Rrjeti në Itali ka shpërthyer në ofendime dhe akuza ndaj kamionistit të dehur që aksidentoi familjen shqiptare në Itali, foshnja e së cilës humbi këmbën. Familjarët kërkojnë drejtësi, duke thënë se fëmijës së tyre iu shkatërrua e ardhmja. Komentuesit, thirrje ministrit Salvini për të marrë masa të ashpra.
"Nuk mund ta falim kurrë një gjest të tillë. Ai burrë ishte i dehur dhe ka shkatërruar përgjithmonë jetën e fëmijës sonë. E vetmja përgjigje për të, është burgu". Ka dhimbje dhe inat në fjalët e prindërve të vogëlushit 15 muajsh, që u aksidentua të premten, pak pas orës 17:00, nga një kamion në qendër të Marostica, të Italisë. Në timon ishte një 58-vjeçar, Pietro Dal Santo i cili ishte duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Për babain dhe nënën e vogëlushit, nuk ka paqe. "Asnjë hakmarrje - theksojnë ata - por drejtësi po, atë e duam. Dhe të jetë drejtësi e vërtetë, e gjatë dhe e dhimbshme, siç duhet të jetë ndaj një personi që shkatërron të ardhmen e një fëmijë. "Jemi me origjinë shqiptare - shtojnë ata - jetojmë prej shumë vitesh në Marostiva, dhe kemi shumë miq, por në këto momente ngremë një pyetje: Nëse do të ishte ndryshe situata, dhe unë do të isha shoferi, dhe fëmija i shtypur të ishte italian?! Edhe për këtë arsye nuk mund ta fal".
Mjekët e spitalit të Padovas, ku i vogli është duke u trajtuar prej së premtes, thonë se foshnja është ende në gjendje të rëndë. I është prerë këmba e djathtë dhe ka fraktura në të gjithë trupin. Për ta marrë veten, do të duhen vite - thonë mjekët.
Aksidenti ndodhi teksa prindërit shqiptarë ishin duke shëtitur në një park të vogël pranë sheshit kryesor të zonës, së bashku me vogëlushin e tyre, i cili ishte në karrocë. Kamioni i erdhi në mënyrë të papritur, duke lënë të plagosur lehtë nënën djalit. ndërsa babai me fëmijën tjetër më të madh ishin pak më tutje, kur kanë parë, para syve të tyre skenën e tmerrshme.
Pas aksidentit shoferi i kamionit ra në pranga pasi tentoi të largohej nga postblloku i policisë, ku u evidentua qartë se ishte i dehur. Ndaj tij në Itali ka shpërthyer një revoltë shoqërore për tragjedinë me familjen shqiptare dhe irritim ndaj kamionistit që drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Edhe në rrjetet sociale kanë shpërthyer komentet kundër tij, në foto që ai postonte përgjithësisht duke konsumuar alkool, siç është edhe kjo foto ku ai shfaqet me një gotë birrë.
Autori Pietro Dal Santo
Pas shokus dhe inatit social, komuna ka hapur një fond për t'i ardhur në ndihmë familjes, ku qytetarët kanë vërshuar të kontribuojnë për të lehtësuar sadopak dhimbjen dhe momentin e vështirë që po kalon familja shqiptare.
Ndërkohë për ngjarjen ka folur edhe sekretari i Përgjithshëm i të majtës italiane, Nicola Fratoianni i Liberi dhe Uguali: " Edhe sot ministri Salvini nëpër rrjete sociale foli për gjithçka dhe për të gjithë. Por po prisja dhe një koment të ashpër për rastin e kamionistit të dehur ...Por nuk ndodhi gjë!! U zhgënjeva shumë, sepse ky kamionist nuk është person me ngjyrë, emigrant apo i ardhur nga Afrika me varka dhe kështu nuk meriton vëmendjen e tij?!"