TIRANË - Kryeministri Edi Rama zgjodhi 8 Dhjetorin, 24-vjetorin e lëvizjes Studentore të ’90-ës, për t’i bërë apel të rinjve që të bëhen pjesë e politikës e për të sjellë kështu ndryshimin që ata shpresojnë për vendin e tyre. Kryeministri duke folur edhe si pjesëmarrës aktiv në lëvizjes e dhjetorit, që ka marrë pjesë në protestat e e viteve 90, tha se kjo lëvizje solli endërrën e lirisë.

“Kam dëgjuar të rinj që thonë se nuk duan të dëgjojnë për politikë dhe se politika është diçka e ulët dhe e pistë. Është një iluzioni madh të mendosh se po s’u more ti me politikën politika nuk do merret me ty. Faktikisht ne jemi objekt dhe subjekt i politikës, sa më pak të merremi ne me politikën aq më shumë rrezikojmë të jemi viktima të vendimeve të saj. Politika bëhet fuqia e tyre për ndryshim. Nuk do të thotë të bëhesh politikan, të braktisësh gjërat me të cilat ti merret çdo ditë, do të thotë t’i japësh vetes mundësinë që bashkë me të tjerë të krijosh më shumë hapësirë dhe më shumë kushte të favorshme për të bërë gjënë që ti do përmes profesionit tënd. Një student nuk e ndryshon dot vet gjendjen në universitetin e tij, por të gjithë studentët sëbashku munden nëse ndjejnë nevojën për ta bërë këtë ndryshim”, tha Rama.Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama

Nga Asambleja Botërore e Rinisisë e mbajtur këtë vit në Tiranë, kreu i qeverisë tha se Lëvizja e Dhjetorit është simbol i fuqisë së rinisë për mundësi të reja zhvillimi, për të transformuar rrjedhën e historisë.

“Historia botërore njeh shumë lëvizje botërore që duke lëkundur themelet e sistemeve që konsideroheshin të pathyeshëm, i kanë hapur rrugën shpresave, ëndrrave e mundësive të reja. E tillë ishte dhe Lëvizja e Dhjetorit në Shqipëri që i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri e demokraci, kur liria e democracia për atë brez të lindur e të rritur në diktaturë s’mund të ishin gjë tjetër veçse përmasa e një imagjinate të formësuar vit pas viti paz ë dhe brenda vetvetes. Sot jetojmë në një situatë krejt tjetër, sot jemi fatlumë sepse kemi mundësinë që gjërat t’i ndryshojmë përmes votës, të krijojmë hapësira, të ngremë ura dhe të ndërtojmë procese komunikimi të pazëvendësueshme përmes politikës”, tha kreu i qeverisë.

Nga ana e tij ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, tha se të rinjtë e viteve ‘90 u bashkuan për t’i dhënë fund diktaturës më të egër të kohës. Por duke u kthyer në konktekstin aktual, ai nënvizoi se duhet që të rinjtë e sotëm të frymëzohen nga modelet e suksesit e të rinjve që spikasin në profesionet e tyre.
 
Punimet e asamblesë të organizuar nga OKB do të zgjasin 2 ditë. Në të marrin pjesë të rinj të ardhur nga 50 shtete nga gjithë bota.


edi rama
Foto të tjera

Rama: Europa e Bashkuar projekt politik, bëri bashkë dy armiqtë Francën e Gjermaninë
Kryeministri Rama përmendi shembullin e Europës së Bashkuar, si një projekt i cili u formësua nga njerëzit e politikës. Rama tha se është pikërisht vullneti i njerëzve që duan të sjellin ndryshimin përmes politikës, ai që ka arritur të bashkëojë edhe armiqtë më të mëdhenj. Në këtë rast kreu i qeverisë iu referua Francës dhe Gjermanisë, të cilat tashmë i konsideroi “gurët e rëndë të themelit të Europës së Bashkuar”.

“Falë politikës kanë lindur edhe projektet më të admirueshme që njerëzimi ka vënë në jetë, e një ndër to është Europa e Bashkuar dhe ky është një projekt politik i njerëzve të politikës që me kurajo çuan përpara një ide të cilës në momentin e parë dukej sikur nuk do t’i vinte kurrë koha. Dhe sot Shqipëria është në përpjekjen për t’u bërë pjesë e Bashkimir Europian bashkë me vende të tjera të Rajonit që bashkë me politikën ka kapërcyer një shekull luftërash, konfliktesh dhe po kapërcen me shpejtësi lumenj të tërë gjaku ashtu siç i kapërceu më parë Franca dhe Gjermani që sot janë dy gurët e rëndë të themelit të Europës së bashkuar, që para se Europa e Bashkuar të merrte jetë ishin dy armiq", tha Rama.



Rama: Kush do ta mendonte 24 vjet më parë se në Shqipëri do mbahej kjo Asamble
Rama bëri një përshëndetje të veçantë për mbajtjen në Shqipëri të mbledhjes së 16-të të Asamblesë së Përgjithshme të Rinisë, të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, me temë: "Lidershipi rinor ne vazhdim: 'E shkuara dhe e ardhmja'"

“Mbledhja e radhës e Asamblesë Botërore të Rinisë organizohet në Tiranë në një ditë të shënuar, ditë simbol i fuqisë së rinisë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe për të bërë historinë. Ne jemi sot në një kohë të re dhe 24 më parë askush nuk mund ta parafytyronte se Shqipëria vendi ku të vetmit të huaj që mund të vinin ishin marksist-leninist që merrnin miratimin nga komiteti do bëhej vendi ku do mbahej ky forum kaq i rëndësishëm botëror”, deklaroi Rama.

Rama: Ndryshimi vjen përmes kontributit të qytetarëve të mirë
Rama tha se për të sjellë ndryshime në shoqëri nuk mjafton të jesh thjesht një njeri i mirë. Sipas tij, duhet të jesh një qytetar i mirë, i cili jep kontribut për komunitetin, por mbi të gjitha, që bëhet zëri i kritikës së politikës së vendit.

“Një qytetar i mirë është më shumë se një njeri i mirë. Njeri i mirë është ai që nuk i bën dëm komunitetit ku jeton, por një qytetar i mirë është ai që bashkë me të tjerë sjell ndryshime për komunitetin ku jeton. Kjo asamble është një asamble qytetarësh të mirë, sa më shumë të tillë të kemi aq më shumë jemi të sigurtë se e ardhmja do të jetë më e mirë. Ata janë garanci që qeveritë dhe politika nuk mbeten të pavëzhguara, të pakritikuara dhe nuk mbeten të papërfshira në fatet e komunitetit tone”, u shpreh kryeministri Rama.

Sot 24 vjet nga Levizja studentore e Dhjetorit '90
8 Dhjetori, sot është Dita e Rinisë, 24 vjet nga protestat studentore kundër regjimit komunist. Prej vitit 2009, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare kur më 8 dhjetor një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën pluralizimin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.