Nga dita e sotme, 4 maj, vendit i janë shtuar edhe 18 zona të tjera të gjelbra konkretisht Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vjagurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë, Selenicë.
Devolli është një zonë e gjelbër e shpallur nga qeveria si një zonë pa asnjë rast të prekur nga virusi.
Kamera e Report Tv bëri një inspektim në qytet ku u vu re një numër i shtuar i banorët që kishin dalë dhe pjesa më e madhe e tyre pensionistë, edhe pse orari i tyre ishte deri në orën 06:00-08:30. Qytetarët janë grumbulluar në rrugë të shkujdesur dhe pa maska mbrojtëse, ndërsa është parë një prani e shtuar e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve.
Nga sot është lejuar dhe shërbimi me taksi ndërqytetëse duke lejuar edhe udhëtimin me 2 anëtar të një familje.
Edhe pse qytetarët nuk kanë asnjë të prekur në këtë bashki, ata sërish duhet të respektojnë masat e distancimi social si dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse.
Gjithashtu ajo që u vu re ishte se dhe berberët janë hapur në këtë zonë edhe pse ata janë vendosur të hapen javës tjetër më 11 maj si pjesë e masave të tjera lehtësuese.
Përfshirja e Beratit në zonën e gjelbër ka sjellë një qarkullim të madh të mjeteve dhe qytetarëve në rrugë. Kjo ka sjellë trafik të rënduar por dhe mosrespektim të fashave të orarit duke bërë që qytetarët të humbasin ndërgjegjësimin, pa kuptuar se masat e distancimi social qëndrojnë edhe për këto zona.
Trafiku është i rënduar dhe mjetet duan 30 minuta të dalin nga qyteti, ku mund të lëvizin lirisht në zonat e gjelbra por jo ato të kuqe.
Disa të moshuar në Devoll kanë preferuar të qëndrojnë në lulishte dhe ta shtrojnë me të ngrënë dhe të pirë. Ata thanë se dolën pasi po plasnin në shtëpi.
I moshuari: Frikë kemi por dhe tani dhamë e dhamë dhe plasëm, ngelëm brenda dhe gur të kishim qenë do të kishim pëlcitur. Kam 30 minuta që kam dalë
Gazetarja: Po shoh që po pini
I moshuari: Po pimë, po rrimë një metër larg, kështu që do rrimë dhe pak
I moshuari tjetër: Nuk jemi shumë dakord me masat se duam pak liri. Sot dolëm therëm një pulë dhe po hamë e këtu. Kemi maska e doreza po i kemi hequr se po hamë.
Gazetarja e Report Tv gjatë një bisedimi me një të moshuar në Devoll ka zbuluar se berberhanet janë hapur që ditën e sotme, kur në fakt ato janë planifikuar të hapen më 11 maj
Qytetari: Kam dalë vetëm se qetha kokën se isha bërë me dy koka, tani do shkoj në shtëpi. Unë e gjeta berberin hap dhe u futa, se vet nuk qetha. Po të mos ishte hapur si do të qethesha. Madje unë e pyeta a kam leje të hyjë, po më thanë hajde. Tani do të shkojë në shtëpi.
Gazetarja: Ora shënon 11:45?
Qytetari: Aq është ora, ja ku e kam orën unë. Izolimin e kam kaluar shumë mirë, pensionin na i kanë sjellë në shtëpi.
Kukësi është një nga zonat e kuqe në vend përsa i përket koronavirusit, pasi deri më tani 18 raste janë regjistruar në këtë rreth, ndërkohë që pesë prej tyre vijojnë të mbeten aktiv.
Gjithsesi qytetarët duket se e kanë harruar këtë detaj, pasi qyteti sot i ngjan një ditë të zakonshme. Rrugët, trotuaret dhe të gjithë ambientet publike janë mbushur plot, duke krijuar një situatë si në ditë të zakonshme.
Fieri nuk është pjesë e zonave të gjelbra, të përcaktuara nga qeveria por situata mëngjesin e sotëm i ngjan një dite të zakonshme.
Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, rrugët kryesore të qytetit janë të mbushura me makina dhe qytetarë të shumtë duke sfiduar COVID-19.
Lëvizjet kryesore të qytetarëve bëhen për blerje apo edhe për shëtitje, duke shfrytëzuar edhe kohën me diell.
Nga 4 maji vendit i janë shtuar edhe 18 zona të tjera të gjelbra konkretisht Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vjagurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë, Selenicë.