Dhjetor ‘44 arrestime në Shkodër…në
Berat ‘luftë” për të vendosur pushtetin

Dhjetor ‘44 arrestime në Shkodër…në<br />Berat ‘luftë” për të vendosur pushtetin
Një letër nga Shkodra në fillim të dhjetorit 1944 dhe një tjetër në fund të dhjetorit ‘44 nga Berati zbulojnë gjendjen  e veriut dhe të jugut të Shqipërisë në ditët e para pas çlirimit dhe përpjekjet për vendosjen e pushtetit nga komunistët.

Si raportohej në letrat e këmbyer mes krerëve komunist gjendja në këto dy rajone të Shqipërisë. Në shkodër raportimin për Komitetin Qendror e bën Tuk Jakova. Kurse në Berat për gjendjen atje dhe mbi lajmet që mbërrinin nga Greqia raporton për Koçi Xoxen, Kristo Themelko.

Të dy letrat e vënë theksin në rëndësinë që po i jepej vendosjes së pushtetit komunist në ditët e para pas çlirimit. Strukturat e këtij pushteti siç raporton Tuk Jakova, në Shkodër nuk ishin të kënaqshme, por sipas tij po punohej dhe pushteti do të vendosej me çdo kusht.

“Bankat e shoqrit e ndryshme dhe Monopolet i kemi bllokue, por duhet të na skjaroni çfarë të bajmë me ta. Arrestimet po vazhdojnë, në burg jemi dyke mbajt vetmë ata qi kanë për të dhanë hesapë, të tjerët i mbajmë nën vërejtje në qytet” shkruan Tok jakova në raportin e tij të 6 dhjetorit 1944. Ndërsa nga Berati, Themelko shkruaan:

“Këshillat këtej nuk funksionojnë si duhet, ka elementa që nuk dinë të punojnë, që s’duan të punojnë dhe që sabotojnë. Shokët tonë nuk dallohen në punë me popullin që kur të bahen zgjedhjet të zgjidhen ata.

Kryetari i Këshillit të Qarkut Hysen beu, që asht dhe i frontit nuk vlen, nuk din të punojë nuk asht i aftë as për të mësuar, dhe nga ana tjetër edhe pin e lot komar. Në zgjedhjet e reja unë mejtoj që të hiqet nga këshilli i pushtetit….” Më poshtë i sjellim të dy këto dokumente të plota të zbardhura sipa sorigjinalit që ruhet në AQSH.
 
Letra e parë
 
Të dashur shokë!
 
