I njëjti standard selektues u përdor edhe për vetë themelimin e PKSH. Nga 15 pjesëmarrësit zyrtarë në themelimin të PPSH më 1941 si dhe 200 anëtarët e parë të kësaj partie në fund të vitit 1948 lejoheshin të kujtoheshin dhe citoheshin vetëm 50% e tyre, më 1971 vetëm 20% e tyre dhe në periudhën e fundit të sistemit komunist më pak se 5% e tyre. Shumica u ekzekutuan, u arrestuan, u denigruan apo u lanë në harresë, duke krijuar idenë se lufta, PKSH, qëndresa antifashiste e gjithçka tjetër i adresohet vetëm Enver Hoxhës dhe besnikëve të tij në kupolën e lartë drejtuese të PPSH dhe partisë - shtet.
Në dhjetor 1990 lëvizja studentore detyroi regjimin të pranojë pluralizmin politik. 343 individë, shumica e të cilëve studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, hodhën firmat në aktin themelues të Partisë Demokratike, dhe kështu, në aktin zyrtar të themelimit të pluralizmit politik në Shqipëri.
Në mënyrë simbolike, ashtu siç 40 nënshkrimet e vitit 1921 krijuan shtetin shqiptar, 15 nënshkrimet e vitit 1941 krijuan sistemin komunist në Shqipëri, edhe 343 nënshkrimet e vitit 1990 krijuan sistemin demokratik në Shqipëri. Rëndësia e këtij akti ka vlerë historike dhe dokumentare. Prej atëherë kanë kaluar 22 vjet. Çdo vit në dhjetor përkujtohet zyrtarisht Dita Kombëtare e Rinisë, Dita e Vendosjes së Pluralizmit Politik dhe dita e Krijimit të PD-së. Janë tre ngjarje me gjurmë listën prej 343 personash që vullnetarisht firmosën aktet e mësipërme. Por asnjëherë deri më tani, asnjë qeveri (12 vjet e djathta dhe 10 vjet e majta) nuk ka pasur kurajën të tregojë publikisht listën e 343 nënshkruesve të pluralizmit, nuk i ka përmendur ata me emër, nuk i ka ftuar të jenë pjesë e një ngjarje përkujtimore dhe as nuk ka treguar respektin minimal për aktin e tyre historik. Çdo qeveri e regjim ka tentuar të bëjë të kundërtën; - të hulumtojë në listë emra luajalë, me njohje apo poste me pushtetin e radhës, dhe ka promovuar lista selektive paralele, me të njëjtin mentalitet retushues si në rastin e Hoxhës dhe të PPSH.
Sot askush në PD-në zyrtare nuk e di cila është lista themeluese e vërtetë e saj dhe e pluralizmit, nuk e di se kryetari i parë nuk ka qenë ky që është prej 21 vitesh, por Azem Hajdari, nuk i di 14 emrat e parë të Komisionit Nismëtar, nuk e di emrat e gjashtë studentëve të parë në këtë komision, nuk e di se 25 themelues nga 343 në total kanë vdekur gjatë këtyre viteve në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të botës, se 60% e tyre kanë emigruar jashtë vendit dhe jetojnë atje pa mirënjohjen që meritojnë nga shteti e shoqëria shqiptare, se ende nuk ka një listë zyrtare të 723 studentë të grevës së urisë, se listat origjinale dhe arkivat e asaj kohe janë vjedhur, zhdukur apo manipuluar gjatë viteve, se e njëjta padituri vlen edhe për emrat që themeluan RD-në, emrat që themeluan FRPD-në, ata që drejtuan fushatën elektorale të vitit 1991 apo ata 18 studentë që u burgosën në dhjetor 1990 apo shkurt 1991. Asnjë dijeni, asnjë interes, asnjë nderim, sepse për ta, historia nis e mbaron me një emër, siç ndodhi edhe gjatë periudhës komuniste në Shqipëri.
Prej 22 vitesh Berisha e Rama kujtojnë 8 dhjetorin dhe ofrojnë kujtime personale për atë ditë, por në fakt (pas drekës në Krokodil, Strasburg) 8 dhjetori 1990 është e vetmja ditë kur ata që dy nuk kanë qenë në qytetin "Studenti", në Tiranë dhe as në Shqipëri.
Prej 22 vitesh ata flasin me elozhe për veprën e madhe studentore, por asnjëherë nuk kanë kurajën të përmendin nominalisht emrat që përfaqësojnë realisht studentët dhe lëvizjen studentore. Secila palë retushon emra dhe lista, dhe krijon podiume paralele me emra luajalë, disa me kontribute reale, disa pa asnjë lidhje qoftë edhe formale me 8, 11 apo 12 dhjetorin 1990, duke tentuar kështu të retushojë historinë, të vërtetën, dokumentet arkivore dhe gjithçka që lidhet me aktin më elitar në historinë moderne të shtetit shqiptar. Çdo vit njeriu që u zgjodh për dy vjet plus dy mandate në krye të PD-së dhe që e ndryshoi këtë rregull duke drejtuar prej 22 vitesh partinë që krijuan studentë e intelektualë, vijon të flasë me elozhe para të rinjve, jo atyre të 8 dhjetorit, por me rininë e radhës, e cila ka lindur madje pas vitit 1991, që nuk ka asnjë lidhje organike, memoristike dhe as politike me protagonistët e 22 viteve.
Në vijim të logjikës së shefit retushues e spekulativ, që kërkon të ngrejë piramidën e tij personale dhe të privatizojë meritën studentore të vitit 1990-1991 me të njëjtën lehtësi që ka bërë në privatizimin e PD-së, pronave publike, pushtetit dhe institucioneve kushtetuese, - vihen në shërbim media zyrtare e publike për të ftuar e promovuar figura dytësore në Lëvizjen Studentore apo individë që nuk kanë asnjë lidhje me të, bëhen aktivitete të sponsorizuara qeveritare ku zyrtarë të korruptuar shfrytëzojnë dhjetorin 90 për të pastruar imazhin e tyre negativ publik, shpiken CV politikanësh anonimë, që më 1990 ishin 15 vjeçar apo që ndodheshin në krahun tjetër të studentëve, si alibi për të justifikuar ngritjen e tyre të sotme në karrierë të pamerituar, dhe së fundi, nderohen emra dytësorë pa kontribut primar siç ndodhi me nderimet që kryeministri aktual bëri vjet për gazetarët pro tij dhe rrogëtarët e radhës në media, - e gjithë kjo në emër të 20 vjetorit të Rilindjes Demokratike.
Më 1997 në kulmin e debatit në PD mbi rolin e Azem Hajdarit, të cilit më në fund i ngritën një shtatore, kryetari i përjetshëm pati thënë një shprehje: "mjaft duruam gjashtë vjet një person që ka vetëm gjashtë ditë kontribut në demokraci" dhe natyrisht ai u përjashtua.
E njëjta shprehje u tha edhe për studentët e tjerë, siç në shkurt 1991 i njëjti person dhe e njëjta kryesi votoi kundër grevës së urisë së studentëve, duke i akuzuar ata për destabilitet politik. Dokumentet origjinale janë, dëshmitë janë të shumta, fatmirësisht protagonistët janë në shumicë gjallë, ndaj edhe përpjekja për retushimin, personalizimin dhe privatizimin e historisë së pluralizmit, lëvizjes studentore dhe krijimit të PD-së, të kujton traditën e periudhës komuniste, kur nën zë thuhej se aq shumë ka retushime e falsifikime sa mund të thuhej se luftën e bëri AI me 200 armiq! E njëjta shprehje nën zë mund të thuhet edhe sot, kur nga 343 themelues të pluralizmit vetëm 19 i gjen ende brenda gardhit të pushtetit, të tjerët janë përjashtuar, denigruar, harruar, kanë emigruar ose nuk jetojnë më. Me siguri pushteti sot do të vijojë traditën, të festojë me retushuesit, të presë tortën dhe ta ndajë atë siç bëri edhe për 100 vjetorin dhe siç ka ndarë tortën e pushtetit, të thurë elozhe për ata që nuk janë në sallë prej vitesh, dhe të shpresojë se kështu, do të vijojë ta mbajë peng historinë, dhe të privatizojë madhështinë e Lëvizjes Studentore dhe Demokratike të dhjetorit 1990.
Shqipëria politike e vitit 2012 nuk e meriton më këtë sjellje ahistorike, primitive dhe thellësisht staliniste. Ajo meriton reflektim e qytetari, përballje me të vërtetat e mëdha, respekt për vlerat dhe rolin e individëve në ngjarje me rëndësi, ikje nga modelet e retushimit të historisë dhe nga mitet fiktive provinciale rreth një individi, që më shumë se merita, ka përgjegjësi për bilancin gri të Shqipërisë politike në 22 vitet e saj. Pafuqia për rotacion të elitave dhe mbetja peng e procesit të vijueshmërisë së elitave të vjetra ka bërë që mentaliteti e stili dominues politik të mos ketë ndryshime të mëdha nga ai i ngritjes së kultit të individit, manipulimit të historisë, diferencimeve klasore dhe denigrimeve kritike të para vitit 1990. Ky është një lajm i keq, një tipar i brishtësisë së demokracisë funksionale e kulturës demokratike, dhe një arsye përse edhe në këtë dhjetor shumica e zërave të arsyeshëm apelojnë për reflektim, për aspirata të parealizuara, për zhgënjime të mëdha dhe për braktisje nga politika vendimmarrëse të atyre idealeve të mëdha që zgjuan, krijuan, frymëzuan, përcollën dhe mundësuan Lëvizjen Studentore të vitit 1990.
*Arim Krasniqi, një nga 343 nënshkruesit studentë në themelimin e pluralizmit në dhjetor 1990 dhe 723 pjesëmarrësit e grevës së urisë studentore në shkurt 1991.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 11 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)