsche Bank
Në 2013 Energy denoncon Kalivac Energy Group se ka vonuar pagesat për disa punime në digë për 911 ditë, duke i shkaktuar një dëm të rëndë. Praktikisht Becchetti akuzon veten dhe Deutsche Bank se ka pësuar një dëm dhe i çon në një gjykatë arbitrazhi konkretisht Qëndrës së Zgjidhjes së mosmarrëveshjeve «Medart ».

Objekti i mosmarrëveshjes ishte shpërblimi i dëmit i shkaktuar shoqërisë “Energji”, si pasojë e mospagesës së disa punimeve të kryera nga kjo e fundit për shoqërinë Kalivaç (ose e thënë ndryshe ndërprerjes së financimit), si dhe shpërblimi i dëmit për vonesat në dorëzimin e kantierit (vonesat e shkaktuara nga shoqёria investitore, për fillimin e punimeve). Por sipas prokurori edhe në këtë gjykim palët kanë paraqitur dokumente të falsifikura, kryesisht situacione me të dhëna të rreme, për punime të pakryera realisht.

Në përfundim të gjykimit, gjykata e arbitrazhit, bazuar në këto dokumente të falsifikuara ka vendosur të «zgjidhë» mosmarrëveshjen, duke pranuar padinë e shoqërisë “«Energji» dhe  detyrimin e shoqërisë «KGE» të paguajë në favor të shoqërisë «Energji» shumën 48.051.606 Euro.

Në bazë të vendimit të Gjykatës rezulton se shoqëria «Energji» ka pësuar dëm për shkak se shoqëria «KGE» nuk e ka paguar pёr 911 ditё për disa punime të kryera prej saj në vitin 2009 (kryesisht zëri i punimeve është “përgatitja e materialit të selektuar dhe të shoshuar për ngritjen e trupit të digës ».  Por, sipas prokurorisë ky proces pune nuk është kryer fare. Në fakt, nuk ka qenë objekt i gjykimit fakti, nëse këto punime janë kryer apo jo (shoqëria Kalivaç nuk e ka kundërshtuar këtë fakt madje kjo e fundit ka paraqitur vetë situacionet dhe faturat e falsifikuara).

Nga kjo rezulton – sipas prokurorisë – “se përfaqësuesit ligjore të këtyre shoqërive, Francesco Becchetti dhe Mauro De Renzis e kanë krijuar fiktivisht “mosmarrëveshjen” dhe janë paraqitur në gjykatë “për zgjidhjen e saj”, për t’i dhënë formë ligjore kësaj skeme mashtrimi”.

“Pula” gjermane, konsiderohet aq shumë “pulë” saqë në arbitrazh paraqiten dokumente qartësisht të falsifikuara pa u shqetësuar fare se mund të zbuloheshin. Kështu, në dokumentet e paraqitura në arbitrazh gjendet shkresa e datës 11 Qershor 2007, në bazë të së cilës shoqëria «Energji» i drejtohet shoqërisë «KGE», me qëllim që të caktohej data kur do të dorëzohej kantieri.

Por sipas dosjes të prokurorisë rezulton se shoqëria «Kalivac Green Energji » është krijuar më datë 09.07.2007, por e rregjistruar në QKR më datë 26.11.2007. Pra, shoqëria KGE nuk ka ekzistuar para datës 09.07.2007 dhe si rrjedhojë shoqëria «Energji» nuk mund të ketë korespondencë shkresash apo punime të kryera me një shoqëri qё nuk ka ekzistuar në kohën e tyre.
 
Miliona euro gjermane nga konflikti fiktiv
“Mbi bazën e vendimit gjyqësor të arbitrazhit shoqëria « Energji » ka përfituar nga shoqëria « Kalivaç Green Energji » miliona Euro të tjera, të cilat janë transferuar në llogaritë bankare të shoqërisë «Energji » nga Muaji Tetor i vitit 2013 e në vazhdim. Nga analiza e të dhënave të administruara –vazhdon prokurori -rezulton se qëllimi kryesor i « krijimit » të mosmarrëveshjes fiktive e gjykimit në arbitrazh dhe fryrjes fiktive tё investimit, rezulton të jenë mosmarrëveshjet reale që shoqëria konçensionare ka pasur nё kёtё periudhё kohore me shoqërinë «Deutsche Bank”.

