Dhimitër Xhuvani: “Tuneli”, anët e
errëta të dënimit të një shkrimtari

Dhimitër Xhuvani: “Tuneli”, anët e<br />errëta të dënimit të një shkrimtari
Dosja “Tuneli”. Kështu mund të quhej historia e dënimit të shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, një histori që nuk kurseu as shkrimtarin, por as personazhet e romanin të tij të shumë diskutuar në shtypin e vitit 1966 me titullin “Tuneli”. Të dënosh personazhet e një romani ngjan e pabesueshme, e çuditshme, mizore. Por në kohën e diktaturës gjithçka mund të ndodhte.
Gjithçka jepet e detajuar, në revistën Nëntori, numrin 7, i vitit 1991, menjëherë pas përmbysjes së regjimit, ku botohet një dosje e plotë e kësaj ngjarje. Kryeredaktori i kësaj reviste në këtë kohë Kiço Blushi, interviston shkrimtarin Dhimitër Xhuvani dhe veç rrëfimit të tij mbledh gjithë sulmet e bëra në media ndaj kësja vepre dhe vetë shkrimtarit. E konceptuar si një rubrikë e re në revistën Nëntori me titull “Shkrimtarë, vepra, dosje” kjo histori dënimi ngjall kureshtje edhe sot. Për lexuesit po e sjellim të plotë këtë dosje, përgjedhur nga koleksioni i revistës “Nëntori”.
 
 
Shkrimtarë, Vepra, Dosje
 
Bashkëbisedim në redaksi i Dhimitër Xhuvanit Me kryeredaktorin kiço blushi
 
Dhimitër Xhuvanit revista i botoi romanin “E diel pas vdekjes”. Pas botimit të këtij romani, e ftuam në redaksi për të zhvilluar një bisedë. Me këtë rast, vendosëm të hapim një rubrikë të re: “Shkrimtarë, vepra, dosje”. E shohim të udhës që këtë rubrikë ta nisim me rishkrimin e ribotimin e disa kritikave të bëra ndaj romanit “Tuneli”. Siç dihet, ky roman pati jehonë të madhe në shtypin e vitit 1966. Pas kritikës, autori u çua për riedukim në hidrocentralin që ndërtohej asokohe në Bistricë, aty ku zhvilloheshin ngjarjet e romanit. Atje punoi si punëtor krahu në transport, saldator, elektricist, hekurkthyes etj. Pas shumë vitesh, u kthye redaktor në Kinostudio.
 
Dhimitër, mbaj mend që romani yt u përpi nga lexuesi shqiptar, si asnjë vepër tjetër e botuar pas çlirimit. Sidomos pas kritikës në shtyp, ai kaloi dorë më dorë edhe pse u ndalua qarkullimi i tij si një krijim heretik. Kritika, në vend që ta shuante, e rriti kërshërinë. Kanë kaluar qysh atëherë 25 vjet dhe besoj se nuk jua ka ënda të kujtoni ngjarjet pas botimit të “Tunelit”, që ju çoi fizikisht të punonit në tunel. Si fillim, mund të na thoni si lindi “Tuneli”? Lindi si një vepër që vinte nga nevoja e brendshme e autorit, apo ndikuan edhe rrethanat shoqërore e politike të viteve 1960?

Romani “Tuneli”, si shumica e veprave të mia letrare, mund të them se lindi nga mbresat dhe përshtypjet e forta që pata mbledhur si gazetar. Mbaj mend se hidrocentrali i Bistricës, që u quajt “J. V. Stalin”, ishte në faqet e para të gazetave e revistave, si dhe të kronikave filmike e të radios. Ishte një ushqim shpirtëror i përditshëm i mbushur me shpërthimet e minave në tunel, me heroizmin e klasës punëtore, me vetëmohimin e inxhinierëve të rinj, me cicërimat e bilbilave të Muzinës etj. Të gjitha këto i shpreha në mënyrë të kursyer në reportazhe, tregimin “Magnetofoni”, si dhe në skenarin e filmit dokumentar “Bistricë 63” të V. Gjikës, që u mirëprit dhe u nderua me çmim Republike. Sigurisht, edhe unë që pashë me sytë e mi, njoha dhe ndjeva nga afër sakrificat sublime, s’mund të isha gjakftohtë e larg ndikimeve të rrethanave shoqërore e politike të viteve 60, kur po vendoseshin e po bëheshin norma të reja të jetës sonë mbështetja në forcat e veta deri në vetëmohim. S’mund të them se isha i ndërgjegjshëm për prognozën e pasojat e kësaj teorie që na çuan dhe në izolim nga bota. Si shkrimtar intuitiv dhe realist shkrova atëherë një të vërtetë të hidhur.
 
Ç’kujtime keni sot, pas kaq vitesh, nga kritika e ashpër që u bë për “Tunelin”? Ekziston një kritikë në koleksionet e gazetave dhe revistave. Kishte dhe një kritikë tjetër “të pagabuar” të opinioneve shoqërore?
 
Edhe pse me veten time dhe në raste të rralla, kur ka rënë fjala për romanin “Tuneli”, kam thënë të shkuara të harruara, kujtimet e hidhura në çdo jetë njeriu, mbeten të hidhura. Fushata e kritikave të shumta zgjati kiamet, mbi disa muaj, që nga gazetat e përditshme, si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, nga gazetat periodike “Zëri i Rinisë”, “Drita” dhe nga revistat mujore “Nëntori”, “Rruga e Partisë” etj. Shumë kritikë, amatorë dhe kolektiva punonjësish e inxhinierësh shkruan kundër “Tunelit”, duke mos e ndarë veprën nga autori. Dhe unë vetë shkrova autokritikë kundër vetes. Ishte e pamundur që t’i bëja ballë asaj stuhie.

Ma do mendja se ashtu siç më detyruan mua të shkruaj kundër vetvetes, u kanë kërkuar dhe të tjerëve të shkruajnë kundër “Tunelit”. Sigurisht që pati dhe të zellshëm e të bindur. Të ishin shkrime pluraliste dhe pa pasoja për mua, s’do të më vinte dhe aq keq. Pluralizmi qe i heshtur, pëshpëritej në vesh, madje me frikë, se fatkeqësisht, pati dhe dy raste që romani “Tuneli” shërbeu si dëshmi për agjitacion e propagandë në dosjet e një letrareje të re e të një shkrimtari të ri.
Me kalimin e kohës ra furia e stuhisë. Mbetën të dukshme e të fshehura njëkohësisht dy qëndrime: njëri zyrtar e i ftohtë që më ndoqi pas për një kohë shumë të gjatë, edhe pas periudhës së kryerjes së dënimit me punë krahu, edhe pse kisha botuar dramën “Pas dy vjetësh” e romanin “Përsëri në këmbë” dhe tjetri dashamirës e mëshirues, miratues i veprës, e cila lexohej në mënyrë klandestine.
 
Ç’pasoja pate pas kritikës dhe dënimit?
Sapo filloi kritika nisën dhe pasojat. Nisi me një tingëllim të ziles së telefonit në redaksinë e gazetës “Drita”. Sa njoha zërin e kryeministrit, ia zgjata dorezën e telefonit shokut të zyrës, Andon Kuqalit, i cili mori porosinë që unë duhej të shkoja në hidrocentralin “J. V. Stalin”, dhe të shikoja me sytë e mi gabimet e mia, të punoja e të jetoja...
Po atë ditë apo të nesërmen më thërret në zyrë Shevqet Musaraj, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai mbante në dorë librezën time të punës dhe pa sqaruar asgjë si e qysh, më thotë:

- Nashti, si t’ia bëjmë, si ta shkruaj këtu largimin tënd nga Lidhja e Shkrimtarëve?
- Si të keni marrë urdhër, - i them tepër i trishtuar dhe i habitur që s’do të punoj më në Lidhjen e Shkrimtarëve, që s’do të jem më shkrimtar, që s’do të kem më as të drejtën e botimit me afat të pacaktuar, fjalë, të cilat i kisha dëgjuar korridoreve të Lidhjes.
- E di si është puna? Ta shkruajmë në mënyrë të atillë, që mos të të shohin shtrembër kudo që të vesh. Ja, për shembull, largohet me dëshirën e tij, mirë?
Të pasnesërmen u bë një mbledhje e madhe në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, por unë s’vajta. U nisa me autobusin e linjës për në hidrocentralin “J. V. Stalin”, “vullnetarisht”, “me dëshirën time”, duke lënë në shtëpi babanë dhe nënën e sëmurë, motrën studente, dy fëmijët e vegjël dhe gruan. S’kam udhëtuar kurrë në jetën time aq i trishtuar. Gjashtë vetë me një rrogë të vogël mësuese filloreje. Ngushëllimin e gjeta vetëm te shprehja e popullit “ka dhe më keq”. Ka dhe burg, ashtu siç u burgosën shumë krijues në ato vite. Unë isha “i lirë” veçse shumë larg, në ekstremin më jugor të vendit.

