Unioni i Gazetarëve ka reaguar për dhunën ndaj gazetarit të Report Tv Adriatik Doci duke e cilësuar si akt të rëndë dhe kërkon që të vihet para drejtësisë autori i sulmit.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon dhunën e ushtruar nga një bandit i paidentifikuar, ditën e shtunë në mesditë, pranë banesës së tij në Kamëz të Tiranës, mbi gazetarin investigativ Adriatik Doçi. Goditja fizike, në mënyrë banditeske, mbi gazetarin është një akt i rëndë ndaj gazetarit për shkak të detyrës. UGSH shpreh solidaritetin e menjëhershëm me kolegun dhe e konsideron deklaratën e tij pas ngjarjes si shenjë të kurajos dhe këmbënguljes profesionale, për të mos u dekurajuar apo tërhequr nga misioni i reporterit edhe pas akteve të dhunës dhe risqeve që ofrohen nga bota e errët e krimit shqiptar.
Vlerësojmë deklaratën e parë pas ngjarjes, në të cilën kolegu Doçi pohon: " Ky sulm s'më pengon, por më inkurajon të raportoj më tej... Akt burracak që nuk më ndalin, do bëj detyrën deri në fund”.
![]()
Dhuna fizike mbi gazetarin Adriatik Doçi të Report Tv dhe Shqiptarja.com, përbën një rast tjetër të dhunës fizike mbi reporterë në vend. UGSH kërkon që autoritetet e hetimit të përshpejtojnë procesin hetimor dhe zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Të mos humbet kohë në identifikimin e autorir, të zbardhet motivi i këtij akti dhe krejt rrethanat që kanë lidhje me këtë sulm mbi gazetarin.
Autori i sulmit bandit, me çdo kusht të vihet para drejtësisë dhe të marri ndëshkimin e meritueshëm ligjor”, shkruan Unioni i Gazetarëve.
Një reagim erdhi edhe nga Lëvizja e Gazetarëve që dënon aktin e dhunës ndaj gazetarit, kolegut Adriatik Doçi dhe kërkon zbardhjen e ngjarjes.
Lajmi kryesor:
Dhunohet gazetari investigativ i Report Tv, Adriatik Doçi: Më goditën për shkak të detyrës! Ky sulm s'më pengon, por më inkurajon të raportoj më tej