Kuer erdha ktu në Shkoder, çdo punë ishte në rrmujë. As nji sektor pune nuk shkonte ne rregull. Qyteti ka shptue pa u damtue por urat janë shkatrrue të gjitha dhe kto donë nji kohë të gjatë të ndreqen. Populli në përgjithsi asht i knaqun me ne, por akoma ka nji indiferencë. Organizata e Shkodrës me përjashtim deri diku të rinisë asht krejtsisht e dobët.
Kshilli i Qarkut dhe Komanda po përmirësohen. Kemi ba nji mbledhje me Kshillin ashtu me Komanden dhe u kemi skjarue detyrat ashtu kemi nda dhe seksionet në bazë të vendimeve të Beratit.
Me K.Qark. kemi ba vetem nji mbledhje, aty kemi skjarue detyrat qi i paraqiten organizatës. Nder celula nuk kam mujt deri tash me shkue mbasi kemi pasë punë shumë. Tash qi u grumbullue Shtabi i Korpit III-të të paktën do lehtësohem nga puna ushtarake për të muejtë me punue në sektoret e tjerë.
Dje kemi ba nji Meting ku muer pjesë nji shumicë e madhe e popullit Qytetit. Aty foli nji nga kshilli i qarkut, nji per rinine e nji per gruen. Fola edhe unë në emen të Kshillit të Përgjithshëm në fund, Brig.I-rë bani nji parakalim.
Populli u skjarue mirë nga kjo mbledhje. Përveç kësaj nëpër lagje mbahen  konferenca për zgjedhjet e kshillave. Populli ka nisë të marri pjesë me interesim në këto mbledhje. Për së shpejti do kemi kshillin e qytetit të zgjedhur Demokratikisht. Sa për kshillin e Qarkut ky do vonojë shumë të bahet definitiv, mbasi në qarkun e  Shkodrës nuk asht ngritë pushteti. Tash qi do shkojnë brigadat në Malsi të Madhe, Dukagjin e Shalë e Shosh do dërgojmë me ta delegat për ket punë ashtu edhe nder katunde për rreth Shkodrës do dërgojmë njerëz për të kompletue ngritjen e  pushtetit.
Vullnetarë nga Puka e Mirdita kanë ardh deri tani afër 350 veta nji pjesë janë mobilizue ndër komanda të vendit e të rrethit, megjithatë presim të vinë edhe vullnetarë të tjerë. Të gjithë i kemi dërgue në brigadën e Shkodrës, e cilla deri tani ka harri 1100 vetë. Jam i mendimit qi të tjerë qi po mobilizohen ti shpërndajmë në brigada të tjera, se për të formue tash për tash nji brigadë të re mungojnë kuadrot, sidoqoftë ju më lajmoni për kte. Në Shkodër armiku u tërhoq në rregull prandaj nuk janë zanë sende të nevojshme për ushtrinë, si armë, veshmbathje, automjete, etj. Për automjete kemi marrë nga populli por nuk kemi benzinë e naftë. Jemi duke konfisku benzinë e naftë ndër ata qi kanë mshefë. Sende ushqimore janë zanë mirë, sidomos bereqet, por nga grumbullimi i forcave të shumta në ket qark konsumi ka qenë shumë i madh e duhet të konfiskojmë nga nji anë e duhet të hapim fushatë ndihme në bereqet se kshtu do metemi keq. Bankat e shoqrit e ndryshme dhe Monopolet i kemi bllokue, por duhet të na skjaroni çfarë të bajmë me ta.
Arrestimet po vazhdojnë, në burg jemi dyke mbajt vetmë ata qi kanë për të dhanë hesapë, të tjerët i mbajmë nën vërejtje në qytet. Do ju dërgojmë nji listë të gjithë ktyne qi kemi mbrendë dhe jashtë. Na dërgoni udhzime të reja në vendimet qi do marrë qeverija.
Kalimin e lumenjve po e ndreqim me trapa. Bahçalleku e në Lesh u ndreq tash do ndreqet te ura e Milotit.
Të fala
Tuku
V.F.L.P.
6.12.944.
 
  
Letra e dytë
 
Letër e Kristo Themelkos për Koçi Xoxen, 28 dhjetor 1944
 
 
I dashur shok Koçi.
Akoma nuk kam lëvizur prej këtej masi në fillim duheshe të venim në vijën punën në shtabin, dhe tani Tahiri vajti të regullojë punën e vendosjes së forcave. Këto ditë do të lëvis, do vete në Gjinokastër e mandej në Korçë.

Akoma nuk kam nji pasqyrë të qartë mbi gjendjen politike të divizjonevet dhe të krahinavet ku janë këto. Gjith ashtu dhe punën e partis në divizione. Të gjitha qarkoret që m’i ke dërgue ja kam çuar dhe udhëzuar si t’i punojnë. T’i punojnë gjanë dhe me shëmbëlla nga puna në formacionet e tyne, të lidhen ngushtë udhëzimet me gabimet ose sukseset që kanë korur.

Deri tani nuk asht nji plan pune i njajtë në gjith korpusin, vazhdojnë ato të vjetrat dhe qarkoret. Janë shumë të nevojshme kurset që të mundemi t’i ngremë kuadrot, e reja. Akoma nuk m’i kanë dërguar emnat e atyne shokëve që premtojnë të shkojnë përmpara. Vetëm brigada e IX dhe disa të brigadës së XX i kanë dërguar, i presim dhe të tjerat. Këto që kanë ardhur po t’i dërgoj.

 Këtu në shtab kemi organizuar 3 celula, nji me anëtarët e shtabit, nji tjetër me ata të krahinës ushtarake, dhe nji në kompanin e shtabit: Kemi për të organizuar dhe nji me shokët e seksioneve më të ndryshme. Po punohen qarkoret që m’i keni dërguar, këto i kanë ndihmuar mjaft, masi pjesë më e madhe e këtyne kanë qënë të ngarkuar me përgjigjësi më parë dhe nuk kanë jetu si duhet jetën e partis.

Hitoja asht mjaft i gjallë, kurse Dr. Brahimi asht mjaft nevrik dhe fanatik në zakone patriarkale. Dje ka ba nji mari, ka rahur nji partizan italjan. Partizani italjan asht nji element i mirë ka qenë me brigadën e 6 ka mbajt qëndrim mjaft të mirë dhe si partizan asht prej 16 muaj në atë brigadë. Kjo dobsi e tija nuk asht tregu vetëm në këtë rast ka ba kësij veprime mjaft. I kam ba nji kritikë të ashpër dhe asht pendu e betu në emën të gjakut të shokëve se s’ka për të përsërit nji gja të tillë. Unë mestoj që ta përjashtojmë nga partija për nji muaj dhe nga ana tjetër do të futet në gjyq. Si mejton ti na njofto.

 Kemi ba nji plan pune në shtab dhe shifet nji ngjallni në shokët po rë shofin se si do të kryet.
 Bisedat që kemi ba me atë shokun mbi detyrat e komisarëve politikë na kanë vlejt mjaft. Kam filluar të punoj në këtë drejtim dhe më duket se do të kemi suksese. Kam udhëzuar shokët me gojë; dhe me letra ata që nuk janë afër.

Po të dërgoj nji letër me disa udhëqime që i kam ba komisarëve politikë që ta shifni se mos rëshqet në ndonji vënd. Unë ja kam dërguar, dhe ja kanë filluar punës. Kemi ba nji mbledhje me komisarët e brigadës XX, kanë marë pjesë në këtë mbledhje dhe ata të kompanive. Pjesë më e madhe janë element të rij dhe pa eksperiencë, porse kanë mundësi të shkojnë përpara duhet vetëm ndihmë. Shuajipi që ka qënë komisar politi me Rizan sa kuptova unë asht pak  i pakënaqur se ka mbet kaqe kohë si komisar batalioni.

Kemi ba nji plan pune politike për gjith korpusin po ta dërgoj që ta shofish. Ato brigada që i kanë punuar disa prej temave që përmban plani, do i lenë dhe në vënd të tyne do të punojnë disa tjera që janë aktuale.

Agjitpropi në korpus nuk ekziston do të shof tani kur të lëvis se mos gjej ndonji element që ta ngarkojmë me këtë përgjegjësi.

Të kam shkru në nji letër përpara për Riza Kodhelin që të transferohet, ay asht nji pengesë për ne në brigada. Gjithashtu dhe për Mane Nishovën nuk qëndron mirë. Gafuri më ka ba nji shënim se Ndreko Sinica nuk vlen për zëvëndës Komisar brigade dhe kërkon heqjen e tija dhe se ka mundësi të gjej nji ma të mirë, për të dy të fundit do t’i shikoj dhe unë tani që do vete atje.

Këtu në Berat po përpiqen shokët që të fillojë nji lëvizje, jam takuar shpesh dhe i kam udhëzuar gjaja kryesore si dobësi që kam konstatuar asht se ne organizatë nuk ka nji gjallni, nuk futen shokët në popull të njihen dhe të familjarizohen porse venë vetëm kur bahen mbledhje dhe mer formën si kur shkon nji nënpunës. Akoma nuk dallohen shokët në punë nër masat.

Llambi sa kam parë punon gjithashtu dhe Gaqoja, Uranija asht shumë e plogësht. Puna e partis në komandat e vëndit e të qarkut ishte e përzjerë me atë të terenit, p.sh. në Kuçovë marin pjesë dhe ata të komandës së vëndit dhe ata të terenit, delegati politik i komandës meret tu eshku prej nji vendi në një vend për punë tereni dhe detyrat e tija nuk i kryen, nuk punon me partizanët e rojeve partizane, ka mundësi të organizohen celula të terenit dhe nër këto komanda. Unë mejtoj se celulat duhet të organizohen kur ka mundësi në bazë të sektorëve të punës. Kemi filluar këtu të punojmë në këtë drejtim, delegatët politik që i duheshin për në teren ja dhanë organizatës dhe kërkuan shokë të rij pa përgjigjësi dhe kandidatë për t’i pregatitur për t’i ngarkuar në përgjigjësi politike në këtë sektor. Kemi ba mbledhje me përgjegjësit politikë të komandave; do vazhdojmë me këtë punë deri sa këta të bahen të aftë që t’i kryejnë detyrat e tyne. Gjith ashtu kemi ba mbledhje dhe me përgjegjësit ushtarakë. Këtu kanë mbet pa punë Ali Shehu ish zv.komandant qarku dhe Ceno Velmishi ish Komandant qarku, këta që kanë mbet ashtu pa punë janë dhe  të pakanaqyn dhe nuk ban që të rinë ashtu na njofto si të veprojmë me këta ne mejtojmë t’i fusim në ndonji punë, por do të jetë mirë që të largohen prej këtej.

