Halimi, deputet i PD dhe njëherësh kryetar i departamentit ligjor në PD, thotë se ai dhe PD e ka kundërshtuar dhe nuk kanë votuar amnistinë e bërë nga parlamenti,amnisti e cila solli dhe lirimin nga burgu të vrasësit të gjyqtares. Halimi e ve theksin dhe tek problemet sociale që po përjeton shoqëria jonë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shtimin e rasteve të dhunës. “…E dini ju se në Shqipëri ka më shumë lojra fati se dyqane bukë? Nuk ndodh në asnjë vend….”-nënvizon Halimi.
Z.Halimi, kohët e fundit dhuna në familje është bërë rituale dhe në shumë raste ka përfunduar me viktima. Në gjykimin tuaj si politikan dhe Jurist,a janë kushtet ekonomike, ndarja e pasurisë, ndarja nga fëmijët, tradhtia, depresioni, qëndrimi në një çati me prindërit, kunata, faktori kryesor që kanë krisur marëdhënien familjare?
Padyshim që gjëndja ekonomike, varfëria, depresioni por dhe përdorimi i lëndëve narkotike në dijeninë time në disa raste ka sjellë fenomenin e dhunës në familje. Fenomeni ka ardhur në rritje me përdorimin më të zgjeruar të alkoolit, lëndëve narkotike dhe zgjerimit të panatyrshëm të lojrave të fatit.
E dini ju se në Shqipëri ka më shumë lojra fati se dyqane buke?.Nuk ndodh në asnjë vend. Humbja e parave në lojra fati që janë në çdo fshat dhe në çdo lagje qyteti ka sjellë depresionin, varfërinë, borxhet, sherret në familje dhe dhunën padyshim.
Ndaj si politikan e them se kemi bërë shumë pak për të eleminuar si përdorimin e drogave ashtu dhe lojrat e fatit, të cilat në Shqipëri do i cilësoja si një fakt destabilizues në familje që pasjellin dhe dhunën përveç efekteve të tjera. Oligarkët zotërojnë perandorinë miliarda lekë të lojrave të fatit të shtrirë në çdo fshat e çdo lagje qyteti, dhe me lidhje të forta politike zotërojnë duke ndarë paratë me politikanët nuk bëhet asgjë.
4 vjet më parë operacioni i ashtuquajtur "fundi i marrëzisë" nuk solli uljen por rritjen e pikave të lojrave të fatit dhe shërbeu vetëm për të ndihmuar oligarkët dhe pasuruar politikanët që kontrollonin procesin. Padyshim që dhe çështjet e tjera që hyjnë në fushën e psikologëve kanë efektin e tyre.
Që nga periudha kur ju ishit ministër Drejtësie, krimet në marëdhënie familjare dhe farefisnore janë konsideruar si Krime të Rënda, duke rritur ndjeshëm masën e dënimit dhe kaluar për koopetencë për hetim dhe gjykim Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në gjykimin tuaj kjo lëvizje sa ka ndikuar në uljen e numrit të vrasjeve dhe dhunës në familje?
Paketa e drejtësisë penale e vitit 2012, inisiative e imja si Ministër Drejtësie, përfshinte një numër veprash penale e cila ashpërsonte dënimet duke ndryshuar një praktikë 20 vjeçare në Shqipëri, duke rritur masat nga 25 vjet burg në 35 e burgim të përjetshëm.
Paketa kishte si qëllim kryesor mbajtjen në burg të baronëve të krimit të cilët duke shfrytëzuar dobësitë e sistemin dhe korrupsionit në drejtësi po dilnin nga burgu, siç edhe dolën vite më vonë me ndihmën edhe të politikës (drejtuesit e bandave pak muaj para zgjedhjeve të 2017). Por paketa përfshinte dhe dhunën në familje për ti dhënë një mesazh të fortë paralajmërues. Ajo nuk ishte recetë për të gjitha, pra që të parandalonte dhunën, por si politikan bëra atë që mendoj se është e duhura. Por nuk mjafton.
Ndikimi është i vogël në parandalim, por është i madh në përsëritje, pasi të le shumë vjet brenda burgut duke ndikuar në rehabilitim. Nëse del shpejt nga burgu, për shkak të amnisitive si rasti i fundit atëherë prirjet kriminale riaftësohen dhe sjellin fatalitet. Ndaj paketa penale e 2012 dhe kalimi tek krimet e rënda ndikojnë tek eleminimi i përsëritësve dhe për këtë efekt jam i bindur që bëmë mirë në atë kohë.
Në kohën që po jetojmë dhe me ndryshimet e një pas njëshme që po i bëhen legjislacionit penal, a jemi ende në kohë që të ndryshojmë dhe dispozitat ligjore për të parandaluar dhunën në familje? A është e nevojshme për forcimin e politikës penale për rastet e dhunës në familje dhe ndërtimin e një procedure më të thjeshtuar për mbrojtjen e grave të dhunuara?
