Dezinsektimi, Beqaj: Reduktojmë
prezencën e mushkonjave në bregdet

Dezinsektimi, Beqaj: Reduktojmë<br />prezencën e mushkonjave në bregdet
Plot 50 hektarë sipërfaqe është dezinsektuar në zonën e Shkodrës dhe atë të Velipojës gjatë këtij viti. Nuk ka qenë vetëm sipërfaqja e zonave bregdetare, por edhe kanalet, pusetat dhe bodrumet pranë këtyre zonave, ato që janë përfshirë gjithashtu në këtë proces të kontrollit të përhapjes së mushkonjave apo insekteve të tjera të dëmshme.
 
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një inspektimi të punës në terren të një prej ekipeve që po zbaton programin e dezinsek të Ministrisë së Shëndetësisë, ka pohuar se ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës. “Procesi i dezinsektimit po kthehet tashmë në një proces të konsoliduar që Ministria e Shëndetësisë bën përgjatë gjithë zonës ligatinore të Ultësirës Perëndimore, por edhe në disa qytete kryesore të vendit,” – tha ai.
 
“Edhe në Velipojë, është viti i dytë që zbatojmë këtë procedurë,” – vazhdoi më tej Beqaj, duke shtuar se, praktikisht, ka një përmirësim të ndjeshëm të reduktimit të prezencës së mushkonjave në orare të caktuara të ditës. “Besoj se kjo ndihmon jo vetëm në mbarëvajtjen e sezonit turistik duke pakësuar bezdisjen ndaj pushuesve, por sigurisht ul shumë edhe rrezikun që nëpërmjet tyre mund të merren sëmundje të cilat janë të dëmshme për shëndetin e njeriut,” pohoi Beqaj.
 
Sa i përket preparateve të përdorura, ato janë krejtësisht agjentë biologjikë, në mënyrë që të mos ketë shkatërrim të florës dhe faunës në zonat e dezinsektuara. “Ky trajtim, po realizohet për herë të parë, pasi përdoren mjetet nga më të mirat, janë mjete biologjike, për luftimin e larvave dhe mushkonjave. Tashmë, nuk ka më insekticide kimike, të cilat dëmtojnë florën dhe faunën, duke mos pasur asnjë ndikim tek njerezit, kafshët apo edhe qëniet e tjera më të vogla,” ka pohuar Dr. Jorgji Petrokosta, Mjek Epidemiolog dhe drejtues teknik i këtij programi në këtë rajon.
 
Nga matjet e realizuara nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit të Shkodrës, rezulton se në zonat e dezinsektuara nuk ka prani të larvave të mushkonjave. “Aktualisht, ne kemi përfunduar trajtimin e dytë në Shkodër dhe në Velipojë. Duhet thënë që, në total, janë dezinsektuar rreth 50 ha sipërfaqe, dhe gjithashtu, janë dezinsektuar rreth 2 mijë m2 sipërfaqe në bodrume vetëm në qytetin e Shkodrës, si dhe rreth 1 mijë m2 të tilla në Velipojë. Ne besojmë që, pas këtyre trajtimeve, do të kemi rezultate shumë të mira, ashtu sikurse edhe vendet e tjera që i kanë aplikuar këto metoda,” ka pohuar Dr. Artan Mesi, Mjek Epidemiolog, Shef i Shërbimit të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve Infektive, DRSH Shkodër.
 
Deri tani, janë bërë 2 trajtime dezinsektimi të zonave bregdetare të Shkodrës dhe Lezhës, duke përdorur teknikat e Cold-fogging (Bti WG); Pompave me presion të lartë (Bti WG); dhe Atomizatorit të shpinës për granula (Bti G) për sipërfaqet e gjera, ndërsa Granulatorët e dorës (Bti + Bsph) janë përdorur për pusetat; dhe Dozatorët për lëng (film monomolecular) për bodrumet.
 
Procesi i dezinsektimit në zonën e Shkodrës dhe Velipojës do të vazhdojë deri në fund të muajit tetor.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit