Dezinformimi/ Kreu i  AKSK, Tafa: Sulmet kibernetike vijnë nga Irani e Rusia, Rastet në media, INSTAT, Polici, Bankë dhe Air Albania! TikTok platformë spiunazhi kineze, të ndalohet

Po mbahet sot (23 Tetor) seanca e radhës dëgjimore në Komisionin e Dezinformimit, e drejtuar nga deputeti socialist Erjon Braçe.

Mbledhja nisi me kreun e Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Igli Tafa. Ai vuri në dukje në fjalën e tij se dezinformimet në Shqipëri vijnë kryesisht nga Irani. Gjithashtu ai u pyet nga deputeti Bardhyl Kollçaku për TikTok që shumë vende të BE dhe NATO e kanë ndaluar, duke pohuar se ajo është platformë spiunazhi e grupeve kineze dhe duhet ndaluar, sidomos në institucionet qeveritare, sektorët strategjikë dhe jo vetëm.

Deputeti Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit, apeloi që të jepet më shumë buxhet që të financohet mbrojtja teknologjike e institucioneve apo sektorit privat me programe të përparuara bashkëkohore dhe që japin siguri kibernetike.

Tafa përmendi edhe se 20 sulme kibernetike kanë ndodhur vetëm këtë vit, nga të cilat 2 s'i kanë ndaluar dot. Ka pasur 600 rrjedhje informacioni në sektorë, teksa theksoi rrezikun e lartë me qëllim destabiliteti dhe dezinformimi nëpërmjet mediave, por mohoi raste sabotimi në nivel institucional.

Tafaj shpjegoi se sulmet vijnë nga disa krahë.

“Kryesisht dezinformimin e marrim nga Irani, por dhe nga grupe të lidhura me Rusinë dhe gjithmonë ndodh sa herë ka trazira në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në veri të Kosovës, që shoqërohet me një propagandë apo dhe me sulme kibernetike nga grupe ruse”, u shpreh ai.

Teksa shpjegoi edhe procedurat që ndjek institucioni.

“AKSK ka një qasje proaktive në fazat e saj dhe një iniciativë të re, që është struktura ndërinstitucionale për inteligjencën kibernetike. Ne kemi si qëllim që të gjitha informacionet që publikohen qoftë në mediat e vendit tonë apo në mediat e huaja, që parashikohen rrezik për sigurinë kombëtare të vendit, të analizohen nga kjo strukturë, që është një grup ndërinstitucional”, tha Tafaj.

Ai shtoi se kjo duhej vendosur edhe me ligj dhe të bëhej një strukturë e përhershme, me qëllim që të funksiononte më mirë dhe të parandalonte çdo sulm të jashtëm apo të brendshëm kibernetik.

“Këtë duam ta vendosim në ligj, që nga një strukturë e përkohshëm ta kthejmë në një strukturë të përhershme që do të analizojë të gjitha këto lajme që afektojnë drejtpërdrejtë apo indirekt Shqipërinë. Duke parë këtë informacione të kuptojë sa është rreziku që i kanoset Shqipërisë”, tha ai.

Gazetarja e Report TV, Raziela Myslimaj, që ndoqi edhe mbledhjen, raporton se Tafa pëmendi disa raste të dezinformimit që janë publikuar në media, duke rrezikuar stabilitetin e vendit.

“INSTAT u godit nga Irani në 1 shkurt 2022 dhe propaganda që u hap në mënyrë të shpejtë ishte që u prek CENSI, gjë që nuk ishte e vërtetë. Edhe pse nuk kishte asnjë gjurmë të prekjes, me bazë shkencore dhe bazë faktesh, përsëri kjo propagandë u përhap në mënyrë të shpejtë. Rasti tjetër ka qenë i një banke të nivelit të dytë në fund të 2022. U përhap paniku pas sulmit të Iranit se kjo bankë kishte falimentuar dhe nuk mund të tërhiqnin më paratë, edhe këtë dolëm dhe e sqaruam, por kaluam një situatë shumë të vështirë”, tha Tafa.

Më tej shtoi se përballen çdo ditë me sulme të tilla, deri tek ato me kompanitë e fluturimeve.

“Lajme të tilla ne ndeshemi për çdo sulm kibernetik. Një tjetër rast ka qenë me Air Albania ku jepej informacion sikur paneli i pilotit ishte marrë nga hakerat, ishte një imazh dezinfomures dhe plotësisht e pavërtetë i nxjerrë në mediat sociale dhe portale”, tha ai.

Por sulmeve dezinformuese, edhe nga mediat, nuk i ka shpëtuar as Policia e Shtetit, sipas Tafës:

"Një rast tjetër ka qenë ai i Policisë së Shtetit në fund të qershorit, ku u keqinterpretua në disa gazeta për fatin e keq, në një rast edhe në një TV, ku propagandohej se policia e shtetit ishte goditur, kur nuk ishte fare e vërtetët. Policia thjesht kishte bllokuar shërbime të panevojshme, i kishte mbaruar cikli i tyre", dëshmoi ai në Komision.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:07
Dezinformimi/ Kreu i AIF, Koçi: Burime financiare për dezinformim edhe në Shqipëri, manipulim i tregut dhe pagesa nën hije me kriptomonedha

 

Ervin Koçi, kreu i AIF, duke folur te Dezinformimi

Pas kreut të AKSK për sigurinë kibernetike, radhën për seancë dëgjimore te Komisioni për Dezinformimin e pati drejtuesi për Agjencinë e Inteligjencës Financiare (AIF), ish-deputeti Ervin Koçi.

