VLORË- Pas më shumë se 15 orësh kërkimesh, uniformat blu kanë mundur të lokalizojnë nëpërmjet GPS çiftin e turistëve nga Hungaria S.D dhe B.M në zonën e Karaburunit në Vlorë rreth orës 06:30 të mëngjesit. Pasi janë gjendur se ku janë policia është nisur menjëherë në drejtim të tyre por terreni ishte tepër i vështirë dhe gjetja është bërë rreth orës 10:00 pranë vendit të quajtur 'Lerat' në Llogara në gjendje të mirë shëndetësore.
Çifti kishte humbur kontaktet, rrugën dhe orientimin një dite më parë dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, e kishte të pamundur kthimin mbrapa. Ata sapo kishin humbur kishin lëshuar sinjalin SOS, por më pas për shkak të errësirës dhe terrenit t vështirë kishin vendosur ta kalonin natën në çadrën e kampingut që kishin me vete. Zona ku ata ngritën çadrën ë kampingut rezultoi pa mbulim me valë telefonike dhe kjo e ka bërë të pamundur që policia të lidhet me ta. Ndërkohë vetëm gjatë mëngjesit të sotëm, uniformat blu kanë mundur të lokalizojnë dhe të shpëtojnë çiftin e turistëve.
Çifti hungarez janë të moshave 35 dhe 40 vjeç dhe makinën e tyre e kishin lënë të parkuar pranë një lokali në zonën ku më pas humbën. Kjo ka bërë që policia të ngushtojë rrethin e kërkimeve dhe në këtë mënyrë ka gjetur pas 15-orësh turistët. Për gjetjen e tyre Policia e Vlorës ngriti grupe kërkimi nga Drejtoria Vendore e Policisë, Policia Kufitare nëpërmjet mjeteve lundruese dhe Repartit Delta.