Ypi: Dhjam qeni

Ypi: Dhjam qeni

Edison Ypi

Unë e di të vërtetën e thjeshtë, si të dhjamit, të qenit, të dhjamit të qenit dhe të qenit të dhjamit. Dhe dua ta them. Por nuk mundem.
Se atë të vërtetë mund ta shkruaj, për shembull, ku ka më tepër dhjamë se qen, në gazetë. Por teprica e dhjamrave ndaj qenve do të pengojë ta kapësh mesazhin, do të lodhi njësoj si për të gjetur gjëlpërën në kashtë.
Po ta them atë grusht fjalësh në një medium tjetër ku ka më tepër qënër se dhjamë, pra në televizor ku lehjet televizive të aq shumë qënve me kohë ta kanë shkulur bindjen se mund të ketë mbetur ndonjë gjë serioze për tu thënë, nga rrëfimi im nuk do besosh asgjë.
Po ta them në Fejsbuk ose Instagram, i rrëmbyer nga sisët dhe shalët e lukunisë së femrave, fjalëve të mia me qen dhjamrash e dhjamra qensh as sytë nuk do ua hedhësh.
Po të nis të flas pa qen, pa dhjam, shtruar, sypërsy, ngadalë, ti e merr për muhabet, për llogje kavaje, dhe nuk i jep asnjë rëndësi.
Të vërtetën e thjeshtë mund të ta pëshpëris brenda një mirkuptimi reciprok, në stil konfidencial, si Hoxha të vdekurit rrëzë veshit, me qen të detyrueshëm dhe dhjamë të nevojshëm. As kjo me ty nuk funksionon. Të ngjall dyshime. Kujton se çoç po bëj kundër teje. Sikur po komplotoj. Sikur po dua ta shkoj ujët nën rrogoz.
Me ta rrëfy me dredha duke e zëvendësuar qenin me macen dhe dhjamin me margarinën, pra si film hollivudian, koloriti i rrëfimit të pëlqen, por të duket si zbavitje, si kalim kohe, dhe nuk përqëndrohesh sa duhet.
Po të flas për qënër e dhjamra si miku-mikut, ka gjasa ta  dëgjosh dhe kuptosh. Mirpo ngaqë kjo mënyrë komunikimi ka kohë që ka dalë jashtë mode, do të duket banale, dhe do ta harrosh atypëraty.
Po të ulurij nga larg, do kujtosh se qën të quaj ty dhe dhjamë tulin e trurit tënd, dhe do thuash me vete ky qënka çmendur. Për pasojë do bëhesh përgjithmonë viktimë e një keqkuptimi të thellë; Në vend që të vijë keq për kufizimet e vetes, do të ndjesh keqardhje për liritë e mia.
Të t'i fsheh gjat rrëfimit edhe dhjamin edhe qenin, dhe ta sjell llafin rretheqark duke ju afrur ngadalë tokzës së çështjes, ti s'ke durim të dëgjosh, e degdis mendjen nëpër të tjera dhjamra e qenra.
Të josh duke të thënë paraprakisht se çka do të rrëfej për qenra e dhjamra është për të mirën tënde, nuk e beson që dikush po të ndihmon pa ja kërkuar, dhe të hyn nga ky, të del nga ai vesh.
Të ta them hapur fare, copë, pa asnjë marifet, pa stil, pa dhjam, pa qen, pa kurgjë, kam frikë se kur të kuptosh sa i keqkuptuar je me dhjamin dhe qenin, sa gabime të rënda dhe të pariparueshme ke bërë me botën dhe njerëzit, ikën nga fiqiri.
Të them të kundërtën e asaj që dua të them duke e paraqitur dhjamin qen dhe qenin dhjam, kjo do ta kaçurrelojë aq tepër trurin sa s'është çudi të zësh përgjithmonë shtratin.
Nëse do ta them ngatërrueshëm, që si konspiracionist i regjur që je, lëmshin ta çthurësh vetë, nuk duket keq. Por kam frikë se mes qensh e dhjamrash do lodhesh shpejt, dhe kuptimin e spjegimit do ta bësh lëmsh.
Mund ti them ato të bekuara fjalë duke i paraqitur dhjamin dhe qenin si gjëra madhore, që përcaktojnë jetën tënde. Në këtë eventualitet, për shkak të pordhacërisë që të karakterizon, do thuash me vete; Nëse dhjami dhe qeni në jetën time do ishin kaq të rëndësishëm, e pamundur të mos e kisha kuptuar vetë më parë, po ma ofendon inteligjencën.
Mund ta gjej një mënyrë me ta mbaru ndonjë punë me qen dhe me ta kry ndonjë hall me dhjamë. Do habitesh pa masë. Nuk do tu besosh veshëve. Dhe do gabohesh katastrofikisht.  Do të duket sikur me ty po dua të bëj biznes duke ta hedh.
Ta them të thjeshtuar, që dhjamin dhe qenin t'ja shtosh vet, është e rrezikëshme, do ngatërrosh dozat, kaq dhjam, aq qen.
Po ta them me aq qen dhe aq dhjam sa janë në realitet, pra po të flas seriozisht, për ty serioziteti nuk ekziston.
Po ta them qesharakisht me qen të zgjebosur dhe dhjamë inekzistent, ndoshta do besosh, por do jetë një kuptim i pjesshëm, që si e kanë pohuar me plot të drejtë si Fatos Lubonja dhe Mao Ce Duni, është më i rrezikshëm se një kuptim i plotë. 
Megjithatë nuk ka vend për dekurajim. Rrëfimin tim të thjeshtë me qen, zagarë, dhjamë, margarinë, tango, vals, Londër, Washington, Berlin, Moskë, Beograd, Tiranë, Prishtinë, mund ta marrrësh me ment. Ndoshta nuk do të duket fort i keq. Tani që kemi mprehur thika e hanxharë, dhe me padurim po presim të vritemi e të pritemi, për dhjamë qeni.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • agron: 21/06/2019 11:13

    sakte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzore, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzore, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat