TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar dje në gjykatë materialet hetimore për pesë policë të komisariatit nr.2 në kryeqytet dhe kërkon pezullimin e tyre të menjëhershëm nga detyra. Hetimet e prokurorisë kanë nisur pas denoncimit të Avokatit të Popullit të një historie që zë fill më datën 18 shkurt kur katër persona u dërguan me plagë të rënda në mjediset e komisariatit nr. 2 të policisë. Për këtë shoqërim u njoftua Avokati i Popullit dhe inspektorët e këtij institucioni kanë shkuar drejt komisariatit ku kanë bërë fotot e personave të shoqëruar të cilët kishin shenja të dukshme dhune në trup, madje njëri prej tyre u dërgua në gjendje të rëndë në spital pasi kishte marrë çarje në kokë. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje Policia e Tiranës doli me një njoftim për shtyp ku shprehej se ishin shoqëruar katër persona të cilët kishin goditur punonjësit e dy patrullave policore. Versioni i policisë ishte se rreth orës 03.00 të mëngjesit të 18 shkurtit, dy patrulla policie të këtij komisariati kishin marrë informacion se në lokalin “Makuba” kishte zhurmë. Sipas këtij versioni menjëherë, shërbimi i patrullave të përgjithshme ka shkuar në drejtim të lokalit ku ndodheshin disa shtetas, ku këta të fundit kanë fyer punonjësit e policisë. “Personat e mësipërm kanë kundërshtuar policinë me forcë, duke i shtyrë me duar dhe goditur me gur. Ndodhur në këto kushte, punonjësit e patrullave të policisë kanë kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera policore dhe në kushtet e mosbindjes, i kanë shoqëruar me forcë katër shtetasit”,-ishte pretendimi i zyrtarëve të komisariatit nr.2. Të arrestuarit në dhomat e paraburgimit, nga ana e tyre kanë paraqitur një version të ndryshëm për dinamikën e kësaj ngjarjeje.

Ankuesit
Sipas të katërt ankuesve, rreth orës 02.45 të datës 18 shkurt 2012, pasi ata kishin dalë nga një lokal, në afërsi të pallatit me Shigjeta në Tiranë janë keqtrajtuar fizikisht nga disa policë të patrullës së përgjithshme. “Na goditën në kokë, fytyrë e në pjesë të ndryshme të trupit me sende të forta”,-kanë pohuar të arrestuarit, të cilët në momentin e intervistimit kanë pasur shenja të dukshme dhune e hematoma në trup. “Nga të katër të arrestuarit u pretendua për ushtrim dhune fizike çnjerëzore prej punonjësve të policisë. Dy prej ankuesve, Mark Frroku 39 vjeç dhe Grand Frroku 20 vjeç, kishin shenja të dukshme dhune, të cilat janë fiksuar edhe me fotografi. Shenjat e dhunës të konstatuara te të dëmtuarit dhe vendet ku ishin shkaktuar dëmtimet krijojnë bindjen se ata janë keqtrajtuar e dhunuar në mënyrë çnjerëzore nga punonjësit e policisë”,-thuhej në raportin e Avokatit të Popullit, i cili i kaloi më pas Prokurorisë.

Hetimi
Pas denoncimit të rastit nga Avokati i Popullit, prokurori i çështjes kur nisi hetimin u përball me alibinë e policëve të dyshuar. Gjatë deklarimeve të bëra prej tyre në prokurori ata janë shprehur se kanë shkuar në lokalin ku ndodheshin të rinjtë pas sinjalizimit të ardhur nga salla operative e policisë se pikërisht në atë lokal kishte zhurmë dhe njerëz të pirë që po shkaktonin shqetësime. Ky ishte një element i fortë në favor të pesë policëve të cilët deklaruan se kishin ndërhyrë sipas rregullores së veprimit të tyre në raste problematike. Por prokurori i çëstjes për të bërë verifikimin e kësaj alibie ka thirrur për të dhënë deklarime operatoren e sallës operative që ishte në shërbim atë natë. Operatorja gjatë deklarimeve të saj ka dhënë një version të ndryshëm nga ai i pesë policëve. Ajo është shprehur se në fakt nuk ishte telefonuar nga salla në drejtim të patrullave për ti çuar në lokalin ku ndodhi ngjarja. Madje ajo ka thënë se ka kontaktuar vetëm njëherë komandantin e patrullës pasi në radiot e policisë dëgjoheshin zhurma. “Kam dëgjuar zhurmë në radiot e patrullave të policisë dhe menjëherë kam komunikuar me komandantin e togës. Ky i fundit më pohoi se po shoqëronin disa persona”,-ka thënë operatorja e policisë në dëshminë e saj. Dëshmi kjo që sipas hetuesve ka rrëzuar katërcipërisht versionin e pesë policëve që tashmë rrezikojnë pezullimin nga detyra. Tashmë verdikti mbi pretendimet e prokurorisë i takon gjykatësit të çështjes për të vendosur nëse ekzistojnë rrethanat dhe provat e nevojshme për pezullimin nga detyra të pesë policëve. Të kontaktuar nga Shqiptarja.com, zyrtarë të komisariatit nr.2 në Tiranë kanë refuzuar të komentojnë më tepër duke u shprehur se të gjitha pretendimet e tyre ata do i shpalosin në rrugë ligjore.

(sg/shqiptarja.com)