Dhuna në Maqedoni, hesht federata
politika e dënon, policia nis hetimet

Dhuna në Maqedoni, hesht federata<br />politika e dënon, policia nis hetimet
Incidentet e dhunshme në ndeshjen Shkupi-Vardar janë një ogur i keq para ndeshjes eliminatore Maqedoni-Shqipëri për Botërorin e Rusisë.
 
Por, ajo që e bën më të rëndë akoma incidentin është fakti se Federata Maqedonase e Futbollit akoma nuk ka reaguar për të dënuar incidentin.
 
Zyrtarët e FFM në këtë ndeshje nuk respektuan rregulloren, e cila qartëson se ndeshja duhej të ndërpritej. 

Nga ndeshja u dhunuan 12 banorë shqiptarë nga fshati Batincë e Shkupit, teksa më të rëndë incidentin e bënë thirrjet raciste "Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur".
 
Ministria e Brendshme
Autoritetet maqedonase kanë nisur punën për arrestimin e autorëve të dhunës në ndeshjen Shkupi-Vardar, të paktën kështu thuhet në njoftimin e zëdhënëses së shtypit të Ministrisë së Brendshme.
 
“Mbrëmë rreth orës 23 në sheshin Maqedonia më shumë persona të panjohur kanë sulmuar fizikisht tre persona të moshës, 14, 20 dhe 23 vjeç.
 
Të njëjtit kanë marrë lëndime trupore dhe njëri prej tyre është dërguar në qendrën emergjente në Shkup, ndërsa dy të tjerët në spitalin e qytetit. Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren masa për zbulimin dhe kapjen e autorëve si dhe zbardhjen e plotë të rastit.
 
Mbrëmë 15 minuta pas mesnate, në rrugën Nikolla Parapunov, disa perona të panjohur kanë sulmuar fizikisht dy persona të moshës 24 vjeçare nga Velesi duke i goditur me gjësende të forta, ndërsa ua kanë dëmtuar edhe veturën pas çka janë larguar nga vendi i ngjarjes”, deklaroi Liza Bendeska, SPB Shkup.
 
 
 
Deklarata e Shkupit
Pas ndeshjes ka reaguar ekipi i Shkupit duke dënuar me ashpërsi sharjet dhe fyerjet degraduese që u bënë për më shumë se 90 minuta nga tifo grupi i Vardarit “Komiti”.
 
 “Kryesia e FC Shkupi, duke qenë gjatë 90 minutave në ulëset e stadiumit, e shohim të arsyeshme që të reagojmë dhe të dënojmë ashpër sharjet dhe fyerjet degraduese që u bënë për më shumë se 90 minuta nga tifo grupi i Vardarit “Komiti”, të cilët në asnjë moment nuk treguan se kanë shpirt sportisti dhe se e duan sportin në vendin tonë.
 
Pastaj dhuna që kanë përdorur jashtë stadiumi, është edhe një dëshmi se duhet marrë masa urgjente, për largimin e huliganizmit që po ushtrohet brenda dhe jashtë stadiumeve, pa marrë parasysh se nga kush vjen ajo.
 
Edhe përkundër gjithë këtyre ngjarjeve që lanë njollë të pashlyer në futbollin e Maqedonisë, e për çka klubi ynë dëshmon video materiale dhe do të bëjmë ankesë në FFM për ndëshkim të autorëve, ne publikisht falënderojmë kryesinë e KF Vardar, pastaj stafin futbollistik, e në veçanti organet e rendit, MPB, që gjatë gjithë kohës janë sjellë në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj ne si kryesie, por edhe ndaj gjithë stafit në të gjitha vendet ku ata ishin në stadium.
 
Së fundi edhe një herë duam të potencojmë, se futbolli duhet luajtur për të treguar kualitete dhe për të kënaqur tifozëritë e klubeve, por në asnjë mënyrë ajo të kalojë kufijtë dhe të jetë dhunues brenda dhe jashtë stadiumit”.
 
Sulmi ndaj Shkëndijës
Ndërkohë sipas mediave maqedonase, lajmpress, huliganët maqedonas të tifo-grupit “Komiti”, përvec që fyen, ofenduan dhe rrahën shqiptarët në derbin e Shkupit, Vardar-Shkupi, ata kanë bërë edhe një skandal duke sulmuar edhe kryesinë dhe stafin teknik të KF Shkëndija, të cilët gjendeshin në zonën VIP, duke ndjekur ndeshjen në fjalë, mëson gazeta “Lajm”.
 
Sulmi ndaj zyrtarëve të KF Shkëndija ka ndodhur në momentin kur FC Shkupi shënoi golin e parë, ndërsa një anëtar i kuqezinjve nga Tetova është qëlluar në krahë.
 
Pas këtij incidenti përfaqësuesit e KF Shkëndija nuk e kanë ndjerë vetën të sigurt dhe kanë lëshuar zonën Vip, duke u nisur në drejtim të Tetovës.
 
Ata pas ndeshjes Shkëndija-Mlladost CD (3-1) kishin shkuar për të ndjek ndeshjen Vardar-Shkupi, pasi në javën e dytë Shkëndija e pret Vardarin.
 
Reagimi i Shkëndijës
Sulmi i maqedonasve ndaj zyrtarëve të ekipit të Shëkndijës, konfirmohet edhe nga drejtuesit e ekipit shqiptar, të cilët kanë falënderuar klubin shkupjan për përkrhajen e ofruar në mbarëvajtjen e ndeshjes.
 
“KF Shkëndija shfrytëzon rast që publikisht të falenderojë FC Shkupin për mbështetjen e ofruar në organizimin e ndeshjes së parë të sezonit të ri ndërmjet Shkëndijës dhe Mlladostit në stadiumin në Çair. Vëllezërit tanë shkupjan treguan edhe një herë se janë të gatshëm të na dalin në krah në rast nevoje, duke na dhënë në dispozicion stadiumin dhe gjithë mbeshtetjen e nevojshme për organizim të mirëfilltë të këtij takimi. Jemi mirënjohës për këtë gjest duke filluar nga njeriu i parë i klubit z. Ejup Ademi e deri te personat në pozitat më të ndryshme që në një mënyrë apo tjetër të dielën ishin në shërbim të KF Shkëndija”, thuhet në falënderimin e KF Shkëndija.
 
“Goli për të gjithë shqiptarët”
Ardian Nuhiu gjatë një prononcimi për “Lajm” thotë se shënimi i golit ishte kënaqësi e madhe dhe se këtë gol ua dedikon të gjithë shqiptarëve dhe atyre që e duan Shkupin. 
 
“Ne qysh para ndeshjes kishim thënë se kundër Vardarit do të luajmë pa asnjë eufori dhe se ajo që ishte më e rëndësishme, duhet ta lëshojmë stadiumin “Arena Filipi i Dytë” pa disfatë.
 
Momentin kur e kam shënuar golin, ishte një kënaqësi e madhe, duke marrë parasysh se po luanim pa tifozët tanë e të cilët para nisjes na dhanë një përkrahje të madhe dhe na obliguan të japim maksimumin nga vetja.
 
Besojmë se kemi dëshmuar se në futboll nuk luan rol se me çfarë buxheti luan klubi, por sa e do klubin.
 
Këtë rezultat padyshim se ua kemi dedikuar të gjithë shqiptarëve dhe atyre që e duan FC Shkupi”, deklaroi Nuhiu. Ndeshja Vardar-Shkupi përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.
 
 
Reagimi i politikës
Incidenti sportiv ka marrë edhe përmasa politike. Partia Liberal Demokratike dhe Lëvizja për Reforma në PDSH ka apeluar deri te Federata e Futbollit të Maqedonisë të kërkojë përgjegjësi nga delegati i ndeshjes.
 
PLD thekson se dhuna para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare po tenton të shkaktojnë përplasje dhe tensione ndëretnike, duke keqpërdorur në këtë mënyrë tifozët e ekipeve futbollistike.
 
PLD kërkon kapjen dhe dënimin jo vetëm të shkaktarëve të këtyre incidenteve, por edhe porositësit e tyre.



d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

SHBA, Departamenti i Drejtësisë ngre padi ndaj shtetit Virxhinia për shkelje zgjedhore

SHBA, Departamenti i Drejtësisë ngre padi ndaj shtetit Virxhinia për shkelje zgjedhore