Dhuna ndaj gazetarit të Report Tv Elvis Hila, Reporterët pa Kufij dënojnë sulmin: Të tmerruar! Opozita e Avokati i Popullit: Autorët të vihen para drejtësisë

Çdokush që guxon të godasë gazetarët, t’i pengojë ata në raportimin e së vërtetës e lirës së fjalës, duhet të ndëshkohet. Edhe sot kanë qenë të shumta reagimet, të cilat dënojnë dhunën fizike për shkak të detyrës ndaj gazetarit të Report Tv dhe Shqiptarja.com, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij.

‘Reporterët pa Kufij’ në reagimin e tyre shprehen të shokuar nga sulmi dhe kërkojnë arrestimin sa më parë të autorëve. Sulmi ndaj gazetarit Hila e bashkëshortes së tij u dënua dhe nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.

“Jemi të shokuar nga lajmi se gazetari shqiptar Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij janë sulmuar fizikisht sot rreth orës 17:00 në Lezhë, Shqipëri . Sipas Hilës, pasi e ka sulmuar, njëri prej autorëve ka goditur në kokë gruan e tij teksa ajo po merrte celularin nga toka.”, thotë në reagmin e saj qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.

“Instituti Ndërkombëtar i Shtypit në Shqipëri dënon sulmin tronditës fizik ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij në Lezhë më herët sot pasi kishte raportuar për një dënim të gjykatës lokale. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të arrestojnë dhe nxjerrin me shpejtësi përgjegjësit e këtij sulmi para drejtësisë.”, thuhet dje në reagimin e Institutit Ndërkombëtar të Shtypit.

Avokati i Popullit po ashtu ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Hila. Në reagimin e tij thuhet se gazetarët janë një mekanizëm të interesit publik për t’u informuar dhe se çdo sulm ndaj tyre, konsiderohet si sulm ndaj këtij interesi. Njëkohësisht, Avokati i Popullit u bën thirrje autoriteteve që të vënë para drejtësisë autorët.

Reagimet ka pasur edhe nga radhët e opozitës shqiptare. Partia Demokratike ka dënuar sulmin ndaj gazetarit të Report Tv dhe thotë se liria e shprehjes në një vend të lirë është e shenjtë, e çdo person që guxon të dhunojë punonjës të mediave duhet të dalin para ligjit.

Deputetja Metaliaj thotë se gazetari nuk preket, se dhuna është e pranueshme dhe e pa tolerueshme. Deputeti Kastriot Piroli thotë se dhuna ndaj gazetarit Elvis Hila, është dhunë ndaj çdo gazetari që punon në mediat shqiptare.

Edhe kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka dënuar dhunën ndaj gazetarit Hila. Ai e quan një sulm që cenon rëndë fjalën e lirë, si dhe standardet e komunitetit të Lezhës, teksa kërkon që autorët të kapen sa më shpejt dhe të marrin dënimin e merituar nga drejtësia.

Cili ishte lajmi për të cilin u dhunua gazetari Elvis Hila?
Gazetari i Report Tv Elvis Hila është dhunuar për shkak të detyrës dhe gjithçka lidhet me një lajm që ai ka publikuar për Fran Amerin. Ky i fundit u dënua me një vit burg pasi kishte prodhuar një vendim gjyqësor të falsifikuar. Ameri u gjet fajtor për veprën penale "Falsikim Dokumentesh".

Si ndodhi ngjarja?
Pas publikimit të lajmit në Report Tv dhe Shqiptarja.com, gazetari i Report Tv është telefonuar rreth orës 14:47 nga djali i Fran Amerit, i cili ka ofenduar dhe kërcënuar gazetarin Hila. Përsëri rreth orës 16:42, gazetari ka marrë një tjetër telefonatë, kësaj radhe nga Paulin Përgjini, i cili i ka kërkuar që të takohen përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit të Lezhës.

Kur ka mbërritur në vendtakim, gazetari Hila shoqërohej nga bashkëshortja e tij Benereta Hila. Dy autorët, Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri kanë zbritur nga një mjet tip ‘Golf 6’ dhe i kanë kërkuar gazetarit që të zbresë nga makina. Ky i fundit nuk ka pranuar dhe është përballur me ofendime e kërcënime nga Përgjini dhe Ameri. Në një moment, bashkëshortja e gazetarit Hila ka zbritur nga makina për t’iu kërkuar dy personave të largoheshin. Ajo ka nxjerrë telefonin për të telefonuar policinë, por Ameri i ka rënë me dorë telefonit të saj, dhe kur Benereta Hila është ulur për ta marrë, Indrit Ameri e ka qëlluar me grusht në qafë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:32
Dhuna ndaj gazetarit të Report TV, reagon AMA: Cënim i lirisë së medias, presim me padurim zbardhjen e aktit të shëmtuar

1674739216_aa.jpg

Autoriteti i Mediave Audiovizive, ka reaguar pas dhunimit të gazetarit të Report TV, Elvis Hila gjatë mbrëmjes së djeshme. AMA kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të dhunuesve të gazetarit.

“Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka përcjellë së fundmi me shumë shqetësim aktin e rëndë të ushtrimit të dhunës ndaj gazetarit audioviziv Elvis Hila në qytetin e Lezhës. Kërcënimi psikologjik dhe ushtrimi i dhunës fizike ndaj një reporteri në detyrë janë akte të papranueshme, janë cenim i rëndë i standardeve të lirisë dhe pavarësisë së medias.

AMA pret me padurim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij akti të shëmtuar dhe të rrezikshmëm për lirinë e shprehjes. AMA qëndron krah gazetarit Elvis Hila dhe të gjithë kolegëve të redaksive që punojnë me angazhim dhe përgjegjësi profesionale për informimin e publikut”- thuhet në reagim.

Ora 15:03
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias dënon sulmin ndaj gazetarit të Report Tv dhe bashkëshortes së tij: Jemi të shokuar

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias ka dënuar sulmin fizik për shkak të detyrës ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij.

“Jemi të shokuar nga lajmi se gazetari shqiptar Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij janë sulmuar fizikisht sot rreth orës 17:00 në Lezhë, Shqipëri . Sipas Hilës, pasi e ka sulmuar, njëri prej autorëve ka goditur në kokë gruan e tij teksa ajo po merrte celularin nga toka.”- thuhet në reagimin e  Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias. 

Ora 14:18
Reporterët pa Kufij dënojnë sulmin ndaj gazetarit të Report TV dhe gruas së tij: Jemi të tmerruar

Organizata ndërkombëtare ‘Reporterët pa Kufij’ ka dënuar sulmin për shkak të detyrës ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij. 

‘Reporterët pa Kufij’ në reagimin e tyre shprehen të tmerruar nga sulmi dhe kërkojnë arrestimin sa më parë të autorëve.

“Gazetari i Report Tv në Shqipëri, Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij janë rrahur në Lezhë, pasi ai ka raportuar për një vendim gjyqësor. Tmerruar nga brutaliteti i saj, ‘Reporterët pa Kufij’ dënon sulmin. Autorët, tashmë të identifikuar nga policia, duhet të ndalohen shpejt dhe të sillen para drejtësisë!"- thuhet në reagimin e ''Reporterëve pa Kufij' në Twitter. 

 

Ora 14:14
U dhunua për shkak të detyrës, gazetari i Report Tv Elvis Hila tregon si ndodhi sulmi

Gazetari i Report Tv, Elvis Hila foli për sulmin që pësoi për shkak të detyrës nga 2 persona në Lezhë. Ai foli në një bisedë me gazetarin Nertil Agalliu në ‘Sot, live në Shqipëri’ në Report Tv duke sqaruar të gjithë ngjarjen ndërsa në fytyrën e tij dukeshin qartë frakturat që kishte pësuar.

Gazetari Hila tha se ndërhyrja e bashkëshortes për të mos e vijuar më konfliktin dhe fakti që nuk doli nga makina ndikoi që të mos pësonte dëme më të rënda në trup e fytyrë.

“E gjitha lidhej me një lajm që bëhet fjalë për dënimin e një qytetari për falsifikim dokumentesh. Është vendim i gjykatës së Lezhës. Diçka e tillë duket se i ka shqetësuar personat në fjalë. Duken qartë frakturat që më janë shkaktuar.

Në 15:00 jam telefonuar e kërcënuar dhe rreth 1 orë më vonë kam patur një tjetër telefonatë për t’u takuar në bulevardin ‘Gjergj Fishta’. Në ato momente isha bashkë me bashkëshorten dhe e kam telefonuar sapo arrita në vendin e takimit. Nga një automjet tjetër dolën 2 personat që më kishin telefonuar e kërcënuar. Nuk zbrita nga makina dhe filluan të më kërkonin llogari për lajmin e publikuar.

Njëri prej agresorëve ishte djali i personit të dënuar. Më kërkuan të dal, por nuk pranova. Bashkëshortja doli nga makina për ta sheshuar ngjarjen por ata ia hodhën në tokë e më pas u vërsulën drejt meje me grushta e shkelma. Menjëherë kam shkuar në spital. Kam bërë deklarimet e mia dhe policia deri tani ka vepruar dhe është vënë në lëvizje.

Dhunuesit më janë prezantuar me emër kur më kanë telefonuar. Duke iu referuar edhe veprimeve të tyre kam arritur t’i identifikoj dhe në bazë të asaj çfarë ka deklaruar. Më parë nuk kam pasur njohje me personat në fjalë. Ka patur sensibilizim të madh sapo lajmi për dhunën është bërë publik në media. Kam pasur telefonata nga drejtues lokal e qendror duke më inkurajuar që të vijoj punën. Po ashtu ka dhe angazhim maksimal për të vënë para drejtësisë agresorët”, tha Hila.

 

Ora 14:09
Dhunimi i gazetarit të Report Tv Elvis Hila, PD dënon sulmin: Liria e shprehjes është e shenjtë! Të ndëshkohen të gjithë ata që guxojnë të godasin nga raportimi i së vërtetës

 

Partia Demokratike ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar për shkak të detyrës ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila si dhe bashkëshortes së tij.

Nëpërmjet një deklarate të zëdhënëses së saj, Floriana Garo, kërkohet që organet ligjzbatuese të ndalojnë e të ndëshkojnë autorët e sulmit. 

“Partia Demokratike e dënon aktin e dhunës ndaj gazetarit dhe u kërkon organeve ligjzbatuese të ndalojnë autorët. Vetëm duke kapur dhe ndëshkuar autorët apo porositësit e tyre, dora e atyre që guxojnë të godasin gazetarët, kur nuk u pëlqen diçka nga raportimi i së vërtetës, do të ndalet.

Partia Demokratike shpreh shqetësimin për prirjen në rritje të dhunës apo abuzimit verbal ndaj punonjësve të medias, qofshin reporterë, fotoreporterë apo operatorë. Ne besojmë se liria e shprehjes dhe e shpërndarjes së informacionit është e shenjtë për një shoqëri të lirë.

Ne dënojmë çdokënd që ngre dorën mbi ata që raportojnë lajmin, në kushte shpesh të pafavorshme, dhe u bëjmë thirrje policisë, gjykatave dhe organizatave të mbrojtjes së gazetarëve të kenë vëmendje dhe të ushtrojnë presionin mbi dhunuesit e Elvis Hilës apo të çdo kolegu apo kolegeje të tij.

Ne u kërkojmë politikanëve bullizues, në krye të të cilëve qëndron Edi Rama, t’i japin fund gjuhës agresive dhe negative ndaj gazetarëve. Besojmë se është pikërisht kjo gjuhë që frymëzon guximin e atyre që ngritën dorë mbi Elvis Hilën apo të tjerë para tij.”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Ora 13:56
Dhuna ndaj gazetarit të Report Tv Elvis Hila, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit: Tronditëse, dënojmë sulmin! Autoritetet të nxjerrin me shpejtësi para drejtësisë përgjegjësit

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit ka dënuar dhunën për shkak të detyrës ndaj gazetarit të Report Tv Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij në Lezhë.

Në një reagim në Twitter, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit po ashtu i bënë thirrje autoriteteve që të arrestojnë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë ligjore autorët e sulmit.

“Instituti Ndërkombëtar i Shtypit në Shqipëri dënon sulmin tronditës fizik ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij në Lezhë më herët sot pasi kishte raportuar për një dënim të gjykatës lokale. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të arrestojnë dhe nxjerrin me shpejtësi përgjegjësit e këtij sulmi para drejtësisë.”, thuhet dje në reagimin e Institutit Ndërkombëtar të Shtypit në Twitter.

Ora 12:48
Dhuna ndaj gazetarit të Report Tv Elvis Hila, deputetja Metaliaj: E pa tolerueshme! Organet ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen

Deputetja demokrate Lindita Metaliaj ka dënuar sulmin ndaj gazetarit të Report TV, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij, për shkak të detyrës. Metaliaj thotë se gazetari nuk preket, se dhuna është e pranueshme dhe e pa tolerueshme. Ajo kërkon nga organet ligjzbatuese që të zbardhin ngjarjen.

“Dënoj me forcë aktin e dhunës dhe goditjen për shkak të detyrës të gazetarit te Report Tv Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij .

E papranueshme dhe e pa tolerueshme dhuna e ushtruar ndaj gazetarit Hila. Lajmësi nuk preket! Fjala e lirë nuk mund të cenohet !

I uroj shërim të shpejte gazetarit Hila dhe bashkëshortes se tij. Organet ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen.”- shkruan  deputetja në Facebook. 

Ora 12:02
Dhunimi i gazetarit të Report Tv Elvis Hila, Pjerin Ndreu: Vepër e shëmtuar, cenojnë lirinë e fjalës

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Elvis Hila. Ndreu e quan një sulm që cenon rëndë fjalën e lirë, si dhe standardet e komunitetit të Lezhës.

Kryebashkiaku kërkon nga policia që të gjejë sa më parë autorët, në mënyrë që drejtësia t’i japë dënimin e merituar.

“Dhuna ndaj gazetarit lezhjan Elvis Hila është akt kriminal i dënueshëm ligjërisht, por dhe publikisht!

Shpreh keqardhje dhe indinjatën time për një vepër të tillë të shëmtuar që cenon rëndë ligjin, fjalën e lirë, por edhe standardet e komunitetit lezhjan!

Kërkoj që policia, sa më parë të gjejë autorët dhe drejtësia tu japë dënimin e merituar autorëve të ngjarjes!”- shkruan Ndreu në Facebook.

S.C/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?