Në pikat e kontrollit të policisë, si tek ura e Rrogozhinës, në Sevaster, në Tepelenë, në të hyrë të Gjirokastrës, në Qafë të Muzinës, policët qëndronin gjatë para pasaportës sime e fytyrës sime. Vështrimet e tyre tepër të vëmendshme sikur paralajmëronin një prognozë të hidhur, që fatkeqësisht u vërtetua më vonë. Sa më shumë që kalonin muaj e vite unë do të zhvendosesha e vërtitesha në kantiere, si në Sarandë, në Durrës, në Elbasan, e në Tiranë, gjithnjë si punëtor krahu, vështrohesha nga sekretarët e instruktorët e komiteteve të Partisë, nga sekretarët e komiteteve ekzekutive, nga shefat e kuadrove si njeri i dyshimtë, i rrezikshëm. Krejt i kundërt me këtë pozicion ishte qëndrimi i punëtorëve, i brigadierëve, i inxhinierëve, i kuzhinierëve, i bufetierëve, i shoferëve të kantiereve.

Të gjithë këta më trajtonin si një “mik të rrallë, të vjetër e të sëmurë”, që kisha nevojë për miqësi, dashamirësi dhe për ushqim. Si prototipa për të ilustruar këtë fakt “sipas tipikes së realizmit socialist” dhe në pamundësi për t’i përmendur të gjithë, kujtoj me mirënjohje të thellë inxhinier Sokrat Kolivopullin, Bardhyl Balzën, teknikët Fiqiri Veizi, Sami Karapici e shumë të tjerë si dhe të birin e kryeinxhinierit, Ladin, që asokohe bënte praktikë në kantier. Përzemërsia e tij, respekti e shoqëria me të, ishte për mua diçka e habitshme. Atë e bir, njëri kundër e tjetri pro, jo vetëm ndaj romanit tim, por ndaj meje, njëlloj siç ishin kundër e pro dy qëndrime të dy sferave të gjera: zyrtarëve dhe njerëzve të thjeshtë.

Për gjithkënd që dënohej, me ligj ose pa ligj, rëndë apo lehtë, siç qe rasti im, përnjëherësh vinte e binte hija e dënimit dhe mbi familjen. Çdo sferë nëpunësish tregonte devotshmëri e besnikëri ndaj fushatës së madhe “Anti-Tunel”. Disa burokratë parimorë iu sulën shtëpisë sime në Rrugën e Durrësit, një apartament i zakonshëm prej dy dhomash e një kuzhinë, ku jetonin pa mua, tri kurora; ata të seksionit të arsimit iu sulën gruas sime për ta nisur në fshat, vëllait tim të vogël në Elbasan që sapo ishte kthyer nga ushtria jo vetëm ia morën apartamentin, por për një kohë të gjatë nuk i dhanë strehim, ndonëse ishte i martuar e me një fëmijë të vogël.

Prindërit e sëmurë (mbase aq e kishin të shkruar), vdiqën njëri pas tjetrit brenda gjashtë muajve. S’do ta kujtoja vdekjen e prindërve, sepse para vdekjes jemi të pafuqishëm dhe se me të njeriu s’duhet të abuzojë, por unë s’besoj të kem rast tjetër për t”i kërkuar ndjesë nënës, të cilën, kur po mbyllte sytë e po jepte shpirt, e gënjeva, i thashë se dënimi im mori fund, se unë u ktheva në shtëpi, gjë që u realizua shumë vonë, dhe me shumë peripeci sa qesharake aq dhe tragjike për fatin e njeriut të shkretë, jeta e të cilit çuditërisht është lodër fjalësh në gojën e zyrtarëve.

Kisha filluar të botoja tregime në gazetën “Drita”, drama “Dasma e madhe e dritave” ishte vënë në skenë nga trupa amatore e Kombinatit të Tekstileve “Stalin” dhe kishte fituar flamurin e kuq të asaj gare festive të Nëntorit, apo çmimin e parë, megjithëse i bënë shumë luftë nga ministria e nga një delegacion i ardhur posaçërisht nga Elbasani, e megjithatë unë akoma s’kisha të drejtë të jetoja pranë familjes sime në Tiranë, qoftë dhe si punëtor, tani me kategori të tretë, si elektricist, të dytën si hekurkthyes e të gjashtën (të pestën të re) si saldator. E ç’rëndësi kishte e ç’dëm i sillte djersa ime ndërtimit të socializmit tashmë krejtësisht me forcat tona (se parulla kishte avancuar) që unë të punoja në rrethin e Tiranës, ku kisha dhe kam pasaportizimin dhe jo në rrethet larg saj?

Diplomat e mia si ndihmësmjek i shkollës së parë të mesme mjekësore, si mësues i gjuhës, i letërsisë e i historisë i Universitetit të Tiranës, si shkrimtar që kisha studiuar në “Institutin e Letërsisë Gorki”, u kthyen në të zezën time. Jo vetëm që këto diploma s’pinin ujë, por ishin ato që s’më lejonin të hyja përsëri në Tiranë. Si e qysh ndodhi, do të përgjigjem në pyetjen se si e sa ndihmon e interesohet organizata jonë e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe e Artistëve” për anëtarët e saj.
 
