Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, ka dënuar dhunën e ushtruar nga disa roje privatë ndaj protestuesve në Zvërnec të Vlorës, njëri prej të cilëve u tërhoq zvarrë.

Përmes një reagimi, Çakërri shkruan se dhuna e ushtruar ndaj protestuesve nga persona të maskuar është një hije e rëndë mbi parimet e shtetit të së drejtës.

Sipas Çakërrit, autoriteti i ligjit nuk mund të zëvendësohet nga askush dhe rendi publik nuk mund të delegohet jashtë institucioneve që e kanë këtë përgjegjësi.

Ditën e djeshme dhjetëra qytetarë protestuan kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit në Vlorë, i cili po ndërtohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.

Kundër ndërtimit të resortit kanë dalë edhe organizata të shoqërisë civile, të cilat pretendojnë se ndërtimet pa kriter dëmtojnë zonën e mbrojtur në Zvërnec dhe rrezikojnë florën e faunën.

Reagimi i deputetes Çakërri:

Ajo që pamë sot nuk pasqyron standardet dhe vlerat që duhet të karakterizojnë një shoqëri demokratike.

Pamjet e personave të maskuar që përplasen dhe ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve janë një hije e rëndë mbi parimet e shtetit të së drejtës. Autoriteti i ligjit nuk mund të zëvendësohet nga askush dhe rendi publik nuk mund të delegohet jashtë institucioneve që e kanë këtë përgjegjësi.

Shqipëria ka nevojë për investime, zhvillim dhe projekte që krijojnë mirëqenie. Çdo investim në përputhje me ligjin duhet të realizohet. Por po aq e rëndësishme është që ligji të mbetet busulla që orienton çdo proces dhe çdo vendimmarrje.

Reagimi i Policisë së Shtetit dhe procedimi i rojeve private të përfshira në ngjarje janë një sinjal se askush nuk mund të veprojë përtej kufijve që vendos ligji.

Në një demokraci të vërtetë, forca nuk buron nga maska apo intimidimi, por nga besimi i qytetarëve te ligji, i cili duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

Lajm në përditësim...