Ai theksoi se si në vendet partnere, edhe në Shqipëri ka pasur tentativa apo sulme me objektiv institucionet financiare, apo burime financimi me qëllim dezinformimin, për goditjen e tregut.

Ai ngriti si shqetësim edhe pagesat me kriptomonedha apo instrumente të tjera financiare dixhitale, me kanale pagesash jashtë mbikëqyrjes nga rregullatorët.

“Burimet e financimit që përdoren për dezinformim janë një nga sfidat në aktivitetin tonë për rritjen e efikasitetit parandalues që kërkon angazhim dhe parandalim nga të gjitha institucionet. Vitet e fundit, në shumë vende partnere kemi parë tendencë në rritje, ku subjektet e huaja duke përfshirë edhe aktorë shtetërorë apo jo shtetërorë, angazhohen në mënyrë aktive në destabilizimin e sistemeve financiare. Metodat e tyre janë të ndryshme, duke përfshirë manipulimin e tregut financiar, flukset e paligjshme financiare, sulmet kibernetike nga institucioneve financiare dhe përhapjen e dezinformatave, që synojnë minimin e besimit në ekonomi”, tha Koçi.

Më tej ai sqaroi se edhe Shqipëria nuk i ka shpëtuar këtyre tentativave:

“As vendi ynë nuk i shpëton tentativave nga vende jo miqësore apo grupe interesi, me qëllime të caktuara në ekonominë shqiptare. Për më tepër, në rang ndërkombëtar pranohet se rritja e përdorimit të kriptomonedhave dhe instrumenteve financiarë dixhitalë, ka ofruar kanale pagesash për aktorët e jashtëm, për të vepruar në hije jashtë mbikëqyrjes tradicionale rregullatorë”, shpjegoi kreu i AIF.

Ora 12:41
Kollçaku: Vende të NATO-s dhe BE-së e kanë ndaluar TikTok, po ne? Tafa: Platformë spiunazhi e grupeve kineze, duhet ndaluar dhe në institucionet qeveritare!

 

 Deputeti Bardhyl Kollçaku, sot te Dezinformimi

Gjatë seancës së sotme te Komisioni për Dezinformimin folën edhe deputetët anëtarë, duke ngritur pyetje dhe trajtuar shqetësime.

Një prej tyre ishte tematika dhe pyetja e deputetit Bardhyl Kollçaku, i cili ktheu në vëmendje rastin se në shumë vende të NATO-s ndalohet instalimi i TikTok, si i pasigurt në pajisjet zyrtare.

“Nga shumë vende të BE dhe NATO është i ndaluar instalim i TikTok në pasjisjet zyrtare, për natyrën e dyshimtë që ka. Në Shqipëri mendoni të ketë një iniciativë të tillë?”, pyeti ai.

Kurse kreu i AKSK, Igli Tafa, u përgjigj, duke dhënë edhe sugjerime emergjente për ndalimin e saj, si platformë spiunazhi e grupeve kineze, që marrin nga telefonat dhe kompjuterat tanë informacione sensitive apo të sigurisë kombëtare nëse e instalon softuerin e saj.

Ai tha se ajo përben rrezik dhe duhet ndaluar sidomos në institucionet qeveritare:

“TikTok është një platformë kineze. Ne e kemi marrë një iniciativë, por jo në nivel kombëtar, por në infrastrukturat kritike dhe të paktën të niset edhe në institucionet qeveritare, që mos ta kenë tiktok-un, sepse duke qenë platfomë kineze mund të hapi shërbime dhe porta në celularin apo PC (kompjuter), dhe që aty je nën vëzhgimin apo spiunazhin e grupeve kinenze. Kjo është një gjë që Kina e bën shpesh. Ndryshe nga grupet iraniane që kanë efektin e shpërthimit dhe shkatërrimit të gjithçkaje, grupet kinenze nuk punojnë në këtë mënyrë. Në mënyrë shumë të qetë mund të jenë në telefonin apo PC tuaj për vite të tëra. TikTok është një softuare që kur e pranojmë, i themi hajdeni dhe merrni informacionin tonë. Në rast se në telefonin apo PC tonë ka informacione sensitive që lidhen me shtetin apo sigurinë, kjo iniciativë, që ka ngelur vetëm iniciativë, duhet të vazhdojë”.

