Dhuna ndaj gazetarit Elvis Hila në Lezhë, kolegët e tij të Shqiptarja.com dhe Report Tv dënojnë sulmin: Na ke në krah

Dhuna ndaj gazetarit Elvis Hila në Lezhë, kolegët e tij të Shqiptarja.com dhe Report Tv dënojnë sulmin: Na ke në krah

Kolegu Elvis Hila

TIRANË- “Na ke në krah”, është ky mesazhi i përmbledhur me vetëm një fjali që shkon për kolegun, gazetarin Elvis Hila, që sot ra pre e dhunës për shkak të detyrës së tij. Të gjithë kolegët e tij, në Shqiptarja.com dhe Report Tv dënojnë sulmin, e ndërsa i kërkojnë që kjo ngjarje të mos e step në misionin e tij.

“Çdo përpjekje dhe goditje ndaj gazetarëve në detyrën e tyre të vështirë për të përcjellë të lirë zërin e së vërtetës në shoqëri, është e dënueshme, por aspak pengesë në misionin tonë për të përcjellë të vërtetën me çdo kusht. Solidaritet me kolegun Elvis Hila që u dhunua për shkak të profesionit dhe bashkëshorten e tij”, shkruan kryeredaktorja e Report Tv, Greta Malaj.

“Sot disa burracakë guxuan edhe një herë të vënë duart mbi median, mbi kolegun tonë Elvis Hila, i cili si çdo ditë e kreu misionin e me devotshmëri dhe përkushtim dhe raportoi për publikun lajmin, atë të vërtetin, të verifikuar dhe kjo nuk u pëlqeu kriminelëve. Mirëpo në fakt me dhunën sot frikacakët vërtetuan atë që ne të gjithë po e themi, se Visi edhe sot ishte një gazetar model, botoi një informacion që dikush nuk donte. Nuk bëri 'PR' e radhës, ashtu si shumë zgjedhin ta bëjnë. Në emër të Shqiptarja.com i urojmë Visit të shkuara dhe nesër presim të rikthehemi sërish, të shkruajmë dhe të transmetojmë informacione që frikacakët dhe kriminelët tremben”, shkruan kryeredaktori i Shqiptarja.com, Kujtim Topuzi.

“Një ditë kjo e zezë për median. Gazetari i Report TV, kolegu ynë kurajoz, Evis Hila ra pre e dhunës së disa burracakëve që duhet të përfundojnë shpejt në qeli. Elvisi është gazetar profesionist dhe djalë me vlera të rralla ndaj jam e sigurt se nuk do të stepet asnjë sekondë në misionin e tij përçimin e të vërtetës. Kurajo Vis, na ke në krah”, shkruan redaktorja e rretheve, Riviera Dedaj.

“Kur një qeveri e tërë anatemon dhe sulmon gazetarët sigurisht që rrëmbythjet do marrin zemër dhe do ngrenë dorë mbi fjalën e lirë. Elvis Hila shoku ti nuk je mposhtur nga 'Burrat me uniformë' dhe jo më nga 'burat'. Forca shok...”, shprehet gazetari në Tiranë, Erind Koçi. 

“Burrat e dobët merren me gazetarët”, shkruan gazetari i kronikës, Sokol Dema.  

"Dënoj me forcë dhunën ndaj kolegut Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij! Në emër të lirisë së medias, por edhe ndalimit të dhunës, sot kushdo duhet të bërtasë njëzëri: Na ke në krah Vis!  Kjo ngjarje duhet të bëhet forca jote për të çuar më tej atë që ke treguar në çdo moment të punës tënde: Profesionalizëm në misionin për të qenë zë i së vërtetës", shkruan gazetarja që mbulon PD-në, Danjela Maloku. 

“Ka horra plot rrugëve të vendit që nuk pyesin për asnjë parim e vlerë fetare e njerëzore. Qe ngrenë duar mbi gratë dhe burrat normal të këtij vendi. Dy horra sot goditën kolegun tonë dhe bashkëshorten e tij! Jam pa fjalë, këta horra nuk pyesin për vlera njerëzore, shoqërore, fetare apo kanunore. Kot e kanë, sido që të jetë, në burg do shkojnë, ku kanë dhe vendin”, deklaron moderatori i ‘Studio Live’, Arbër Hitaj. 

“Forca Elvis, jemi me ty”, shkruan moderator i “Sot Live në Shqipëri”, Nertil Agalliu.

 “Jam tejet i indinjuar nga dhuna e ushtruar ndaj kolegut tonë Elvis Hila . Edhe unë si kolegu i Ervisit, por edhe si kryetar i Shoqatës Gazetareve Europiane seksion Tiranë Dega Fier në emër dhe të gazetareve e dënojmë ashpër këtë dhunë dhe policia duhet të kap menjëherë autorët e këtij krimi të rëndë”, shprehet kolegu në Fier, Kristaq Thano.

“Solidaritet me mikun tonë. Reagoni sot për kolegun tonë, që nesër mos t’ju vijë pas koke”, është shprehur gazetari në Gjirokastër, Piro Nase.

“Na ke në krah”, deklaron kolegu në Fushë Krujë, Julian Shota.

“Jemi me ty dhe dënojmë dhunën ndaj gazetarit dhe kolegut tonë të guximshëm”, shprehet kolegu në Kukës, Benet Beqiri.

“Mbështetje pa kufi për punën tënde”, shkruan gazetari në Lushnje, Yrjet Saliasi.

“Ne na ke këtu. Një bravo të madhe për ty”, thotë gazetari në Elbasan, Ronaldo Gjoshi.

“Në emër të gazetarëve dega Berat dënojmë dhunën ndaj kolegut dhe gazetarit Elvis Hila”, deklaron gazetarja e Beratit Mimoza Sinanaj.

"Na ke në krah për çdo gjë", shpreher gazetari i Shkodrës, Ergys Kavaja. 

Gazetari Elvis Hila u dhunua sot së bashku me bashkëshorten e tij, për lajmin që raportoi ditën e sotme për Fran Amerin. Ky i fundit u dënua me një vit burg pasi kishte prodhuar një vendim gjyqësor të falsifikuar. Ameri u gjet fajtor për veprën penale "Falsikim Dokumentesh". Djali i Amerit, Indrit Ameri dhe Paulin Përgjini e grushtuan, e ndërsa janë shpallur në kërkim nga policia.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës