Seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për ish-presidentin Ilir Meta është shtyrë për në 19 shkurt.

Siç raporton gazetarja Keti Banushi shkak i kësaj u bë mungesa e avokatëve të Metës, Gylsen Zhllima dhe Kujtim Cakrani, në shenjë proteste pas dhunës që i ushtruan këtij të fundit para disa ditësh në Vlorë.

Meta ka kërkuar të vazhdonte seanca me argumentin se ishte gati për të bërë parashtrimet, por prokurorët Sotir Kllapi dhe Arben Kraja kërkuan të shtyhet në mënyrë që të jenë te pranishëm edhe avokatët. Gjykata vendosi të shtyjë seancën dhe të pezullojë afatet e paraburgimit për Metën.

Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe bashkë me Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po ashtu, ndaj familjes së tyre SPAK ka nisur edhe hetim pasuror.