Ora 12:33
Dezinformimi/ Braçe: Të shtohet buxheti për të financuar ndryshimet teknologjike, të mbrojmë sistemet tona kibernetike dhe sektorët strategjikë nga sulmet

 

Erjon Braçe, kryetari i Komisionit të Dezinformimit, sot në seancën dëgjimore

Kryetari i Komisionit të Dezinformimit, Erjon Braçe, u shpreh sot se duke përfituar nga rasti që janë para buxhetit të vitit 2025, të kërkohet vëmendje më e shtuar financiare ndaj institucioneve për ndryshimet teknologjike, me qëllim mbrojtjen e tyre nga sulmet kibernetike.

“Përfitojmë nga rasti që jemi para buxhetit të vitit 2025 dhe vëmendja duhet të jetë e shtuar ndaj insitutcioneve për të financuar ndryshimet teknologjike. Standardi i kësaj teknologjie duhet të miratohet nga ju (i drejtohet kreut të AKSK) si institucioni që merret me sigurinë kibernetike dhe miratimin e një liste të vendeve ku duhet dhe ku nuk duhet të adresohemi për të marrë tekonologji për mbrojtjen e sistemeve tona. Jo vetëm për sektorin publik, por edhe për atë privat. Ne duhet të udhëheqim edhe sektorin privat në origjinën e tekonologjisë që duan të adoptojnë brenda sistemeve të tyre. Veçanërisht në sektorët strategjikë dhe të sigurisë kombëtare”, tha Braçe.

Ora 12:18
Kreu i AKSK: Për dezinformimin në portale nuk ka rregullator dhe mekanizëm për të vendosur ‘diktaturë’! Japin atë që duan të japin!

 

Seanca e sotme te Komisionit për Dezinformimin 

Në Komisionin e Dezinformimit është ngritur edhe çështja e problematikave me dezinformimin në disa media dhe kryesisht portale.

Kreu i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa, vuri theksin tek mungesa e kapacitetit ligjor aktual, por edhe rregullat më të forta dhe kapacitetet njerëzore për ta ushtruar më mirë funksionin e parandalimit dhe ndëshkimit.

“Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse nuk ka një rregullator të portaleve që të vendosë diktaturë, në thonjëza, për të ruajtur stabilitetin”, shpjegoi ai.

Tafa shpjegoi edhe raportin me mediat se si veprohet:

“Për portalet ka një boshllëk në rastet kur ne ndeshemi me dezinformim. E vetmja gjë që bëjmë është nxjerrja e një deklarate zyrtare, dhe dalja në media për të sqaruar situatën dhe për të informuar publikun. Nuk ka një mekanizëm që të penalizojë apo të parandalojë këtë gjë, pasi portalet janë plotësisht të pavarura, japin atë që duan të japin”, tha Tafa.

Ai shtoi gjithashtu se për këtë pjesë “nuk ka një mekanizëm, sepse nuk ka një rregullator për portalet që t’i filtronte të gjitha këto informacione”.

Ora 12:09
Dezinformimi/ Tafaj: S’kemi evidenca për sabotues, por ka alert! Vetëm këtë vit pati 600 raste rrjedhje informacioni dhe 20 sulme kibernetike, 2 s’i ndaluam dot

 

Kreu i AKSK, Igli Tafa, sot te Dezinformimi

Kreu i AKSK për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, teksa foli në raportimin e tij para anëtarëve të Komisionit të Dezinformimit, shpjegoi edhe me shifra rrezikun që kanoset, rastet e evidentuara, mundësinë e sabotimit nga brenda të institucioneve dhe rrjedhjes së informacionit nga infrastrukturat, kritike siç e quajti ai, apo qytetarët.

Dhe jo pak, pasi ka pasur 600 raste rrjedhje informacioni vetëm për këtë vit, periudha janar-gusht dhe 20 sulme kibernetike, nga të cilat 2 s’janë ndaluar dot.

“Nuk kemi evidencë nëse kemi pasur njerëz të paguar që punojnë për institucionin dhe duan të sabotojnë shërbimet, por sigurisht jemi në alert. Përsa i përket rrjedhjes së informacionit, vetëm në vitin 2024, janar-gush, janë vërejtur 600 raste të rrjedhjes së informacionit nga infrastrukturat kritike dhe në nivel qytetarësh mbi 5600 raste. Në vitin e kaluar jemi ndeshur me 49 sulme dhe këtë vit 20 sulme, vetëm në dy raste nuk kemi arritur ta parandalojmë për shkak të sofistikimit që kishte sulmi”, shpjegoi Tafa.

Por si veprohet në këto raste për t’i ndëshkuar apo parandaluar.

“Në të tilla raste kur kemi raportime, gjëja e parë që bëjmë është evidentimi nëse ky lloj informacioni çfarë kontenti (përmbajtje) ka dhe ku e rrezikon infrastrukturën dhe menjëherë bashkëpunohet me SKEP për bllokimin e IP-ve dhe pastaj bashkëpunohet me Policinë e Shtetit dhe e ndjekim deri në zgjidhjen e saj”, tha kreu i AKSK.

A.Q/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

SHBA, kufizon eskportet e pajisjeve që mund të përdorë Kina për armatimet

SHBA, kufizon eskportet e pajisjeve që mund të përdorë Kina për armatimet