TIRANË – Policia e Tiranës ka lëshuar sot një deklaratë për shtyp lidhur me ngjarjen e djeshme në stadiumin “Qemal Stafa”. Burimet zyrtare të saj bënë të ditur se”gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Tirana-Skenderbeu, shërbimet e policisë kanë bërë shoqërimin e 11 personave, që mbanin me vete sende të ndaluara në tribunat e stadiumit, ku është evidentuar se gjatë pjesës së parë të ndeshjes janë hedhur lëndë piroteknike, fishekzjarre e tymuese, të cilat kanë krijuar probleme per rendin publik në stadium.

Janë konstatuar veprime e xheste antisportive, janë bllokuar sende e mjete të kundraligjshme, për pasojë janë shoqëruar edhe personat përgjegjës në komisariatin e policisë, të cilët përbënin rrezik edhe për konfrontimin mes dy tifozerive..

Shtetasve të shoqëruar u janë sekuestruar: një dorezë metalike, një thikë, 29-fishekzjarre të fashuara ne kallepe treshe dhe gjashtëshe gati për t’u hedhur në fushë; janë bllokuar 2 tymuese-lotuese etj, të cilat janë të ndaluara dhe mund të sjellin pasoja për jetën e njerëzve dhe rendin në stadium.

Policia tha më tej në njoftimin e saj se ndaj shtetasit A. D, 19 vjeç, banues ne Tirane, ka filluar procedimi penal pasi i është gjetur me vete dhe sekuestruar një thikë dhe një dorezë metalike.”

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)