Dhimbjet e kockave janë ndër shqetësimet më të përhapura të kohëve moderne. Ritmi i shpejtë i jetës, qëndrimi i gjatë ulur, mungesa e aktivitetit fizik, por edhe faktorë të tjerë si mosha, ushqyerja jo e balancuar apo stresi, bëjnë që shumë njerëz të përballen çdo ditë me probleme që lidhen me kockat dhe nyjet. Këto dhimbje jo vetëm ndikojnë në cilësinë e jetës, por shpesh kufizojnë edhe aktivitetet më të thjeshta të përditshme.

Megjithatë, natyra ofron një sërë zgjidhjesh të vlefshme. Bimët mjekësore dhe disa ushqime të caktuara kanë veti të rëndësishme që ndihmojnë në forcimin e kockave, reduktimin e inflamacionit dhe lehtësimin e dhimbjeve në mënyrë natyrale. Për këtë temë u diskutua në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me specialistin e njohur të bimëve mjekësore, Ylli Merja, i cili ndau disa këshilla për mënyrat natyrale të kujdesit për shëndetin e kockave.

Sipas tij, skeleti i njeriut është një strukturë shumë e rëndësishme për organizmin. Ai përbëhet rreth 75% nga minerale dhe 25% nga ujë dhe shërben si mbrojtës i organeve të brendshme, si prodhues i qelizave të gjakut dhe si depo e rëndësishme e kalciumit dhe fosforit në trup. Skeleti është gjithashtu sistemi që mban trupin në këmbë dhe, në bashkëpunim me muskujt, siguron lëvizjen e njeriut.

Përmbajtja minerale e kockave përfshin kalciumin, fosforin, natriumin, kaliumin dhe magnezin, si edhe minerale gjurmë si zinku, mangani dhe hekuri, të cilat janë thelbësore për forcimin dhe mineralizimin e tyre.

“Jeta sedentare, obeziteti dhe ushqyerja jo e shëndetshme janë tre nga faktorët kryesorë që kanë rritur ndjeshëm numrin e njerëzve që vuajnë nga problemet dhe dhimbjet e kockave”, theksoi Ylli Merja. Sipas tij, ushqimet e përpunuara, fast-food, brumërat e tepërta, alkooli, pijet energjike dhe sheqeri ndikojnë negativisht në përthithjen e mineraleve të rëndësishme nga organizmi, veçanërisht të kalciumit.

Ai shton se disa nga ushqimet më të pasura me kalcium janë farat e susamit, bajamet dhe frutat e thata, të cilat ndihmojnë në forcimin e kockave. Mungesa e kalciumit e bën kockën më poroze dhe më të brishtë. Ndërkohë, me kalimin e moshës dhe në rastet e obezitetit, pakësohet edhe lëngu sinovial në nyje, gjë që bën që kockat të fërkohen me njëra-tjetrën dhe të shfaqen dhimbjet.

Pse dhembin kockat dhe kyçet?

Dhimbjet e kockave mund të shkaktohen nga shumë faktorë, si:

  • Çrregullime në metabolizmin e kockave
  • Inflamacione në kyçe, tendina dhe ligamente
  • Mungesë mineralesh në ushqyerje, veçanërisht kalcium, fosfor dhe magnez
  • Tharje të lëngjeve sinoviale në kyçe
  • Lakime të këmbëve
  • Shtrembërime të qafës ose të mesit
  • Mungesë të vitaminës D dhe vitaminës B12
  • Osteoporozë
  • Artrit dhe poliartrit
  • Menopauzë
  • Probleme të tiroides dhe paratiroides
  • Dhjamosje të mëlçisë apo sëmundje të veshkave
  • Mungesë aktiviteti fizik dhe obezitet
  • Fraktura apo plakja natyrale e kockave

“Pas moshës 30–35 vjeçare, çdo njeri duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi shëndetit të kockave dhe mineralizimit të tyre”, këshillon Merja.

Trajtime alternative për dhimbjet e kockave

Specialisti sugjeron edhe disa mënyra natyrale që mund të ndihmojnë në forcimin e kockave dhe në lehtësimin e dhimbjeve:

• Për forcimin e kockave dhe tendinave:
Në një pjatë përzihen 1 gotë kos, 2 lugë muesli, 1 lugë tahini, 1 lugë osteomer, 1 lugë kardiomer dhe rreth 20 fijë shafran. Konsumohet si vakt mëngjesi dhe ndihmon në mineralizimin e kockave.

• Lëngu i kockave:
Rekomandohet të pihet një gotë lëng kockash në drekë, pasi është i pasur me minerale dhe kolagjen.

• Përzierje natyrale me lëvozhga veze:
Merren 5–6 lëvozhga veze dhe vendosen në një enë qelqi me lëngun e 3-4 kokrra limoni derisa të mbulohen. Lihen të qëndrojnë për 6–7 ditë. Më pas shtohen 3–4 lugë mjaltë, 2 lugë xhinxher të bluar dhe 1 lugë çaji shafran pluhur. Përzihen mirë dhe konsumohen dy herë në ditë nga një lugë çaji.

• Çaj bimor:
Përgatitet me hithra, rradhiqe, këputje, tërfil të kuq dhe bar blete. Nga një dorë nga secila bimë zihen për 2 minuta në 1.5 litra ujë dhe konsumohen 2–3 gota në ditë para buke.

• Trajtimi nga jashtë:
Për lehtësimin e dhimbjeve mund të përdoret vaj balsamik me xhenxhefil, spec djegës, esencë dafine dhe rozmarinë, duke masazhuar kyçet 1–2 herë në ditë.

• Për dhimbjet e gjurit:
Grijmë 100 gram lakër të bardhë, 1 patate dhe 1 lugë çaji kripë. Përzierja vendoset mbi gju, mbështillet dhe lihet për 2–3 orë.

Kujdesi për kockat përmes ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik dhe përdorimit të kurave natyrale mund të ndihmojë ndjeshëm në ruajtjen e shëndetit të tyre dhe në parandalimin e dhimbjeve që shfaqen me kalimin e viteve.