Rritja edhe më shumë e masave penale duhet studiuar dhe PD po punon me ekspertët e departamentit që unë drejtoj për të sjellë një paketë edhe më komplekse nisur edhe nga rasti i fundit. Unë e kam kundërshtuar amnistinë e fundit dhe me gjithë përpjekjet e bëra për konsesusus, amnsitia e fundit që liroi dhe vrasësin e gjyqtares ka qënë e para në 27 vjet që opozita, PD nuk e ka votuar. Kam bërë një diskutim të gjatë në parlament në lidhje me këtë çështje dhe ndihem mirë që unë dhe kolegët mbajtëm atë qëndrim një vit më parë. Por ajo që duhet parë janë procedurat e thjeshtuara për mbrojtjen e grave të dhunuara.
Sipas jush cilat do ishin rrugët ligjore që duhet të ndryshonin për të sjellë një impakt në uljen e masës së dhunës në familje?
Besoj se ka lidhje me pyetjen e parë që më bëtë dhe kjo nuk është vetëm çështje ligjesh penale. Është çështje shkak-pasojë dhe duhen eleminuar shkaqet që sjellin dhe kjo pastaj është një temë edhe më e gjerë që e trajtova në pyetjen e parë. Por ka dhe elementë të tjerë si korrupsioni në drejtësi apo favoret politike si amnistia që sjellin raste si rasti tragjik i fundit. Ka padyshim neghlizhencë të plotë nga qeveria, nga policia siç ishte rasti i gjyqtares së vrarë që solli dhe pasojën tragjike. Mendoni kur kjo i ndodh një gjyqtare, mendoni se sa gra të dhunuara do mbyllin gojën. Dhe kjo sepse policia nuk bëri asgjë. Fildesi kishte bërë të pamundurën, kish lajmëruar të gjithë dhe askush nuk lëvizi. Kjo pra do një analizë dhe ndëshkim. Por për ndëshkimin duhet të ngrihen të gjithë, edhe shoqëria civile edhe media. Por kjo nuk ndodh këtu sepse shoqëria civile dhe media janë të kompromentuar dhe të blera nga qeveria e cila i jep dikujt fonde e medias leje ndërtimi e tendera. Dhe pas pak ditësh çështja harohet sepse qeverisë nuk i intereson fare problemi. Ndaj vendi rrëshket drejt një autoritarizmi ku qeveria zotëron gjithçka dhe bën çështje në media apo të debatit publik ato që i interesojnë qeverisë.
Cfarë “taktike” duhet të zgjedhë policia për të ekzekutuar Urdhërat e Mbrojtjes dhe mbajtur në kontroll gruan e dëmtuar dhe burrin kërcënues që jetojnë nën një çati?
Zgjidhje mendoj është monitorimi i dhunuesve dhe i grave të dhunuara nga policia. Unë gjykoj se monitorimi është zero. Kjo nuk çudit askënd në Shqipëri sepse kur nuk monitorojnë dot drogën mendo çështjet e tjera. Në kohën kur isha ministër fillova një projekt shumë interesant në bashkëpunim me OSCE dhe ambasadën britanikë. Ishte mbikqyrja elektronike, byzylyku elektronik. Ne instaluam në atë kohë me një kosto simbolike një sistem shumë modern,me tre sinjale, telefon, radio dhe GPS të lavdëruar nga shërbimet britanike si më moderni në Europë. Kisha pasion digitalizimin në atë kohë dhe isha i bindur se monitorimi elektronik i dhunuesve do ti mbante larg grave të dhunuara dhe policia nëpëmjet sallës operative do vihej në lëvizje brenda pak minutash sapo ai të afrohej. Nuk patëm kohë ta aplikonim në shkallë të gjerë pasi erdhi fushata elektorale e 2013. Unë nuk bëra shumë protagonistin në atë kohë për shkak se ishte fundi i mandatit dhe nuk doja që pasardhësit ta sabotonin si një projekt të paraardhësit, por duket se nuk funksionoi. Me fillimin e legjisalturës do kërkoj informacion nga qeverria se përse kjo nuk aplikohet sipas projektit që u bën atëherë dhe funksionon në USA dhe Britani më së miri. Kostoja është simbolike, siguria publike në rritje.
Në gjykimin tuaj a fillon dhuna në familja, atëherë kur gruaja fillon e ndjek rrugën ligjore si denoncimet në polici, urdhëra mbrojtje etj. Ndërmarja e këtyre veprimeve ligjore nga ana e gruas, a shërbejnë si shkaqe për ti hedhur akoma më tepër benzinë sherrit në familje?
Jo nuk e shoh kështu. Në rastet që jam ndeshur unë në zonat elektorale ajo që kam parë është se heshtja ka sjellë rritjen e dhunës. Pastaj nuk është vetëm vrasja dhunë, nuk është vetëm vdekja dhunë. Dhuna përfshin, rrahjen, goditjen, intimidimin, fyerjen etj,të cilat janë të pranishme shumë në Shqipëri për shkaqet që ua thashë dhe në fillim.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com