Konkluzioni i Prokurorisë është shumë i ashpër: “Paratë e përfituara në këtë mënyrë nga shoqëria «Energji» (të cilat kanë si burim vendimin e arbitrazhit) apo transaksionet qё bazohen nё fatura tё rreme (të falsifikuara) janë para të cilat kanë rrjedhur nga vepra penale e “vjedhjes duke shpёrdoruar detyrёn”. Kryetari i Kёshillit mbikqyrёs tё shoqёrisё “Kalivaç Green Energji”, i pandehuri Francesco Becchetti nёpёrmjet njё skeme mashtruese mbёshtetur nё dokumenta tё falsifikuara, nё bashkëpunim me të pandehurin Mauro de Renzis (administratori i shoqёrisё Energji), i ka kaluar paratë në mënyrë të kundraligjshme, tek shoqëria “Energji”. Siç u shpjegua mё sipёr shoqёria “Hydro” ёshtё zotёruar nё masёn 45% nga shoqёria “Deutsche Bank”.

Vjedhja e parave me anё tё mashtrimit tё ortakut “Deutsche Bank” të shoqërisë “Hydro”, ka qenё qёllimi i përpilimit të dokumenteve të falsifikuara dhe përgatitjes së skemës mashtruese tё sipёrcituar. Këto para më pas shoqёria ”Energji” i ka ri investuar  në shoqëri të tjera si «400 KV”, «Cable system», “Construzione” apo “Agon set”  të cilat zotёrohen nё masёm mё të madhe nga Liliana Condomitti, por de fakto zotёrohen nga i pandehuri Francesco Becchetti.“
 
Transfertat bankare per 56 milione euro
Prokuroria ka analizuar me qindra transferta bankare të kryera nga shoqëritë e Becchetti-t. Shoqëria ”Kalivaç Green Energji” ka transferuar në llogaritë bankare të shoqërisë ”Energji” nga viti 2007 deri në muajin mars të vitit 2014, ashtu edhe në llogaritë e shoqërisë ”Cable system”, me qёllim likujdimin e faturave tё shoqërisë ”Energji” për punime në ”Hec Kalivaç”, gjithsej 56,203,163 Euro si dhe 96,386,400 Lekë. Pjesa më e madhe e parave e përfituar nga shoqëria ”Energji” nga shoqёria ”Kalivaç Green Energji” është transferuar tek shoqëritë ”Construzione” srl, ”400 KV”, ”Cable System” dhe ”Agon set”, shoqëria pronare e televizionit.

Bazuar nё aktin e ekspertimit kontabёl të urdhëruar nga prokuroria duke llogaritur vetёm paratё e transferuara nё bankat shqiptare, vlera e pёrfituar padrejtёsisht nga shoqёria “Energji” ёshtё 23,720,532 Euro nga punimet e fryra. Si rrjedhojë e gjykimit të arbitrazhit nga shuma totale 48.051.606 Euro, vlera e transferuar nga shoqëria ”Kalivaç Green Energy” në llogaritë e shoqërisë ”Energji” eshte 15,281,331 Euro. Pra në total, vlera e përfituar padrejtësisht nga shoqëria ”Energji”, në llogaritë e saj bankare në Shqipëri sipas prokurorisë është 39,001,863 Euro.

Sipas konkluzioneve të prokurorisë, që tani janë në shqyrtim nga gjykata “paratë e paguara nga Kalivac Energy Group ndaj Energy rezultojnё tё jenё kontributi i derdhur nga ortaku Deutsche Bank si pjesë e investimit në shoqërinë “Hydro” e si rrjedhojё edhe nё shoqёrinё “KGE”, qё zotёrohet 100% nga Hydro.
 
Pjesa qe prokuroria nuk tregon
Atë që në hetimin shqiptar nuk gjejmë, është vazhdimi i marrëdhënies së pabesueshme mes Francesco Becchetti-t dhe Deutsche Bank. Sepse sikur të mos mjaftonin paratë e zhvatura në Shqipëri (sipas akuzave të prokurorisë), Deutsche Bank është nën shënjestrën e Becchettit edhe në Itali, ku përmes një arbitrazhi kërkon dëmshpërblim për investime të parealizuara. Kur bleu aksionet e shoqërisë Hydro duke hyrë në biznes me Becchettin për të ndërtuar hidrocentralin e Kalivacit, banka gjermane u zotua të derdhte 35 milionë euro investime.

Per koinidencë një shumë shumë e afërt me atë për të cilën Becchetti akuzohet se ka vjedhur me faturimet false të Energy. Por edhe arbitrazhi në Itali duket se i jep të drejtë Becchettit dhe kështu, në mënyrë të pabesueshme më 30 tetor 2013 Deutsche Bank është e detyruar të paguajë (përmes një marrëveshje) edhe 159 milionë euro Becchettit. Katër ditë më vonë goditja e fundit: me 4 nëntor 2013 Deutsche Bank i shet Becchettit 45 % e aksioneve të tij në Kalivaç: Vlejnë 8 milionë e 32 mijë euro, por i jepen me çmimin simbolik të 1 euro.
Eshtë pupla e fundit e shkulur që fluturon dhe lodhshëm bie në tokë përpara “superpulës” gjermane tashmë trishtueshëm lakuriq.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    
 

 
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)