Pas ngjarjeve të pahijshme që ndodhën në disa stadiume të Superligës, Ligës së parë dhe Ligës së dytë në futboll, ku u shfaq dhunë dhe sjellje josportive, Këshilli për Çështje Urgjente i FFK-së është mbledhur dhe ka dënuar këto akte, që janë të papranueshme dhe të patolerueshme për FFK-në.

Ky këshill ka kërkuar nga të gjitha organet relevante që në mënyrë urgjente të mblidhen dhe me kujdes të madh t’i shqyrtojnë të gjitha rastet veç e veç dhe të marrin të gjitha masat më rigoroze në përputhje me të gjitha aktet normative që ka FFK-ja dhe që rregullojnë garat në futbollin e Kosovës, ndaj të gjithë atyre që kanë bërë kundërvajtje dhe që i kanë kontribuar këtyre dukurive negative.

Këshilli për Çështje Urgjente po ashtu kërkon nga të gjithë, klubet, lojtarët, shikuesit, Policia e Kosovës që të angazhohen maksimalisht për rregullshmërinë e garave dhe mos të lejojnë më akte të tilla që dëmtojnë rëndë futbollin e Kosovës, veçmas në këtë kohë kur po angazhohemi që të bëhemi pjesë e mekanizmave ndërkombëtar. Po ashtu urgjentisht do të mbahen edhe takime të veçanta me përfaqësuesit e të gjitha klubeve të te gjitha rangjeve.

Komisioni Disiplinor (KD) ka marrë këto vendime: KF “Gjilani” për shkak se ka dështuar në organizimin e ndeshjes së javës 24-t dënohet me 5 (pesë) ndeshje mungesë në fushën e tij dhe kjo skuadër është e detyruar për 5 ndeshje si vendës të gjejë fushë të pranuar për këtë rang të garave. Futbollistët e KF ”Gjilani”: Vllaznim Jashari, Florim Mureseli dhe Lirion Ferati, pezullohen nga të gjitha ndeshjet kampionale dhe të kupës deri në marrjen e vendimit përfundimtar dhe nga të cilët kërkohen deklaratat. Po ashtu është pezulluar edhe trajneri i KF”Gjilani” Sallah Sherifi deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Është pezulluar deri në vendimin përfundimtar edhe trajneri i KF”KEK-u” Fetah Veliu. KD ka ndëshkuar KF ”Drita” me dy ndeshje pa shikues për shkak të dështimit në organizim të ndeshjes së javës 23-të Drita- Lepenci, ndërsa KF”Lepenci” është dënuar me vërejte. Nga KD është dënuar edhe gjyqtari Arben Halilaj me tri ndeshje mosdelegim për shkak të vlerësimit me notë 2 (dy) nga ana e kontrollorit të ndeshjes. Futbollisti i KF”Llapi” Benjamin Emini është pezulluar deri në vendimin përfundimtar sikur edhe futbollistët Qëndrim Kida i KF”Fushë Kosovës” dhe Leutrim Brahimaj o KF”Ballkani” dhe Muhamet Gashi i KF”Flamurtari”.(rb/shqiptarja.com)