A e kanë pësuar, veç teje, redaktorët, botuesit apo edhe prototipat tuaj?
Po. Sidomos Vandush Vinçani, por më e dhimbshme është që e pësoi dhe një prototipe e romanit, ish-infermierja e kantierit të Muzinës. Meqë në realitet ishte një infermiere e vetme në ambulancën e kantierit, gjë që përkonte edhe në roman, të quajtur nga unë me emrin Vaide e të krijuar si personazh letrar me një biografi letrare të fantazuar, e cila ndonëse e martuar me Kasemin (po personazh letrar), bën dashuri me inxhinierin e kantierit Gjin Kulprin (po personazh), u ngatërrua, u njësua dhe më saktë të themi iu atribuuan asaj peripecitë e heroinës së romanit.

Nga personazhi real, infermierja e kantierit, ajo që e kisha njohur në kohën kur grumbulloja material, kisha futur te Vaideja, personazhe e fantazisë, cilësitë e saj të rralla si infermiere, dashurinë për punën e për njerëzit, devotshmërinë e saj, por jo korrektësinë e ndershmërinë e saj si qytetare. Vaideja përfaqëson një kategori të grave shqiptare që jeton në kushtet shumë të vështira të një kantieri të izoluar, që sakrifikon në mënyrë sublime e të heshtur, që ëndërron marrëdhënie të reja e të lira, që është e predispozuar të mbushë boshllëkun shpirtëror pa ditur se si. Është një flutur që shkon drejt dritës, pa e ditur se i digjen krahët delikatë. Kritika e atëhershme mbajti qëndrim ndaj Vaidesë dhe burokracia atë gjë bëri. Meqë u shkurtua vendi i punës së infermieres së kantierit të Muzinës, e dërguan në prodhim, i dhanë një lopatë që të mbushte gropat e rrugëve të kantierit, pavarësisht se ajo ishte një infermiere e mirë dhe një grua e respektuar.

Sapo kisha vajtur në kantierin e Bistricës. Bashkë me dy punëtorë ngarkim-shkarkimi grumbullonim trarë, dërrasa e hekura të mbetura e i transportonim nga kantieri në qendër me një makinë “Zis”. Duhej të bënim pesë rrugë në ditë që të nxirrnim pagën minimale. Makina qëndroi. Para nesh një grua, që kishte mbuluar fytyrën me një shami të bardhë si mandilet e dropulliteve, mundohej të mbushte me lopatë një gropë në mes të rrugës. Ajo po na vononte. Si më i riu që isha, zbres nga makina, ia marr lopatën nga dora dhe nisa të mbush gropën. Nuk e njoha fare dhe nuk i fola, i bindur se do të më thoshte faleminderit që po e ndihmoja.

Ishte e djegur nga dielli dhe e rrudhur. Dhe në moshë m’u duk e madhe. S’di pse vështrimet tona kryqëzoheshin. Sytë po më dukeshin si të parë. Ata se si qeshën, sikur fshihnin një kënaqësi. Dhe buzët lëvizën. Nuk buzëqeshën.
- Ti je ai shkrimtari, Dhimitri, - foli ajo.
Nuk u befasova, sepse e dija që në kantier ishte bërë një mbledhje e madhe ku qe diskredituar “Tuneli” dhe ishte shkruar një letër kolektive.
- Po, - i thashë, duke mos duruar atë nënqeshje të hidhur që shprehte dhe një kënaqësi.
- Mirë ta paskan bërë dhe ty. Mua në lopatë, ty në ngarkim-shkarkim. Nuk po më njeh, ë? Jam Vaideja tënde, - shtoi ajo me përbuzje.
“O Zot!”, thashë me veten time dhe u mundova t’i shpjegoj teorinë e letërsisë, tipizimin, gërshetimin e spuntos reale me fantazinë, por qe e kotë. Ajo humbi durimin dhe më përcolli.

- Hajt, e mbushe gropën. Hip në makinë e mbaj hekura e dërrasa.
Hipa në makinë. Më dhembi zemra. Dhe nuk di pse ajo grua në udhë, me lopatë në dorë, e përcëlluar nga dielli, më dukej se ishte gruaja ime, tamam si ajo që kishte mbetur në Tiranë e lidhur pas pleqve të mi, pas fëmijëve të mi. Për të dyja fajtor isha unë. Unë i kisha dënuar. E përse? Për kënaqësi egoiste të krijimit, sepse me fantazinë time kisha krijuar, pjellë (jo pa dhimbje) një personazh letrar, një Vaide të brishtë, të pakënaqur nga jeta, që protestën e saj e shprehu si ato fluturat mendjelehta që kanë etje për pak dritë.
 
(Vijon nesër...)
 
 Shkrimi u publikua sot (07.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë