Lidhur me uljen e pragut të tatueshëm me TVSH tek biznesi i vogël, Dhoma Amerikane mendon se administrata tatimore nuk i ka kapacitetet e duhura për të përballuar një hyrje në skemë edhe të dhjetëra mijëra subjekteve të tjerë, ndërkohë që kjo do të kërkojë edhe kosto shtesë. Fokusi i administratës tatimore nuk duhet të zhvendoset tek tatimpaguesit e vegjël pasi dëmi më i madh në buxhet shumicën e rasteve bëhet nga të mëdhenjtë.
“Bizneset e vogla me këtë ligj që pritet të zbatohet vitin tjetër, do të kalojnë si subjekte me TVSH dhe do të duhet të paguajnë çdo muaj përveç sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, tatimit në burim edhe TVSH. Nga kjo nënkuptohet që këto biznese do të duhet të nxjerrin më shumë lekë nga xhepi i tyre. Mirë do ishte që të mendohej dhe për këtë fakt, pasi si biznese të vogla, me tërë këto shpenzime për një muaj, dihet fundi i tyre. Kjo nënkupton që duhet t’u kushtohej rëndësi edhe këtyre lloj subjekteve që të mos përfundojnë ciklin e jetës së tyre pa nisur akoma”.
Ndërkohë, taksimi i pasurive të paluajtshme mbi bazë vlere tregu të pasurisë dhe jo mbi bazë fikse konsiderohet nga Dhoma Amerikane e Tregtisë si i parakohshëm. “Niveli dhe standarti i jetesës është shumë i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku aplikohet taksë si përqindje mbi vlerën. Do të rëndonte shumë buxhetin familjar të një familjeje shqiptare duke ulur nivelin e konsumit dhe do të ketë impakt negativ në ekonomi”.
Ndërkohë që evidentohet edhe mangësia në përcaktime të ndërtesave të tatueshme, pasi ka edhe ndërtesa që nuk përdoren, as për banim, por as për veprimtari ekonomike, si në rastin e garazheve? Amendimi në ligj nuk përmban një parashikim të tillë. Dhoma shpreh edhe habinë që nuk është kthyer në realitet premtimi për uljen e tatimit mbi dividentin, që u tha se do të bëhej 6%, nga 15% aktualisht. Po kështu, nuk është prekur as norma 23% e tatimit për pagat më të larta.
Për të shmangur shtimin e shumave të TVSH të parimbursuara nga administrata tatimore, Dhoma Amerikane e Tregtisë sugjeron që të lejohet kompensimi me detyrime doganore (tarifë doganore, TVSH apo taksa kombëtare të pagueshme në doganë), etj.
Si një masë tjetër, ajo propozon edhe që borxhi i keq duhet të njihet në momentin kur provohet pamundësia e këtij arkëtimi. Kjo pamundësi provohet nga shoqëritë përmbaruese, të cilave ligji iu ka dhënë atributin e mbledhjes së borxhit.
d.c./shqiptarja.com










