Gjykata Supreme Administrative greke do të dëgjojë për herë të fundit palët sot, për tu tërhequr më pas për vendimin, nëse do të rrëzojë ose jo projektin për devijimin e lumit Vjosa. Në mbledhjen e së enjtes gjykata do të marrë edhe pretendimet e fundit që palët kanë për këtë projekt, për të dhënë më pas vendimin përfundimtar në lidhje më këtë çështje të debatueshme.

Burime për A1Report, sqarojnë se Gjykata ashtu si ka ndodhur dhe me disa çështje delikate, pritet të kërkojë maksimumin e kohës për të dalë më një vendim, që parashikohet nga 6 deri në 8 muaj. Argumentet kryesore të palës paditëse 3 bashki greke dhe disa shoqata ambientalistësh, kanë të bëjnë mos pasojat e rënda që do të ketë flora dhe fauna në këto zona, por edhe mosinformimi i palës shqiptare. Nga ana tjetër avokatët kanë deklaruar se argumenti që pala shqiptare nuk është informuar, nuk qëndron pasi ka pasur informim të Ministrisë së Jashtëm shqiptare në verën e vitit 2013. 

Megjithatë avokatët nuk kanë paraqitur prova konkrete të kësaj letre gjatë seancës gjyqësore. Nga pala greke, ka pasur lëvizje në lidhje më këtë çështje. Burime të besueshme për A1Report informojnë se një ditë më parë në Ministrinë e Jashtme greke, është zhvilluar një takim mes përfaqësuesve të kësaj ministrie, dhe Ministrisë së Energjetikës, ku është diskutuar në lidhje me pretendimet që ka paraqitur pala shqiptare për projektin e devijimit të lumit Vjosa, por pa dalë në deklarata publike dhe larg syve të publikut. 

Devijimi i lumit Vjosa pritet të jetë në tryezën e diskutimeve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku Ministria e Jashtme ka deklaruar disa herë se kërkon një zgjedhje dypalëshe dhe duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Ndërsa çdo vendim i njëanshëm do të apelohet në institucionet e tjera ndërkombëtare. 

Çështja e devijimit të lumit Vjosa, pritet t’i shtohet problemeve të pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, përveç kufirit detar. Ky projekt që ka marrë edhe aprovimin e 9 ministrive greke, ka shkaktuar reagime të forta si në Greqi edhe në Shqipëri, ku vetëm pak ditë më parë një grup ambientalistësh dhe përfaqësues nga shoqëria civile, kanë protestuar para dyerve të Ministrisë së Jashtme, duke i kërkuar të mos negociojë me palën greke me devijimin e lumit.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)