Në rinin e Beratit ka qenë nji i rinis që e din Nakoja ka sjellë pakanaqësira në rinin e këtushme, ne e hoqëm prej këtej dhe e dërguam në divizionin e VII dhe nga ana tjetër do të punojnë për ngritjen e rinis që të mos bjerë në pozitat e njerëzve të këtillë.

Këshillat këtej nuk funksionojnë si duhet, ka elementa që nuk dinë të punojnë, që s’duan të punojnë dhe që sabotojnë. Shokët tonë nuk dallohen në punë me popullin që kur të bahen zgjedhjet të zgjidhen ata. Kryetari i Këshillit të Qarkut Hysen beu, që asht dhe i frontit nuk vlen, nuk din të punojë nuk asht i aftë as për të mësuar, dhe nga ana tjetër edhe pin e lot komar. Në zgjedhjet e reja unë mejtoj që të hiqet nga këshilli i pushtetit.

Asht e nevojshme mejtoj unë Koçi që edhe këto komandat e vëndit e të qarkut të organizohen nga pikëpamja ushtarake si batalione, kjo mënyrë do të na lehtësojë dhe për organizimin e punës së partis dhe të rinis brenda. Na njofto se ku do të lidhet puna e partis në këtë sektor me ushtrin ose me komitetin qarkor.

Në Kuçovë po bahen disa ngatresa në sindikatin që asht formuar me italjanët e shqiptarët, në këshillin drejtues të sindikatit janë zgjedhun disa italjanë që janë në influencën e do elementave fashistë që janë aty si drejtori e do nënpunsa të tjer, neve e rregulluam këtë punë që çdo vendim që do të mari këshilli duhet të aprovohet prej gjith anëtarëvet të sindikatit dhe në sindikat nuk mund të marin pjesë si anëtarë ata që nuk janë punëtorë. Veç kësaj ata kanë organizuar dhe nji “Çirkolo” drejtuesit e kësaj janë elementa që kanë qënë dhe janë sigurisht fashista, këta në mbledhjet që bajnë nuk lejojnë që të marin pjesë shokët tonë, duke thënë se ne jemi në demokraci etj. Për këtë punë unë i thashë Koços: ne lejojmë që të formohen organizata antifashiste me parime demokratike dhe që të kontribuojnë në luftën kundër fashizmit, dhe këto ne duhet t’i ndihmojmë e t’i kontrollojmë. Por nuk lejojmë dhe i lëftojmë gjith ati organizata që me maskën e demokracis të veprojnë për rivendosjen e fashizmit. Demokraci nuk ka për reaksionarët e fashistat ka vetëm pastrim e luftë.

Nga Gjinokastra nuk kam gjë, nesër po shkoj andej, që të shof divizionin dhe të ndihmoj pak. Gjendja ekonomike asht mjaft e vështirë për popullin, ashtu dhe për ushtërin, ne kemi mbledh pak bereqet po na mungojnë mjetet e transportit, ushtrija akoma ushqehet në pjesën më të madhe prej popullit e prej kësaj populli asht ftohun, besoj se për pak ditë s’ka për të ngrënë ushtrija në popull.

EAMI përtej kufinit ka patur me këto luftime që ka ba suksese ushtarake dhe politike. Nji pjesë e madhe e forcave të Zervës u hodhën me anën e Elasit, janë vra dhe zanun robër. Kur të kthehem nga Gjinokastra do të dërgoj nji raport mbi gjendjen e atjeshme.

Po ju dërgoj nji raport që na kanë dërguar ata të divizionit të VIItë mbi gjendjen e prefekturës së Korçës.

Koçi më baj nga ndonji letër dhe më sqaro mbi çdo gja mos na leni ashtu se kam nevojë të madhe.

Do punojmë pa u loth dhe ju na ndihmoni në mënyrë që të kryejmë detyrat e randa që na ngarkon partija dhe populli.

Të fala shoqnore ty e shokëve.
Shulja.
28/XII/44.
 
A.Q.SH, F.14, V.1944,  D.87, fl.16

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore