Bashkëshorti i 49-vjeçares të dhunuar mbrëmë në Durrës e ka cilësuar të pavërtetë versionin e ngjarjes të bërë publik nga Policia e Shtetit. Përparim Agalliu, i cili është kryetar i seksionit nr 6 të degës së Partisë Demokratike në Durrës,  tha për mediet se Policia e Shtetit ka dhënë një version aspak të saktë për ngjarjen duke pretenduar se, nuk ka asnjë konflikt dhe nëse Policia mbështet këtë version atëherë ajo duhet të tregojë autorët. Në të kundërt, Agalliu tha se, Policia po bën një lojë që të fshehë autorët e vërtetë të ngjarjes.

“Nëse policia ka arritur në këtë përfundim do të thotë që ka gjetur autorët e këtij krimi dhe i lutem policisë të thotë nëse i ka arrestuar këta autorë. Ndryshe, bën lojë që të fshehë autorin e vërtetë të kësaj vepre kriminale”, tha Agalliu i cili shtoi se ngjarja ishte e tmerrshme në dhunën ndaj bashkëshortes së tij ku pasi e goditën i thanë; “tani ec e voto për PD-në”. 

Policia e Durrësit në komunikatën për këtë ngjarje ka deklaruar se incidenti ka të bëjmë ke konfliktet personale të të dëmtuarës, pasi më parë ndaj saj ka pasur dhe dy kallëzime për kanosje dhe fyerje. Madje, sipas policisë e 49-vjeçarja ka mohuar që sulmi ndaj saj të ketë motiv politik. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)